Kulturë
Gjekë Gjonaj: Botim shumëfish i rëndësishëm
E hene, 19.05.2025, 06:57 PM
Botim shumëfish i rëndësishëm
Studime letrare (të zgjedhura) të Anton Nikë
Berishës në 10 vëllime
Nga
Gjekë Gjonaj
Prof.
dr. Anton Nikë Berisha është autor i dhjetëra e dhjetëra veprave letrare dhe
studimore. Mbi të gjitha është njeri i mirë e i thjeshtë me një kulturë të
gjerë, një mik i sinqertë e pastaj një intelektual me përmasa mbarëkombëtare,
profesor, poet, prozator, përkthyes letrar e studiues i mirëfilltë, i nderuar
nga autoritete shkencore e letrare shqiptare e më gjerë.
Diskursi
i tij letrar e studimor është i gdhendur, i thellë, i skalitur e efektiv. Ky
nivel arrihet, sigurisht, falë talentit, përkushtimit krijues dhe vetëdijes së
lartë për misionin e fjalës së shkruar, por Anton Nikë Berishën si shkrimtar e
studiues dhe posaçërisht si intelektual e karakterizon edhe guximi për ta thënë
troç atë që mendon dhe ndien, në të gjitha rastet dhe rrethanat.
Profesori
ka mbaruar studimet në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, Dega Gjuhë e Letërsi
shqipe, pastaj studimet e rregullta pasuniversitare pranë Fakultetit Filozofik
të Universitetit të Zagrebit dhe doktoratën shkencore po ashtu në Zagreb (më
1981). Realizoi tri qëndrime studimore në universitetet e Gjermanisë si bursist
i DAAD-së dhe i Fondacionit “Alexander von Humboldt”.
Ka
punuar disa vite në Institutin Albanologjik të Prishtinës, pastaj në
Universitetin e Mynihut dhe në Katedrën e Letërsisë Shqipe –të Fakultetit të
Letërsisë dhe të Filozofisë të Universitetit të Kalabrisë.
Ka
mbajtur mësim në disa universitete të Evropës, po dhe në universitetin e
Prishtinës, Tiranës, Shkodrës, Korçës, Elbasanit, Vlorës etj.
Një
punë të rëndësishme ka bërë dhe në fushën e përkthimeve letrare nga disa gjuhë.
Për
veprën e tij letrare dhe shkencore janë botuar deri më tani 21 libra e studime
nga autorë shqiptarë dhe italianë.
Për
kontributin e tij të madh, Anton Nikë Berisha, është shpërblyer me disa çmime.
Po përmend vetëm Shpërblimin e dhjetorit të KSA të Kosovës, shpërblimin “Beqir
Musliu”, Medaljen Presidenciale të Meritave të Republikës së Kosovës, Dekoratën
Nëna Tereze të Kryetarit të Republikës së Shqipërisë dhe Çmimin kombëtar
letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli”
të Ministrisë së Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Kosovës (për vitin 2023).
Me
veprat e tij, të botuara e të ribotuara, gjatë gjashtë dekadave të kaluara,
Anton Nikë Berisha, jo vetëm se e pasuroi opusin krijues të tij, por gjithsesi
edhe letërsinë tonë shqiptare. Ai theu kufijtë gjeografikë, krahinorë e
ideologjikë, duke u prezantuar si një studiues me integritet të plotë.
Kompleti
i studimeve letrare të zgjedhura në 10 vëllime që doli këto ditë nga Shtëpia
Botuese “Faik Konica” e Prishtinës e dëshmon mirëfilli punën e tij të pasur e
serioze në fushën e studimeve letrare.
Në
Fjalën paraprake të këtij kompleti prof. Antoni shkruan pos të tjerash: “Në
vitin e largët – 1968, në revistën atëherë të shquar, “Fjala” të Prishtinës,
botova punimin “Analogji e porosive të fantazmave”, ku krahasoja porositë e
fantazmave të tragjedisë “Hamleti” të Shekspirit dhe të “Istori e Skënderbeut”
të Naim Frashërit.
Në
vitin 1970 botova përmbledhjen me poezi për fëmijë “Kthimi i Skënderbeut në
Krujë”, ndërsa më 1978 librin me kritika letrare “Përkime poetike”. Një vit më
vonë atë me ese dhe vështrime “Mundësi interpretimi” (të tria botime të redaksisë
së botimeve të Rilindjes).
Në
vazhdim botova një varg veprash, qoftë në fushën e studimeve letrare, qoftë
romane dhe vepra me përsiatje poetike (poezi).
Në
punën time në fushën e artit të fjalës, letërsisë, i jam përmbajtur asaj që
thoshte shkrimtari i shquar rus, Anton Çehov: “Të moskënaqurit me vetveten
është themeli i çdo talenti të vërtetë”.
Në
25 vjetët e fundit, sidomos gjatë kohës sa punova në Universitetin e Kalabrisë
(Itali, nga viti 1993), botova një varg punimesh e studimesh për veprat e
letërsisë së arbëreshëve të Italisë, dy studimet monografike për “Mesharin” e
Buzukut, studimet për Budin poet e prozator, për Estetikën dhe estetikën e
letërsisë, për “Këngën e këngëve”, për “Poetikën” e Aristotelit, për Skiroin,
Fishtën, Koliqin, Dushko Vetmon, Martin Camajn, Azem Shkrelin etj., po dhe për
disa vepra të letërsive të tjera si për “Epin e Gilgameshi”, “Pslamet”,
“Gjeorgjikat” e Virgjilit, “Silvia-n” e Nervalit, “Princin e vogël” të
Ekzyperisë, “Mantelin” e Gogolit, “Sytë e vëllait të përjetshëm” të Cvajgut,
“Histori të mërzitshme” të Çehovit, për poezinë e poetit italian, Daniele
Giancane etj.
Në
dy vitet e fundit botova dy vëllime me punime të zgjedhura: “Mbi disa kryevepra
të letërsisë botërore (2022) dhe Rreth disa kryeveprave të letërsisë sonë”
(2023).
Në
këto dhjetë vëllime me studime letrare të zgjedhura kam përfshirë vetëm ato
punime – interpretime dhe studime monografike që, sipas mendimit tim, bëjnë
pjesën më cilësore të punës sime në fushën e studimit të artit të fjalës,
letërsisë, po dhe ku vështrohen disa nga veprat letrare më të njohura në
rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar. Kam lënë anash, për një arsye ose për një
tjetër, një varg punimesh e librash.
Këto
punime – interpretime dhe studime monografike janë dëshmi e mënyrave të ndryshme
të qasjes dhe të veçimit të cilësive poetike të teksteve të veprave përkatëse;
vetëm leximi i vëmendshëm dhe i disa hershëm, njësimi shkallë – shkallë me
tekstet dhe me kumtet poetike që dilnin prej tyre, bëri të mundur komunikimin e
duhur me to dhe ndriçimin e vlerave kryesore shprehëse poetike.
Në
dy vëllimet e para kam vënë studimet për çështjet teorike të letërsisë, të
tekstit letrar, të estetikës dhe të estetikës së letërsisë, në vëllimin e tretë
ato hulumtuese kërkimore – dy studimet monografike për “Mesharin” e Gjon
Buzukut dhe studimin për veprën letrare të Pjetër Budit, për t’u lënë vend
pastaj vëllimeve me vrojtime dhe me interpretime për dukuri dhe vepra të
autorëve të tjerë”.
Ky
botim 10 vëllimesh me studime letrare të zgjedhura dëshmon jo vetëm për punën e
rëndësishme dhe cilësore të Anton Nikë Berishës në këtë fushë, po dhe për
cilësinë dhe pjekurinë e studimeve tona letrare në përgjithësi.
Botimi
“Studime letrare të zgjedhura” do të jetë i mirëseardhur për të gjithë ata që
duan të dinë më shumë për çështje teorike të letërsisë, për estetikën e veprës
letrare, për veprimtarinë e disa nga shkrimtarët më të shquar – shqiptarë dhe
të huaj – për interpretimin e disa nga kryeveprat e letërsisë sonë e të
letërsive të tjera.