Kulturë
Albert Habazaj: Fisnikëria e poetes dhe etnografes nga Vlora - Zamira Agalliu e Kaninës
E enjte, 15.05.2025, 06:54 PM
FISNIKËRIA E POETES DHE ETNOGRAFES NGA VLORA: ZAMIRA AGALLIU E KANINËS
Nga
Albert HABAZAJ
Vizatimi shkrimor për të mirën
Zamirë
E kam parasysh orë e çast sentencën e Emanuel Kantit: “Mosmirënjohja
është kuitensenca e poshtërisë”, madje e kam të vendosur në kornizë në
Bibliotekën vetiake në shtëpi, prandaj them që Mirënjohja është virtyt
njerëzor.
Nëpërmjet këtij vizatimi shkrimor të thjeshtë, por të dëlirë për poeten
lirike dhe humanisten e kulturës në Vlorë Zamira Agalliu dua të shpreh mirënjohje
për nënën Vlorë, që lind e rrit bija të tilla kaq të denja si Zamira. (Në fakt,
bëhen 3-4 vjet, që kam hedhur disa shënime kujtese në fletorkën dixhitale të
kompjuterit tim për këtë poete). E vërteta është se me Zamirën jam njohur nëpërmjet
vjershërimit të saj, librave që kemi shkëmbyer me njeri-tjetrin, si miq të
letrave dhe jemi takuar e kemi biseduar me dashamirësi në veprimtari të
ndryshme letraro - artistike të shoqërisë sonë në qytet. Fakti që unë kam nisur
një punim për letërsinë femërore në Vlorë para ca vjetësh, ku patjetër dhe
Zamira ka ndihmesën e saj në këtë detashment me dritë shkrimore na ka bërë që të
jemi miqësisht më pranë njëri-tjetrit, si shërbestarë të misionit fisnik nëpërmjet
letërsisë për edukimin letrar në rrafshin artistik dhe estetik, në funksion të
edukimit qytetar e kulturor të brezave që rrisim dhe edukojmë.
Në shënimet e para për Zamirën kam shkruar disa mendime për librat e
saj që më ka dhuruar. Janë 4 vëllime poetike që ajo ka botuar: 1. “Zemëruar
me apostujt”, 2013; 2. “Mall i
arratisur”, 2017; 3. “Zjarri i
erës;111 grimca poetike”, 2018; 5. librin humoristik për fëmijë “Eni
Çamaroku”, 2021. Natyra e saj është e tillë, që nuk nxiton, por
shënon. Por pak më tej do të shprehem për këtë ndihmesë letrare të poetes sonë,
sepse ajo guxon të udhëtojë edhe në fushën e prozës me tregime, pa hequr dorë
nga ëndrrat romanore.
Tri lartësi njerëzore
Vërej 3 piketa të vlerave humane të kësaj zonje, që dua
t’i pëcjell nëpërmjet jush.
Lartësia e parë. Vitin
e kaluar (2024), u botua përmbledhja poetike “Frymëzim mbi dallgë” (antologji)
me vargje nga poetët e Vlorës në kuadër të 80- vjetorit të çlirimit të Atdheut,
e cila u mirëprit, se qe një punë e mirë, sa e lavdërueshme, aq e mundimshme.
Ndër përgatitësit e antologjisë isha dhe unë. Sigurisht që, ndër të tjerët e
mundshëm, kisha nisur edhe 3 poezi të Zamirës, përkatësisht ato me titull: “Sot në Vlorë”, “Vlorë” dhe “Atdheu”, të
cilat autorja m’i kishte dërguar në kohën e duhur. Kur shfletoj librin, poezitë
e Zamirës nuk ishin. Nuk e keni idenë, si u ndjeva. Aq keq, sa që më duket se
jam unë fajtori edhe sot e kësaj dite. Kush e kishte fajin?! Ec ta gjeje. Faji
ngelej dje jetim, jo sot. E kërkova dhe, kur u takova me Zamirën, më erdhi rëndë
dhe i fola pak, më tepër si reflektim sesa për shfajsim, se sa parà vlente
sqarimi i hollësishëm. Ajo më pa me vëmendje, me një buzëqeshje të pastër e vezulluese
si trëndelinë Kanine dhe si një zonjë fisnike më tha: “S’ka gjë Berti. Ja që
ndodhi”... Dy fjalë tha e mua më lehtësoi shumë, fitoi mirënjohjen time të
gjithmonshme, por më dha një mësim të madh për ta kërkuar e kontrolluar dërgesën
e saktë në vendmbërritje. Ka forma sa të duash. Veç vëmendje dhe jo besim i
tepruar. Pa mëdyshje mund të them se ishte në të drejtën e saj morale të
turfullonte, por ajo vuri në plan të parë anën njerëzore dhe gjykoi me
gjakftohtësi e mençuri.
Rasti i dytë. Gjatë muajit mars kisha nevojë për një vend
xhirim të duhur e përfaqësues me grupin tim të zemrës “10 Shqiponjat e Tërbaçit”
për realizimin e një filmi dokumentar mbi traditat lirike burimore të trevës së
Vlorës dhe Labërisë. Pikërisht në këtë muaj unë u sëmura dhe nuk kisha mundësi
për të kërkuar e parë folezën e ngrohtë folklorike. Strehëz m’u bënë dr. Skënder
Spahiu (drejtor i Muzeut Etnografik Vlorë) me specialisten e këtij muzeu,
poeten dhe muzeologen Zamira Agalliu. Shqiponjat e Tërbaçit u mirëpritën me bujari e si s’ka më mirë
në mjediset e Muzeut Etnografik Vlorë, të dielën e 30 Marsit 2025 (gjatë
xhirimeve për dokumentarin folklorik dhe etnografik - nga kuarteti i studiuesve
të rinj e të pasionuar, idealistë të përkushtuar dhe të devotshëm: holandezi
Juri dhe 3 shqiptaro - holandezet Anisa, Enxhi dhe Eva). Shqiponjat gjetën
mbështetjen humane të stafit, sidomos të Mirësisë humane me emrin Zamira për
realizimin e misionit të tyre fisnik e qytetar me prurjen në kohë dhe të
pasuruar brenda truallit e tabanit të traditave më të mira të nënave, gjysheve
dhe stërgjysheve tona, patjetër dhe të tyren, se janë të dhjeta gjyshe. Mirënjohje
për Skënderin dhe Zamirën nga unë dhe simotrat e saj “10 Shqiponjat e Tërbaçit”,
sepse ajo u bë natyrshëm edhe pjesë e grupit. Për gjithçka
realizoi dhe kurorëzoi si një zonjë fisnike e Kaninës, duke u bërë pjesë e
Grupit, pikërisht kur ne kishim nevojë. Zamira është edhe një këngëtare polifonike
cilësore, që di t’ja marrë këngës, di t’ja hedhë, t’ia kthejë dhe ta mbushë këngën,
të bëjë iso. E ka në gjenezë këngën labe të Kaninës, vendlindjes së saj. Babai
i saj Vendigjar Hysenaj ka qenë themeltar i grupit të Kaninës në vitet 1960 me
Meleq Kapllanin e pak të tjerë. Së bashku me meteorin e këngës labe, të
paharruarin Piro Bregaj, vëllai i saj, Fatjon Hysenaj ka qenë dhe sot është
marrësi karakteristik i këngës së shtruar dhe të ëmbël kaninjote, një nga
kolonat e grupit “Ismail Qemali” të Kaninës.
Lartësia e tretë në katror. Më datën 4 prill 2025, Zamira
boton shkrimin “Ninulla polifonike, Shqiponjat e Tërbaçit dhe Albert Habazaj”
në gazetën “Telegraf”, të cilin e publikoi dhe në portalet shqiptare brenda
vendit si “Albspirit” e “Gazeta Destinacioni” dhe në ato me emër në botë, si
“Fjala e lirë”, “VOAL”, “Dielli”, “Zemra shqiptare”, “Dituria”, “Galaktika
poetike “ATUNIS” etj. Është një shkrim shumë i bukur për grupin tonë dhe Ninullën
e Djalit, aq të veçantë me prurjen polifonike si jehonë e atij gëzimi në
familjen tradicionale, një vështrim objektiv shkruar me vërtetësi e dëlirësi
nga muzeologia, etnografja, Zamira Agalliu specialiste e Muzeut Etnografik Vlorë
dhe poete lirike, që zbukuron letërsinë femërore të Vlorës dhe të vendit tonë. Është
një shkrim impresionues,
emancipues dhe motivues për mua dhe grupin folklorik të zemrës sime “10
Shqiponjat e Tërbaçit”, sidomos për vështrimin e thukët për Ninullën polifonike
për Djalin që i nanurit e këndon gjyshja dhe gëzimtaret e familjes i japin
jehonë këtij sihariqin të madh tradicional.
Ndërsa më datën 22 prill publikon një shkrim tjetër më të
plotësuar deri në imtësitë e nevojshme me titullin “Shqiponjat e Tërbaçit” tek
“Fjala e Lirë” në Londër. U ndjeva aq mirë, saqë m’u duk se po shërohesha më
shpejt. Ç’befasi e mrekullueshme në portalin e madh shqiptaro-londinez “Fjala e
Lirë”! Zamira shfaqet ashtu siç është: një zonjë e nderuar, qytetare, poete,
studiuese, muzeologe, etnografe, që misionin e saj krijues dhe profesional e
realizon me shumë dashuri humane. Edhe njëherë e falënderoj këtë
autore me diell në sy, në shpirt, në fjalë e veprim, me dashamirësinë më të
dëlirë në emrin tim dhe të Shqiponjave të Tërbaçit për gatishmërinë,
devotshmërinë dhe artin e shpirtit të bukur.
Se e kam parasysh orë e çast sentencën e Emanuel Kantit: “Mosmirënjohja
është kuitensenca e poshtërisë”, them që Mirënjohja është virtyt njerëzor. Me
shpirt e dashamirësi përsëri them: Mirënjohje mikpritëse, Zonjë e Rëndë e Shtëpisë së
Madhe për Miq të Mirë! (Se..., kur je mirë të kanë të gjithë mik, kur je në
“hall” rrallohen deri në mosdukje).
Jetëshkrimi letrar dhe poezia e Zamirës. E lindur më 29 dhjetor 1969, cicërimat
e para të vargëzimit të Zamirës janë dëgjuar qysh kur ishte nxënëse e shkollës
“Rrapo Hasimi” Kaninë, në vendlindjen e saj. Vjershat e para ka filluar t’i
shkruaj qysh në moshën 12 vjeçare. Vargu i Zamirës buron nga kënga. E kush është
ai poet që piu ujë të kulluar në gurrën popullore dhe nuk pati jetëgjatësi në
kujtesën e lexuesve dhe artdashësve?! Edhe poezia e Zamirës ka rrënjë të shëndetshme
në gurrën popullore të trevës së saj, të të parëve të saj nga Hysenajt e
Kaninës përmbi Vlorë, familjarë korrektë e atdhetarë, dashamirës të kulturës
dhe arsimit. Zamira Hysenaj Agalliu është një poete lirike e motivuar, e cila
njihet jo vetëm nga bota letrare e Shqipërisë, por ajo njihet edhe nga bota
letrare e simotrës Kosovë. Profili i saj plotësohet edhe me shkrime të mira në
publicistikë dhe eseistikë. Shkollën fillore dhe të mesme i ka përfunduar në
Kaninë. Ka përfunduar studimet e larta në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë,
Fakulteti i Shkencave Humane, Master për mësuesi, licensuar me vlerësim të
lartë nga Ministria e Arsimit. Zamira punon dhe jeton në Vlorë. Kontributin letrar
e vazhdon hijshëm, pa bujë, me dinjitet letrar, me kërkesa serioze ndaj
shkrimit. Poezia është ditari i jetës së saj.
Është vlerësuar me çmime në konkurse si dhe poezitë e saj
janë bërë pjesë e disa antologjive të ndryshme. Poezia e saj “Të iki apo
të vij” mori pjesë në Festivalin e Këngës për Fëmijë, 2023 në
sajë të muzikës së kompozitorit të njohur Elvis Peçi. Pret dritën e botimit
libri për fëmijë “Dy vëllezërit e
adoptuar”.
Zamira është poete e fjalës së lirë sa që shpesh herë na
duket si një zog i lirë që fluturon hapësirave për tek të bukurit yje me fjalën
e saj të bukur: “Fjeta me yjet, o i
dashuri im sonte/ Po ti jo! Aspak mos u bëj xheloz!/ Zhvesha këmishën e errësirës
së qiellit/ Mes reve të bardha nisa të vallëzoj e loz”. Ajo është një grimcë
e ndritshme në Galaktikën e Dashurisë, me mesazhe drite të dashurisë për
njeriun, për jetën, për librin, për Atdheun, për qytetarinë. Veçori e saj është
se shkruan shkurt, shpesh herë tepër shkurt; shkruan pastër, me gjuhë të ngrohtë,
me figura letrare të befta, të kuptueshme e që mbahen mend: “Fjala e lirë/ ecte lakuriq/ në këmbë/
elegante/ hijerëndë/ e mirë/ e bukur/ e dëlirë./ Shkuan të lënduarit/ i hodhën
peshqirë”. Ajo e ka njohur mirë mërgimin (në Itali) dhe ky fakt ka ndikuar
më shumë tek autorja, që si poete e ndjenjës dhe e filozofisë së jetës ta
shikojë realitetin në sy dhe motivet shoqërore janë fjala e autores e ngritur në
art, është vetë përditsmëria shqiptare, ndaj dhe vjershat me tema sociale apo
sociopsikologjike të jenë më të mirëpriturat nga lexuesi i kohës. Ajo shfaqet
siç është dhe në krijimtari, poete e imazhit filozofik dhe e moralit të shëndetshëm
qytetar.
Poetja Zamira Hysenaj Agalliu ka një stil dhe figurshmëri
të qëndrueshme, apo stabile, siç e vlerëson shkrimtari kosovar Murteza
Osdautaj. Makrostrukturat e tekstit të përpunuara në atë mënyrë që poezinë e
kësaj poeteje e bëjnë të funksionojë lirshëm, me harmoni dhe ritëm tejet të
veçantë dhe të arrirë. Vargu i saj ka një stil të kujdesshëm e me një fjalor të
përzgjedhur, me një diskurs autorial të dallueshëm dhe me një angazhim të
veçantë filozofik. Poezia e Zamira Hysenaj Agalliu qëndron mbi katër shtylla
themelore tematike dhe stilistike: Dashuria njerëzore qaset në
shumëdimensionalitetin e kësaj ndjenje shpirtërore dhe psikologjike të njeriut
“heroit lirik”. Atdheu është aspekti tjetër ku Zamira si rrallëkush ka arritur
që të krijojë disa krijime poetike të bukura dhe moderne vështruar nga mënyra e
këndvështrimit të saj poetik e atdhedashës. Në librat e kësaj krijuese gjejmë
një mjeshtëri artistike të admirueshme, një pjekuri shkrimore që vihet re posa
ta fillosh leximin, me një sistem simbolesh dhe makrostrukturash, të cilat
shënojnë pikën kulminante në pjekurinë artistike të autores. Ndër poezitë më të
spikatura të autores mund të veçojmë ato me titull “Ëndrra”, “Libri”, “Atdheu”, “Nën shi”, “Po kthehen dallëndyshet”,
“Kënga e bardhë (Babait)” etj., ku
ndjenjat njerëzore harmonike dhe përjetësisht të pandara nga njëra-tjetra:
dashuria me dhembjen ngrihen me fjalë shpirti e dritëzim artistik në lartësi të
dukshme poetike, larg patetizmit të mërzitshëm, figurave bombastike të
madhërishme, që të pickojnë si pickonja (mbesa ime evogël, Amaris pickonja u thotë
mushkonjave)...
Zamira më ka futur
në “sherr” me mbesat...
Ai poet që pëlqehet
nga fëmijët është më fatlumi. Nuk kam përse të kërkoj në sëndukun e fjalëve të
zgjedhura për Zamirën, sepse mjafton të rrëfej shkurt ç’më ngjau me
mbesat. Këto dy muaj që isha në shtëpi
(mars - prill), të katër librat e Zamirës i vura tek tavolina e punës para
kompjuterit në bibliotekën time. Ngaqë i kam shpirt, më bëjnë shpesh vizita dy
mbesat e mia aq të mira që i dua sa bota! Perla, mbesa ime e madhe (në klasë të
tretë) e pëlqeu shumë librin "Eni Çamarroku" me humoristika aq të
këndshme, ëmbëlsuar shijshëm me alegori, krahasime, metafora, hiperbota e
litota, sikur të ishin një shportë me luleshtrydhe të freskta të kopshtit të
shtëpisë. Perla ma kërkoi librin. Ia dhashë menjëherë dhe ajo e lexoi vetë. Dhe
u kënaq. E vogla, Ami çamarokja, vetëm 3 vjeçe, që rrinte në prehërin tim si
milingonë, më kërkoi që t’ja lexoja. “Këndomi le mua Eni çamalokun” - këmbëngulte
me besim te “xhushi”. Dhe unë ia lexova me dëshirë dhe intonacion, për ta bërë
më zbavitës dhe tërheqës. Mbaroi shpejt, se aq është - libër xhepi. Libri është
ndërtuar shumë bukur dhe në formë, në përshtatje të natyrës së fëmijëve të vegjël.
Në fakt ëdo lexues mbund ta mbajë fare bukur në xhepin e xhaketës apo në çantën
e vogël. Po sa qeshte Ami kur ia lexoja, sidomos kur i këndova (se ashtu thotë
ajo) këto 4 vjershëza vogëlushe, që
vijnë herë si sheqerka për të qeshur apo akullore që të shkrijnë në gojë, herë
si fjalë të urta të mprehta, me thumb kurues e moral fabule në tekst: 1. “Kaposhi: Oh, ndihem
kaq i lodhur sot!/ Pula: I gjori, po të bëj shpejt/ Një vezë!...”, 2. “Mësuesja: - Eni,
çfarë gjëra të bukura/ Pe në Venedik?/ - Shtëpi që bënin banjë/ mësuese...”,
3. “- Këtë herë nuk po të/ vendos gjobë /-
i thotë polici mësueses/ së tij që nuk ka respektuar/ semaforin./ Duhet të
shkruash 100/ herë në fletore: “Nuk kalohet me të kuqe”..., 4. “Një automobilist nuk ka/ Lexuar kartelën:/ -
“Lejohet kalimi vetëm në/ Ditët e festave”/. Kur e ndalon polici, ai i/
Përgjigjet:/ Sot është festa e ditëlindjes sime zotni polic!...” etj.
Deri këtu jemi shumë
mirë, por pas këtij çasti Zamira më ke hapur punë se librin me arush, pra “Eni
Çamarrokun" e donte dhe Ami, motra e vogël e Perlës...e donte dhe ma mori.
Pa të drejtë kthimi! “Është imi. E ka shkruar për mua teta Zamira - i thotë
kompetente motrës së saj dhe se lëshon nga dora, se aq është sa ai libërth
simpatik. Po ç’më bëre, moj Zamira Agalliu! Zamira më ka futur në “sherr” me
mbesat...
Hë pra, a nuk është
i lumtur ai poet/ poete që një vogëlushe apo vogëlush i thotë me entuziazëm të
padjallëzuar dhe të drejtpërdrejtë fëminor:
“Është imi!” Dhe e shtërngon fort në gjoksin e tij të njomë e të vockë sa të
dallëndyshes...
***
Në studimin që kam mbi Letërsinë femërore në Vlorë, patjetër që janë
shkruar disa mbresa më shumë për mirësitë e bukura letrare dhe njerëzore që shkruan,
jeton, tregon e vepron me devotshmërinë e saj bujare autorja Zamire Agalliu,
kjo fisnike e sotme e Kaninës dhe Vlorës, që e ka ndërtuar profiln e saj letrar
e kulturor dhe vijon udhëtimin drejt mjeshtërsisë artistike.
Ujë i Ftohtë, Vlorë, e mërkurë, 14 Maj 2025