Kulturë
Mehmet Kraja: Për Fehmi Aganin
E marte, 13.05.2025, 06:54 PM
PËR
FEHMI AGANIN
(Fjalë rasti në çeljen e ekspozitë në Akademi)
Nga
Mehmet Kraja - Kryetar i Akademisë
së Shkencave dhe Arteve të Kosovës
Fehmi
Aganin e kisha profesor të sociologjisë në vitin shkollor 1971/72. Amfiteatri i
Pedagogjisë atëbotë mbushej plot studentë, qoftë sepse sociologjia ishte lëndë
e vitit të parë për të gjithë studentët e degëve filologjike, qoftë edhe për
faktin se ligjërimi i Fehmi Aganit, duke qenë permbajtësor, i qetë dhe i
prajshëm, ishte, si të thuash, një derë jo aq e frikshme për të hyrë në botën e
mistershme të dijes.
Shumë
vjet më vonë, u takuam dhe u njohëm më nga afër, në fund të viteve ’80.
Ne,
që ishim më të rinj, ishim entuziastë dhe idealistë. Ai ishte racional dhe më i
përmbajtur. Së bashku themeluam Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Nuk
them se u pajtuam për çdo gjë. Kishim mospajtime dhe ndonjëherë pikëpamje krejt
të ndryshme. Por unë atëherë e kuptova se vokacion themelor i Fehmi Aganit nuk
ishte sociologjia, por mendimi politik. Ai e lëvronte atë fushë me shumë
gjeturi dhe fleksibilitet.
Ndërkohë,
Lidhja Demokratike mori përmasat e një gjiganti që nuk sundohej dot as nga
themeluesit e saj. Kur filloi të improvizonte pushtetin, LDK u bë hapësirë e
ngushtë, frymëxënëse dhe frymëmbytëse për lirinë e mendimit. Me gjithë
mospajtimet që konceptualist na largonin, e çmova dhe e nderova Fehmi Aganin në
heshtje, pa dijeninë e të tjerëve, për një arsye krejt të veçantë dhe të
çuditshme: sepse de fakto, ndonëse nuk u tha asnjëherë zëshëm: Fehmi Aganin e
përjashtuan dy herë nga kjo parti!
Kjo
më bënte aleat me të, në punë të mendimit të lirë.