E premte, 25.07.2025, 08:51 PM (GMT+1)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: Harta si lëkurë deleje

E hene, 12.05.2025, 06:55 PM


HARTA SI LËKURË DELEJE…

Nga Visar Zhiti

Kur shoh hartën e vendit tim, që shpesh e nxjerrin mediat, - politikisht, - të mbuluar nga ngjyra vishnje si gjak, m? përshfaqet lëkura e varur e një deleje dhe ndjej dhimbje…

Dhe më ndërmendet një histori e vogël, që ma ka treguar një mik malesh dhe unë e kam futur ashtu thjeshtë siç e dëgjova në romanin tim të fundit “Këpuca e aktorit” - si ecja jonë, vetëm me një këpucë…

Është një darkë, ku po hanë, por vijnë kohëra që edhe të hanë:

DELJA MANARE E TRALLISUR

(- nëntitull për sot -)

…Një sahan i madh plot me mish të pjekur e vunë në mes të sofrës. Nëna ndau fasulet nëpër pjata, ishin me pastërma, ndërsa Guriu na vuri të gjithëve nga një copë mishi në anë duke zgjedhur më të mirat për mikun, pastaj për babain, pasi më dha dhe mua, mori dhe për vete. Pasi uroi “ju bëftë mirë!” nëna doli nga oda me hap të lehtë. Babai ngriti gotën i pari dhe uroi mirëseardhjen me dy shëndete njëherësh, për Flamurin dhe mikun. ???????????Sikur ta dija, babai nisi të tregojë ç’i kishte ndodhur njëdizaj me delen manare, Syskën, që i vinte pas ngado, e ushqente vetë, mënjanë, mor që donte të hynte në dhomë dhe me të bashkë.

Për Baba Tomorë, kështu ngjau, do të thoshte. Ma rrëmbeu ujku manaren. Ia nguli thonjtë në grykë dhe çau ferrën. Ia ndjeva blegërimën, ashtu të sosur. Hoqa dyfekun nga supi menjëherë, mora nishan dhe shtiva. S’e lëshoi delen ujku. Shtiva prapë, e zuri plumbi në kofshë, po çalonte, plaga po i rridhte gjak, e lëshoi delen, s’e mbante dot dhe ia dha vrapit ashtu çalë-çalë për nga lumi, që të ftohte plagën e plumbit. Bëra çudi me delen time, nuk u kthye nga unë, që po e ndillja, por vraponte pas ujkut. I thirra, jo, gëëëërrrr mbas ujkut çalok, për Baba Tomorë.

Interesant, - tha Profesori.

Po pse shkonte mbas ujkut. Që ia kishte shqyer qafën me dhëmbë.

Prandaj.

Vërtet? Për atë Zot, shkoi mbas atij që i bëri keq.

Se e pa që ishte i fortë. Dhe e magjepsi, Bukuran...

Kështu janë dhe njerëzit. Venë pas atij që është i fortë dhe i shqyen, - tha Guriu.

Edhe komunizmi është si ujku, - shpjegoi Profesori, - dhe gjindja si delja jote manare.

Me bishtin lart si qeni, - tha babai dhe po qeshnin të dy, teksa rrëkëllyen gotat e rakisë.

Nga romani

“Këpuca e aktorit”, fq. 69,

“Onufri”, Tiranë 2022.

Pikturë nga AI…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx