Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Fjala dhe mbresa, ç'është më e rëndësishme për një vepër?
E shtune, 05.04.2025, 06:55 PM
FJALA DHE MBRESA, Ç’ËSHTË MË E RËNDËSISHME PËR NJË VEPËR?
-
Me shkas romanin e Granit Zelës
me
tre përmbytjet e një qyteti –
Nga
Visar Zhiti
Cilat
janë më të rëndësishme për një vepër letrare, mbresat që na lë apo fjalët?
Fjalët me të cilat na i thotë? Po dhe fjalët që mund të thuhen për atë?...
Më
erdhi kjo pyetje që më duket “çelës kritik”, pasi lexova romanin “Përmbytja”
të shkrimtarit Granit Zela, një rrëfim i
shkathët, edhe pindarik, mund të them, për vendlindjen e tij, të parë dhe si
një traumë, jo vetëm të tij, por kolektive. Bëhet fjalë për qytetin e hershëm
verilindor të Kukësit, që u përmbyt nga ujërat e lumit Drin në vitet e socializmit,
kur po ndërtohej një hidrocentral dhe u krijua përçudnueshëm më tej një Kukës i
ri.
Kjo
mbartje e pazakontë e një qyteti të vogël, përplot kujtesë, të mbrojtur me
vetveten deri atëhere dhe shtyrja e tij përgjithmonë në një rrafsh më tej, të
zbrazët mes erërave, detyrim nga regjimi i atëhershëm, u shpall si arritje, si
sukses, një lartësim, ndoshta veç e truallit ku u vendos qyteti, por u pa dhe
si triumf, si heroizëm, shumë më tepër se sa një sakrificë e detyruar – them
tani, por po ta thoshe hapur atëhere edhe burgosëshe, etj, etj.
Pastaj
romani vazhdon dhe me Kukësin e Ri në postdiktaturë e deri më sot, sintetik,
kur perandoria komuniste kishte rënë, etj, etj, dhe qyteti i Kukësit u propozua
për Çmimin “Nobel” për Paqen, sepse priti vëllezërit nga Kosova ngjitur, të të
përzënë në masë nga shtëpitë e tyre, nga tokat e tyre, nga vendi i tyre, një
eksod i dhimbësh, - si në Bibël e krahësuan mediat e botës, dhe shkak ishte
lufta e pushtuesit serb, e drejtuar në atë kohë nga “Kasapi i Ballkanit”,
Millosheviç, ku prapashtesa sllave –viç në emrin e tij, e jep në shqip dhe
asosacionin e viçave… të therur.
Romani
“Përmbytja” më erdhi këtej larg, dhuratë nga autori, duke e ditur që unë kam
punuar në Kukësin e tij, fshatrave si mësues dhe e kam parë Kukësin e vjetër,
me mejgulla si me mister, shtëpimbledhur, aq familjar dhe pastaj të mbytet, një
qytet që mbulojnë ujërat tronditshëm, ndërkaq jam endur në Kukësin e Ri të
atëhershëm, kur po bëhej, ngjante si një skenë kantieri, madje në mes të atij
qyteti më arrestuan, aty m’u bë dhe gjyqi dhe më dënuan me 10 vjet burg për
poezitë e mia, që sipas ekspertizës, ishin armiqësore. Po i them këto se edhe
Granit Zela i cek në romanin e tij.
Kujtoj
që kisha shkruar dhe një poemë për Kukësin, qyteti që bëhej kurban për dritën dhe
se si po iknin tej mbi pllajë rrugët e dikurshme, shtëpitë, ngjarjet, hoteli i
vetëm, mikpritja, kujtesa, statujat, Teatri i Kukullave, konfliktet, varrezat,
dashuritë, etj, por edhe prangat, thosha, parandjenjë e zymtë imja. Komiteti i
Partisë, i kuqerremtë dhe ai Ekzekutiv, i bardhë, dhe Gjykata kafkiane kishin
mbaruar së ndërtuari dhe e kishin rimarrë atë hije sunduese, të përzierë me kërcënim të heshtur
Dega
e Punëve të Brendshme ishte ende gropë e myrrëtyer. Qenë hapur themelet goxha
thellë. Kujtoj që po shëtisnim një pasdite të vonë andej me poetin e Kukësit,
Agim Spahiu, kishim qenë studentë bashkë dhe tani ishim bërë dhe miq familjarë.
Në atë gropë do të hidhej betoni e do të bëheshin birucat e nëndheshme, ku në
njërën prej tyre do të më shtinin dhe mua të prangosur, do të më mbyllnin
gjatë. Dhe në birucë do më vinte ndërmend ajo shëtitje e prapë…
Mbresa
kësisoj edhe i cik, por dhe m’i ndërmendi romani i Granit Zelës dhe po mendoja
se mbase një nga dilemat themelore që mbetet e hapur në qasjen kritike është
nëse vepra e arrin vetveten e saj vetëm përmes fjalëve që përdor apo dhe përmes
mbresës që lë te lexuesi. Janë fatlume veprat që i kanë të dyja, Po cila ka më
rëndësi? - pyeta befas.
Forca
e përshtypjes
në
letrat…
Në
dukje, gjuha është mjeti i vetëm që ka shkrimtari në dispozicion, por paradoksi
qëndron pikërisht këtu: jo gjithmonë fuqia e veprës qëndron në fjalët e thëna,
por në atë që ato ngjallin, patjetër nëpërmjet fjalës.
Një
roman mund të jetë gjuhësisht i pasur, i ndërtuar me mjeshtëri stilistike, me
metafora të sofistikuara dhe një arkitekturë narrative të përkryer, por nëse
nuk arrin të krijojë një ndjesi të thellë, një tronditje të brendshme te
lexuesi, atëherë mbetet vetëm një ushtrim estetik. Dhe vepra të tilla ka, edhe
nga shkrimtarë me famë.
Vepra
letrare është, mbi të gjitha, një përvojë – jo thjesht një ndërtim frazash, por
një mënyrë për të depërtuar në mendjen dhe shpirtin e njeriut.
Mendimi
kritik modern shpesh ka vënë theksin mbi dekonstruktimin e tekstit, mbi
analizën gjuhësore dhe mbi ndërtimin e tij si sistem shenjash, por kjo qasje
rrezikon të harrojë një element thelbësor: letërsia nuk është vetëm objekt
studimi, por përvojë e jetuar…
* *
*
Shkrimtari
Granit Zela deshi që të çpërmbytë atë që ishte brenda tij dhe jo vetëm, mbase
fëmininë ashtu si ujërat e vendlindjes pranë të cilave e kaloi bashkë me brezin
e tij, në formën e paformë, gjindjen e atjeshme, edhe ajo prej ujërash të
turbullta, “të lëngshme (likuide)”, do të thoshte sociologu dhe filozofit
polako-anglez Zygmund Bauman. Ai e përdorte këtë term për shoqëritë moderne, ku
strukturat sociale dhe identitetet janë në gjendje të vazhdueshme ndryshimi dhe
paqendrueshmërie.
Në
romanin “Përmbytja” nuk kemi kohë moderne, jo si kronologji të saj, se në ditët
tona, fare të reja, zhvillohen ngjarjet, por fjala është si zhvillim social,
filozofi dhe shkencë.
E
thamë, koha e romanit ëshë ajo e diktaturës dhe e posdiktaturës që po kalojmë
bashkarisht, në tre skena: e para, në atë të qytetit të vjetër me emërin Kukës,
që do të mbytej, që u bë kurban nga pushteti, e dyta, në qytetin e ri prapë me
emrin Kukës, po kurrë më i njëjtë, një grumbull pallatesh të reja, ku do të
strehohej jeta pas akopalipsit si komedi e trishtë, një qytet është dhe kujtesë
dhe ndërgjegje dhe s’bëhet me plan dhe orientim partiak, ndërsa skena e tretë:
mendësia e njerëzve, bisedat e tyre, ndodhitë si i përjetojnë, ëndrrat dhe mos
ëndrrat, deliret, mitet, ndryshimet, furia e jashtme, etj.
Filozofi
Bauman e kundërvë shoqërinë e lëngshme me atë “të ngurtë” të mëparshme, ku
normat dhe institucionet kishin më shumë stabilitet, etj, etj.
Simbolika
e përmbytjes:
Që në titull, “Përmbytja”, të ngarkon me një ndjesi shqetësimi dhe paralajmërimi. Edhe pse nuk shfaqet si një katastrofë natyrore, por si një pasqyrë e krizave të brendshme të personazheve dhe shoqërisë, pa e ditur as vetë ata, sepse s’ka asnjë revoltë, përkundrazi ka një lloj entuziazmi dhe zhvillimi, që s’është progres i vërtetë.
Granit
Zela përdor këtë simbolikë dhe kështu në qendër të diskursit dalin jo vetëm
ndodhitë, por edhe humbjet, pasiguria dhe tëhuazimi.
?Në parathënien e romanit
shkrimtari dhe studiuesi Agron Tufa zbulon se “ajo çka përbën të pazakonshmen e
menjëhershme… është se personazhin klasik tradicional e zëvendëson qyteti”.
Qyteti
personazh. Dhe brenda tij personazhet e vegjël, ku secili mbart një peshë të
veçantë.
Ndërveprimet
ndërvetanake nxjerrin në pah konfliktet e brendshme dhe sfidat përgjegjësore me
të cilat përballen.
Nuk
është pra vetëm ujana forcë e pamëshirshme dhe misterioze.
Gjithsesi
te romani i Kukësit, në tre pjesët e tij mua më kanë mbetur si mbresa të
fuqishme tre përmbytjet.
Përmbytja
e parë:
ose
pjesa e parë me titullin “Fëmijëria”, sipas meje, bën të ndjehet përmbytja e
familjes, e një bote paragjykimesh dhe mitesh e malesh.
E
rrënjosur në traditat e saj, familja përpiqet të mbijetojë në një realitet ku
lidhjet e ngushta dhe humanizmi vazhdimisht dobësohen duke u ndjerë të
parëndësishme.
Ngjarja
e përmbytjes, e maskuar si një akt arritjeje dhe e modernitetit socialist,
është dhe një shkatërrim pa leje i kujtesës historike dhe e identitetit.
Familja
– nga ku fëmija del nga fëminia e vet, mbetet një ishull i vogël i sakrificës
dhe i shtypjes, por i rrezikuar.
Përmbytja
e dytë:
ose
pjesa e dytë me titullin “Uji”, është dhe dalja nga shtrati i familjes, ku
përballja me shoqërinë dhe pasigurinë, me diktaturën duhet të ndjehet më gjerë,
më drejtpërdrejtë.
Socializmi,
që paraqitej si një sistem që kërkonte vetëm sakrifica, shfaqej përmes
përplasjeve brutale të jetës vetanake duke e diktuar tërësisht atë, bashkarisht
dhe gjithë shoqërore, në interes të shtetit, më keq akoma, të partisë-shtet, ku
secili dhe askushi nuk është ajo në vetvete.
Diktatura
është përmbytja e dytë me gjakimin e përmasave mitike.
Përmbytja
është një akt kolektiv humbjeje, ku individët dhe komuniteti përjetojnë një
ndarje të dhimbshme nga rrënjët e tyre. Kukësi i ri - një shoqëri e zhvendosur,
një qytet me kujtesën të dëmtuar.
Ndodhitë
si arrestimi i poetit V. Zh. aty është një simbolikë e përdhunës ndaj
intelektualëve, ku krijimtaria dhe mendimi i lirë shtypeshin përmes represionit
dhe censurës. Zëri i poezisë heshturazi përpiqej të ruante shpirtin e një
populli që po mbytej në heshtjen e detyruar, me psikologjinë e traumës.
Perëndia
Atjon, që shfaqet me këtë emër të ri, i thirrur si për të mitizuar realitetin e
zbrazët, për ta bërë më të durueshëm shkretimin vrastar, do të jetë dhe viktima
e atij realiteti.
Mbytja,
pra, e një qyteti nuk ishte thjesht zhdukja fizike e një hapësire të banuar, por
një shkatërrim i kujtesës dhe i historisë.
Përmbytja
e tretë:
ose
pjesa e tretë, “Jeta dhe vdekja”, rrëfen një përmbytje tjetër njerëzore mbi
rrafshin e Kukësit, tani jo prej ujërave, por prej gjakut. në qendër është
eksodi nga Kosova, traumë e kohës komuniste,
para dhe pas saj, një pasqyrë e trishtë e dhunës ciklike.
Refugjatët
- figura të lëkundura hijezishëm midis të mbeturit gjallë dhe dëshpërimit të
një të nesërme që s’dihej…
Zela
e romantizon sakrificën; mbart një si habi infantile. Sakrifica pa kuptim dhe
pa liri nuk është heroizëm, por një dhunë permanete.
Gjithsesi
ndjehet dhe një si mbipërmbytje, entuziazmi i ngritjes së një aeroportit të ri
“Flatrat e Veriut”. Lidhja e munguar me qiellin dhe nëpërmjet tij, lidhja që do
të duhej me botën, zbritja në realitete të tjera.
Simbolizmi
i kërkuar dhe trajtimi i personazheve si ide më shumë se figura të plota,
krijojnë një si poemë. Po sa do të duhej ajo?
Barra
e narrativës përndiqet nga e kaluara me retrospektivat e ndërkalluara me
paqartësinë mitike dhe paragjykimet e ashpra e të vona, ku përmbytja do ishte
një akt humbjeje, ndërsa ndërthurja me ngjarjet e mëpastajme deri dhe ato
aktuale, sikur do të donin të përftohej
një perspektivë e shumëfishtë dhe të shkruarit poetik me gjakim shelbimin ka
krijuar një zbutje të realiteve të romanit.
* * *
Temat
e shkatërrimit ashtu si dhe e ndërtimit janë universale. Ka që mendojnë se
tragjikja është më e lakmuar nga letërsia, e cila që në fillimet e saj vërtet,
te “Iliada” na tregon rrënimin e Trojës dhe jo se si ishte ndërtuar ajo, por
është “Odisea” ama, që ia doli, i shpëtoi mbytjes, (naufragium), pa e humbur
shpresën (tjetër temë universal), duke u përballur me të panjohurën. (tjetër
temë dhe kjo) dhe arriti Itakën e tij, që do të bëhej “Itaka e njeriut”.,
Kthimi
te çështja:
nëse
fjala bëhet e padukshme…
Ndodh
që lexuesi mund të mos i ketë më në mendje fjalët e dialogëve në një vepër,
mund të mos ketë vënë re asgjë nga ndërtimet sintaksore në krerë, madje me kohë
të harrojë mjaft dhe nga linjat e subjektit, por do të mbetet ndjesia që një
roman ka ngjallur te ai, ngazëllim apo dhimbje apo tronditje, grotesk, absurd,
tragjizëm, guxim, dashuri, etj, etj, a të përzjera bashkë, pjesë a harrim.
Të
paktën kështu është përvoja ime.
Shkrimtarët
më të mëdhenj, besoj, nuk janë ata që përdorin fjalorin më të pasur apo
sofistikimet sintaksore, por ata që arrijnë të krijojnë një univers të gjallë
emocional.
Fjala
është vetëm mjeti, por qëllimi i saj është të bëhet e padukshme në çastin që mbresa
zë vend në shpirtin e lexuesit. Kjo është arsyeja pse një vepër si “Kujtimet e
një të mbijetuari” e Primo Levit, “Metamorfoza” e Kafkës apo “Mortaja” e
Kamysë, “Plaku dhe deti” i Heminguejit, etj, mbeten në kujtesë jo thjesht për
frazat, por për peshën e tyre të rëndesës emocionale dhe filozofike.
Studiuesit
thonë, se dhe Homerin e urtë ndonjëherë e zinte gjumi, pra pësëriste, ndërsa
Tolstoi nuk e pëlqente Shekspirin se njerëzit, sipas tij, nuk flisnin ashtu.
Dostojevskij ëndërronte të mos kishte trusninë e botuesve dhe ta punonte një
vepër siç do të donte, përkthyes të tij ankohen se u duhet ta punojnë fjalinë,
se po ta lënë si në original, s’do besohet se ajo mund të ishte sinkasa e tij,
por mospërsosje e përkthimit, etj, etj.
Dhe
në letrat shqipe Naimi dhe rilindasit tanë shpesh i dhanë më rëndësi mbresës,
pra ajo që do të mbetej, qëllimisht. Sintaksa e Migjenit është e ndikuar nga
andej ku studioi si dhe e mjaft autorëve të letërsisë tonë në Kosovën që mbeti
jashtë atdheut amë. Petro Marko nuk i ripunonte romanet e tij, shkruante drejt
e në makinën e shkrimit, teksa Kadare, përkundrazi, shpesh bënte
perfeksionistin, etj, etj.
Në këtë kontekst, mbresa e një vepre është prova më e fuqishme e vlerës së saj. Ajo që mbetet pas leximit, ajo që na ndryshon, që na ndjek edhe pasi kemi mbyllur librin, madje duke na risjellë dhe mbresa të tjera jetësore jashtë veprës.
Fjala
mund të analizohet, të matet, të krahasohet, por mbresa është ajo që dëshmon
fuqinë e vërtetë të një vepre, që përfundimisht e vendos atë në hierarkinë e
letrave.
Për
fat është ende mister, sipas meje, se çfarë e bën letërsinë të qendrueshme dhe
të pavdekshme.