E merkure, 15.01.2025, 05:28 AM (GMT)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: Mjegull dhe poezi... nga Katedralja e Prishtinës

E enjte, 09.01.2025, 06:55 PM


MJEGULL DHE POEZI…

- NGA KATEDRALJA E PRISHTINËS -

Nga Visar Zhiti

Shoh Katedralen e Prishtinës në mbrëmjen plot mjegull si në një ëndërr, me dy kambanoret e bukura që lartësohen si krahë drejt qiellit… dhe më vjen të marr ndër duar librin tim me poezi, “Si është Kosova”, ta shfletoj, se dua ato emocione, kur ishim andej…

Ku ka mjegull, ka dhe letërsi, thoshte një shkrimtar nobelist i madh, poezi patjetër…

Katedralja e Prishtinës! Ishte ide e Presidentit Ibrahim Rugova të ngrihej madhështore në qendër të kryeqytetit, 40 intekektualë shqiptarë nga të gjitha trevat firmosën në mbështetje të ngritjes së Katedrales, letrën e thirrjes ma dha dhe mua poeti i dashur Ali Podrimja, jam i lumtur që firmosa dhe unë, ishim bashkë me Edën time dhe në përurimin e Katedrales, iu vu emri i shenjtë “Nënë Tereza”, Papa Françesku dërgoi nga Selia e Shenjtë bashkë me përshëndetjet edhe Kardinalin Parolin, Kryeministrin e Vatikanit.

Eda me Don Lush Gjergjin në kambanore

I kemi ngjitur ato shkallë si qiellore në kambanore, na printe Don Lush Gjergji dhe kemi parë nga lart gjithë Prishtinën, tokat Dardane që treten dhembshurisht në lashtësi dhe mjegull…

Shfletoj librin. E mora dhe unë në Prishtinë, - më thotë miku im këtu, Taip Bes Hiri, është nga Maqedonia e Veriut, e Jugut për ne, - them unë, ndërsa zonja e tij, Luljeta Rukovci-Beshiri, është nga Kosova dhe kur takohemi, tryezat tona bëjnë Shqipërinë e Madhe, jo, të natyrshme, - themi.

Si vazhdim i bisedave tona, po sjell vargje për Prishtinën nga libri, m’i ndërmendi mjegulla, Katedralja “Nënë Tereza” si në një ëndërr.

Të zgjohesh në poezi…

Visar Zhiti

MIRËMBRËMA, PRISHTINË!

Mirëmbrëma, Prishtinë!

Sa e kam pritur këtë natë

Të hyjë mes netëve të mia.

Dua dy cigare nga ti

Për gëzimin dhe dhimbjen time   

                                               bashkë.

Ku ta ndez,

Në yllin tënd më të bukur

                                         të shpirtit?

Sa të mëdhenj dhe sa afër

janë yjet e tu, Prishtinë!

Mund të ul një degë qiellore

dhe t’i mbledh një nga një

                                        si bekimet.

Cigaren tjetër do ta ndez

Te qiriri yt i jetës

Që të mos më mungojë më nata jote,

                                                     Prishtinë!

SHIU I PRISHTINËS

Le të më lagë shiu i Prishtinës,

ecjen ma bën të perëndishme.

Perlat e tij si emocion shndritës

ranë mbi supet e ardhjes sime.

Mos më futni në klube,

                                     çadër nuk dua,

le të më lagë shiu i Prishtinës.

Dhimbja ime kaq shumë u gëzua

ashtu si shpirti i vetëtimës.

Vështroj statujat, i tëri goditës,

u heq shpatat, të hekurtat këmisha.

Le të më lagë shiu i Prishtinës,

i shenjtë, i shenjtë si përtëritja.

Humba mes resh, anonim i gjithë,

si vjeshta u bëra, më mahnitës.

Që fatin tim të njoh, të bukurisë,

le të më lagë shiu i Prishtinës.

MJEGULL...

Mjegull mbi rrafshinat në Dardani,

                                               e bardhëllemtë

sikur kërkon të zbusë dhembjen gjithandej. Nuk duken as pemët,

as kullat, as rruga, as lufta,

as vetura e kryeministrit, as ngjarjet,

vetëm bardhësi qumështore

dhe kujtesës ngjan se i merret fryma

e shtrirë për tokë - kufomë

me të vrarët pranë nën tokë.

Gjithë ky pambuk mjegulle

                                                      mbi plagët,

delirin, dehjen. Mjegull e thirrur

                                              nga e ardhmja

që të mbulojë sa të mundë

nga e kaluara, mjegull mirësie

                              më e butë se butësia...

Fryn erë, pak erë si një marrëveshje

dhe unë shoh tokë, pak tokë, e lëruar,

...jo nga tanket, jo,

                               as nga bombardimet...

Tokë buke, e errët, e punuar, e mbjellë

a që do të mbillet, e heshtur,

                                                           plot nder.

Shoh shpirtra përsipër, ulët,

e si të mos besoj, Toka Dardane

                                                     është gjallë,

në thellësira ka statuja, ngec presa metalike që po hapte hullitë,

vjen një klithmë

                                 si e një shpendi mitik,

plagë të errëta bronzi

djegin për një çast

dhe pllakos mjegulla, e ftohtë,

                                                        e ëndërrt,

mjegull zgjimesh në tokën time

aq të urtë, të mençur,

të pastër si lotët e atyre

                                              që ka mbuluar,

e ashpër si fatet,

më e pavdekshme se vdekja

që rilind pas çdo mjegulle.

Një kalli fjalësh

shkërrmoq në pëllëmbën time

dhe ky çast merr kuptim

si një psherëtimë lehtësuese.

Nëpër Kosovë, pa datë…

——————————————————

Poezitë nga libri “Si është Kosova”,

Botimet “Buzuku”, Prishtinë, 2014.

Bashkë, nga të gjitha trevat…



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora