Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Komedia Hyjnore në teatër
E enjte, 14.11.2024, 07:55 PM
KOMEDIA HYJNORE NË TEATËR,
NJË
AKTOR TE PORTA
DHE
VERA ME EMRIN “DANTE”…
Nga
Visar Zhiti
Në
Chicago, në Athenaeum Center Theatre, pamë “Dante 360”, një udhëtim nëpër
“Komedinë Hyjnore” si një përvojë gjithëpërfshirëse, shumëdimensionale, -
kështu thuhej në publicitetin që i bëhej
shfaqjes. Teatër, art pamor, muzikë… dritë-hije, - shtoj unë, - vegime, zëra
humnerash të përmbysura, qiellore, ujëvara dritash etj, etj.
Në
skenë Ferri, Purgatori dhe Parajsa, u ndjemë si “të ftuar në audiencën e
eksplorimit të temës së dashurisë njerëzore dhe hyjnore, të shëlbimit dhe jetës
së përtejme”.
Me
dizajn inovativ dhe fytyra të reja aktorësh, një performancë magjepsëse me
shumë ndijime.
Një
nga poemat më të mëdha të letërsisë botërore na u dha kështu në një mënyrë
krejtësisht të re, “vorbull dhe festë” - një zhytje e vërtetë në Bukurinë e
pandryshueshme të botës, - vazhdonte të lexonte Eda ime shënimet.
Nuk
na ikej nga teatri. Po rrinim ende te portat, kur na përshëndeti një burrë i
panjohur siç ndodh rëndom, kur s’ka njerëz të tjerë afër.
-
Ju pëlqeu drama? - na pyeti befas.
-
Shumë, - u përgjigj Eda ime menjëherë.
-
Jeni aktor? - iu drejtova unë, i sigurtë që ai ishte.
-
Po, - tha thjeshtë.
-
Shën Bernardini në skenë? - e poeti Eda.
-
Po, - u gëzua ai.
Në
“Komedinë Hyjnore” Shën Bernardi e udhëheq Danten në hapat e fundit të
udhëtimit të tij nëpër Parajsë, - pashë shpejt e shpejt ç’shkruhej për këtë
pjesë teatrore. - Si një simbol i përkushtimit të pastër, Bernardi i lutet
Virgjëreshës Mari, duke i hapur rrugën Dantes për të përjetuar vizionin
beatifikues. Prania e tij shënon çastin kur intelekti ia lë vendin dashurisë,
duke e çuar Danten në një takim të drejtpërdrejtë me Zotin - një kujtesë e
fuqishme se e vërteta përfundimtare gjendet te përulësia dhe hiri.
-
Pra, jeni Jerry Marzullo - Shën Bernardini?!
-
Pooo…
Unë
i tregova foton e tij në ekranin e celularit tim, i kisha bërë gjatë shfaqjes
dhe ai më falenderoi i ngazëllyer.
-
A t’ju bëj dhe një foto bashkë? - i tha Eda aktorit.
-
Patjet?r.
-
Edhe unë jam djalë aktori, - shtova siç bëjmë zakonisht ne, shqiptarët, që
tregojmë pa na pyetur.
Po
edhe aktori na tha se ishte me origjinë italiane, nga Napoli…
Edhe
këtë teatër italianët e kishin ndërtuar, emigrantët, në vitin 1911 dhe i
kushtohej Dantes, diku në krye ishte dhe një si emblemë, një murale ku qenë
pikturuar Dante me Beatriçen, pra, teatër i dashurisë…
Dhe
unë do të doja të tregoja se befas më kishte lindur idea të hipja në skenë a në
njërën nga llozhat anash, ku pjesa po luhej dhe aty, të thosha se Dante është përkthyer dhe në shqip,
shkëlqyer madje, në ferr, nga një ish i burgosur, Pashko Gjeçi, bashkëvuajtës
imi, sikur e pashë midis jush fantazmë, dhe “Ferrin” Dante duket se e ka
shkruar posaçërisht për ne, po ju na shfaqët një parajsë arti plot dritë, t’i
besojmë asaj, etj, etj.
-
Sonte të pijmë nga ajo vera me emrin “Dante”, - më tha Eda kur u kthyem në
shtëpi, teksa desha të shfletoj “Komedinë hyjnore” tonën, por e lashë librin
dhe hapa shishen e verës danteske. Dhuratë e bukur, po mendoja…