Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Në Pallatin e Skënderbeut...
E enjte, 17.10.2024, 07:39 PM
NË PALLATIN E SKËNDERBEUT
ME FLORIANËN, DUKE KUJTUAR GJYSHËRIT, POR DHE
NJË NOBELIST…
Nga
Visar Zhiti
Patjetër
që do të shkonim në Pallatin e Skënderbeut, sa herë vijmë në Romë e vizitojmë
dhe kur na tha Floriana, u nisëm menjëherë.
Zbritëm
shkallët e Quirinale-s, ku është Presidenca e Italisë dhe dolëm në “Vicolo
Scanderbeg”.
-
Është rruga e parë në Romë që i vihet emri i një të huaji, - thashë dhe dolëm
në atë që quhet edhe sot “Palazzo Scanderbeg”, është shtëpia autentike e Gjergj
Kastrioti - Skenderbeut, ja dhe afresku mbi portë me portretin e Skenderbeut
dhe mbishkrime, jo vetëm sugjestionuese për ne, por dhe me vlera për historinë,
- kisha shkruar dikur.
Kur
vinte Skenderbeu në Romë, në Selinë e Shenjtë, për punët shtetërore në mbrojtje
të Atdheut dhe Europës Perëndimore, - vazhdoja, - rrinte te kjo shtëpi, është
vërtet e tij, nderkohë pasuri e trashëgimisë kulturore italiane, e mbrojtur me
ligj, që dhe nëse ndërron pronar apo dhe funksion, duhet të mbetet siç është,
strukturë e kujtesës, si para 5 shekujve, kështu e përgjithmonë, sa të jetë
Roma.
Po
bënim prapë foto aty me Edën time, me Florianën, që ishin mikesha të mira, ne
kishim punuar bashkë dhe në ambasadën tonë në Romë, edhe në Vatikan, Floriana
di disa gjuhë të huaja dhe e kujtoj, punonte shkëlqyer. Tani jeton në Romë me
familjen e saj. Vinim shpesh të shikonim Shtëpinë e Skënderbeut. Dhe Atjonit
tonë të vogël i pëlqente këtu dhe recitonte te sheshi me kalldrëm si një fëmijë
i gëzuar.
Atëhere
kisha bërë propozime e kërkesa që kjo ngrehinë hijerëndë, tashmë hotel, të
blihej nga shteti shqiptar apo të shkëmbehej, ishin mundësitë, e bisedoja dhe
me të apasionuarin pas atij Pallati, pas Skënderbeut në fakt, Costanzo
Dagostino dhe aty, te ky pallat i madh vërtet, mund të vendoseshin ambasadat
tona në Itali, e Shqipërisë dhe e Kosovës, edhe ajo në Vatikan, madje në njërin
nga katet mund të bëhej dhe një Qender Kulturore Shqiptare. Po ne ende nuk kemi një qendër kulturore në
asnjë vend tjetër dhe kërkesa s’pati një përgjigje kurrë.
Dhe
mundësitë, besoj, janë, por duhet shteti…
Nuk
po zgjatem përsëri me rrëfime pune, por dua të kujtoj trarët e “Palazzo
Scanderbeg”, kur më thanë në vizitën time zyrtare se janë po ata të para 550
vjetëve e më shumë tani, shtanga. Janë po ata trarë q? rrinim mbi kryet e Skënderbeut,
kur bunte këtu e shkruante mbi skrivani,
ato ka parë me syte e tij, kur i ngrinte lart, s’dihej ç’donte t’i thoshte
Qiellit.
Këtë
po bisedoja me Edën e Flirianën, me siguri do e kisha thënë dhe herë tjetër.
Pata një xixëllimë të beftë si ndeshje sysh, kisha shkruar, se Italia, që e
vetme ka 60 % deri 70 % të të gjithë thesarit
të kulturês botërore ruan trarët e Skënderbeut. Të atij që bëri çatinë e
Kombit tonë. Ç’mrekulli!
Me
një ndjesi të tillë zbritëm te e famshmja “Fontana di Trevi”, janë ngjitur me
“Palazzo Scanderbeg”. Këtu kishte ardhur dhe Faik Konica, po tregoja, i
pëlqente se i kujtonte Alpet e Shqipërisë, kështu thoshte.
Po
edhe gjyshi nga nëna i Florianës, Injac Zamputi, do të ketë ardhur këtu, shpesh
besoj, ai ishte me origjinë italiane, u
rrit në Shkodër, studioi në kolegjin Saverian të Jezuitëve dhe nisi punë si mësues i letersise dhe i gjuhës
shqipe, koleg i ri i Dom Ndre Mjedes, i Padre Zef Valentinit. Më pas studioi
per shkenca politike në Universitetin e Triestes, ku mbron temën "700-a
Veneciane dhe Shqipëria".
Pas
Çlirimit, kështu quhet, por ne ramë në një robëri më të rëndë, në atë tonën,
Injazi punoi në Shtëpisë e Kulturës në Shkoder e më pas dërgohet në Gjirokaster
si mësues në lice. Me hapjen e Institutit të Shkencave thirret në Tiranë ku i
caktohet dega e historisë së mesjetës. U shqua si studiues, historian,
veçanërisht i mesjetës, kritik letrar, përkthyes, etj, por edhe përndiqej, jo
vetëm prej origjinës, por, - kisha lexuar, - se ai nuk kishte pranuar të
bashkëpunonte me Sigurimin, policinë sekrete. Aha, prandaj s’e bënë akademik
dhe harrohej. Ndërroi jetë në Tivoli në Itali dhe, sipas porosisë së tij të
fundit, prehet në varrezën e familjes në Tiranë.
Kurse
gjyshi nga babai i Florianës, Beqir Haçi nga Borshi, ka qenë i burgosur
politik, arsimtar dhe ai, përkthyes, poet, me atë mësonin anglisht disa nga ata
që do të bëheshin liderë të demokracisë dhe pas rënies së regjimit komunist atë
e nderuan me titullin “Mësues i Populli”.
Po
edhe prindërit e Florianës janë të mrekullueshëm, i njohim…
Ndërkaq
ne kishim arritur në kafen e famshme “Sant Eustachio” pas Panteonit. U pëlqente
të vinin shpesh këtu dhe Edës me Atjonin.
Ja
dhe mozaiku me drerin në prag të kafenesë, kur futeshim aty, - po i tregonte
Eda për mua Florianës, - bënte kujdes të mos e shkelte drerin, e ka shkruar dhe
në romanin e tij “Në kohën e britmës”. Po aty kam dhe një histori të bukur me
vëllanë e Ernest Koliqit dhe trëdafilat, ma kishe treguar ti, Floriana, -
ndërhyra unë. Dhe Eda vazhdoi të na tregojë se pse është aty mozaiku me drerin,
nga që Eustakios, një oficer romak, teksa gjuante, mes brirëve të një dreri iu
shfaq një kryq me dritë dhe brenda tij figura e Krishtit, pas kësaj ai u kthye
në të krishterë dhe ndoqi rrugën e krishtërimit.
Edhe
Gjergj Kastrioti ynë ishte cilësuar nga papët si “atlet i Krishtit” dhe
“mbrojtës i paepur i qytetërimit perëndimor”, siç dhe shkruhet në piedestalin e
shtatores së tij mbi kalë në Romë, - po thoshim.
Po
edhe romani që kishte sjellë si dhuratë për ne Floriana, “Un bagliore, (“Një
shkëlqim” mund të themi), i nobelistit më të fundit, Jon Fosse, - u mallëngjye
kur u ndamë, - do të kishte diçka të tillë mistike, një vezullim mahnitës në
pyllin e jetës natën, do ta lexonim në qiell, në aeroplan gjatë kthimit nga
Roma në Chicago.