E merkure, 30.04.2025, 07:35 PM (GMT+1)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: Lahuta në aeroport

E diele, 22.09.2024, 06:57 PM


LAHUTA NË AEROPORT

Nga Visar Zhiti

Në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranën tonë, në mjediset ku presin për të fluturuar, më bëri përshtypje njëra nga sallat, “Lahuta”.

Nëpër tryeza udhëtarët e qiellit gjerbnin kafe, ndokush hante, më tej edhe dremitej, ende më tej ishin  raftet e librarisë, botime të reja, që, teksa i shikoja, i dija dhe s’i dija, kishte të ekspozuar dhe libra të dikurshëm, më shumë si epokë se sa si kohë.

Pas pareteve të xhamtë shiheshin avionët, krahëhapur si shpendë të rëndë.

Hapa vëllimin me poezi të Naim Frashërit “Ëndërrimet”, që e kishte shkruar në persisht, është libri i parë i tij, por s’po gjeja emër përkthyesi, lexoj pak, ah, qenkan ato të Vehxhi Buharasë, e njihja mrekullinë e tyre. Dola nga pas rafteve për te kafeja, kur ç’të shoh, në mur ishte e shkruar e gjithë Kënga e Parë “Cubat” e Atë Gjergj Fishtës nga eposi “Lahuta e Malcis”.

Prandaj u quajtka ky mjedis “Lahuta”, thashë. Dhe m’u kujtua zhurmëtira që u bë, kur u përhap lajmi se në Unesco u pranua si pasuri lahuta serbe, po lahuta është jona, të paktën në Ballkan, po kundërshtonim me vonesë, na i morën dhe lahutën, edhe Nënë Terezën duan t’na i marrin,  edhe…

Edhe avioni do të ishte me vonesë. Një ore. Edhe një orë tjetër. Edhe një tjetër. 3 orë e gjysmë. As shpjegonin, as mbahej përgjegjësi, as…

Shkallë lëvizëse në pistë ashtu pa avion më ndërmendnin një performancë dëshpërimisht ironike të artistit Adrian Paci. Po unë mund ta kisha lexuar të gjithë “Lahutën e Malcis” këtu… të jetë bërë Europa ashtu siç shkruante At’ Fishta? Na çuar në një avion me tatuazhin në trup: Georgian Winghs. Ou, qenka i kohës së Stalinit, po bënin humor të mërzitur udhëtarët. Se mos na çoni në Gjeorgji, po kishte qejf të grindej njëri me ata të shërbimit. Ndjeva rropamën e shurdhët qiellore në vonesën e gjithçkaje, edhe absurdin dhe përsërita vargun e parë fishtjan te “Lahuta…” që është dhe lutje:

Ndihmo, Zot, si m’ke ndihmue!

Po edhe më shumë! Amen! Arritëm te qiejt milanezë. Kur ishim brenda reve dhe një lumë qiellor drite vërshonte për poshtë…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx