Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Art shëtitës në rrugët e Çikagos
E merkure, 19.06.2024, 06:58 PM
ART SHËTITËS NË RRUGËT E ÇIKAGOS
Hapat e bukura të Kaltrës, vajzës shqiptare
Nga
Visar Zhiti
The
Art Walk in Chicago. Dhe kur arti shëtit rrugëve të qytetit dhe qytetarët
shëtisin rrugëve të artit. Veriu i Çikagos, lagjja Uptaun - skenë e madhe e
artit publik plot me murale të reja të instaluara përreth, ekspozita të
organizuara nga bizneset vendore, veprimtari interaktive arti, etj, etj. së
fundmi çeli Panairin e Pikturës, në një mënyrë të veçantë dhe tërheqës, ku do
të mund të shikosh jo vetëm veprën dhe autorin, por dhe se si u bë ajo, pra
mund të ndiqje të krijuarit si proces. Ishin ftuar 50 piktorë, që do të
shpërndaheshin rrugëve, do të piktoronin live, mes njerëzve. Mes tyre do të
ishte dhe një shqiptare. U zgjodh një e shtunë e këtij qershori. E gjitha
ndodhi në 935 W. Wilson Ave, përgjatë Everybody's Coffee duke vazhduar në
perëndim në Wilson Avenue. Policia kishte ndaluar trafikun e dëndur, përveçse
te trenave që kalonin mbi urën që lidhte grataçielat mes tyre.
Nga
ora 10.00 deri në 16.00. Punë artistike, krijuese, 6 orë në studiot pa mure,
hapur, në rrugë, mes njerëzve.
50
piktorët i shikoje gjithandej, trotuareve, nën pemë, ndanë shkallëve, vitrinave
apo dyerve, kishin hapur kutitë e bojërave, vazot, kovat plastike të ujit, m’u
aty te këmbët, kapën penelat, hodhën ngjyrën e parë, të dytën, një vijë, një
emocion.
Kalimtarëve
e shumtë ndalnin për një çast, shkonin për t’u kthyer më pas për të parë se
ç’kishin piktuar, ç’pjesë të qytetit, e kishin përballë apo na fantazinë e
tyre.
Po
vajza shqiptare ku po pikturon?
Dhe
nisnin bisedat e kalimtarëve me piktorët. do t’i pyesnin se ku do të ekspozoheshin
më pas punët, si mund t’i blinin, a mund t;e b;enin një foto me cellular etj,
ndërsa piktorët, të pëqendruar në veprat e tyre, do ta kthenin kokën herë pas
here, do të buzëqeshnin dhe dukej sikur do të kërkon ngjyrën e këtij çasti, më
shumë se te kutitë dhe vazot para, te bisedat në ajër.
Dëgjohej
dhe shqip te ndonjë grup i vogël, që ecte. Zonja shqiptare, të bukura, një
vogëlushe që donte të ndalte pranë çdo piktori dhe donte të vizatonte dhe ajo.
-
Valentina, ngrihu se do të shkojm:e te Kaltra, - dëgjova. Andej duhet të jetë
piktorja shqiptare.
50
piktorë janë gjithses. E di, e lexova. U zgjodhën mes shumë pretendetëve.
Patjetër. Janë të të gjitha moshave, vazhdonte të bisedohej. Si dhe pikturat,
edhe ato duket sikur kanë moshën e tyre, dua të them se janë të teknikave e
shkollave të ndryshme dhe në kohë, po aq sa postmoderne e të ngjashme me
pllakatet dhe instalacionet, apo naive e realiste, po aq dhe të rafinuara dhe
klasike, klasike të asaj dite, ngulmoj. Vetëm 6 orë do të punojnë. Aq. Duhet
frymëzim. Po i ndihmon përvoja, mjeshtëria, shiko këtu, ç’ka bërë ky, po më
pëlqen…
Dhe
dielli po më dukej se herë dilte nga një tablo për të shkuar në një tjetër
tablo, qoftë dhe si vërshim i një tufe rrezesh apo i pikëzuar si ar në sytë e
portreteve apo prani drite.
Kalojnë
të reja e të rinj, burra me gratë prej krahu, fëmijë prapë, ndokush me qenin që
ndalte i pari për të parë dhe i zoti e tërhiqte nga rripi, të moshuar me
mjekrra të bardha, shungellimat e trenit mbi urë
Po
ku duhej të ishte piktorja e re shqiptare, Kaltra D. E. Seferi?
Endemi
nëpër panair, jemi shëtitës në artin shëtitës, që u realizua, - lexojmë, -
sipas një granti nga Agjensia e Këshillit të Arteve të Shtetit Illinois. Një
hartë se ku mund të gjendet çdo vepër arti, do të dalë së shpejti. Më
nëpërmendet rruga e famshme e piktor:eve në Romë, “Via Marguta”, ku kanë qenë
dhe Chirico, Gottuso, edhe Maestro Kodra yni, po dhe Picasso, vinin dhe
shikonin edhe Felini, Anna Magnani, shkrimtari Emil Zola, Sartre, etj. Po
Pedonalia jonë në Tiranë do të b;ehet ndonjëherë kështu apo do ta prishin?
Ja,
Çikago me grataçielet e hirta ndanë ujërave të liqenit të madh, perëndimi i
përflakur, ku piktori me penel kërkon ta stilizojë edhe pakë, ylbere ngjyrash
më tej, zemra në mure e drithërima fjalësh: you are… beauty… everything… proud…
respect… dhe lule… tatauzhe në krahun e
madh të një piktori, sikur vazhdojnë dhe në tablonë e tij, një i moshuar me
kapuç… autoportret mbase… emrat në anë,
ja, dhe Kaltra Seferi, shqiptarja e vetme e panairit të pikturës, e rrethuar me
njerëz, vazhdon punën, shkruan mbi
tablo: Uptown Church, pranë saj jemi,
kolona të bardha, globe përsipër, pjesë muri me tulla si çokullata dhe e kaltra
në qelqnajë si emri i saj…
Kaltra
ka lindur në Vlorë, ishte e vogël fare kur prindërit e saj vendosën të iknin
nga Shqipëria e ’97, gjatë kaosit dhe shkatërrimeve, kur e kaluara e çmendur po
donte revansh, donin të shpëtonin ëndrrën e Kaltrës dhe ajo u shkollua
pikërisht këtu, në Çikago, u diplomua për arkitekturë dhe do shumë pikturën, ka
marrë pjesë në disa ekspozita, ku shfaqen dhe kolazhet moderne nga Shqipëria që
ndryshon.
Pranë
Kaltrës është ulur dhe një vogëlushe mu në trotuar, po vizaton dhe ajo, ndoshta
ka moshën kur Kaltra iku nga Shqipëria, a është Kaltra fëmijë, mori një ngjyrë
dhe ajo dhe po shkruan emrin e saj mbi fletë: Valentina.
Po
afron ora 4.00 e pasdites, kur duhet të kenë mbaruar pikturat. Në tablonë e
Kaltrës vajzat bisedojnë miqësisht, janë të racave të ndryshme, profile me muzg
dhe agime, ujëvara flokësh, elegante njëlloj, krahët e zgjatur si në një balet
dashurie, pëllëmbët si pëllumba paqeje, ja, befas shtohet një byzylyk në një
kyç dore, peneli ngjyhet përsëri në të kuqe për të vënë manikyrin te thonjtë
dhe zbret në fund, në anë, rendit 6 shkronja: K-a-l-t-r-a. Fjalë e bukur
shqipe. me qiell ëndrre, si dita e gjashtë e javës, si sot…