Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Një shekull me Kafkën, nisi kur ai nuk ishte më
E merkure, 05.06.2024, 07:40 PM
LETRAT E BOTËS
NJË
SHEKULL ME KAFKËN,
NISI
KUR AI NUK ISHTE MË…
-
përsiatje me pak të dhëna
dhe
një pikturë -
Nga
Visar Zhiti
Në
3 qershorin e para 100 vjetëve vdiq Franz Kafka, 40 vjeç, nga tuberkulozi i
laringut, në Kierling, në sanatoriumin afër Vjenës.
Shkaku
i vdekjes: uria.
Kafkiane:
gjendja e fytit të Kafkës e bëri të ushqyerit e tij të vështirë, tmerrësisht të
dhimbshëm e të padurueshëm, ndërkaq në shtratin e vdekjes ai vazhdonte të
punonte tregimin “Një artist urie”, kështu është shqipëruar nga origjinali
gjermanisht (“A Hunger Artist” në anglisht) prej Ardian Klosit, përkthyesit të
të gjithë Veprës së plotë në prozën e shkurtër të Kafkës dhe të romanit të tij
“Kështjella”, pastaj dëshpërueshëm vari veten. Kafkiane dhe kjo…
Trupin
e Kafkës e kthyen në Pragë, në qytetin e tij, ku prehet në Varrezat e Reja
Hebraike.
Kafka
nuk ishte dhe aq i njohur, për të mos thënë fare, si shkrimtar sa ishte gjallë, fama për atë s’kishte rëndësi.
Vetë
dogji rreth 90 % të krijimtarisë “nga
shkaku i betejave me vetëdyshimin”. Në
testamentin që la, porosiste mikun e vet më të ngushtë, Max Brod, të digjte
dorëshkrimet e tij të mbetura, që s’arriti t’i digjte, duke përfshirë romanet
“Procesi”, “Kështjella” dhe “Amerika”, por Brodi i shpërfilli porositë dhe i
botoi…
Veprat
e Kafkës u bënë të famshme në vendet gjermanishtfolëse pas Luftës së Dytë
Botërore dhe ndikimi i tij u përhap dhe në vende të tjera të botës duke e parë
atë si një nga shkrimtarët kryesore të letërsisë së shekullit të 20-të.
Vepra
e tij bashkon realizmin me fantastiken me protagonistë të izoluar që përballen
me vështirësi të çuditshme ose surrealiste, të pakuptueshme socio-burokratike.
Është eksplorues i temave të tjetërsimit, ankthit ekzistencial, të fajit dhe
absurditetit dhe prandaj ka hyrë në anglisht termi ‘Kafkaesk’, pra, kafkian…
TRILL SHQIPTAR ME KAFKËN
NGA GEORGE K.
“Procesi”
i “Metaformozës” në “Kështjellë” në “Amerikë”… - më erdhi vetvetiu në mendje
kjo fjali pa folje me titujt e romaneve të shkrimtarit Franz Kafka. Jo pa
kuptim. Nga që është dhe 100 vjetori i vdekjes së tij sot, e risolla siç kisha
bërë me një datelindje të tij…
Dhe
shkova të shikoj pikturën fantastike të George K., s’është fjala për ndonjë
personazh të Kafkës, por për piktorin e mrekullueshëm, mikun tim, Gjergj Kola.
Më
ngazëllen vërtet, me një si zymtësi timen, gati rutinë, që më jep një lloj
lehtësimi për gjithçka kafkiane, kur rri para këtij kompozimi-ëndërr, madje dhe
buzëqesh lehtë a fshehurazi, as unë s’e di si…
Çfarë
e shtyu për këtë vepër? Ç’zë ia tha, kush ia kërkoi?
Kafka
- me qeleshe shqiptare mbi krye, jo me
kippa-n hebraike dhe sikur të mos mjaftonte kjo, dhe tjetri me qeleshe pranë tij,
ngjan me mua. E pse të mos jem unë?
Kafka
shikon thellë, që nga brenda vetes, pak pjerrët si për të çarë terrin para nesh
dhe të ardhmes.
Kafka
i ndaluar tek ne dikur, edhe pse i pabotuar kurrë, të dënonin të flisje për të…
Absurd… Shqipëria e gjithë ishte një
kështjellë kafkiane, me proçese gjyqësore dhe tjetërsime…dhe unë i dënuar
ashtu, në burgun e atij realiteti-burg, kisha folur pa i lexuar dot asgjë
atëhere. Mbase kjo kishte qenë protesta jonë postkafkiane.
Në
pikturë unë kam venë nën mjekërr dorën e djathtë, me të cilën shkruaj. Dhe kam
një fillim buzêqeshjeje gjithë adhurim për Kafkën, kjo sikur më jep më dritë
dhe sikur dua të kryqëzoj vështrimin tim me të tijin. Kam një si makth a peng a
të dyja bashkë.
Ç’dalldi
e shenjtë a demon e shtyu Gjergj Kolën ta shqiptarizonte Kafkën duke më vënë
pranë tij? Apo të atyre situatave jemi, gjithë terr dhe alienim dhe i kalojmë
aq lehtë e ai, Kafka, duke na i lënë të shkruara siç zbulonte veç ai, (bekur
qoftë Max Brod që nuk e zbatoi testamentin!), na ndih të jemi… çfarë? -
postkafkianë në postdiktaturë… Të tregojmë dhe ne Kafkën që kemi në kokë.
Kujtoj
që romanin tim “Funerali i pafundmë” kritika, ajo e huaj më shumë, e ka quajtur
postkafkiane.
Ta
ketë nxitur kjo dhe piktorin Gjergj Kola, mikun tim, që të hedhë ato ngjyrat
gëzimerrëta? Nuk kisha guxuar ta nxirrja atë tablo, mëdyshesha. Të ishte një
ngushëllim artistik siç dhe fillon arti?
Misteri
vazhdon, madje përthellohet. Po midis nesh, më afër meje, cili është ai, në një
si largësi të vegimtë, por dhe ngjitur, në të ardhmen e shkuar a në të shkuarën
e ardhme? Vetëm me të Kafkës unë i përziej kohët dhe e di vetëm unë se cili
është ai pranë meje, që më vështron symbyllur si një alter ego e re, me ato
duar të kuqerremta si me gjak britme të heshtur…
Po
sot është 3 qershori, ditëvdekja turbulluese e Kafkës, ndërsa pas një muaji
vjen 3 korriku, datëlindja e tij mbrapsht, e 141-ta i takon, lejohen trillet, -
kisha shkruar, - sado të pakuptimta qofshin, por - shtoj - nuk janë dhe aq të
tilla…