Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Çdo ditë e teatrit është dhe bota - skenë
E merkure, 27.03.2024, 08:55 PM
ÇDO DITË E TEATRIT ËSHTË
DHE
BOTA - SKENË…
Nga
Visar Zhiti
Megjithatë
27 Marsi është shpallur “Dita Botërore e Teatrit”
nga
UNESCO, që nga viti 1962 me propozim të Finlandës në Kongresin e 9-të botëror
të Institutit Ndërkombëtar Teatror, etj, etj.
Po
në këtë ditë ka lindur dhe Çajupi ynë, rilindasi i shquar, poet dhe dramaturg…
ta kujtojmë…
Dhe
unë jam bir aktori në kohën kur të gjithë luanim keq, asnjëri s’ishte në rolin
e tij dhe vazhdohet, përveç aktorëve në skenê, ata mbeten më të vërtetët.
Dhe
im atë shkruante komedi, drama, por ato mundën të botohen postume, të gjallët e
kishin të vështirë të ishin dhe aq gjallë, ndërsa të vdekurit nuk liheshin të
qetë… dhe u pëzje jetë-vdekja…
Gjëra
të tilla kam dashur të them në romanin tim të fundit “Këpuca e aktorit”, por ai
në fund të fundit është homazh për teatrin, njerëzit e skenës dhe spektatorin,
pra për njerëzit, se ka spektatorë të shkëlqyer siç ka dhe aktorë të këqinj dhe
skena pa mbarin, gjithmonë edhe një akt tjetër për komedinë njerëzore.
Teatri
jemi ne,
ne
jemi teatri.
Me
këpucën e aktorit ecën atdheu…
“KËPUCA
E AKTORIT” - roman.
-
një copëz si monolog-
Në
mesjetë, në Europë... Po u bëmë me Shekspir. Tragjediani më i madh i të gjitha
kohërave. Krijoi botë me njerëz dhe ngjarje, me vdekje dhe pasvdekje... Po edhe
aty ka Iliri.
This
is Illyria, lady. - tregon kapiteni shekspirian.
And
what should I do in Illyria? – pyet Viola.
Pyetje
që na mundon dhe sot: Dhe çfarë mund të bëj në Iliri? Është në komedinë “Nata e
Dymbëdhjetë”. Ja, mbase e vëmë këtë vepër këtu, mbi këto rrënoja si një
përgjigje...
Pashë
që po vinin dëgjues të tjerë, punëtorë të amfiteatrit, shih, shih, erdhi dhe
toger Todi. Aty paskëshin qenë dhe shoku i fakultetit, sekretari II për
kulturën, me të atin e tij “normalist”. Nga ana tjetër kolegë nga qyteti L.,
drejtues të partisë, etj..
Po
gruaja aktore? – pyeti një grua, që siç duket nuk donte qe të mbaronte ky
takim.
Në
skenë dilte gruaja, por s’ishte grua. Si duronte teatri pa plasur, skena të
çahej në dysh? Nuk shihej si punë e hijshme për gratë dhe rolet e tyre i luanin
burrat... e maskuar, por ky paragjykim u
prish në Venecia. Ka të dhëna, që në kohën e Shekspirit kishte gra që aktronin
ilegalisht, të maskuara si burra. Po teatri i vërtetë është grua. Dhe erdhi
Molieri me gruan aktore, aktor dhe vetë, i hijshëm, i frikshëm, mjaftonte të të
tallte ai dhe të sigurojë përjetësinë. Edhe këpucët se si i ka, le që ka shumë
palë, për çdo personazh, por të tiat janë si me brirë anash. U vuri brirë
këmbëve...
Ndërkaq
unë jam aktor dhe jam i magjepsur pas këpucëve të Çarli Çaplinit, nuk e kam
imituar ndonjëherë atë, por këpucët e tij po... nuk vazhdova më tej. Çarli
Çaplin mbase ishte ende gjallë dhe ne nuk flisnim dot për artistë të gjallë të
vendeve kapitaliste dhe revizioniste. Aq më tepër që pritej një dallgë e re
arrestimesh dhe internimesh...
Dua
të lëngoj në skenë si Molieri në një poltrone të vjetër, të rrjepur. Të
interpretosh në fund fundin tënd, të gulçosh, të të mbushet goja me gjak,
fjalët të dalin të përgjakura si nga buzët e plagëve... sufleri të të kujtojë
tekstin, por jo, është vdekja te vendi i suflerit... shpirti kërkon të ikë në
tjetër skenë, në atë të qiellit... perdja mbyllet bashkë me sytë...
përgjithmonë.
Pashë
lot në sytë e Erikës. Edhe në sy të tjerë. Njëri nga dëgjuesit thirri:
Ti
je aktor!