Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Martiri, poeti Dom Lazër Shantoja
E merkure, 06.03.2024, 08:59 PM
MARTIRI, POETI DOM LAZËR SHANTOJA...
-
Shqiptari i parë i gjuhës Esperanto -
Nga
Visar Zhiti
Pas
një mesnatës, kur vendi kishte pak që ishte çliruar dhe krismat e armëve
vazhdonin më keq, fitimtarët po vrisnin ata që nuk i donin... dhe diku afër
Tiranës, ndanë një grope të egër, shkrehën pushkët me qetësi mbi kokën e një
njeriu... ra ai... aty e mbuluan me dhé dhe ikën të festonin me një gëzim mizor
djajsh...
Ekzekutimi
u krye nga një ushtar i pa emër dhe nga një tjetër pranë, që mbahej si më i
rëndësishëm...
* * *
Po
shfletoja “Antoligjinë e të Vrarëve”, që kisha përgatitur me krijime të të
pushkatuarve tanë, e kisha titulluar “Lajmëtarë të Europës” se të tillë ishin,
u botua para 10 vjetësh, në 2014, që më drithëron aq shumë. Nuk besoja se ka
një popull tjetër një antologji të tillë, që ka vrarë kaq shumë nga poetët e
vet, po rishihja për Dom Lazër
Shantojan, 5 mars ishte si sot, 1945, kur e vranë.
Shkronjat
m’u bënë të ujshme si lotët...
Dom
Lazër Shantoja, vjeç 53, nga
Shkodra, dënohet me vdekje - me
pushkatim... – buçisnin zëra sérisht, sentenca kishte mbetur në ajrin e vrarë.
E kishte dhënë një komision partizanësh, të moshës sa e gjysmës së atij që do
të pushkatonin dhe gjysmakë në shumëçka, madje nuk dinin të firmosnin as
proce-verbalin e tyre. Po të lexoheshin me zë të lartë emrat e komisionit të
dënimit, do të ndjeheshin si lehjet qensh të tërbuar.
Kishte
nisur furia vrastare e fitimtarëve, komunistëve shqiptarë kundër klerit
katolik...
* * *
Lindi
në Shkodër në 2 shtator 1892. U shkollua në Kolegjin Saverian dhe në Seminarin
Papnor në Shkodër me pedagog poetin Dom Ndre Mjedja e etër të tjerë jezuitë.
Përvetësoi latinishtesn, greqishten e vjetër dhe italishten dhe do të ishte
shqiptari i parë që do të njihte shkëlqyeshëm gjuhën esperanto.
Dhe
buzëqeshte me gjithë shpirt, dhëmbët e bardhë i vezulloni si bora në shkrepat e
vendlindjes.
Pasi
kreu studimet e larta teologjike në Universitetin e Insbrukut, shërbeu si
famullitar në Pulaj, Beltojë, Velipojë, Rrjoll, Sheldî. Sa të bukur janë qytet
nëpër Europë, por qielli tek ne është madhështor, ka shumë dramë dhe ëndërr...
Dhe
ndjeu dëshirën të përkthente. Botimet e para i bëri te “Lajmtari i zemrës
s’Jezu Krishtit”, “Kalendari i veprës pijore”, etj. Nxori “Për natë kazanash”,
një përmbledhje me lojra, kashë-e-lasha e proverba. Bashkëpunoi me Pader Anton
Harapin për “Ora e Maleve”, ku spikati dhe si poet satirik, me një gjuhë të
gjallë e argëtuese. Por ai di të jetë dhe epik e me alegorira.
Do
të shkëlqente si orator. Shkrimi për Luigj Gurakuqin apo Fjala e tij në
funeralin e Avni Rustemit do të tronditnin shpirtrat. Ashtu i veshur me të zeza, me ballin e gjerë
e sy të butë, por gjithë vendosmëri, vazhdimisht kërkonte të bënte... një
vepër, një buzëqeshje, një ndihmë... ashtu si meshën përherë... por e kapin dhe
e burgosin si organizator dhe ai në Revolucionin e Qershorit të 1924. Mbas disa
muajve pati falje nga qeveria e Zogut dhe ai u largua nëpër Jugosllavi për në
Vjenë, nga ku do të vazhdonte të dërgonte shkrime.
Në
veprën e tij shpaloset natyrshëm estetika me tendencat letrare të fillimit të
shekullit XX si ajo franceze e gjermane, ndërsa në poezi është leopardian.
Pas
Vjenës bëhet famullitar i fshatit Bienne, ku predikon gjermanisht dhe në La
Motte te kantonit Vaud në frëngjisht. Por gjithnjë ajo buzëqeshja e tij e mirë,
me dritë. Mbi supe ndiente hijen e maleve të veta. Kishte etje për fjalën
shqipe dhe përkthente Wilhelm Telin e Faustin dhe çonte pjesë të tyre në
shtypin shqiptar.
Pasi
Shqipëria pushtohet nga Italia, ashtu si shumë mërgimtarë të tjerë edhe Lazër
Shantoja kthehet në atdhe. Në vendlindje iu bë një pritje tepër e ngrohtë.
Teksa endej rrugëve me kalldrëm të qytetit, hapat sikur merrnin tjetër porosi
nga toka, dhëmbje dhe premtim...
Ai
besonte në një Shqipëri romake. Me një mision të tillë e dërgojnë për një
vizitë dhe në Egjipt... Bëhet drejtor i Shoqërisë Letrare “Dante
Alighieri”. Më 1941 bashkë me Ernest
Koliqin, Mustafa Krujën, Zef Valentinin, Karl Gurakuqin, Xhevat Korçën, (që do
të dënoheshin më pas të gjithë nga regjimi që do të vinte), themelojnë në
Tiranë Institutin e Studimeve Shqiptare.
Me
kapitullimin e Italisë në shtator 1943 merret veç me përkthime të veprave të
mëdha, por e trondiste lufta vëllavrasëse që kishte filluar në Shqipëri.
Prandaj dhe ai profesori në Jug, nga fisi i Butkave, vrau veten... Dhe Don Lazri ikën ndër malet e Sheldisë, më mirë
andej, në pyll dhe legjenda...
Në
janar të vitit 1945 e arrestojnë forcat partizane, e zbresin të lidhur.
Fillojnë torturat. Mes rënkimeve u tha me zë të mekur: ...e kam dijtë me kohë
se komunistët janë veç trathtarë!...
Buzëqeshja
e tij e çiltër ra bashkë me dhémbét mbi dyshemenë e përgjakur.
* * *
Dhe
në Shkodrën e tij, në 5 nëntor 2016, në Katedralen e Shën Shtjefnit do të binin
kambanat e meshës së lumturmit të 38 martirëve të besimit katolik. Kardian
Angelo Amato do të vinte nga Vatikani dhe me anë të një letre apostolike, të
firmosur nga Ati i Shenjtë Papa Françesku. do të deklaronte shpalljen.
Mes
atyre emrave do të ishte dhe DOM LAZËR SHANTOJA, “meshtar i ndritur, njeri i
kulturës, i letërsise dhe i artit, u masakrua nga xhelatët komunistë, aq
sa...”.
Isha
dhe unë në atë meshë bashkë me time shoqe. Në pritje të shenjtërimit të tyre.
Kështu dhe atdheu gjithnjë e më shumë shenjtërohet...
POEZI NGA DOM LAZËR SHANTOJA
PËR NJË PUTHJE TË VETME
IV.
Kufom'
varrosun tash kahmot n'humnerë
t'detit
n'tallaz asht dashunija ime:
kurr
dielli nuk e gzoi e pse n'andrrime
si
nënqeshje fantazmash ndonji fnerë
i
zbet për pak e shndrit e kndoi ndojherë
e
diell e drandofille edhe dëfrime
qen'
kangt' e saja vetëm vezullime
flake
mjes krizantemave t'kalterë
n'varreza
natën...Pra ç'puhi n'dhe t'huej
tinzare
po e shtyn gjethlat qi t'lakojnë kryet për pushim në muzg të nat's lakmueshëm
n'hemistikun
e vargjeve t'trishtueshëm?
A
por përkulen n'të me mujt' t'prigjojnë n'qetin e nat's nji varg qi s'mund të
shkruej?
V.
Ah!
mos e lyp at varg!... Asht shum ma mirë
korimbat
t'tu mos t'dijn ça me thanë me qen' poetë e mos me qenë i lirë
me
kndue me goj' kur zemërngrita qanë
Kshtu
qenka jeta...Me nji lamtumirë
lyrën
qi për ty kapa due me e lanë, pse teli i saj, o lule, dridhet vshtirë
kur
jehon' tjetër s'ka përveç nji zanë
Lulzo
ti prap! Un i padashtun jetën
tash
e kaloj, i vemti ndër poetën'; e tue kujtuemun puthjen nji ditë,
puthjen
tande mërgim...un tash ia kndoj
ma
t'bukrin varg hyjneshës Aferditë ndër hije t'qiparisvet kur t'shkoj...
KUVENDI I DËSHMORËVE
Po,
n’Dragobi Plakun do t’gjejmë tue kjamun
per
Shqipëni
Me
t’gjallë ma fjalë nuk kemi: asht kot me pritë:
Pleqt
u faruen e s’ kan pse plaken t’ritë!
Sot
mbasi t’gjallët nuk janë tue luejt
per
t’gjallë
Lè
t’shkojmë na t’vdekunit Shqiperin me njallë!
Me
fjetë s’kemi ardhun: t’jetë
Gjumi
per t’gjallët… Na t’ vdeknit duem me u
çue
E
t’gjallvet do t’u mësojmë si me luftue
Qi
sot një vjetë n’at kremte t’onë t’ nandorit
Flamur
shqiptar mos t’mbetet
n’dorë
t’trathtorit!
_____________________________
(Botuar “Liria
Kombëtare”, 28 Nëntor 1926)
DUEM... REPUBLIKË!!?
E
rrebtë shungllove – porsi rrufè,
ndër
veshë t’ praksuemvët, – o fjalë e rè!
Kercnim
i frigshëm – për njerz bakqi,
ti
i premton popullit – gzim e lumni!..
pse
kur ti shfaqesh – vorfnia ikë,
o
Republikë!..
Mjaft,
kler me dogma – t’ kalbta ti ké
ndër
shkolla ushqyemun – masen e ré:
Agoi
sot dita – me t’i hjekë dore
të
gjitha shkollat – t’ mesme e fillore...
Asht
e programit – kjo e para pikë
n’
një Republikë...
Kumbonët
me tinglle – na kanë shurdhue;
hoxha
n’ minare – s’ do lanë me kndue;
idena
tjera – qet koha e re:
Kisha
e xhamia – me i rrxuem përdhe!
Hoxhën
e priftin – me i tretë n’ Afrikë!..
Duem
Republikë!..
Ç’
ka asht besimi? – Robni shpirtnore!
Lypset
shrranjosun – prej tokës Arbnore...
Kur
shtet mund t’ bahemi? – Kur masa e re,
t’
rritët e lirshme – pa Zot, pa Fé...
Kur
para ltereve – qirat t’ jenë fikë,
kem
Republikë!
Shka
i duhet vakfit – gjith’ ajo gjâ?
Pasunit’
kisha – ç’ ka ka me i bâ?
Hoxha
dhe prifti – veç, duen me u mâjë,
me
sa ky popull – ngjyen bukën n’ vâjë...
Ktyne
“ngopçarvet” – xhepat m’ ja shpikë
për
Republikë!..
Gzonju
e gasmonju! – Prej qiellve t’ nalta
agim
i ndritshëm – praroi kto balta...
S’
ka ma zi buke, – s’ ka ma vobsi:
Syt’
e përlotshëm, – mori Shqipni,
qé,
vetë Mazzini, – delka e t’i fshika...
Rrnoftë
Republika !?!