Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Një jetë në fluturim
E shtune, 25.11.2023, 08:51 PM
Një jetë në fluturim…
Nga
Visar Zhiti
Kjo
është metafora e jetës së shkrimtarit Drago Siliqi si dhe titulli i librit me
poezi të zgjedhura të tij dhe i kritikave letrare, ku shkëlqeu si avanguardë në
një letërsi të re, por që shumë shpejt regjimi i ri i pas Luftës II Botërore do
ta bënte të veten, duke e futur në morsin e Realizmit Socialist, në një Shqipëri
të mbyllur, me burgje më shumë se sa me shtëpi botuese…
Drago
Siliqi luftoi për çlirimin e vendit dhe ëndërroi lirinë e njeriut shqiptar,
studioi në Moskë në Institutin “Gorkij” dhe drejtoi në Tiranë të vetmen shtëpi
botuese “Naim Frashëri”…
Mund
të themi se Drago Siliqi mbeti si një urë vezulluese mes këtyre dy emrave,
Gorki dhe Naimi, zemërhapur dhe po aq i çiltër si në poezinë e vet, “në kërkim
të së resë” në mendim dhe rrugëtimin letrar, duke i prirë një plejade emrash të
rinj, ku një pjesë përfundoi internimeve dhe burgjeve. Ai u bë mbështetës i
veprës së Petro Markos dhe Ismail Kadaresë, Jakov Xoxas dhe Dritëro Agollit,
Halil Qendros dhe Vangjush Zikos, etj. Me atë do të dilte poezia e poetit
rebel, që do ta pushkatonin, Trifon Xhagjika…
Dhe
vetë emri i Drago Siliqit do të mbetej yjeve. Ai do të humbte jetën, kur ishte
33 vjeç, në një katastrofë ajrore në 1963. Avioni që kthehej nga Kina, ra në
Irkutsk në Bashkimin Sovjetik. Ra apo e rrëzuan? Enigmë. Në avion po udhëtonin
personalitete problematikë për regjimet komuniste…
“Një
jetë në fluturim” e titulloi librin për Drago Siliqin e bija e tij, Laura Konda,
gazetarja që u shqua në radion “Zërit i Amerikës”. Mes shumë të intervistuarve,
ajo thirri një herë dhe Edën time me rastin e botimit të librit të saj për
shenjten Nënë Tereza. Dhe prisnim nga Laura librin për babain. Doli kur Drago
Siliqi duhej të ishte 90 vjeç, në vitin 2020…
Dhe
libri na erdhi vërtet nga qielli. E shohim me kërshëri. Mungonte kështu një
profil shpirtëror, pra dhe i qielltë, i një intelektuali të ndërprerë herët, në
kulmet e burrërisë së tij, duke shkaktuar një turbulencë dhe në letrat shqipe.
Por dhe qielli fsheh, më shumë se sa toka, mistere.