Kulturë » Zhiti
Eda & Visar Zhiti: I mrekullueshmi aktor Mirush Kabashi
E marte, 05.12.2023, 08:58 PM
I MREKULLUESHMI, AKTORI MIRUSH KABASHI…
Nga
Eda & Visar Zhiti
Shkëlqen
bukur e ashtu do të vazhdojë të shkëlqejë si në skena dhe në ekrane edhe në
jetë mes njerëzve, në biseda e kujtime
aktori Mirush Kabashi.
Ikja
e tij sot në teatrin qiellor, pas perdeve të reve, edhe pse përgjithmonë,
nuk pakëson nga aktet e dramës së artit
të tij në tokë, përkundrazi shton
dashurinë dhe bën të kuptohet
ende më shumë mrekullia e talentit të tij të madh e të veçantë, e gjithë ajo që
dha dhe ka lënë…
Duke
i dashur njerëzit, ai i donte po aq shumë dhe personazhet që i interpretonte po
aq njerëzisht, që nga skeçet në estradë e deri te kryerolet në teatër e filma…
Dhe
po aq atraktiv ishte me miq e në tryeza festive, i përzemërt, pasionant, me qytetarì e shqetësime qytetare,
ngazëllyes, tronditës, i qetë, po ajo mirësi që niste që në emrin e tij, në
gjestet e bëmat.
Fytyrë
ekspresive, vështrim ngulitës, butësusht, zë melodioz, me atë kantilenën si të
kolegut dhe bashkëqytetarit të tij, aktorit botëror Aleksandër Moisiu, me gjuhë
të spikatur të duarve dhe trupit, u
duartrokit dhe në skenat e botës, ku arriti majat me monodramën si Sokrat i
Varnalisit, i mençuri i lashtësisë, i urbanizuar me të tashmen ironike, që
shtegtoi që nga skenat e Ballkanit, nga Athina e në Paris e deri tej në Egjipt…
Mirush
Kabashi, i shenjuar nga hyjnitë për të qenë aktor, ruante po atë frymëzim të lartë si nën
projektorët e metropoleve, po ashtu kur recitonte Poemin Kosovar të Kutelit në
Prishtinë, por dhe në New York apo Trendafin e Çamërisë, po kështu dhe kur recitonte
esetë e studentit Atjon Zhiti
në Universitetin Europian të Tiranës e deri te lutjet e përshpirtshme të
shenjtes tonë Nënë Tereza, kuë- kudo, i recitoi dhe në Berat, ku e takuam prapë, por dhe në një kishë
të njohur të Romës, ku e kishim ftuar dhe e patëm mysafir në shtëpi. Dhe ende
më shumë e kemi në zemër…
Kaq
shumë do të tregohet për Mirush Kabashin. Që sot, perdja u hap sërish. Na
rivijnë si në rrotullime skenash takimet me Mirushin tonë dhe zonjën e tij në
muzgjet e Parkut të Tiranës, i zgjasnim bisedat, diçka i thosha unë, shtonte
Eda ime diçka, donim zërin
e tij të butë dhe kumbues, me një si mallëngjim të bukur… Etj, etj.
Kështu do ta dëgjojmë
përherë. Dhe do ta shohim si një shtatore në artin shqiptar, ja, ashtu si të
gjithë ata që e duan, jemi shumë,
jemi popull.