E marte, 17.09.2024, 10:37 PM (GMT+1)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: Dhe u mblodhëm prapë

E diele, 17.09.2023, 07:57 PM


DHE U MBLODHËM PRAPË…

Nga Visar Zhiti

Do takoheshim paradite në baret jashtë te Pallati i Kulturës. Astrit Rama po na mblidhte, vinte nga Franca dhe s’ishim parë që nga epoka e burgut.

Unë mbërrita i pari, kisha ngatërruar orarin. Ku të shkoja? Tryezat plot, lokalet të bukura si në metropol. Me to e kemi arritur Europën, thashë.

Astriti ishte veshur me të bardha si turist mesdhetar, me aparat fotografik me vete, m’u duk më i ri se atëhere. Kur erdhi Rajmond Sejko, ishte me djersë në fytyrë dukej sikur të kishte ecur në k?mbë që nga aeroporti, ku pak më parë të ishte ulur avioni nga Amerika, ku ai jeton. Dhe do të ikte në një takim tjetër. Pastaj u shfaq Dine Dine, edhe ai nga Amerika, edhe na pa dhe nuk e gjente dot tryezën tonë.

S’kishim nga t’ia mbanin, do të bisedonim dhe për burgun, kur ishim të rinj, ndërkaq donim të bënim dhe foto si të ishim të rinj, thërrisnim kamerierin dhe ai vinte menjëherë. Ja, që u mblodhëm,  Dibër e Çamëri e Skrapar, prit, prit se ka të tjerë që kanë ardhur, bisedonim me zë të lartë. Po Adnan Nasufi që është shtruar në spital, nga Franca kishte ardhur dhe ai, por donte të vizitonte Prizrenin dhe në kthim nuk ishte ndjerë mirë. Në Spital i thashë se e kishte nga Lidhja e Prizrenit, që nuk po kryhet dot. Qeshi. Është 90 vjeç dhe e mbante mend ditën time të parë të punës në minierë në  burgun e Spaçit. Bën mirë që shkruan, më tha, t’i kam lexuar. Po ç’t’i bëjmë Dines, bëra humor unë, që na shkruan novela dashurie? Po qeshnim. Në dhomë ishte i shtruar dhe një i sëmurë tjetër, kishte punuar me Sigurimin e Shtetit dhe ashtu vazhdonte. Edhe ai qesh si ne dhe na bashkon sëmundja, thashë unë prapë me humor.

Që nga ballkoni i spitalit hijezonin si në të kaltër rrokaqiejtë e rinj të Tiranës. S’ishin pak dhe dënduri pallatesh sikur të mos kishte rrugë mes tyre.

Donim të merrnin taksi për t’u kthyer, por djali i Adnanin na tha se na çonte ai  me makinën e vet, e mbante këtu, në Tiranë, ta kishte, sa herë që vinte nga Franca.

AtDheu… shkruajta unë siç e shkruante dhe poeti Ali Podrimja.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora