Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Nga balta te yjet
E hene, 14.08.2023, 08:48 PM
Ëndërr
e Musinesë
(Foto
nga fb i studiueses Nashi Brooker)
NGA BALTA TE YJET…
-
40 vjet më parë shuhet Musine Kokalari -
Nga
Visar Zhiti
NJË POEZI DHE BURGU
I SHKRIMTARES SË PARË SHQIPTARE,
Musine Kokalari “Jeta ime universitare”.
Dhëmbje
e copëtuar në poezi:
Të
isha një lule...
...
Të
isha një lule vjollce në mes të ferrave
të
qëndroja e fshehur, e pa dukur
dhe
një ditë të zbulohesha prej duarve të dy të rinjve.
Prej
frike, të larguar prej njerëzis do t’më
këputnin
do
të dhurohesha te njëri-tjetri
për
shenjë kujtimi.
...
Karafil
i kuq të lulzoja
dhe
me kujdes të vaditesha…
një
ditë të vendosesha në jakë të palltos.
Do
të shëtisja dhe unë rrugëve të qytetit,
do
të kuptonja jetën djaloshare
dhe
të gjithë do të vështronin atë dhe mua;
që
të dy qënkan të bukur, do të thoshin.
…
Më
së fundi le t’isha
së
paku një lule e egër,
midis
rrugës dhe gurëve
pa
kujdesin e të tjerëve.
Një
ditë do të shtypesha prej ndonjë këmbe njeriu,
një
burrë ose grua... e di por s’ka gjë,
një
lule të isha dhe jo njeri...
Në
këto copëra të një poezie të Musine Kokalarit sikur përmblidhen gjithë copërat
e jetës së saj, dëshirat dhe parandjenjat, credo-ja dhe realiteti, profecia dhe
ashpërsia e ardhshme, burgu dhe vdekja, ndërkaq aty janë vendosur përballë
njëra-tjetrës delikatesa me tragjizmin.
Vërtet
janë copërat e një poezie, më pak se gjysma e saj, nga ato pak poezi të rënda
që na la ajo, me atë gjysmë jete, ku më shumë se sa këndonte, dukej sikur
tregonte në prag të një vajtimi. Dhe janë shkruar përpara një gëzimi të madh,
kur ajo do të shkonte për studime në Romë, më 1937. Po në këtë vit edhe poeti i
njohur i të rinjve shqiptarë, Migjeni, do të shkonte në Torino, por për të
vdekur, pa i nisur dot studimet. Temat e tij, lakonizmi do t’i pëlqenin shumë
Musinesë dhe do të ndiqte deri diku hapat e tij...
Musineja
linte kryeqytetin e saj të pakët, Tiranën, i cili s’kishte shumë vite që ishte
shpallur si i tillë në një atdhe që kishte dalë nga një robëri shumëshekullore
e qe bërë i pavarur. Nga republikë presidenciale befas qe shndërruar në monarki
pa ndonjë kryengritje a grusht shteti, por vetë presidenti shqiptar Ahmet Zogu
kishte kaluar në Mbret, Zogu I. Tirana sapo kishte filluar të merrte pamjen e
një kryeqyteti të çuditshëm, sa oriental në njerëz, po aq dhe perëndimor në
arkitekturë, ku kishte dhe ballo në sallone hotelesh dhe në bulevard gra me
ferexhe, mesjetë dhe librari, kuaj dhe vetura, gjakmarrje dhe jetë
intelektuale, varfëri dhe opozitë, poetë brilantë të një populli me
analfabetizmin më të madh në Europë. Në sheshin kryesor punohej të ngrihej një
Hark Triumfi. Miqësia mes Shqipërisë së vogël mbretërore po shtohej dita-ditës
me Italinë fashiste perandorake. Po me té zbarkuar Italia në Shqipëri mbreti do
të ikte dhe Harku i Triumfit do të shembej.
Musine
Kokalari lindi në Adale, të Turqisë më 10 shkurt të vitit 1917, kur po atë vit
bota do të tronditej nga revolucioni bolshevik i Leninit. Foshnja e porsalindur
do ta pësonte po nga ky revolucion, nga dishepujt e tij ballkanas.
Familja
e saj kthehet në Shqipëri në vitin 1921 dhe vendoset në Gjirokastër, ku
Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë Kokalarët shpërngulen në
Tiranë. Në vitin 1937 Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe
vendosi të shkonte të studionte në Itali, në Romë, në Universitetin e njohur
“La Sapienza”.
Në
Qytetin e Përjetshëm, një nga kryeqytetet më të bukur në botë, në mos më i
bukuri, Musine Kokalarin e priste një jetë të re, moderne, me ëndrra dhe
studime, me kohët antike që shpaloseshin gjithandej, që flisnin me statujat, me
muret dhe gurët, ku Koloseu mbase do t’i ngjante me një kurorë vigane, jo e
rënë trandshëm nga qiejt, por si e dalë nga nëntoka.
Donte
të bëhej shkrimtare. I kishte hyrë kësaj valleje, për të qenë e tillë kishte
lindur. Atdheu i saj nuk dihej të kishte pasur shkrimtare-grua. Mbase, por siç
thoshte një princeshë në Rumani me origjinë shqiptare, që kishte pasur miqësi
me shkrimtarët më të shquar të Europës së Shekullit XIX, Dora D’Istria ose
Elena Gjika, që shqiptarét bëjnë shumë, por shkruajnë pak. Edhe Musineja ishte
e bukur si ajo, shkruante si ajo. Edhe më shumë, të shkruante, të shkruante...
Poezia
e Musine Kokalarit se si ishte, e pangjashme me të poetëve të tjerë shqiptarë,
as me të atyre të vjetërve e as me të bashkëkohësve, e pangjashme as me
folklorin e lashtë. Trishtim, pakënaqësi, jo këngë dashurie, pa rima kumbuese,
pa rima fare, rrallë ndonjë e brendshme, zë i ngjirur, që duhej të kishte
thirrur dikur, pa lindur ende, po, po, atë të shkaktonte në shpirt: thirrjen.
Mjerimin
pasqyronte duke ngjarë dhe vetë e mjerë, e drejtpërdrejtë si ngjarjet në rrugë,
madje kjo është dhe jeta, thotë ajo diku. Revoltë, jo vetëm në përmbajtje, por
dhe në formë, vargjet përzgjaten, zvarritshëm i afrohen prozës, hidhësisë,
marrin të folurën e përditshme, një gjallëri shqetësuese, rrëfime që kanë terr
dhe uri. Çuditërisht nuk i ngjajnë jetës
që kishte kaluar a të tashmes së autores, por të ardhmes së saj. Kishte dashur
të ishte një lule mes ferrave...
Më
mirë prozë atëherë dhe aty të shpalos poezinë. Nga pasioni për folklorin,
fjalët e rralla dhe proverbat, Musine Kokalari hidhet tek tregimi i shkurtër,
ja ashtu “Siç më thoshte nënua plakë” dhe pikërisht këtë titull i vuri librit
të saj të parë, që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve në vend. Një
shkrimtare-grua?! Edhe tek ne!?! Në botë ka. Atëherë po përmbysej bota... apo
po bëhej më e mirë?
Ndërkaq
Italia e Musolinit kishte pushtuar Shqipërinë. Kishte pasur përplasje me armë
në qytetet bregdetare, edhe të rënë, teksa Mbreti ikte nga atdheu e mbretëresha
lehonë mbante në krahë djalin e porsalindur. Do të përgatiteshin festa dhe
dhënie lulesh për autoritetet italiane, por kur do të vinte për vizitë në
Tiranë mbreti Viktor Emanuali do ta varej në mes të sheshit djaloshi Vasil Laçi
që guxoi té shtinte mbi mbretin. Atentati dështoi, por jo vdekja e atentatorit.
Musine
Kokalari në Romë nuk është e qetë. Ajo po shkruan librin “Jeta ime
universitare” (1940-1942), fakte dhe histori, etnografi e meditim, që se si
duket, sikur pushtimi kalon dhe nëpër trupin e saj prej gruaje, por ajo nuk do
të jepet, madje qëndron shumë më lart se poseduesi dëshirëmadh. Studime dhe
spitale. Nipi i saj i vogël është sëmurë. Apo Shqipëria? Kush do të operohet,
kujt do t’i ngulen thikat? Çalon koha apo vogëlushi i gjorë, kockëhollë?
Musineja
shoqërohet me të rinjtë antifashistë në Romë. Organizon takime kulturore me
studentë shqiptarë, klubet ndodhte që i prenotonte dhe Dane Zdrave, që kishte
studiuar në Akademinë Detare në Napoli, merrej dhe me biznes, ai do të hapte
kinemanë e parë në qytetin e tij, në Berat, do të çonte kombajnat e para,
centrale elektrikë, do ta sponsorizonte dasmat e vajzave të miqve dhe do të
hapte në Tiranë dyqan mode. Të
çliroheshe përmes pushtimit. Pas mbarimit të Luftës II Botërore atë e
arrestojnë dhe ai vdes né burg. Oficerët komunistë që e torturonin mbase
zbrisnin në qeli me uniformat që u kishte blerë ai dikur...
Erdhi
koha që Musine Kokalari duhej të mbronte diplomën universitare në “La
Sapienza”. Kë shkrimtar të zgjidhte për studimin e saj? Danten e madh? Ai tani
ishte dhe poeti kombëtar i shqiptarëve. Se siç shpjegon shkrimtari Ismail
Kadare, bashkëqytetar i Musinesë, “Nën kurorën e përbashkët, Italia po sillte
si prikë poetin e saj të parë: Dante Aligierin”. (“Dantja i pashmangshëm”, fq.
23, bot. “Onufri” 2005). Po sikur të merrte Leopardin apo nga poezia moderne
italiane?
Poetët
italianë vërtet mund të ishin bërë zyrtarisht të përbashkët, por përkohësisht
gjithsesi dhe mbeteshin të një gjuhe tjetër. Të kërkonte një poet etiopas më
mirë, se dhe me ata bënin pjesë në të njëjtin shtet tani? Jo dhe jo. Vetëm Naim
Frashërin, poetin kombëtar të vendit të saj, që ribëri atdheun gjatë pushtimit
otoman. Poezia e Naimit u ndez si qiriri. Dridhej drita e tij, por edhe terri
prej asaj drite. Ta shihnin italianët dhe atë.
Veprimtarinë
si antifashiste, të nisur në Romë, e vazhdon në Tiranë, shkruan nëpër gazetat
antifashiste dhe më 1943 bëhet nismëtare për të themeluar një parti
social-demokrate me intelektualë të shquar si Skënder Muço e profesorin e
Sorbonës, Isuf Luzaj. Rri dhe punon me rininë nacionaliste. Librarinë “Venus”
të vëllezërve të saj e shndërron në qendër kulturore.
Vazhdonte
Lufta II Botërore. Maleve të Shqipërisë luftohej me pushtuesin fashist dhe
nazist. Në fillim së bashku, nacionalistë, monarkistë, komunistë, por këta të
fundit po dilnin të parët dhe po e çonin vendin në luftë civile. Si në Spanjë,
hakmarrje për Spanjën.
Musine
Kokalari po luftonte me armë të tjera, me libra. Dhe kundër sundimit më të
rëndë, injorancës. E cila tek gratë shumëfishohej e bëhej në heshtje më
kërcënuese. Gruaja shqiptare ishte mbyllur brenda mureve të një fanatizmi
barbar. Mona Liza shqiptare ishte me shami në kokë. Kishte 500 vjet që kishte
hyrë ferexheja bashkë me natën e gjatë të pushtimit. Vajzat kokëzbuluara, me
flokët që ua merrte era, që duke vallëzuar e duke kënduar ishin hedhur në
humnerë për të mos rënë në duar të pushtuesit, tani ishin futur në legjendë. Në
kohën kur Roma e lashtë kishte perandorë dhe me origjinë ilire, në bregun
përballë paraardhësit e shqiptarëve kishin pasur mbretëreshë, Teuta, por ajo qe
harruar fare, veç emri i saj vihej ende vajzave, mbase pa ditur pse.
Musine
Kokalari po ndihej shkrimtare. Ky mision duhej përmbushur më së miri. Sa keq që
s’kishte pasur grua shkrimtare ky vend, edhe pse ishte shekulli XX. Duhej të
kishte, do të kenë qenë harruar… zhdukur… siç ikin gratë kur nuk i duan…
Këngëtare anonime të nina-nanave po, edhe vajtojca patjetër që po. Pra, kur
lindnin dhe kur vdisnin njerëz. Po ato këngë të mrekullueshme dashurie, që ne i
futim në folklor, kush i krijoi? Patjetër duhej të kishte dhe gra-poete
anonime. Kur kështjellat tona binin një e nga një e pirgjet e tyre
shkrumboheshin nga flakët, mbetën bedenat e dhëmbëve. Gojët e grave ruajtën
gjuhën, teksa burrat i shpinin nëpër luftëra kudo në Ballkan, edhe më larg,
përtej Europës, shkretëtirave të Azisë dhe Afrikës.
Musine
Kokalari duhet të flasë për të gjitha ato.
Në
vitin 1944 boton librat “Rreth vatrës” dhe “...Sa u tund jeta”. Entuziazmon
gjithë shkrimtarët e njohur shqiptarë, albanologë dhe studiues në Itali, në Gjermani,
në diasporë deri në SHBA. Tashmë ajo është vërtet shkrimtare, e pjekur, me
autoritet. E para…
Shkruan
studime, mbledh folklor, boton artikuj për Kosovën. Romani i saj “Teto Nurieja” mbetet përgjysmë.
Por dhe jeta e saj. Brenda vetes ajo ndien elegjinë, që nuk do të lejohej ta
shkruante kurrë. Por gjithçka tek ajo është poezi. Është karafil i kuq mbi jakë
palltosh, siç thoshte ajo. Pra i këputur...
Kur
Lufta II Botërore po mbaronte, kur po dëboheshin dhe largoheshin nga kryeqyteti
pushtuesit nazistë, gjermanët po iknin drejt Veriut e betejat po zhvilloheshin
rrugë më rrugë, shembeshin mure, merrnin flakë çatitë e vriteshin njerëz, në
shtëpinë e Musinesë trokasin fitimtarët, partizanët, dhe me urdhër të
kushëririt të Kokalarëve, diktatorit të ardhshëm Enver Hoxhës, marrin dy nga
vëllezërit e saj, Mumtazin dhe Vesimin, të tretin, Hamitin, jo, se ishte tepër
i sëmurë, me ethe, po vdiste vetë dhe s’kish pse ta mbartnin e të harxhohej
plumbi për të. Po ku i çuan? Apo i donin për ndonjë shërbim a do t’i pyesnin
për ndonjë gjë? Se liria fillon me librin e ata me libra merreshin. Luftë
ishte, s’dihej.
Dhe
do t’i gjenin të vrarë mes shumë kufomave të tjera të përgjakura, të grirë nga
breshëritë e skuadrave të pushkatimit. Fitimtarët kishin grumbulluar
intelektualë të njohur, gazetarë, që nuk ishin komunistë, por borgjezë, sipas
tyre, i kishin mbyllur në bodrumet e nëndheshme të hotel “Bristol” dhe bënë
masakrën para festës së çlirimit të kryeqytetit.
Kishte
filluar të derdhej gjaku, jo nga shkaku i pushtuesve tani.
NJË GRUA MARTIRE
PËRBALLË DIKTATORIT -
BASHKËQYTETAR I SAJ..
Shkrimtarja
e parë shqiptare, grua me ndërgjegjen e lartë të krijimit dhe është vetëm 27
vjeç. E ylltë. Vepra e saj do të ishte plot me fjalë të gjalla, nga ato të
popullit, të vjetra, gjithë thellësi, që gjuhëtari i shquar, Profesor Eqrem
Çabej, bashkëqytetar dhe bashkëkohës i saj, do të merrej me seriozitet
shkencëtari me shqipen dhe do të ishte studiuesi dhe etimologu me autoritet
ndërkombëtar. Skenat dhe personazhet lokalë të veprës së Musine Kokalarit,
Gjirokastra e çuditshme, do të merrnin hov dhe zhvillim të paparë më pas në
romanet e përkthyer gjithandej nëpër botë të bashkëqytetarit tjetër të saj,
shkrimtarit botëror Ismail Kadare. Ai realitet, ajo jetë sa orientale, po aq
dhe Perëndimore, që po shkonte drejt Europës së kulturuar, ai pluralizëm dhe
demokraci parake, që do të tronditej nga Lufta e II Botërore, do të përmbysej e
do të shkatërrohej nga sundimtari i kuq, diktatori Enver Hoxha, edhe ky
bashkëqytetar i Musine Kokalarit. Shtëpitë e tyre nuk janë larg midis tyre,
dritaret shikojnë njëra-tjetrën, por njerëzit nuk shikohen dot në sy. Diktatori i ardhshëm kishte shëtitur në
Europë, në Itali, Belgjikë, Francë, etj, kështu mbahej i shëtitur, ndiqte
modën, ishte regjistruar dhe në një universitet në Montpelie, ku nuk dha asnjë
provim e nuk u diplomua kurrë dhe kur mori pushtet, futi në burg ministrin e
arsimit poet dhe ai, Mirash Ivanaj, ndër më të kulturuarit në Ballkan, dinte 11
gjuhë, si hakmarrje që nuk kreu dot shkollë dhe do t’i urrente gjithë jetën. Jo
urrejtje pasive, por me veprime mizore, duke i persekutuar rregullisht. Duke
marrë në ndihmë intelektualë të tjerë, nga ata që do të denonconin kolegët e do
t’u vidhnin veprat dhe do të aplikonin realizmin socialist shqiptar duke
himnizuar me poema e romane diktatorin.
Katër
ditë pas vrasjes së vëllezërve, arrestojnë dhe Musinenë dhe e mbajnë 17 ditë në
burg. Mes rrëmujës, kur fitimtarët ende nuk dinë se çfarë të bëjnë, përveç
pushkatimeve, pushtojnë zyra dhe hapin burgje, edhe kishat i bëjnë burgje,
ndërkaq Musineja vepron, bashkohet me intelektualët, që krijojnë “Koalicionin
demokrat”, programin e shkruan ajo, u çojnë nota SHBA-ve dhe Anglisë për
vëzhgimin e zgjedhjeve politike të 1945.
Shkrimtare
e plotë tashmë, me autoritet. Më shumë se sa poezi, tani është elegjia që po
fillon të ndihet brenda saj, më e fuqishme se marshet e fitimtarëve. Një vit më
pas, më 23 janar 1946 e arrestojnë përsëri Musinenë.
E
nxjerrin në gjyqin ushtarak me 36 intelektualë të tjerë. Gjyqet bëheshin në teatrin që kishin ndërtuar
italianët gjatë pushtimit. Në skenë, ku duhej të luhej ndonjë nga veprat e
Musinesë, vendosej trupi gjykues, të akuzuarit, policët. Aktorë të vërtetë të
një drame të vërtetë. Në lozha ndodhte që ta ndiqte gjyqin vetë Enver Hoxha.
Ndoshta vinte monoklin në sy si në operat në Paris. Në altoparlantë që ishin
vendosur jashtë në rrugë njerëzit e grumbulluar dëgjojnë zërin e Musinesë:
“Unë
s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj… Unë jam nxënëse e
Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen”. Mbase Enver Hoxhës i është kujtuar që nëna e
tij në Gjirokastër i kishte kërkuar nënës së Musinësë vajzën për djalin, që t’i
martonin... Po janë kushërinj?! Musineja nuk donte absolutisht. E tmerronte
ndryshimi kulturor e moral qé kishte me të.
Enverit i kishte rënë në dorë një letër e vëllait të Musinesë, ku ai
fliste keq, shumë keq për Enverin, e quante mizor, mediokër, hakmarrës,
vagabond, mjerë vendi, po të vijë ai në pushtet… Ja që erdhi!? S’donte ajo, kuçka, të bëhej
gruaja ime, do t’i zhduk nga faqja e dheut të gjithë Kokalarët…
Ndërkaq
dikush i caktuar thirri në sallën e gjyqit se ajo, Musineja, duhet të dënohej me
vdekje në litar. Kryetari i gjyqit F. N. tha: hë, a e dëgjove ç’kërkonte
populli? Musineja me qetësi iu përgjigj: Nesër këtë do të thonë edhe për ju
turmat.
Dënohet
me 30 vjet heqje lirie, aq sa vjeç ishte.
Në
qelitë e burgut të Burrelit i vinin për vizitë bashkëpunëtorë të diktatorit,
ministra të tij dhe i thoshin që t’i kërkonte falje Enverit. Nisën torturat,
nga më banalet, deri dhe futje e maces në trup që ta çirrte me thonj, pastaj
një polic nudo përballë… Musinesë i binte të fikët, por nuk dorëzohej.
Doli
profecia e saj në poezi. U bë një lule e egër midis gurëve, jo pa kujdesin e
njerëzve, por nën dhunën e tyre. Një ditë do të shtypesha prej ndonjë këmbe
njeriu, shkruante Musineja, por atë e shkeli çizmja e tmerrshme e diktaturës.
Kaluan
vite të rënda rrethuar me tela me gjemba, brenda mureve të pandryshueshëm të
burgut, po ato njolla e brenga e uria gërryese e ajo lodhje e shpirtit e britma
policësh e rojash. Po poezia? Edhe ajo në burg. Nuk dimë në ka shkruar
fshehurazi poezi a ka mbajtur shënime, a ja kanë gjetur e konfiskuar a djegur.
Por Musineja diçka tregon a të tjerë për atë, një poezi sysh... Kur dilnin të
burgosurit në shesh për ajrosje a për larje, të ndarë nga gratë e burgosura,
ajo u njoh me dikë, e dashuroi fuqimisht si pamundësinë, iu bë ëndrra dhe
brenga me fuqinë e vdekjes... Mbas 16
vjetësh burg e lirojnë në vitin 1961 duke e çuar në një tjetër lloj dënimi, në
internim, në Veri, në Rrëshen, andej nga malet. E vetmuar. Përsëri me policë.
Dhe në punë té rëndë, shumë të rëndë dhe për burra. Punonte në ndërtim, me
tulla, bënte llaç... Askush nuk i
fliste. Më shumë se sa me policë, ishte e rrethuar me spiunë, të cilët kanë
mbushur dosjet me raportime, se deri ku shëtiste ajo pasi perëndonte dielli,
çfarë libri mori në bibliotekën e vogël të qytezës, si ishte krehur, si ishte
veshur, thjeshtë por prapë bukur, sfiduese, çfarë tha tek fqinji i saj, tek
shtëpia e rrënuar mes baltës. Të nesërmen prapë ulej në stolin e lulishtes së
vetme, ku askush nuk e përshëndeste. Shkruante, merrej me folklor, por dhe
ditar, rreth 1000 faqe... I vinte ta shikonte një nipi i saj, Platori. Dhe është mahnitëse se si ajo njihet me një
shkrimtar të ri, Bilal Xhaferrin, edhe ai nga Jugu, por më thellë se
Gjirokastra e saj, ai vinte nga Çamëria. Babanë e tij e kishte pushkatuar
partia si nacionalist. Prandaj dhe s’ishte lejuar të studionte, të shkonte në
universitet. Punonte në shtrimin e rrugëve, punëtor. Por shkruante poezi dhe
tregime të shkëlqyera. Musineja iu gjend pranë. Iu bë mecenate shpirtërore, e
udhëzonte. Nisi të botojë, por ia ndaluan botimin. Dhe ai u arratis në SHBA,
por atje spiunët e fshehur në diasporë ia bënë gropën. E goditën me hekur kokës
dhe e helmuan në spital në Çikago. Çudia
tjetër, në vitin 1972 Musineja përfundon librin manifest “Si lindi Partia
Social Demokrate”, fshehurazi. Dhe diktatori Enver Hoxha, me shumë bujë si
zakonisht, i shton botimeve të tij librin “Kur lindi Partia”, por në vitin
1981. Ndërkaq në gjoksin e Musine Kokalarit kanceri ka hapur metastazat e veta.
E çojnë në spitalin e Tiranës, aty i vinin për ta parë, gjithmonë fshehurazi
mbesat, nipi – personazhe në librin e kujtimeve të Romës. Ajo vetë u bë lulja e
fshehur e poezisë sé saj. Përmes lotëve të padukshëm kujtonte nënën e vdekur,
si i kishin dhënë leje nga internimi ta takonte një herë e si pastaj nuk e
lejonin. As në spital në kryeqytet nuk mund të vinte më. Edhe pse kishte aq
shumé nevojë. Të domosdoshme. Por mjaft. Le të vdiste. Nuk mund të harxhonin për një armike. Ishte orientim
nga Partia. Dhimbjet shumëfishoheshin. Të tmerrshme. Lë një pusullë për të
nipin: “Të shpëtojmë sa të mundim nga vlerat morale. Musine.”
Përmes
vuajtjeve, që i duronte pa u ankuar, stoike, zemra e saj pushoi së rrahuri.
Fqinji i saj i mbylli sytë. Balta përreth u bë më e zezë. Makina e zhavorrit,
pa funeral, me arkivolin e varfër të saj përsipër, ikën me nxitim për në
varrezat e qytezës. Dy punëtorë me kazma e lopata e mbulojnë shpejt e shpejt.
Ishte viti 1983. Dy vjet më vonë vdes diktatori Enver Hoxha. Autobusët nga e
gjithë Shqipëria shkarkonin njerëz gjatë gjithë javës së zisë kombëtare, i
vinin në rreshta ta gjata për të bërë homazhe para kufomës të mbuluar me kurora
dhe aroma dhe për të qarë me zë burra dhe gra. Nëpër gazeta vërshonin poezitë
për atë...
NJË LULE TË ISHA DHE JO
NJERI
Kështu
shkruante Musineja në poezitë e saj të para, në gjysmën e parë të shekullit të
kaluar. Sot, kur janë hequr të gjitha
statujat e diktatorit, u morën zvarrë nga sheshet, u thyen dhe me mermerin e
tyre u bënë vajza nudo, që nuk lejoheshin nga ai në diktaturë, ndërkaq më
fanitet Musineja e bukur, e qeshur, studente e përjetshme, ajo në gjyq, që
akuzon dhe tani, guximtare, teksa janë vënë pllaka të mermerta, memoriale për
të, jo vetëm në vendlindje, i është botuar vepra e plotë, i është dhënë titulli
i lartë “Nderi i Kombit” si shkrimtarja e parë grua në letërsinë moderne
shqiptare dhe si disidentja e parë grua në të gjithë perandorinë
komuniste. Vuajtja e saj, qëndresa dhe
dinjiteti mbi baltën gjeneral janë poema më e madhe. Një lule të isha dhe jo njeri,
klithi ajo. E lodhi njeriu në luftën për të mbetur njeri. Të gjithë ne. Që të
ishim të lirë në një atdhe të lirë bashkë me botën. Por Ajo deshi të ishte
lule. Është. Tani Ajo është lulja e bukur e njeriut, e njerëzimit...
________________________________
Visar Zhiti: parathënia në shqip e librit “La mia vita
universitaria”
e Musine Kokalarit, botimet “Viella” 2016, Roma.