Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Fustanella si agimet dhe zhguni si mbrëmjet
E diele, 28.05.2023, 06:58 PM
NË KËTË DITË-NATË NAIMJANE…
-
Fustanella si agimet dhe zhguni si mbrëmjet -
Një
kuartet nga Visar Zhiti
1.
…kur
ka datëlindjen një poet, - që jemi shumë që e duam shumë, - më duket se janë
bashkë dhe datëlindjet e poetëve të tjerë, e vetë poezisë…
Vërtet
te Naimi ynë, me atë fytyrë atërore, shohim prijëtarin frymëzues. Dhe fjala
jonë ka dritën brenda të qiririt metaforik që Ai ndezi.
2.
Kur
shoh Rilindasin e madh, të veshur me fustanellën e bardhë tradicionale si me
borën dhe tufanet e (sh)qetësuara të atdheut… por ka dhe mbrëmje… fustanella
sikur erret… më bëhet zhgun i Poetit tjetër Kombëtar, At’ Gjergj Fishta… ai -
si koka tjetër e shqiponjës në Flamur, kështu kam shkruar dhe… siç shfletojmë
një album, kujtesa ime ndal te të tjerë, që më dalin të veshur ashtu, me
fustanellën e bardhë, kranarisht, luftëtarë… edhe vëllai i madh i Naimit, Abdyl
Frashëri dhe ja, me fustanellë dhe Faik Konica, që si diplomat habiti
Washingtonin ashtu, prijëtar dhe ai, që Doktrinës së Rilindjes tonë Kombëtare i
dha Kritikën e tij me frymë Perëndimore…
Gjej
dhe tim atë, Hekuranin me fustanellë, adhuruesi i Naimit dhe i At’ Gjergj
Fishtës, të cilin e kishte takuar, kur ishte student, po kështu dhe i Konicës…
Edhe
ai - si çdo shqiptar… që trashëgojnë nga butësia naimjane dhe furia fishtjane
dhe zemërimi estetik konician, ashtu përbashkues së bashku…
3.
Dhe
më bëhet një si kuartet, imi ky, nën muzikë harqesh fustanellat e bardha që
hijeshohen me zhgunin shelbues në mes, agimet dhe mbrëmjet e atdheut, me
shpresat dhe dramat dhe misteret, mendoj jetët dhe fatet e atyre poetëve, Naimi
në Lindje, u tret në Stambollin perandorak, por ia solli eshtrat në Atdhe
Mbreti i ri, ndërkaq eshtrat e shenjta të At’ Fishtës do t’i hidhnin në lumin
Drin… djalli me djajtë, që morën pushtetin…
Faiku,
për fat, mbylli sytë në Perëndim, në SHBA-në e triumfit të lirisë dhe ligjeve
të demokracisë, të pasurisë, në Washingtonin, ku shkëlqeu… dhe prisnin ta
kthenin në dheun amë, prandaj e mbajtën të ngrirë në një frigorifer, ah, Atdheu
ishte më i ngrirë se kufoma…dimër diktatorial… im atë, Hekurani, u shua i
verbër, djalin ia burgosën… dhe ai e dinte ç’ishte qelia dhe torturat…
Por
ndodhën ndryshimet… tani edhe Faiku prehet në mëmëdhe pranë Naimit, në të
njëjtin vend në kryeqytet me varret dhe statujat; At’ Fishtës iu gjet veç dora,
për në varr, siç duket njeriu nuk iu bind urdhërit të së keqes deri në fund dhe
u shpëtua ajo dorë që shkroi eposin e Kombit, që tashmë është në Kishën e tij
në Shkodër… ajo dorë - gjithë njeriu.
4.
Po
është datëlindja e Naimit sot, prandaj m’u kujtuan të gjitha këto… në kujtesë
fërgëlluan palat e fustanellave të bardha… gjyshi im nga nëna është dhe ai me
fustanellë të bardhë, me plot kryengritës të tjerë kishin mbushur malin në Jug
si me borë… dhe im atë me fustanellën shqiptare, si pararendësit… dhe zhguni i
shenjtë… mbi supet e shumë poetëve… si mbrëmja maleve të Veriut, në të dy anët
e lumit Drin… ata së bashku tani janë -
si në panteonin e munguar - në Historinë e Letrave Shqipe… shpirtrat e tyre
lart në parajsë janë si për festë… datëlindja e Naimit… bashkohen dhe kohëra
dhe ëndrra dhe bekime dhe hapësira… me urime të bardha…
Dhe
ajo datëlindje vjen çdo ditë, mjafton të lexojmë një poezi të bukur shqip…