E diele, 28.04.2024, 07:17 AM (GMT+1)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: Me Presidenten e Kosovës

E diele, 11.12.2022, 08:50 PM


ME PRESIDENTEN E KOSOVËS…

Nga Visar Zhiti

E dëshironim shumë takimin, ishte për ne më tepër se një takim i lartë, kishte nga simbolika dhe ëndrra. Arritja deri këtu i ngjante dhe një udhëtimi në kohë, në kujtesën historike, kishim lënë pas nga padrejtësitë shekullore, copëtimin dhe ndarjet, ferrin e luftës dhe të dënimeve, harrimet, kufirin… dhe kishim hapur si derën e shtëpisë derën e Kosovës tonë Republikë, kishim ardhur dhe herë tjetër, po këtë radhë na priste një Zonjë e zonja, e buzëqeshur dhe plot dinjitet, që fliste me mënçuri dhe përzemërsisht, Presidentja, Znj. Vjosa Osmani - Sadriu. Vërtet m’u shndërruar  në ideale takimi me Presidenten grua të Kosovës, se m’u shfaqën si vegim mbretëresha ilire Teutë, dijetarja jonë europiane Dora d’Istria, luftëtarja Shote Galica, etj, shkencëtarja Sabiha Kasimati, shkrimtarja Musine Kokalari, të persekutura tmerrshëm nga diktatura dhe përpara tani kishim triumfin e gruas shqiptare…

Edhe pse qëlloi një ditë e shqetësuar për administratën e shtetit të Kosovës, një përballje tjetër me serbët në Mitrovicë, ajo, mes detyrave të shumta dhe emergjente, gjeti kohë të na mirëpriste atë pasdite në zyrën e saj, siç duket e ndjeu dëshirën tonë dhe simbolikën, duke na e bërë takimin shumë më të çmuar.

- Kemi sjellë librin me lutjet e Shenjtes tonë Nënë Terezës, - i thashë, - ajo frymëzoi dhe Presidentin e SHBA, Klinton, të vendoste, e thotë vetë ai, prandaj dhe ndërhyri NATO të shpëtonin Kosovën, lutjet e saj do t’na ndihmojnë sërish…

Ndërkaq Presidentja, Znj. Vjosa, me thjeshtësi dhe fisnikërisht më dha medaljen “Shën Tereza”, që e kishte akorduar që në shtator, me këtë motivacion, e lexoi vetë: “Për kontribut të veçantë në promovimin e vlerave të lirisë, kultivimin e fjalës së lirë dhe promovimin e veprës së ‘Nënë Terezës’ e të vlerave të popullit të saj n?për botë.”

Ishte vlerësim befasues, nuk e kisha menduar, hutues për mua, nder, ndërgjegje, e pranova se ma jepte Kosova, një grua, Kryeja e Shtetit. Medaljen me emrin “Shën Tereza” e ndjeja si një mrekulli dhe pse ta fsheh, ishte dhe si një ndjesë dhe qortim për disa nga president?t e Tiranës, që janë sjellë si mosmirënjohës të ashpër ndaj vuajtjes tonë, dhimbjes dhe misionit.

- Ju jeni dhe nënë, - do t’i thoshte Eda ime Presidentes, - prandaj ju kam sjell? një album me piktura fëmije, të djalit… e ardhmja…

Ajo e mirëpriti me ngrohtësi dhe ndërkaq Eda po i thoshte se ne në Kosovë kemi ardhur edhe pa ardhur, e kemi nga prindërit, xhaxhai im ka qenë prefekt në Mitrovicë, një rrugë atje ka emrin e tij “Ago Agaj”, ëndrra e tij ishte Kosova e lirë. Ne kemi ardhur në një ëndërr kështu…

Presidentja na përcolli me mirësinë e Zonjës së shtëpisë, shtrenguam duart te dera, e gjitha ishte bërë realitet. Gjithë vezullime si gurët e çmuar të truallit të Kosovës, që mitiku Rugova i dhuronte aq bujarisht, po na rrezëllinin çastet e këtij takimi të bukur me Presidenten.

Zoti e besoftë Kosovën tonë, thamë me zë dhe dolëm në mbrëmjen prishtinase, në shëtitoren “Nënë Tereza”…

Prishtinë, 23 nëntor 2022



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora