Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Urim në kohë lufte
E hene, 22.08.2022, 04:50 PM
URIM NË KOHË LUFTE
Nga Visar
Zhiti
Lexoj sot një urim, që më duket i veçantë dhe më
prek,
poeti nga Kosova, Jeton Kelmendi
uron poetin nga Ukraina, Dmytro Chystiak,
për datëlindjen e tij, u bashkohem dhe unë. I njoh të dy, i kam miq, i dua,
janë të rinj, profesorë universitetesh, njëri në Prishtinë e tjetri në Kiev.
Urime datëlindjesh janë fare normale në rrjetet
sociale, në fb, etj, të shpeshta brenda një dite, edhe një ore, kaq shumë
njerëzorë, të bukur. Kështu duhej të ishte dhe urimi i Jetonit mikut të
Dmytro-s. Por poeti Ukrainas është në luftë, s’ka ikur nga vendi i tij që po
përballet me Rusinë e egërsuar tmerrshmëm, që po vritet për lirinë e saj, për
ëndrrën euroatlantike, e kuptojmë, është dhe ëndrra jonë, e Shqipërisë me
Kosovën… dhe ditëlindja e poetit Dmytro Chystiak më shumë se sa me urime
rrethohet me gjëmime bombash, në vend të fishekzjarreve të festës, përflaken
plumbat e luftës, gotat e verës së kuqe duken si me gjak dhe ai nuk u
përgjigjet dot urimeve sot, ndoshta duhet të mbartë të plagosur, të vejë në
front, të shkruajë një raport tjetër për luftëtarët e tij siç dhe bën, për
avancimet, një apel tjetër botës, një interviste televizioneve të huaja, një
poezi të re në shtëpinë, ku dritaret i ka zënë me libra, siç kam shkruar, që të
mos duket drita jashtë, që të mos ta diktojnë ata që hedhin predha kundër
njerëzve…
Po Jetoni mbase e kupton më mirë nga të tjerët
Dmytro-n, jo vetëm pse janë miq, ndoshta dhe moshatarë, poetë të dashur, me
shumë libra e të përkthyer, por dhe Jetoni ka patur shumë datëlindje të
rrezikshme në luftë, kur Kosova luftonte me pushtuesin serb, kur pas Beogradit
është Moska, që tani kërkon të gllabërojë Ukrainën dhe Ukraina, që s’e kishte
njohur shtetin e ri të Kosovës, po kërkon ta njohë tani, që është në luftë se
edhe shtetet janë si njerëzit, etj, mendime kësisoj më kapën, kur lexoja urimin
e sinqertë të Jetonit dërguar Dmytro-s, edhe 100 vite të tjera, i thotë, unë i
besoj këtij urimi, është më i fortë se lufta, e bën me turp Kremlinin,
lidershipin indiferent të botës, sa i kotë absurdi kriminal e i llahtarshëm i
sofistikimit të armëve shfarosëse… etj, etj, ky urim i thjeshtë kalon sipër të
gjitha si një zog pêrjetësie nga zemra e njeriut në zemrën e së ardhmes…