Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Lexojmë pak, urrejmë shumë
E diele, 30.01.2022, 08:47 PM
SA PAK DIMË TË LEXOJMË,
SA SHUMË DIMË TË URREJMË…
-
përsiatje pasditeje -
Nga
Visar Zhiti
…dola,
edhe pse pasditja ishte e ftohtë dhe temperatura e ulët, nën zero. Eh, sa gjëra
janë të ulëta e nën zero, thashë me vete dhe po më pëlqente të ecja andej, ku
bora ishte e pashkelur. Perëndimi i diellit kontrastonte magjepsshëm, i kuq si
zjarr dhe m’u nëpërmend titulli i një kënge, të dêgjuar në fëmininë time,
“Flakë e borë”. Një zonje aty, që kishte dalë, siç duket, të shëtiste pak
qenin, i kërkova të më bënte një foto me celularin tim, gjë që ma kërkoi dhe
ajo ta përsërisja me celularin e saj, teksa e kuqja e perëndimit po venitej me
shpejtësi. Dhe u ndamë me zonjën e panjohur duke qeshur. Zjarr dhe borë, po
thosha me vete. Po pse ka kaq shumë urrejtje mes njerëzve të mij, pyeta befas
prapë veten, pse kaq shumë sharje, moskuptim, egocentrizëm e xhelozi? Një gjë
po të shohim në FB, të thjeshtë a miqësore, që s’është siç na e do qejfi,
menjëherë kundërvihemi me vrull dhe fyerje, pa pritur të kuptojmë se ç’ishte
dashur të thuhet, pa e lexuar deri në fund apo pa e lexuar fare, vetem
numërojmë mospëlqimet apo like-t dhe në bazë të tyre vendosim marrëdhënien
virtuale. Dhe sa pak që lexojmë libra, romane, histori, filozofi, biografi e
shkencë, etj, etj, s’guxoj të them dhe poezi.
Egjiptianët
e lashtë thoshin se ka tre mënyra leximi:
1-
të lexosh dhe të mos e kuptosh atë që ishte shkruar.
2-
të lexosh dhe ta kuptosh atë që ishte shkruar.
3-
të lexosh dhe të kuptosh dhe atë që s’ishte shkruar.
Por
ne nuk e zgjasim, nuk lexojmë fare. A thua ky është dhe shkaku që urrejmë kaq
shumë? E duam aq pak?
Dhe
po nxitoja për në shtëpi, se ishte errur…