E shtune, 27.04.2024, 03:48 PM (GMT+1)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: Poeti Ali Podrimja në pavdekësi

E diele, 05.08.2012, 03:24 PM


POETI ALI PODRIMJA NË JAVËN E PARË TË PAVDEKSISË

- 7 përsiatje dhe mbresa -

Nga Visar Zhiti

1- Një javë më parë ishim në Prishtinë për t’i dhënë lamtumirën e fundit Poetit tonë, Ali Podrimja. Teksa hidhnim grushtat me dhé në varrin e porsahapur, kori i burrave të Gjakovës, ku dhe ka lindur poeti ynë, këndoi pikëllueshëm një elegji qiellore, shqiptare e gjitha, aq sa dhe kurorat e luleve dukej sikur po pikonin lotë. Ndërkaq na u përshfaq arkëmorti i errët, i mbuluar me Flamurin Kombëtar në sallën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Prishtinës, kur po bëheshin homazhet nga qytetarë të shumtë të ardhur dhe nga larg, miq të Poetit, akademikë, studentë, shtetarë të lartë, ministra dhe nga Tirana – ai i Kulturës, Aldo Bumçi dhe i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, parlamentarë, kryeparlamentarë, etj, teksa kuarteti i harqeve nga Tirana, sipas një amaneti të hershëm, luante requime dhe zëri kumbues i aktorit Çun Lajçi lexonte dhe lexonte poezi nga eposi modern i Ali Podrimjes.

2- E paharrueshme atë ditë në Prishtinë ishte vetë rruga. Të njohur, të panjohur ngushëllonin njëri-tjetrin për Poetin që ishte shuar befas në Francë, në festivalin tradicional të poezisë në Lodevë, buzë një pylli. Podrimja kishte ndër duar ca fije bari e gjethe, të fundit dhe të vetmet që i mori tokës duke i dhënë aq shumë. Njerëzit kështu po ndanin dhëmbjen së bashku, poezia i kishte bashkuar, e ndjenin poetin më fort vetin dhe veten të poetit.

Ato ditë sms-të, mesazhet elektronike sikur e mbushnin ajrin me psherëtima. Si shumë të tjerë edhe unë kam marrë ngushëllime nga më befasueset, psh, nga një polic rrugor nga Hasi, por dhe nga titullari i ambasadës tonë në Londër, nga një poet polak, nga përkthyesit  e Podrimjes në greqisht, anglisht, frengjisht, gjermanisht, kam marrë mesazhe lexuesish edhe nga Zvicra, Amerika, nga fqinjët e Podrimjes, gazetarë, juristë, profesorë, etj.

Dhe pastaj po vërshonin poezitë për të, nga gjithandej, u mbushën faqe gazetash në Prishtinë dhe në Tiranë, nga arbëreshët, nga Çamëria, nga Maqedonia, Mali i Zi, prej poetëve më të shquar atje, duke e parë Podrimjen si investitor të zjarrit prometean, shkruanin nga përtej oqeanit, edhe nga ata që nuk e kishin njohur apo nuk e kishin parë ndonjëherë. Një antologji e re për mjeshtrin e antologjive, që do të ishte mirë të botoheshin tani, se më 28 gusht është datëlindja e Tij, kur do të mbushte 70 vjeç. Të gjithë donim të pakësonim vdekjen e Podrimjes, por në fakt ishte Podrimja që edhe i vdekur po sillte forcë jete, mendim sipëran jete dhe përtej zisë po shpaloseshin vezullueshëm vlera njerëzore si dhëmbja e përzier me krenari, përkushtimi qytetar, nderimi për tjetrin, qe rindezur poetikisht emocioni i atdhedashurisë, që ndodh të duket ndonjëherë nga ndoca, si një libër arkaik muzeu, por që me Podrimjen kishte kohë që i ngjante bukës së mirë.

3- Ali Podrimja është poeti ballkanas që më bukur se kushdo – si një Naim – fatin kolektiv e bëri këngë të veten dhe brengat e veta, goditjet që i dha fati, i universalizoi. Me lëkurën e vet, siç thotë në një poezi, arnoi lëkurën e atdheut. Është poeti më instiktiv që kemi, spontan dhe sfidues i së përkryerjes teorike duke mbetur vetëm i natyrshëm, duke e bërë poezinë natyrë, pra përkryerje. Aq sa parake, po kaq dhe moderne. Askush si Ai nuk i bashkoi këto skaje. Thirri si poet qysh i ri, u bë kushtrimtar. Dhe zërin e Tij e vuri në gojën e fisit, të popullit. Donte lirinë të ishte si e erërave, e ujrave, ku dallgët e joshnin si përqafimet, si e gjakut kur del nga plaga, lirinë, e cila nga e egër, të ishte madhërim i arsyes dhe i dëshirave, por që të egrit e shekullit XX ia kishin shkelur ato duke e shndërruar në liri të së keqes dhe të dhunës.

Prandaj dhe ai u rreshtua me lëvizjen letrare që do të njihet me emrin “Vox”, e cila ngriti krye për të nxjerrë letërsinë nga kthetrat e realizmit socialist, ndersa më vonë do të shkruante dhe Himnin e UÇK-së duke qenë vetë pjestar i një UÇK-je tjetër, asaj kulturore, pa vetëdijën e së cilës nuk mund të arrihej ajo që u arrit, të mblidheshin ushtritë e botës së përparuar për t’i dhënë Kosovës lirinë dhe pavarësinë.

4- Presidenti i parë i Kosovës, Gandi i Ballkanit, Ibrahim Rugova, mik me Poetin, që i kushtoi dhe një poezi, zbuloi në vargjet e tij pajtueshmërinë e idealitetit me realitetin, që kur nuk përputhen në jetë, lindin tragjiken. Poezia e Podrimjes, sipas tij, është “rrëfim i pambyllur”, që vazhdon në ardhmëri.

Podrimja është poet i mungesave që duhen përmbushur, të atyre që duan shpirt dhe drejtësi. Pikërisht për këtë ai ndihej si vendi i tij, pa gjysmën.

Ndërkaq poezia e Podrimjes dikur, ashtu si Ai vetë, mezi futeshin këtej kufirit, rrallë dhe pak. Andej kufirit ishte e vështirë të ishe shqiptar, këtej ishte e vështirë të ishe njeri. Kujtoj se si dikur lexonim ilegalisht librin e Tij “Hija e Tokës” dhe ç’gjenim nga Kosova i kalonim dorë më dorë, pa e ditur se si qenë arratisur për këtej. Se kur i botonin këtu, për qëllime të tjera, ishin tejet të masakruara nga ata që burgosnin poetë edhe për fajin pse kishin lexuar poezi nga Kosova, ku Podrimja ishte majë e veçantë, hijerëndë dhe madhështore, me borë dhe dritë marramëndëse, që i bashkohej qiellit, perëndive tona. Dhe e kuptuam se edhe shqiptarët dinë ta bëjnë poezinë e madhe përtej metodës vrastare të socrealizmit.

5- Kur ra perandoria komuniste dhe diktatura në Shqipëri, Ali Podrimja po vinte shpesh e më shpesh në Tiranë, Shkodër, Durrës, Sarandë, Butrint, Berat, Lezhë, kudo, në panaire librash, në përurime veprash apo thjesht vinte dhe -bashkë me lirinë – shihte se këtu shtoheshin dhe librat e tij, lexuesit e tij, miqtë. Tekstet e Tij u bënë literaturë shkollore.

Ali Podrimja ishte shndërruar tashmë në emblemë të kombit duke qenë dhe poeti shqiptar më i përkthyeri në botë.

E pashë së pari në një takim në Gostivar, rreth 20 vjet më parë, më i thjeshti dhe më i natyrshmi, sportiv, kur po shkonim të vizitonim rrënojat ku besohej se kishte qenë shtëpia e nënës së Skënderbeut dhe ai në një copë letër shkroi poezinë për vajtojsat e Rekës, të cilat vetëm të dielën qanin shqip. Në fakt ishte elegjia e Podrimjes për tkurrjen e atdheut. Pastaj vizituam një tempull feje. Arkitekturë moderne. Aní, bukur fort, tha Aliu, ta gëzoni, tani të bëni dhe një bibliotekë kështu. Tek ai ishte e fuqishme feja e dijes.

6- Për herë të fundit e pashë në Prizren, para nja 20 ditësh. Kishte ardhur me mikun e tij gazetarin Smajl Smaka dhe me zv/ministrin e kultures, Ajdin Abazi. Prapë Aliu më i thjeshti ndër ne dhe më i natyrshmi. Pasi mbaroi diskutimin e Tij, me zë të ngrohtë dhe familjar, kërkoi të lexonte dhe një poezi, që dukej sikur dilte jashtë asaj veprimtarie, si trill. Poezi për aktorin Bekim Fehmiu. Por ishim në Prizrenin e tij, në kryevendin. Vizituam dhe Shtëpinë e Lidhjes. Aliu dinte të bashkonte dhe të nderonte.

Kujtuam Sarandën, takimin e pakmëparshëm të poetëve jonianë. Në Butrint Podrimja në Portat e Eneut, si një dardan modern.

Sa herë bunte në Tiranë, sillte gjithmonë libra nga Kosova, më shumë të të tjerëve, sidomos të dëshmorëve, për të na i dhuruar dhe kërkonte të takonte miqtë kudo, në kafene, në shtëpi, në holle, donte Fatos Arapin dhe Xhevahir Spahiun, Pano Taçin, engjëllin plak që u nda nga jeta para një muaji, donte Kadarenë, Dritëroin, Bardhyl London, Bashkim Kuçukun, Sadik Bejkon, më të rinjtë, Arian Lekën, Agron Tufën, Gentian. Çoçolin, etj, botues të ndryshëm dhe fare thjesht, çiltër fare kërkonte të ndalej në zyrën e Berishës.

A ke lënë takim, baca Ali, e pyesja. Jo, pse bre, më pret mua ai, jemi miq, dua ta përshëndes. Ose kishte dhe ndonjë porosi. Kurrë punë vetiake a kërkesë, por çështje ideale, mbarëkombëtare. Biseda vazhdonte e gëzuar dhe e mënçur, pa protokoll, flitej dhe për poezinë edhe gjatë drekës.

Aliu i shikonte njerëzit në sy barabar, politika për atë ishte veprimtari e hapur, që, kur i dukej mirë, e mbështeste, përndryshe e shprehte obsionin e vet. Me urtësi. Gjithçka në dobi të kombit. Ashtu si Poezia. Sepse edhe kombi për atë ishte intim dhe poetik. Dhe absolutisht qe e pritshme dhe e duhur që politikanët e lartë, burrat e dy shteteve shqiptare të flisnin dhe ta vlerësonin Podrimjen, se Ai kurorën e Poetit parësor e kishte marrë me kohë nga vetë populli që lipset të kërkojë të bëhet më shumë për kulturën dhe kujtesë historike. Me të drejtë Berisha e quajti Podrimjen “Princin e letrave shqipe”.

7- Poet buzë brigjeve homerike, poezia e tij ngjan dhe me ortekët e Homerit më të fundit në Ballkan, me Gjergj Fishtën, gjithsesi me të kundërtën e tij, se poemat e Podrimjes janë dramatikisht me pak vargje. Është hermetik po aq sa dhe kraharori i njeriut. I mjafton plaga për të parë brenda. Dhe na duket sikur shohim më shumë me plagët, se sa me sytë.

Ali Podrimja i përket një populli martir, që ndërsa i kishte dhënë botës një kryetrim të civilizimit perëndimor, Gjergj Kastrioti-Skënderbeun, shtoi dhe një Nënë Terezë, e cila bëri profesion dashurinë ndaj gjithë njerëzimit, prandaj dhe poezia e tij ka fortësinë e shpatës dhe përdëllimin e lutjeve të shenjtores. Dhe është në veprim.  Para një jave ka nisur pavdeksia e Tij…

Fjala e mbajtur në Teatrin e Operas dhe të Baletit në Tiranë në Mbrëmjen përkujtimore “Gjithmonë Ali Podrimja” më 1 gusht 2012.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora