Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Nënë Tereza, si Rozafa!
E shtune, 24.12.2011, 01:58 PM
Nënë Tereza, si Rozafa!
Nga Visar ZHITI
Të futesh në dashurinë e gjithëkohshme me të vetmen gjë që ke: dashurinë, të cilën e ke kthyer në profesion dhe njëherësh ta mbash atë në lartësitë hyjnore, duke bërë të besohet se po aq shumë ajo është dhe njerëzore, e përditëshme…Të rrish në kujtesën kolektive, madje në ndërgjegjen e njerëzimit, duke u bërë gruaja më e njohur e planetit, vetëm me dobësinë tënde, që është dhe fuqia jote, të vëna në lëvizje nga shpirti ashtu si duart që ledhatonin me dhëmbje duke dhuruar jetë dhe besim.Dashuria dhe drita të rimarin kuptimin që kishin dhe duhet të kenë përjetë. Ja, kështu bëre Ti, Nënë moj... Amen!
Përsiatje dhe dëshmi për një jetë të madhe
Siç dukej Zoti ndjeu nevojën e përsëdytjes së Krishtit mbi tokë, na pëlqen të mendojmë dhe zgjodhi një grua për barazi. Caktoi një shqiptare, s'dihet për ç'shpërblim ndaj kombit tonë të martirizuar dhe solli kështu në jetë Gonxhen e vogël më 26 Gusht 1910, ndoshta sërisht në kohë apokaliptike, pas të cilave Shqipëria do të ribëhej.
Familja e saj, Bojaxhinjtë, me tradita patriotike, kishin ikur nga Prizreni në Shkup. Thuhet se të parët e saj, më herët, kishin ardhur nga viset e Shkodrës. Mbase është dëshira që Nënë Tereza të jetë nga kudo, nga çdo copë e truallit shqiptar, nga çdo pjesë zemre. Duke qenë e një atdheu të pushtuar, i parandolli vetes një mision kryqi. Duke parë mjerime, ideoi brenda vetes që jo vetëm t'i dojë të nëpërkëmburit nga fati mbrapshtë, por dhe t'u përkushtohet atyre me përdëllimin më të qashtër kudo në botë. Në rrugën e shenjtë që do të merrte, nuk e çoi ndonjë kompleks apo mangësi, përkundrazi. Gonxhja ishte e bukur si emri i saj, si fëminia, gjithmonë me libra në dorë apo me mandolinën, merrte pjesë në kor, në grupin e poezisë, të teatrit. I ati, Kolë Bojaxhiu, ishte themeltar i teatrit të qytetit, të cilin do ta helmonin si veprimtar të çështjes kombëtare. Të mbetur jetimë, fëmijët do t'i rriste dhe edukonte nëna Drande. Ajo, vërtet ajo, ishte e shenjtë, do të thoshte Nënë Tereza, që e frymëzoi në ardhmërinë e saj. Studioi në Irlandë për t'u bërë misionare, murgeshë. 18 vjeçare vete në Indi, ku dhe diplomohet në Universitetin e Kalkutës dhe do të punojë si mësuese dhe më pas si drejtoreshë e Shkollës Superiore e Bijave të Santa Anës. Vëllait të saj, Lazrit, oficer në shërbim, ajo i thoshte duke buzëqeshur, se ti i shërben një mbreti që ka 2-3 milion shtetas, unë i shërbej një mbreti, që ka gjithë universin, Zotit.
Zgjedh emrin Tereza në nderim të Terezës së vogël franceze dhe e shkruan emrin si të shenjtores së lavdishme të shekullit XVI, spanjolles Shën Tereza e Aviles dhe mbase vetëndjehej si rimishërim i tyre, sepse ngjante, me njërën nga shtati dhe me tjetrën nga dashuria e pafundme ndaj Krijuesit, në vetëflijimin absolut. Ndoshta në thellësi të qenies kishte dhe Rozafën, gruan mitike të murosur në përjetësi. Plagët do të bëheshin atdheu i saj, nga që plagët që nuk kanë atdhe.
Ndërkaq Ajo guxoi të futet thellë në atë që quhet "nata e shpirtit" dhe guxoi të tregojë për dyshimin e saj, sepse nuk e deshi dhuratë besimin te Zoti si pjesa më e madhe e njerëzimit që beson, por kërkoi ta zbulojë vetë dhe arriti përndritjen, duke mos u trembur, atje ku të tjerët druhen aq shumë. Nëse do të jem e shenjtë ndonjëherë, do të jem Shenjtore e errësirrës, thoshte Nënë Tereza. Pikërisht meditimi i thellë, stepjet dhe hovi, e bëjnë edhe më të çmuar personalitetin e saj, po aq sa siguria shenjtërore. Dhe kështu gruaja e brishtë, shqiptarja nga Shkupi, i përkushtohet vuajtjes, po ngrinte shtëpi të misionit të saj bamirës, në ndihmë të jetës, kudo nëpër botë, me qindra, si me magji. Do të kishte dashur të ngrinte shtëpi të së mirës edhe atje, në vendet e mbyllura, ende me diktaturë. Po dyert s'hapeshin ashtu si dikur në vendin e saj. Trokiste Ajo nëpër ambasadat e Shqipërisë komuniste, trokiste e trokiste, ashtu si zemra, por nuk i thanë: mirsevjen. Mbështeste mbi kangjella kokën e dëshpëruar. A do ta shihte dot nënën? Motrën? Ishin atje, në Tiranë. Në atdheun e saj, i vetmi në botë zyrtarisht ateist, kishin dënuar dhe Zotin. Kur perandoria komuniste po binte, e lejuan të vijë. Vuri lule mbi varrin e nënës në Tiranë dhe të motrës Age aty pranë. Ajme, dhe mbi varrin e diktatorit lule! Që i bënin shumë më të pakuptimta ligësitë dhe mizorinë e tij. Paqe tani dhe mëshirë, amen!Por Ajo do t'i gëzohej atdheut që po hapej, që e thirri prapë Zotin, që po ribënte ëndrrën, po kërkonte liri dhe po bëhej pjesë e Europës, po rimëkëmbte mirëqenien. Së pari atë shpirtërore.
* * *
Ka që mendojnë se Nënë Tereza është përtej dhe jashtë kulturës shqiptare, pa një traditë paraprirëse. Madje e gjejnë si të pavemëndëshme ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Po ajo, duke qenë shpirt dhe mendje universale, është e pamundur që të mos ketë dhe vendin e saj në atë univers si pjesë të tij. Bota është atdheu i gjithë dhe atdheu është bota e përmbledhur, që janë dhe duhet të jenë në harmoni dhe dashuria e vërtetë nuk është alternativë e njërës apo tjetrës. Vendin tënd mund ta gjesh dhe në vendet e tjera dhe njerëzit e tu i sheh dhe në të tjerë.
Marrëdhëniet e Nënë Terezës me Shqipërinë nuk ka nevojë të trillohen, ato janë një realitet dhembshurie. Dhe është kënaqësi të dëshmohen dhe këtu.
Vërtet ka kultura që nxjerrin personalitete të pritshëm, por ka dhe personalitete që prijnë kultura dhe krijojnë traditë, atje ku dukej se nuk ishte. Këta janë gjenitë. E tillë është dhe Nënë Tereza.
Nënë Tereza fliste shqipen, do të merrte dhe pasaportë shqiptare.
Nënë Tereza shqipen e kishte gjuhë familjare dhe e fliste normalisht. Mësimin fillor e mori në gjuhën amtare. Këndonte këngë shqip, p.sh., ato të kompozitorit tonë Lorenc Antoni, "Mbi kodrat mbi liqen", por dhe lexonte poezi të Ndre Mjedës, që do të bëhej poeti i rinisë së saj të parë. Ia jepte vëllai i poetit, Lazër Mjeda, e kishte mësues dhe mik të familjes. Do ta vijonte shkollimin në serbo-kroatisht dhe pastaj anglishtja do të bëhej gjuha e saj e përditshme. Por një mbesë e Nënë Terezës në Siçili tregon, (e dëshmon në një libër dhe një gazetare italiane), se kur vinte halla, pra, Nënë Tereza, apo "kur shkonim ta takonim, ajo me babin flisnin shqip pa ndërprerje". - Shumë po vepron Qoftëlargu si në Kosovë si në Shqipëri, - do t'i thoshte fjalë për fjalë Nënë Tereza priftit të arkidioqezës së Shkup-Prizrenit. Ndërkohë shqiptarët e Amerikës kujtojnë mesha shqip me Nënë Terezën. Lutjet në vetminë e thellë i vinin gjithnjë në gjuhën amtare siç ia kishte mësuar e ëma në fëmijëri. Edhe rrëfimin ritual ashtu e bënte, në shqip përherë. Kurse në ditën kur mori çmimin Nobël, shkroi një lutje shqip për shqiptarët, faksimilja e së cilës është riprodhur shpesh nëpër botime. Edhe në Indi kërkonte fjalorë të shqipes, se donte ta fliste mirë e më mirë. Edhe kur erdhi përsëri në Tiranë, ndërkaq ajo kishte pasaportë shqiptare, diplomatike, në një takim të hapur në Pallatin e Kongreseve, lutjen hyrëse e bëri në shqip bashkë me Presidentin e vendit, zotin Sali Berisha. Iu afrova dhe unë më pas. Kam përkthyer nga lutjet e Tua, i thashë. - Mir' ke ba! - m'u bë se m'u përgjigj. Kaq. Ndërkaq Nënë Tereza besonte se ëngjëlli i saj udhërrëfyes ishte shqiptar dhe ia kishte dërguar Zoja e Këshillit të Mirë nga Shkodra, kështu dëshmohet.
…një trini ndodhish të mrekullueshme me Nënë Terezën:
1. Mbretërve, presidentëve po se po, sundimtarëve, kujdo Nënë Tereza guxon, duke mos e ndjerë si guxim, t'u drejtohej secilit me "ti". Ajo beson te natyrshmëria, te barazia, vetvetja është e mjaftë. Madje edhe vetë Jezu Krishtit dhe të mrekullon vizioni i saj për të, edhe toksor e i prekshëm, i kudogjendshëm, i zbritshëm nga qiejt në baltë si hero, si burrë, si bashkëshort. Ja, ç'do t'i thoshte ajo Mbretit të Norvegjisë, Ollavi V, një ditë përpara ceremonisë, kur do t'i jepej çmimi "Nobel" për Paqe më 1979. - … po sikur të mos vij nesër? - i kishte ai. - E pse? - ia ktheu Nënë Tereza shkujdesshëm. - Që të mos jem unë në qendër të vëmendjes, - kishte buzëqeshur Mbreti. - E ke gabim, në qendër s'jemi as ti, as unë, - e ndërpreu, - por Zoti... Ndërkaq pas xhamave përflakeshin pishtarë me mijëra, i mbanin ndër duar banorët e Oslos, që dyndeshin drejt hotelit, ku kishte bujtur ajo, Nënë Tereza. Donin ta shihnin.
2.Papa polak Vojtila, ai që do të jepte ndihmesën e madhe në shëmbjen e Murit të Berlinit dhe të perandorisë komuniste, erdhi të vizitojë Shqipërisë e pas diktaturës. Sa zbriti nga avioni, Shenjtëria e Tij ra më gjunjë dhe puthi tokën tonë. Ishte e fundmja. Bashkë me personalitetet me të larta e priste dhe Nënë Tereza. E thamë, kishte dalë si çupa e shtëpisë, e ndjente për detyrë të priste Atin. Dhe pikërisht ky aeroport, që kishte nisur të ndërtohej nga të burgosurit politikë, kundërshtarë të diktaturës, do të merrte emrin "Nënë Tereza". Duket sikur Ajo vetë do t'u dilte përpara të gjithëve që do të vinin nga bota në vendin tonë e do t'u thosh: urdhëroni! Dhe ëndrra e të burgosurve do të shtrohej si qilimi i mikpritjes. Aty do të vendosej dhe shtatorja e saj e bronztë, e ngjashme me një kryq të gjallë, që bashkon qiellin me tokën…
3. Autori i asaj vepre, skulptori nga Prishtina Luan M., tregon se kur do t'ia dhuronin Presidentit të SHBA, Bill Klintonit, statuetën e Nënë Terezës si shenjë mirënjohje për atë akt të madh që ndaluan masakrën në Kosovë e u arrit pavarsia, ai do të thoshte: ...ia kisha dhënë fjalën Nënë Terezës, se më kishte thënë "ndihmoje popullin tim." Dhe ashtu bëmë. Firmosa ndërhyrjen ushtarake të NATO-s... Dhe e vdekur Nënë Terza kishte patur fuqi ta lëviste botën.
Gjurmë të një udhëtimi të shenjtë - dy libra bibliografikë -
Krahas botimeve të shumtë për Nënë Terezën, që kanë dalë, dalin dhe do të dalin, albume, biografi, lutje, bëma, përsiatje, polemika, antologji, poezi e pikturë e muzikë, spektakle, librete e drama, ekspozita, konferenca e deri tek lumturimi i saj, etj, janë dhe dy libra të veçantë, që mungonin, dëshmi të dëshmive: "Nënë Tereza në shtypin shqiptar" - bibliografi dhe "Nënë Tereza në sytë e botës", një përzgjedhje autorësh të huaj që kanë shkruar apo intervistuar Nënë Terezën a janë takuar me të, deri te papët e presidentë shtetesh të mëdha. Të dy këto botime janë përgatitur nga botuesi Mehmet Gëzhilli, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Shenjtores tonë, qëmtim shumëvjeçar dhe me pasion i autorit.
Në një farë mënyre këto dy botime do t'i krahasoja me dy flatra që të jepen për të fluturuar në kozmogoninë "Nënë-Tereziane", në hapësirat e pafundme të përftuara prej saj. Duke i shfletuar je njohur me indikacionet e një trafiku shpirtëror, tokë dhe qiell, madje dhe bashkimin e tyre në zbulim të dashurisë, veprimit dhe fjalës, kësajtrinie sublime.
Kudo që ta hapësh bibliografinë "Nënë Tereza në shypin shqiptar", në cilindo kapitull apo faqe të tij, do të gjesh të çertifikuar një titull sugjestionues, një çështje, adhurim e shpalosje, dëshmi e prove, pra gjurmët e një shkrimi dhe e ke të lehtë të konstatosh se të gjitha organet e shtypit shqiptar, në dy republikat të Shqipërisë dhe Kosovës, në Maqedoni, Mal të Zi, Itali, Greqi, Francë, Gjermani, SHBA, kudo ku ka shqiptarë, deri në Australi, kanë qenë dhe janë pasqyra të portretit të Nënë Terezës dhe bëmave të saj.
Ndërkaq moria e emrave që kanë shkruar, gazetarë, shkrimtarë, studiues, shkencëtarë, politikanë, statistë, anonimë, të burgosur, që ndjehen më afër shpirtërisht për shkak të persekutimit me Nënë Terezën, por dhe nga ata që kanë futur burgjeve, besues e mosbesues, të krishterë, myslimanë e ateistë, të djathtë e të majtë, ambasadorë e ministra, kryeministra, presidentë, monarkë, madje dhe diktatorë, është aq e larmishme lista dhe ajo që të mrekullon: të gjitha këta emra, të njohur apo të zakonshëm, nga ata që bëjnë fatet e vendit apo janë pjesë e fatit të vendit, që punojnë e bashkëpunojnë apo nuk njihen fare midis tyre, por dhe nga ata që janë dhe në konflikt me njëri-tjetrin, shpesh dhe ashpër, të gjallë e të vdekur, bashkohen te Nënë Tereza, urtshëm si në një altar të përbashkët. Sepse ajo ka fuqi përbashkuese dhe qetësuese. Është "Nëna e Dritës" thotë Profesori Anton Nikë Berisha. Ka që pyesin ende se ç'ka bërë Nënë Tereza për ne, dmth kur ishim të mbyllur dhe nën diktaturë? Dhe harrojnë që ishte diktatura komuniste që i mbylli dyert Asaj dhe u braktis, u nda nga familjarët e saj në Tiranë dhe bashkëatdhetarët dhe s'e lanë të bënte asgjë këtu. Megjithatë botës ajo i thoshte se jam shqiptare dhe duke marrë rrugët drejt lartësimit, i tregonte botës, qoftë dhe heshturazi, se kishte një Shqipëri tjetër, ajo që kishte qenë e do të ishte, Shqipëria e Zotit, përveç asaj të djallit.
Mbetet magjia e buzëqeshjes:
Dhe kur shekulli i Nënë Terezës bënte statistikat e prodhimeve, të ushqimeve, makinave, etj., por dhe të armëve dhe krimeve, ajo llogariste buzëqeshjet, luftonte që të shtoheshin. Ky ishte shqetësimi i shtëpive të saj të bamirësisë. Si një sfidante e madhe, ajo u quajt nëpër metropole si "investitore e dashurisë". Publicitetin e bënte bota, ajo risillte shenjtërinë. Për vite me radhë, teologë, shkencëtarë, sociologë, mjekë, dëshmitarë të ndryshëm nga bota mbushën dosjet me prova të mrekullive të Nënë Terezës, se si ajo u kthente buzëqeshjen dhe atyre që nuk kishin buzëqeshur kurrë, se si i ringjallte kufomat e rrugëve, se si u bë "industrialistja më e madhe e mëshirës". E ndjemë për shenjtore qysh në gjallje, pa pritur të shpallet. Se ajo sikur rivuri në provë gjithçka e cilindo: sa dashuri jep. Jo vetëm brenda tempujve. Duhej vepruar edhe jashtë tyre. Pikërisht këtu Nënë Tereza është novatore. E gjithë toka do të ishte si një kishë për të.
***
Kushdo që e ka takuar Nënë Terezën, që nga më të zakonshmit e deri te burrat e mëdhenj të shteteve, heronj, shkencëtarë, Papa, artistë të shquar kinemaje, anonimë, varfanjakë, miliarderë, diktatorë, mbretëresha, gra në rrugë, shkrimtarë të famshëm, zulmëmëdhenj, të gjithë, të gjithë, për ta përqafuar kanë qenë të detyruar të përkulen para shtatit të saj të paktë. Dhe kjo s'ishte thjesht përkulje fizike, por metaforë e adhurimit dhe e magjepsjes që të shkaktonte Ajo, ikonë e re e kohërave moderne, shenjtore e gjallë.
Dhe ashtu me sandalet e pluhurosura, më të fundmet, (nuk i gjenden të tjera as për muzeume, sepse kishte vetëm një palë), me gishtat e këmbëve të ngjeshur si fëmijë në stolin e një mence bamirësie, ajo shtegtonte dhe u buzëqeshte të gjithëve, e krrusur sikur kërkonte të zbulonte një tjetër mister të fundit të tokës a të bashkohej me të, me dheun. Ndërkaq nën hapat e saj dukej sikur mernin jetë gurët, pllakat, bëheshin pëllumba dhe zogj. Dhe Ajo bëhej me flatra qiellore.
"Ungjilli i gjallë" e kanë cilësuar, "pena e Zotit", "specialistja e plagëve të botës", kurse nderimet për të janë të gjithanshme, nga gjithkund. Tani vendi i saj, Shqipëria, jep çmime dhe dekoron me emrin "Nënë Tereza". Të tillë e bëri dashuria e tepërt, megjithëse dashuria nuk është e tepërt kurrë.
***
Pasi Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, shpalli "Vitin e Nënë Terezës" dhe një sërë veprimtarish në nderim të Saj, Qeveria që ai drejton, mori nismën për prerjen e një sasie monedhash në flori dhe argjend me portretin e Nënë Terezës. Dhe vërtet, buzëqeshja e saj, duart, sikur kanë praruar me flori dhe argjend gjithë këtë shekull të jetës së saj duke na treguar se monedha që nuk zhvleftësohet kurrë është dashuria. Modeste skajshmërisht, e varfër po aq skajshmërisht, por dinjitoze gjithmonë, Nënë Tereza, pa asnjë lloj biznesi, pa shpikur asgjë, pa udhëhequr asnjë vend e, (nëse ka personalitete që futen në histori me dhunë, duke bërë plojë të madhe e dalin prej andej duke i zvarritur statuja), pra, pa zbuluar ligje të fizikës, megjithese rizbulon zjarrin e shpirtit me shkencën e mrekullisë, pa shkruar epopera, veç lutej me mërmërima, duke investuar dhëmbje, Ajo u bë e përbotëshme, u bë vetë botë.
Epilog, qilimi shqiptar i Nënë Terezës:
A e dini që në Katedralen e Shën Palit në Tiranë është qilimi i Nënë Terezës? I vogël, me motive popullore. Po, po, ia dhuruan në një nga vizitat gra bashkatdhetare. E mori me vete në Indi. Dhe lutjet po i bënte mbi të qilim. Donte të prekte Shqipëri, që diç do t'i përcillte patjetër te gjunjët e dobët e do t'i kalonte në gjak, te kockat, në shpirt. Por ajo e kishte Shqipërinë gjithmonë brenda vetes. Motrat e Nënë Terezës e kthyen këtë qilim në atdhe, ia dhuruan arkipeshkvit tonë. Ashtu si në sindonen e famshme, në çarçafin që mbështolli Krishtin, që e vizitojnë me miliona veta dhe shkencëtarët kërkojnë përhitjen e kurorës së përgjakur gjithë gjemba mbi ballin e martirit, plagët, ndryshkun e gozhdëve, në qilimin e Nënë Terezës ne gjejmë vegimin e saj, këmbët e zbathura, ikjen larg për të qenë sa më afër. Fërgëllimi dhe ngrohtësia, të mbetura përgjithmonë aty, mërmërimat e shenjta, i kalojnë dyshemesë së Katedrales, themeleve pastaj, që e shpërndajnë nëpër tokë. Dhe nga të çarat e tokës, mes gurëve apo mes pllakave në bulevard, ashtu siç dalin fijet e barit, do të rindjehen mërmërimat e saj: Ti, kushdo qofsh, duaj më shumë. …prandaj do të doja që nëpër rrugët mbi trotuaret tona të vihen patjetër pllaka: këtu ka ecur Nënë Tereza.