E hene, 15.04.2024, 07:45 PM (GMT+1)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: Idetë në zgjedhje, zgjedhja e ideve...

E diele, 01.05.2011, 06:40 PM


Idetë në zgjedhje, zgjedhja e ideve...

 

Nga Visar ZHITI

 

(Programe kandidatësh e kandidatë programesh)

 

Është normale që gjatë fushatës së zgjedhjeve, qytetari, teksa ecën rrugëve të qytetit për të shkuar në punë apo kur kthehet a thjesht shëtit, të shohë një denduri flamurësh, krahas atij kombëtar dhe ata partiakë, blu e të kuq, banderola, pllakatet me portretet e kandidatëve të vënë kudo, me idetë përmbledhëse të tyre të shkruara përsipër. Gjithashtu shkon në takime e mitingje dhe ndjek lajmet e debatet në televizion më me vëmendje se më parë, më i interesuar dhe i vazhdon ato dhe në bisedat me shokë e miq e me ata që mendojnë ndryshe. Është i pamundur indiferentizmi, sidomos në shoqëritë e dala nga diktaturat, kur demokracitë janë duke krijuar përvojë dhe politizimet mbështjellin opinionet dhe bëmat dhe qytetari merr një ndjeshmëri të tepërt në këtë drejtim. Prandaj janë të parashikuara dhe tensionet. E rëndësishme është mbarëvajtja e zgjedhjeve dhe detyrë e shtetit, por më e rëndësishme për qytetarin mbetet se çfarë zgjedhim. Pra, si të thuash, pasi caktohet fushata e zgjedhjeve, kalohet në zgjedhjen e fushatës, se si do të procedojë secila forcë politike, përmbajtja e programeve dhe shpalosja e tyre. E rëndësi të dorës së parë marrin të përzgjedhurit, idetë dhe vizionet e tij, kultura dhe aftësitë. Qyteti do të marrë pashmangshëm ngjashmëri me kryebashkiakun e vet, pak a shumë do të bëhet sendërtues i tipareve të tij dhe i forcës nga ai del, kështu duhet të ndodhë, prandaj ata duhet të caktohen të tillë, me përparësi, në kuptimin që duhet të jenë më të përparuar se gjëndja aktuale e qytetit, mishërues të një dialektike prosperiteti në rritje. Qytetari duhet që patjetër të kapë mesazhe e vizione, të meditojë e të mbajë qëndrim, të krijojë simpatitë e veta dhe shmangiet, mospëlqimet, që janë dhe rrjedhojë e pikëpamjeve të tij, i përkatësisë politike, i pozicionimeve dhe i përvojave, por dhe i asaj që i ofrohet e ku ai ka interesat, për një qytet më të mirë e jetë më qytetare. Mënjanësinë do ta konsideronim të panevojshme, madje, pse jo, dhe të dëmshme.

Në këtë fushatë dy janë idetë përplasëse, më kryesoret e më plazmueset, që i hasim të shkruara nëpërkudo: së pari ai i koalicionit të partive që janë në qeverisje të vendit, nën slloganin “Aleanca për qytetarin” dhe tjetri i partive në opozitë, me slloganin “E vetmja rrugë”.

Po nisem nga ai i opozitës, e cila ndërkaq në kryeqytet e më tej ka drejtimin lokal, ku afër mendsh, duhej të shpresohej për ndonjë kumt të ri, në pritje të thirrjeve për përmirësim e përparim, por përkundrazi, sllogani “E vetmja rrugë” kumbon vjetëran, në retrogradë, detyrues dhe me pretendim totalitarist. Ajo na kujton kredon, kur besohej me dhunë se rruga e tyre ishte e vetmja rrugë, por që Shqipëria dhe bota i kanë provuar duke kaluar në regrese të rënda dhe diktatura dhe nuk duhet guxuar përpjekja për përsëdytjen e tyre. Sa do të përpiqesh për të na i justifikuar e për zbërthim ndryshe, duke thënë se sllogani i rrugës së vetme ka atë apo këtë kuptim, zanafilla e tij është frikëndjellëse. Pushtetmbajtësit lokalë nuk kanë qenë dhe aq hallezgjidhës, madje i kanë shtuar ato. Prandaj dhe fjalori i atyre në këtë fushatë më duket më agresiv, madje dhe banal, gjoja i një populizmi pa të keq, që sikur kërkon të mbulojë atë që s’u bë na kaq legjislatura radhazi. Në shoqëritë e hapura e të lira, me demokraci e pluralizëm zgjedhës, të ngulmosh se ke gjetur rrugën e vetme, atë tënden, për progres, është e papranueshme. Ke të drejtë të na i ofrosh, të përpiqesh të na bindesh, nëse beson vërtet tek rruga që ke zgjedhur, por, e përsëris, ngulmimi në të përtej asaj që lejon një demokraci normale, është një lloj dhune, që, pas asaj verbale e vizuale, gjakon të kalojë në mentale e më pas të bëhet sundues i gjithformshëm, arsye këto për t’ju larguar. “E vetmja rrugë” të strukturon metaforikisht qytetet me një rrugë të vetme, të trishtë e provincialë, ku kryebashkiaku është gjithçka, prish ç’do ai dhe ndreq ç’i duhet atij. Kurse sllogani “Aleanca për qytetarin” në një farë mënyre është i opozitës lokale, por jo vetëm që hap më shumë hapësira e të thërret si bashkëpunëtor, pra është dhe më respektues dhe thotë më tepër dhe bën që të ndjehesh qytetar i barabartë, i bashkuar me qytetarët e tjerë që të besojmë në shumë rrugë, ku mund të zgjedhim më të mirat, metaforikisht ato që na i bëjnë jetën më të mirë e më të bukur. Aleanca për qytetarin vjen më me imagjinatë e freski pune, me dëshira e projekte qytetase e meriton qeverisjen. Ne jemi qyteti e qyteti jemi ne.

Qyteti është si qytetari i tij dhe qytetari është si qyteti i vet. Zakonisht kështu. Ç’është brenda njeriut, zbrazet në mjedisin përreth tij. Dhe ç’është jashtë, futet brenda. Pluhuri i rrugës bëhet pluhur në mendime, në kujtesë. Kaosi pasqyron kaosin e ndjesive. Pastëria jashtë vazhdon si pastërti dhe brenda. Një ide e bukur ngjan me shpërthimet e shtërvaneve. Një lulishte është kortezi kolektive, mirësjellje e përbashkët. Dëshira për të shkuar shpejt në punë, në takim, etj., shndërrohet në tramvaje. Pirgu i plehrave është pirg vesesh e dembelish. Nëse në urban nuk të kthejnë kusurin e vogël, diku sipër merret rrushfet i madh. Dashuria për fëmijët bëhet dhe park lodrash. Një varrezë e keqe na bën të kuptojmë dhe një jetë po ashtu. Një bibliotekë e bukur kërkon imagjinatë të bukur sikurse dhe librat. Bukuria do ta shpëtojë botën, ka thënë një shkrimtar i madh, Dostojevskij. Po ai ka qenë dhe në burg, kujtojmë me qëllim, prandaj po të duash rrugët e lirisë, ke dashur lirinë e njeriut. Një rrugë e vetme është mohim i të tjerave, pra mungesë lirie, etj, etj.

***

Lulzim Basha, një mundësi zhvillimi

Tiranës i është ofruar një kandidat i ri për kryebashkiak, Lulzim Basha, me filozofi të re, vizion të ri e moshë të re, me ambicionin se ai sjell një projekt të ri, ndërkohë mishëron energjitë pozitive, qytetarinë, evropianizimin. I shkolluar në universitete të Evropës Veriore, të shquar për qytete harmonioze, qetësi e seriozitet të mirë, ndërkaq i suksesshëm në politikën e re shqiptare dhe, thënë troç, me të folurin popullor, këmbëmbarë. Me Bashën si Ministër i Transporteve u bë rruga më e rëndësishme në historinë tonë tani, Rruga e Kombit. Po kështu me atë si Ministër i Jashtëm Shqipëria u fut në NATO dhe me atë si Ministër i Brendshëm u bë liberalizimi i vizave. Duam një kryeqytet më të denjë, më njerëzor. Basha po na i premton. Komunikues, i sjellshëm dhe i vëmendshëm, mes të rinjve i gëzuar si ata, si shok i tyre, me virtytet e tyre, me të rriturit si bashkëpunëtor, me të vjetërit si bir, me fëmijët si baba i përzemërt dhe i kujdesshëm, po na paraqet të përkushtuarin ndaj detyrave, të shqetësuarin ndaj çështjeve, duke dhënë kështu shpresë dhe mundësira reale, që, thënë metaforikisht, emrin e vet sikur kërkon ta mbjellë nëpërkudo.

Ndërkaq zelli rrëmues i rivalëve dhe kundërshtarëve politikë për t’i bërë akuza e kritika të pavend është një shpenzim i padobishëm energjish. Thonë që student paskësh qenë i tillë sa që dekani e ftonte dhe për darkë. Po ky është sukses që një student shqiptar i tërheq vëmendjen dekanatit hollandez, që ka merituar admirimin e profesorëve. Jo po është i bukur dhe i qeshur me qëllim, ambicioz dhe kur ka punuar në Kosovë, ka folur anglisht me ata të Umnikut. Po a ishin të huaj ata? E po ka përgatitur dosjet e Hagës për luftëtarë të UÇK-së. Po që ata dalin një nga një të pafajshëm, ë, se mos ka gisht dhe ai atëhere, e thjeshtëzoj dhe unë përgjigjen? Por të shohim projektet e tij, premtimet: punë e punësim më shumë, shkolla e biblioteka e teatro, parqe, unaza e tramvaje, kalime e mbi kalime, institucione të kulturës dhe vepra të kujtesës, muzeume nderim vuajtjes dhe martirizimit dhe dinjitet të përditshmes.

Tirana duket sikur po ndërtohet, por e shoqëruar deri më tash dhe me shkatërrim të vetvetes, identitetit dhe veçantësisë së pa përsëritshme. E dhimbshme dhe apokaliptike është ajo që po ndodh dhe me qendrën e saj emblematike, sheshin kryesor “Skënderbej”, që po bëhet duke u zhbërë, po i fshihet kujtesa e ditari i saj i gurtë, dëshmia historike. Duke varrosur lulishten e saj pas monumentin të Heroit Kombëtar, është bërë një mëkat, më shumë se arkitektonik. Kush e jep këtë të drejtë të veprohej ashtu? (Krye)qyteti është jo vetëm i atyre që janë, por dhe i atyre që kanë qenë dhe këta të fundit janë më të shumtë. Kaq do të mjaftonte sipas meje, që qytetarët me alarm të vendosin ndryshimin. Basha thotë se të parët janë qytetarët dhe qyteti i tyre. Ata do të dinë të gjejnë rrugët e prosperitetit duke i ikur grackës së të vetmes rrugë, e përjetuar tragjikisht në socializëm. Nuk duhet të harrojnë as socialistët.

***

Luan Topçiu, kultura që prin

Dua të hidhem në Pogradec. Shqipëria është një vend turistik dhe me perspektivë të shkëlqyer në këtë drejtim. Në jug-lindje është liqeni i Pogradecit dhe qyteti buzë tij si një perlë, por që ka pësuar dhe ai betonizimin e panevojshëm të peizazhit, ku duket sikur përparësi i ishte dhënë fitimit e jo jetës së begatë e të natyrshme të tij. Një qytetar i madh i atij qyteti të vogël ka kërkuar të marrë drejtimin, që në aleancë me qytetarin të bëjnë më të mirën, më të dobishmen, që u duhet të gjithëve. Ai quhet Luan Topçiu, shpalosës i projekteve dobiprurëse për të gjithë, begatues i qytetit dhe I jetës së gjithsecilit. Profesor në dy universitete, në Tiranë dhe në një kryeqytet tjetër europian, në Bukuresht. Kritik i shquar arti dhe diplomat po aq i shquar. Po ta lëmë të bëjë libra, mund të thotë dikush, siç dhe kanë thënë me një dritëshkurtësi të prapë kundërshtarët e tij politikë. Në fakt Luan Topçiu është autor i dhjetra librave në Shqipëri dhe Rumani, në shqip dhe rumanisht dhe harrojnë se ai që di të bëjë një libër, di të imagjinojë dhe një qytet. Arkitektura është gati e njëjtë. Ligjbërësit më të mirë janë poetët, thoshte Oskar Uialdi. Por nëse kjo nuk mjafton për të besuar te Luan Topçiu kryebashkiak, vazhdojmë: në Bukuresht është një park i madh, ku në qendër të tërheq vëmendjen një kompleks i shkëlqyer skulpturor me portretet e atyre që themeluan Europën e Bashkuar. Parku është plot me statuja personalitetesh të shquar të botës, Hygo e Balzak e Dante, Petëf, Eminesku e Mickeviç, etj., dhe, falë punës pasionante të Luan Topçiut diplomat, zgjuarsisë dhe aftësisë komunikuese e vepruese, pikërisht mes tyre aty është vendosur dhe busti i Naim Frashërit tonë. Luani vetë e mbarti nga Tirana për në Bukuresht dhe së shpejti, falë punës së tij, do të vendoset dhe Naum Veqilharxhi në qytetin ku ka zhvilluar veprimtarinë e vet rilindase, në Braile të Rumanisë. Pa mendoni tani Luan Topçiun pasi t’i kemi dhënë të drejtën të jetë kryebashkiaku i Pogradecit të tij, ç’do të bënte për ta lartësuar qytetin e Lasgushit dhe të Mitrushit, jo me kuptimin e ngritjes së ndërtesave të larta bregut të liqenit, siç dhe është tentuar, por përkundrazi, lartësi në kualitetin e jetës dhe të bukurisë së saj.

Luan Topçiu ka njohje e miqësi me personalitete të qyteteve të Europës që kanë liqene, mendoni binjakëzimet e Pogradecit, lidhjet e ndërsjellta me përvojat e këtyre qyteteve, shkëmbimet, jo vetëm kulturore, por prodhimet, bujqësore, artizanale, industrialë? Të shumta janë veprimtaritë e tij me biznesmenë shqiptarë apo ato kur Shqipëria futej në NATO. Mjafton të shohim programin që na shpalos Luan Topçiu, premtimet, qartësia intelektuale e asaj që kumton, dashuri për qytetin e tij dhe bashkëqytetarët. Një të përditshme më të mirë, më me kuptim, punë dhe realizime, utilitarizëm dhe komoditet për jetën e përditshme, që teksa kërkon shtrimin e bulevardit më të bukur buzë liqenit, deri në Lin, shton kështu punën për pogradecarët, pakëson papunësinë, jep mundësitë e prodhimit vendas, mbron mjediset e blerta, i shton ato, florën dhe faunën liqenore, mjediset e përshtatshme turistike, nderim qytetit e qytetarit, dinjitet jetës së gjithsecilit, motivim, në fund të fundit mirëqenie më shumë.

Futja e Shqipërisë në Europë është një aspiratë, një realitet që po afron, është më i prekshëm dhe nuk ka pse kuptohet si zhvendosje aventurore e gjeografisë. Ne në Europë jemi, këtu është shtëpia jonë e natyrshme. Fjala është për qytetarinë europiane, standardet dhe lidhet e ndërsjellta të gjithanshme. Që Shqipëria të futet në Europë, do të thotë që dhe Europa të futet në Shqipëri. Dhe ajo bëhet me qytetarë të lartë, me njerëz të ditur dhe të përkushtuar. Me veprimtarë, që të parën venë qytetarët dhe qytetin, të cilin nuk e mbyllin në një rrugë të vetme. Duke besuar te programi i “Qeverisë Berisha” në aleancat e brendshme, PD e LSI e forca të tjera progresiste që kanë për qëllim integrimin sa më të shpejtë e sa më të begatë të Shqipërisë, me kryeqytetarë që mësuan e punuan në Europë e SHBA, si Lulzim Basha e Luan Topçiu me të tjerë, që duke çuar andej imazhin më të mirë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe duke sjellë prej andej përvojë elitare civilizuese, ide demokratike dhe programe pune me kodin e fuqishëm të jetës, kanë vegimin dhe vendosmërinë që t’i zbatojnë ato në atdhe, në qytetet e tyre, duke dëgjuar ndërkaq bashkëqytetarët e duke i bërë ata bashkëpunëtorë.

Aleanca për qytetarin është aleanca për një jetë më të mirë.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora