Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: 28 Janar...
E premte, 28.01.2022, 07:21 PM
Visar Zhiti i porsa arrestuar, fotoja e vetme e burgut, marrë nga dosja e tij hetimore
28 JANAR…
Nga
Visar Zhiti
Ka
data të tilla në jetë që të duhet të ndalësh dhe të vjen të thuash diçka për
vete dhe të tjerët, se edhe datat ndërthuren.
Në
28 Janar unë jam liruar nga burgu, i dënuar me 10 vjet heqje lirie nga shkaku i
poezive të mia. Po në këtë datë, 51 vjet më parë nga viti kur u lirova, lindi
në Gjirokastër Ismail Kadare, që do të bëhej shkrimtari më i njohur ynë, me
famë të përbotëshme. Desha të thosha se lexuesi i tij ka qenë dhe i
persekutuar, jo vetëm metaforikisht, ku i ishin ndaluar të lexonte ç’do të
donte, pra, dhe i burgosur, por dhe Kadare shkruante në një kohë kur letrave shqipe u hiqej dhe
dënohej i vdekur vepra-epos e At’ Gjergj Fishtës, dënohej me vdekje në mungesë
Ernest Koliqi dhe burgosej Mitrush Kuteli- themeltarë të tregimit modern
shqiptar, burgoseshin romancierët partizanë Petro Marko e Kasëm Trebeshina,
edhe Mustafa Greblleshi e i panjohuri ende Astrit Delvina, etj, pushkatoheshin
shkrimtarë dhe intelektualë të lartë nga kleri, sidomos ai katolik, do të
arratiseshin shkrimtarët e rëndësishëm Martin Camaj dhe, me të dalë nga burgu,
poeti e filozofi Arshi Pipa, më pas dhe shkrimtari çam Bilal Xhaferri, etj, etj,
do të pushkatoheshin të rinj poetët-klithmë Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi e
Genc Leka dhe do të varej në mes të qytetit të tij, i fundmi në të gjithë
perandorinë komuniste, poeti Havzi Nelaj...
Gjysma
e letërsisë shqipe që bëhej në Kosovë e diasporë, ishte e ndaluar. Qe të mos
zgjatem, në një masakër të tillë u lejua të ngrihej Kadare, madje dhe të
përkthehej. Romanet e tij kanë diçka prej feniksi, shpendit që ringjallej nga
hiri. Vargmalin e veprës së tij të plotë e risolli botuesi “Onufri”, më mirë se
kurrë. Tani janë përballë, të lirë, shkrimtari dhe lexuesi bashkë…
Por
dhe urimi njerëzor për letrat shqipe: jetë të gjatë shkrimtarit dhe veprës dhe
lexuesit të përhershëm!
Me Kadarenë Eda dhe Visar Zhiti në “Juvenilja”, Tiranê, (foto Bujar Hudhri)
https://www.facebook.com/profile.php?id=100074379356093