Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Kur festa s'është për të gjithë, kujtohet themelimi i partisë dhe arrestimet e saj
E marte, 09.11.2021, 08:55 PM
KUR FESTA S’ËSHTË PËR TË GJITHË, KUJTOHET THEMELIMI I PARTISË DHE ARRESTIMET E SAJ
NGA
VISAR ZHITI
Të
jesh arrestuar në 8 nëntor, shumë vite më parë, kur në këtë datë përkujohet
themelimi i Partisë së Punës, dikur Partia Komuniste e më pas Partia Socialiste
e Shqipërisë, pra të jesh i arrestuari i kësaj partie, ka një dualitet të rënde
në festë, qoftë dhe në fetën e pa shpallur dhe të braktisur të saj tani ashtu
siç e kishte të fshehtë dhe vetë themelimin …
Pushteti
i asaj partie dënonte kundërshtarët e saj dhe përndiqte këdo që e mendonte si
të të tillë..
Nëse
tani, përkujtohet shëmbja e Murit të Berlinit, që ndante mirzorisht botën dhe
njerëzit dhe perandoria komuniste ka 3 dekada që ka rënë, pra kur nderohen
viktimat, qëndrestarët, disidentët, kundërshtarët, martirët e totatalitarizmit,
të ngresh në qiell, qoftë dhe për ca ditë, heronjtë vetëm të asaj partie, kauza
e së cilës solli rrënime të vendit dhe gjak të popillit, pra jo heronjtë
përbashkët të atdheut dhe lirisë, pavarsisht bindjeve, para të cilëve biem në
gjunjë, pra ndarja e heronjve dhe ngritja tendecioze e disave, është hap pas,
akt i pa pranueshëm, antihistorik, me pasoja në besim dhe moral. Dhe ndoshta jo
vetëm kaq. Dhe përgjegjësia është e përbashk:et.
Po
sjellim këtu pjesë nga burgologjia “Rrugët e ferrit”, ku rrëfehet se si është
përjetuar një arrestim në atë ditë, në 8 nëntor, që ndryshoi tërësisht rrjedhën
e një jetë, por dhe gjithë jetën e vendit.
Kështu
nis, nga ndjesitë e para të gjithkujt……
ARRESTIMI NË RRUGË:
Më
arrestuan në ditë feste, më 8 nëntor, në mesditë…
Sipas
një ligji të pashkruar, në data të tilla të shënuara nuk duhej të bëheshin
arrestime, të mos dukeshin pranga në festë, jo egërsi e qen policie, por, edhe
nëse do të ishte i shkruar, nuk ndryshonte gjë. Thuhej se përjashtoheshin
rastet flagrante, por gjithsesi të mos prishej hareja, se populli duhej të
gëzonte medoemos, madje me forcë. Brohorimat, vallet, fjalimet, ai ngazëllim
gjeneral, si mund të turbulloheshin, kur për to ishte derdhur gjaku lumë?
Natyrisht, që të ndërtohej një botë e re, socializmi – dhe ku? – në gojë të
ujkut, mes armiqve të jashtëm e të brendshëm…
–
Ej, ti, ec me ne!
Pse,
mbaroi festa, pa filluar? S’do të kishte veprimtari të tjera, tjetër akt, vetëm
kaq? Ç’ishte kjo e ndalur në rrugën kryesore, afër sheshit të qytetit verior,
Kukësi i Ri, ku që prej disa vjetësh punoja si mësues, por larg, pas malit të
parë, edhe më larg, pas malit tjetër, tjetrit, male prapë, në fundin e botës?!…
Një
arrestim, jo shumë larg urës së madhe, ku ujërat e dy Drinave, i Ziu dhe i
Bardhi, megjithatë nuk dremitnin. (Lumi fle, por jo armiku, thoshte proverbi
popullor). …S’m’u dha të kundërshtoja,
ndoshta ngaqë e njihja thirrësin, një gjatosh i zbërdhulët si negativ,
operativi i zonës. Por po bënte të ashprin… ai e mbante dorën të rrasur në
xhepin e xhupit dhe një si tytë formësohej aty. Revolveri… Po këta njerëz përreth, të rastësishëm? Pse
po më shikonin aq vëngër?
–
Futu! – gati më shtynë.
Te
vendi përpara, anash shoferit, një qenie e trashë dukej si e plandosur.
Ndërkohë dhe na priste. Ku e kisha parë? Qytet i vogël, të gjithë njiheshin…
nënkryeta… Dega e Punëve të Brend… Në ndenjësen e pasme të makinës, në anë, qe
strukur një polic (po ky, çne?!), që nxinte si perdja e zezë mbi xhamin e
mbyllur. Dhe menjëherë ndjeva një të shtyrë. Operativi gjatosh u shtrëngua pas
meje duke u palosur. Ajo thirrja e tij me kërcëllimë dhëmbësh u përsëdyt
rrapëllyeshëm me mbylljen e derës. Heshtje dhe pezm për pak çaste. Qenia e
trashë u kthye përkëtej. Me ballë tmerrësisht të ngushtë, aq sa dukej sikur
flokët e sertë i fillonin fill mbi vetullat.
–
Je i arrestuar! Ti!
–
Pse? – u trondita.
–
Ta tregojmë atje…
–
Vërini prangat! – Befas, i pashë duart e mia të shtrënguara me hekura, aq
shpejt m’i vunë, polici sigurisht, kurse operativi, po në atë çast, gati m’i
shkuli jakat, teksa i shikoi me zell e kompetencë, se mos kisha helm në to.
Sikur
nuk më thanë: në emër të popullit je i arrestuar? Të jetë rrëmbim dhe jo… “Gazi
i degës” shkrofëtiu përhumbshëm dhe pastaj ngarendi egërshan nëpër ankthin
gjithë xixëllima të padurueshme. Pallatet shembeshin pas meje, pa zhurmë, në
shurdhëri. Pse u kthyem prapë? Jo, po iknim, por pallatet ishin tmerrësisht
njëlloj. S’e kuptova ku ndaluam, pse i ngjitëm ca shkallë, ç’pati që bërtiti
një shkurtan përtej një tryeze, ndërsa mua, pa m’i hequr prangat, më
kontrollonin, duke më marrë gjithçka, stilografin, paratë e pakta, letrat nëpër
xhepa, mbanin procesverbal për to, këpucët, çfarë, hiqi, edhe rripin, kërkonin
medoemos të kisha orë. Ku e ke orën, ë? S’kam, s’u besoj orëve, dhe pastaj
zbritëm shkallët. Shkallë prapë. Sa më poshtë shkonim, aq më tepër pakësohej
drita, derisa edhe shkallët u bënë prej terri.
NË QELI DHE KUNDËR
FLOKËVE
Më
flakën në një qeli boshe, pa asgjë, veç mureve të trasha, ciklopike – shiheshin
te dera, te dritarja ngushtalaqe në fund – rrafsh me tokën përmatanë. Pra,
ishte nëntokë këtu. Hekurat e saj të trashë si gjarpërinj me kokë e bishta të
prerë, të kokolepsur radhë-radhë, e ndanin atë pak pamje në katrorë dhe e bënin
vepër kubiste, pra të dënueshme. Përsipër, për të shtuar sigurinë, ishte
mbërthyer edhe një rrjetë e ashpër teli, edhe ajo me katrorë fare të vegjël, që
më sollën ndër mend plëndësa kafshësh të mëdha.
Ndërkohë
isha ende me pranga. Kurrë nuk i kisha pasur duart aq keq, të fyera dhunshëm,
megjithëse ç’nuk kisha prekur më parë, plehra, thika, edhe armë zjarri, u kisha
dhënë dorën maskarenjve, ndodhte, kisha shfletuar gazeta, fjalime të
diktatorit, i kisha larë pellgjeve. Përkundruall, dera e rëndë, e errët, me një
sportel të vogël, vuv. Rrëshqiti, u hap përgjysmë dhe një copëz fytyre vëzhgoi
ca, pastaj e mbylli me trokëllimë. Ç’kanë me mua? Po rrija pa lëvizur, më
këmbë. Përsipër, në anën tej, në një si zgavër katrore mbi portë, ishte llamba.
E gjithë kamarja e saj qe e mbështjellë po me atë rrjetë teli si edhe frëngjia.
Përhumbshëm, m’u nëpërmendën turinjtë e ngritur të një qeni prej flakësh, që ia
kishin zënë gojën ashtu, për të mos më kafshuar tani. Dyshemeja e drunjtë
lëshoi një rënkim.
***
Njëri
nga policët se kë thirri, i cili, me t’u futur brenda, pa folur me askënd, hapi
një çantë të zezë, më hodhi një vështrim, u turbullua një grimë, desh tha
diçka, që i ngeci, sikur më njohu, por prapë u bë i huaj, i largët
përfundimisht. Ai, pikërisht ai, afroi drejt kokës sime diçka të zezë, tip
revoleje. Kështu do të më vrisnin, kot? E ndjeva diçkanë e zezë, bëri trak dhe
çuditërisht unë s’rashë. Po gumëzhinte koka ime brenda apo çfarë? Cullufe
kaçurrelash binin përdhe si copa mermeri të errët. Po dërrmonin ndonjë statujë
kështu, jeniçerët i binin me topuz? Grumbulli i flokëve si një grumbull muzgu
po shtohej mbi këmbët e mia të zbathura. Ah, po më qethnin, ç’mëkat! Berberi
ai. Qethje e pazakonshme, i lidhur me pranga. Eh, të gjithë kështu i qethin
këtu, sigurisht me pranga, por unë e kam për herë të parë e për herë të parë më
bënin tullë. Po më vinte më keq se nga vetë arrestimi. U meka fare. Nuk fola.
Edhe flokët nuk paskëshin qenë të mitë, çështje shtetërore edhe ata, dihej. Do
t’i hidhnin te plehrat apo do t’i digjnin? Kisha pasur flokë të bukur, të
dendur, i urrenin…
Në
qeli po ndihesha më i shkretë dhe i fyer fare. Mirë që është frika, thashë me
vete. Dhe ajo brerja e largët. Kokën e rrjepur si prej akulli e zura me duar,
ndoshta për ta ngrohur sadopak a që ta mbroja të mos rrokullisej, por edhe
duart s’i urdhëroja dot. Kishin ende ftohtësinë e prangave. Edhe dimri duhet të
jetë afër, punë ditësh, punë prangash… Gjithçka dhe të gjithë tani do t’i kisha
kundër. Ndërsa ankthi shtohej, frika ime po mpakej, ngaqë s’mund të më mbronte.
Dhe kështu sikur donte të ikte, të më linte vetëm. Jo, jo, prit aty, ti, frika
ime! Më duhesh. Edhe akuza më duhet, që të përballem. Akuza është si flokët, do
të më jepte forcë. Mosfaji i ngjan kokës së qethur poshtërueshëm. E njënjëshme.
Copëz shkretëtire. I ngjan mëkatarit pa asnjë mëkat. Gjëra të dëgjuara këto.
Kur një kohë është e fajshme, është faj të mos bësh faje. Por e pëson keqas.
HETUES DHE MINJ
–
…agjitacion dhe propagandë… – sikur më akuzuan, kur më çuan sërish të
prangosur, s’di se ku, nëpër një mesore tjetër dhe po ajo mugëtirë, iknim dhe
iknim për të mbërritur, ndoshta te po ajo karrige ku më qethën, në një pasdite
të përgjysmuar, në një dhomë të zhveshur, jo, ishte e tjetërllojshme, më e
pasigurt, si në një tjetër realitet, ku asgjë s’të ndihmonte.
–
Kush më akuzon? – pyeta zymtë.
–
Organet e Sigurimit të Shtetit. – Rreptësia e përgjigjes sikur më solli më në
vete.
–
Prano! – më urdhëroi qetësisht një zë tjetër.
–
Çfarë? – u çakërdisa unë.
–
Fajin.
–
Cilin faj?
–
Që ke bërë.
–
Ma thoni ju, se nuk e di.
–
Këtu s’bëhet shaka dhe s’të hyn në punë zgjuarsia, nëse e di veten të tillë, –
po ngulmonte zëri më i rreptë, gati në hakërrimë.
–
Po kush jeni ju? – guxova të them. Vërtet, kush ishin, ç’simbolizonin?
–
Siç nuk është zakon këtu, po të paraqitemi, po ta bëjmë këtë nder. Unë jam
kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, Agron Kokona, dhe shoku tjetër është
shefi i Hetuesisë, Nexhat Selimi, e kemi ndër më të mirët në Republikë dhe ka
zbërthyer armiq shumë të mëdhenj e grupe të tëra armiqësore, që kanë merituar
plumbin, kuptove? – po fliste me të butë më i vjetri prej atyre të dyve, nëse
ishin dy, sepse më vinin përqark më shumë zëra e fytyrat më rishfaqeshin: njëra
me më shumë rrudha, maskë plaku babaxhan, pa shprehje, e ftohur, gri, donte të ngjante për mirë, si
e rënduar nga përvoja, kurse tjetra, e nxehur, e kuqërremtë, kacafytëse, edhe
pse pa flokë, më e re, që gjithsesi i kishte duruar me shkëlqim konsumimit. –
Po ta përsërit, se ndoshta je i hutuar, se e dimë, shkollarët hutohen kollaj. –
Po, po, dy fytyra përsëriteshin dhe muri i shpëlarë përreth.
–
Mos e përkëdhel, shoku kryetar, – e ndërpreu tjetri dhe më hodhi një vështrim
përvëlues, aq sa e plasariti maskën e vet. U përqendrova i tëri për të kuptuar
sa më shumë.
–
As ne s’jemi prej këndej, vijmë nga Jugu, – nisi të fliste maska kryetar,
vjetërane e tëra, – punojmë ku do Partia, ku ka nevojë atdheu, por s’jemi
ankuar si ti. I kemi provat që ti je fajtor, po deshe prano, po deshe jo, me
dru kokës nuk do të të biem.
–
Hëpërhë.
–
Ndize një cigare, – tha kryetari dhe më zgjati një kuti të drunjtë me duhan të
hapur.
–
Nuk di ta dredh, – thashë.
–
Ta dredhim ne, – tha kryetari. Edhe ai, besoj, me kuptimin tjetër. E vërejta.
Ishte shumë thinjosh, i tymtë, çka e bënte ca hijerëndë. Pasi përgatiti cigaren
për mua, ma dha ta njomja me gjuhën time letrën e saj, për ta ngjitur. Më bëri
përshtypje. Ndezi çakmakun e tij dhe ma afroi siç bëjnë njerëzit.
–
Do të punojmë bashkë, – u mëshoi fjalëve kryehetuesi pas tymit që e përmbyti
shpejt dhomën e vogël ku kishim rënë. Nuk pyeta dot se çfarë quante punë ai. Që
ta shkulje tjetrin nga jeta e vet dhe ta mbyllje mes këtyre mureve nën dhe?
***
Makina
e shkrimit kërcëllinte e zezë.
…Në
hetuesi po merresha rëndom natën. Pastaj vetëm natën. Pas mesnate. Afër
mëngjesit. I pranguar. Të sqaroja armiqësinë time, që Partia të mendonte për
mua. Ka shumë rëndësi pendimi dhe të tregoja përgjumësh… shokët… ata e kishin
më shumë fajin… që kisha rënë në këtë rrugë të gabuar… nëpër ankth më kërkohej
se ç’kishin ndër mend të bënim. O-r-g-a-n-i-z-a-t-ë ?! Çfarë? Ç’thamë kur u
pushkatua ministri i Mbrojtjes? Ku donim të arratiseshim, kur? Po të tregoja,
pra, po të isha i sinqertë me Partinë, do të dënohesha më pak, po, por edhe
mund të lirohesha. Jo, jo, ti s’lirohesh. Ti do të dënohesh e do të ridënohesh.
Pse s’do që ndëshkimi i Diktaturës së Proletariatit të bjerë mbi ata që të
morën më qafë, që desh të morën më qafë, ë, pse s’flet? Ç’është kjo kokëfortësi
që do të të thyejë kokën?
E
vazhdonin të derdheshin mbi mua sharjet e bërtitjet si vërshim llumi mbi gjumin
tim të keq, në qeli, dhe e përmbytnin dyshemenë sërish, ashtu siç kishin bërë
një gjysmë ore më parë a në mijëvjeçarin që shkoi, gjatë seancës më të fundit
të hetuesisë, kur mbi përgjumjen time më këmbë, i lidhur me pranga, ndërsa
pyetesha ulëritshëm, ndieja rrëketë e baltës, vërsuljen e saj, moçalin
gjithpërpirës. Befas dilte prej andej një qen-robot, më hidhej, më ngulte
dhëmbët metalikë në mish, varej rëndshëm e kërkonte të mbërrinte skeletin tim,
për ta brejtur. Djersë apo gjak rridhja?
***
Këta
të dy merreshin me mua tani. Ai, miu që njihja, pak si gri, me një xixëllimë
sysh të gjilpërtë, që dilte nga një vrimë e dyshemesë, ndalej, më afrohej,
pranonte ndonjë thërrime buke, që ia jepja, por, kur më gjente shtrirë, vinte e
shëtiste nëpër trupin tim. Ia ndieja gudulisjen më shumë në qafë. Nuk doja ta
trembja, prisja derisa të ikte vetë. Seç e thërriste në vrimën e tij dhe ikte
me vrap. Vështrimi i tij përndizej, prushëronte shumë më tepër në sytë e
hetuesit. Kishte shtuar këmbënguljen dhe ashpërsinë. Më goditës dhe primitiv.
Sikur është dobësuar dhe i flihet. Ku do të ketë qenë? Mungoi kaq gjatë! Në
hetuesi të tjera, në ndjekje bandash, me pushime, në pushkatime, jashtë shtetit
fshehurazi? Apo aty, pas derës e më përgjonte, ndërsa unë vërdallisesha i
trallisur kafazërisht? Eh, të kisha çuar miun! Nuk besoj, ai është i mirë, i
gjorë… Si ti…
–
E pse ke frikë të jesh armik? – më ndërpreu sikur unë të kisha kundërshtuar një
blatim.
–
S’kam dhe aq frikë, – i thashë, – por s’jam.
–
Kemi prova. Je kundërshtar, armik, njëlloj janë.
–
Prova janë betejat…
–
Ato pret ti, i pandehur, – më ndërpreu, – por ne jemi fitimtarë! – Dhe u kujtua
të shtojë: – Të ndërtosh socializmin, nuk të duket betejë ty? Serioze,
madhështore! Maskara!
*
* *
Po
rrija më këmbë në mes të qelisë. Nga trupi im vareshin poshtë jo vetëm copa
lëkure të shkruara, por edhe vena të shkulura, të këputura keq, inde, nerva,
fije lidhëse të shqyera me dhëmbë, damarë të përgjakur, nga rridhnin ndjenja
dhe mendime dhe tërë siguria e ruajtur deri më tani. Ndihesha fajtor. U binda.
Kisha qenë. Pse s’ndenja i tërhequr mes qetësisë prej vdekjeje. Pse guxova të
jem normal këtë herë mes çmendurisë së përgjithshme? Dhe po ndëshkohesha me të
drejtë. S’kisha pse të kërkoja falje ose mëshirë. Me shpejtësi trallisëse po
vazhdonte hemorragjia prej vetvetes. Po boshatisesha mrekullisht. Çengela e
ganxha, e kavo, linja të tjera të padukshme që më lidhnin dikur me botën dhe
nuk më dukeshin asgjë, tani qenë këputur dhe unë mes tyre, me këmbët ngatërruar
nëpër to si në një kurth kaotik, kisha shtangur. Nuk ndieja më gjë. Kishin
vdekur edhe valët në ajër. Në një cep të vuajtjes, që kaq shpejt u bë e pakohë,
gjeta përçartjen e një poezie për gjyqin tim. Më priste kjo ditë e ferrit që në
gjallje.
Nëntor 2019