Kulturë » Zhiti
Shkrimtari i njohur analizon debatin Gurakuqi-Nishani
E marte, 05.01.2021, 01:34 PM
Visar Zhiti analizon debatin Gurakuqi-Nishani dhe rrëfen historinë e tij me ish-Presidentin: Kur Rama më propozoi për ambasador, pyeta Bashën dhe Berishën, por pastaj…
NGA
VISAR ZHITI
Në
fund të vitit që lamë pas, bëri përshtypje në media një sulm jo dhe aq i beftë
dhe jo aq i qartë i Bujar Nishanit si ish-ministër i Brendshëm dhe si
ish-President i Republikës, ndërsa mediatika e ditëve të para të vitit të ri
patën kundërsulmin e të sulmuarit, vetëmbrojtjen më saktë, të Romeo Gurakuqit,
intelektual i njohur, pedagog, historian profesionist, veprimtar i demokracisë,
idealist, por dhe ish-deputet dhe ai. Ndërkaq, i dyti hapi gjyq kundër të
parit, i sulmuari ndaj sulmuesit, madje dha një intervistë në “Zërin e
Amerikës”.
Nxitoj
të them se Shqipërisë i munguan gjyqet e domosdoshme, ku të dënohej e keqja,
një “Nuremberg shqiptar” kundër diktaturës dhe diktatorit dhe bashkëpunëtorëve
të tij, gjë e cila e çoroditi politikisht dhe jo vetëm tranzicionin e gjatë
postdiktatorial.
Do
të doja të shkruaja një letër të hapur për kryetarin e Partisë Demokratike,
zotin Lulzim Basha. Çështja është serioze, ka të bëjë me moralin e partisë,
s’ka rëndësi se cilës, dhe më shumë se aq, me moralin qytetar të vendit, edhe
pse është shfaqur në mënyrë ordinere nga mediokër me karrierë partiake dhe mbi
të gjitha duke shkelur ligjet dhe statutin. Nga partitë, opozita dhe pozita,
nga kryesitë e tyre, herë pas here dalin sulme të rënda politike, ku përzihen
mashtrimi dhe amoraliteti, me interes vetjak, fabrikohen shpifje publike etj.,
të cilat mbulojnë korrupsionin dhe krimin siperan. I kujt është interesi? Dhe
këto nuk ndodhin vetëm në pragje fushatash zgjedhore, kundër kundërshtarit
politik, kur dhe si të tilla do të ishin të dëmshme, sepse presim të përballen
programet dhe aftësitë e zbatuesve në ngritje të vendit dhe jo sherret dhe
ligësitë e drejtuesve, cenet dhe veset e politikanëve etj. Sulmet bëhen nga
sipër, për ata që qëndrojnë më sipër si dije dhe punë e moral, shkurt që kanë
dhënë më shumë e japin ende për demokracinë dhe vendin, por që u bëhen pengesë
paaftësive të promovuara dhe korrupsionit galopant.
Dua
të jem konkret, lufta bëhet para nesh, nga ata që i njohim, na njohin, na
vlerësojnë, na godasin prapa shpine, na japin, na vjedhin, na harrojnë, i
harrojmë etj., etj. Në emrin e Romeo Gurakuqit unë gjej qytetarin europian dhe
në mbiemër patriotizmin kombëtar.
Shpifjet
kundër tij si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, kur Bujar Nishani ishte
oficer i ushtrisë së shtetit të atij Sigurimi, u rrëzuan zyrtarisht duke i
nxjerrë të pavlefshme dokumentet që ai hodhi, teksa Autoriteti i Dosjeve
vërtetoi se qytetari Romeo Gurakuqi apo familjarë të tij nuk rezultojnë ashtu
siç akuzonte Nishani.
Si
ish-President i vendit, prej atij pritej, si për çdo President që lë detyrën,
të mbetet moralisht në atë lartësi, të një kryeqytetari, figurë përbashkuese,
garant i Kushtetutës, frymëzuese, e drejtësisë dhe e mbrojtjeve të lirive. Por
Nishani s’ka qenë i tillë as kur ishte President. Përkundrazi, ishte i
përdorshëm, manekin. Vetëm në Shqipëri ndodh çudia që presidentët dalin kundër
qeverive që dekretojnë vetë, Kryeministrit apo ministrave, të cilët e fillojnë
detyrën pasi marrin firmën e Presidentit.
Unë
kam përvojën time bezdisëse me President. E kujtoj, jo për vete, por si dukuri
për të kuptuar se ç’fshihej pas, që ka interes të dihet, për të dalë tek e
përgjithshmja, me shkelje të parimeve, kthim të krahëve institucioneve, kapjen
e kreut të shtetit nga oligarkia, nëpërkëmbjen që donin t’u bënin dhe u bëjnë
të përndjekurve të diktaturës, vuajtjes dhe dhembjes njerëzore etj., duke
zhgënjyer kështu edhe të vetët..
Dhe
në fund shpifja. Politike. Mediatike. Ordinere. Si klimë dhe kulturë. Më keq se
shpifja vetë. Kur Nishani ishte President i Republikës, nisi dhe një katandisje
më humnerore e Presidencës, duke u bërë pjesë e interesave, jo vetëm partiake,
por oligarkike, e klanit të tij, ku ai ishte i kapur. Kam marrë veten si
shembull, sepse kam siguri në atë që them. Po sjell një pjesë nga libri im i
porsadalë “Kartela të Realizmit të Dënuar”.
PRESIDENTI I GABUAR
Edhe
pse puna duket se ka zbritje dhe më të neveritshme. Ka një lakmi si të
përgjithshme për të bërë një barazi në të keqen morale, ? Në vend të një letre të hapur… të gjithë duan të përbaltin të gjithë, ishim
njëlloj mëkatarë, duan të thonë, ashtu si mëkatarët, u bëmë pis njëlloj ashtu
si pisat, u dënuam njëlloj ashtu si të burgosurit, kur s’ishin njëlloj as
dënimet dhe as privilegjet.
Në
postdiktaturë, veglave të mbetura të diktaturës u duhet dhe u pëlqen si më parë
të pengojnë, të mos punohet, koha të merret me ata, të qëndrojë me ata, për
ata, duke i pasur në krye si dikur etërit e tyre. Dhe kultura të jetë po ajo,
me ata shkrimtarë e artistë që bëri partia e tyre, të tjerët nuk na duhen.
Suksesin
tani e gjejnë te shpifja, propaganda dhe zbulimet e rreme, shtoji dhe
kompleksin e Stockholm-it, gjithmonë me adhurimin e dëmshëm për atë sistem dhe
rend që iku. Hidh akuza false për të barazuar gjithçka me veten e tyre të dikurshme.
Dhe këto veprime jo se i bën vetëm ndonjë studiues a gazetar i paguar, deputet
me vota të blera, ndonjë ziliqar, sa dështak, po aq dhe i zellshëm a televizion
privat oligarkik, por arrin në majë, deri te President i Republikës.
Turpi
dhe rënia janë kombëtare.
***
Jo
se Presidenti i Republikës gaboi, por ishte gabim i përsëritur ai lloj
Presidenti, që shkëlqente bezdisshëm nga mediokriteti i keq dhe paaftësia, ku
nga njëra anë flisnin për të persekutuarit, edhe i dekoronin, sidomos po të
ishe i vdekur, bashkë me ta dekoronin dhe persekutorë të shquar, ndërsa të
gjallët harroheshin, nëpërkëmbeshin dhe pengoheshin, sidomos po të ishte
shkrimtar, arrinin dhe në sulme të dënueshme, por kush mund t’i dënonte?
Bujar
Nishani, i edukuar si të gjithë, nëse mund të quhet edukatë, me mësimet e
partisë dhe të shokut Enver, siç thuhej atëherë, bëhet oficer i ushtrisë së
diktaturës, madje dhe pedagog-oficer i oficerëve të ardhshëm në shkollën e
bashkuar që mbante emrin “Enver Hoxha”, ku ishte dhe shtatorja e diktatorit në
oborr dhe do të ishte dhe ai mes atyre me kallashnikov në dorë që pikërisht atë
shtatore donte ta vendosnin atje, në sheshin “Skënderbej”, më i madhi dhe
kryesori i kryeqytetit, mbi piedestalin e mbetur bosh, ku populli i revoltuar
sapo kishte rrëzuar shtatoren e përbindshme të diktatorit, ku kishin mbetur ca
hekura si paterica të thyera. .
Kjo
sindromë e zëvendësimit të një statuje të madhe të Enverit me një statujë më të
vogël po të Enverit ndoshta shpështolli kompleksin katovician që Enveri të zëvendësohej
herë pas here me dishepuj, natyrisht më të vegjël se ai, madje dhe se Ramiz
Alia dhe u katandis puna që në krye të vendit të vendoseshin karikatura të
Enverit. Dhe i erdhi radha Bujar Nishanit, që u mahnit dhe vetë se si u gdhi
një ditë i pari i vendit, President i Republikës.
Që
të mos zgjatem, ajo mendësia e tij forcashterur u përndez vagëllimthi që të
bënte si dikur, të paktën në disa aspekte të luftës se klasave në kushtet e
demokracisë. I doli përpara një ish i burgosur, i dënuar për poezi dikur,
gazetar dhe shkrimtar tani, i përkthyer dhe në gjuhë të tjera, me çmime, madje
dhe me një dekoratë që ia kishte dhënë po ai, me vlerën sa dhënësi etj., etj.,
dhe, meqenëse iu bë pengesë për planet e tij oligarkike, hodhi mbi të urrejtjen
presidenciale, duke marrë hakën e Enverit, duke shpifur llapaqenëshe si ai.
Meqenëse
s’gjeti dot ndonjë “kleçkë’ në biografinë e tij, nuk ia luante dot integritetin
prej ish-të burgosuri politik dhe poeti edhe në burg, pasi i thanë zyrtarisht
ata të Autoritetit të Dosjeve se në dosjen e tij jo vetëm që s’ka asgjë të
dyshimtë, por, përkundrazi ka një kartelë që dëshmon se ka refuzuar të jetë
bashkëpunëtor i Sigurimit famëkeq të Shtetit, atëherë, si një revansh për
kolegët e tij oficerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Presidenti
Nishanlli shpifi diçka që s’ekzistonte, tha që ai, ish-i burgosuri politik dhe
poeti, kishte bashkëpunuar me zyrën teknike të burgut, personeli i së cilës
ishte po me të burgosur, por në shërbim të komandës, dhe këtë e vërtetonte me
një mesazh anonim disa fjalësh që i kishte ardhur në celular, që, ja, sapo i
mbërriti. Dhe e botoi në gazetë foton e ekranin të celularit të tij të zi.
Presidentit kështu. Sikur nuk kishte shtetin në dorë ai. Dhe zgjodhi më të
kotën, vogëlanen, grotesken, siç është dhe vetë dhe klani që rrinte mbas tij..
Bashkëvuajtës
të mi, shokë të Spaçit dhe të Qafë-Barit dhe jo vetëm ata, iu vërsulën
Presidentit me të shara si në burg, siç iu vërsulën oficerëve në revoltë.
Gënjeshtar ordiner, i thanë, e plot të tjera me zhargonin e burgut, që s’i
përsëris dot këtu, na ke fyer të gjithëve, i thoshin, p-l-e-h-r-a, bërtisnin me
plot gojën si rebeli plot dije Petro Zheji.
Kartelën
me emrin tim, ku shënjohej refuzimi im për të qenë bashkëpunëtor me të keqen, e
nxori së pari botuesi im Luan Pengili, ndërsa shkrimtari Agron Tufa, drejtor i
Institutit të Studimeve të Krimeve të komunizmit, e botoi po në atë gazetë ku
Presidenti kishte botuar mesazhin e tij të zi si vazhdim i atyre krimeve.
Ishte
fyerje dhe mjerim për të gjithë, kur një dështak i zakonshëm bie dhe ku? Në
poltronën e Presidentit..
***
Kam
qenë për hapjen e dosjeve, e kam trajtuar këtë çështje që në fillimet, që kur
isha gazetar në të parën gazetë opozitare “RD”, duhej bërë me kohë hapja e
dosjeve të diktaturës dhe të diktatorit, të bashkëpunëtorëve të tyre,
politikanëve të vjetër dhe të rinj. Të fillonin me presidentët, kryeministrat,
ministrat, zëvendësit, deputetët, oligarkët, që më së shumti së bashku vijnë
nga nomenklatura e vjetër. Nga ajo e dyshimta, vrastarja. Pse? T’u hapeshin
dosjet intelektualëve që po bëheshin publikë. Shkrimtarëve, se shkrimtarët janë
dënuar dhe me shkrimtarë, të njerëzve të artit dhe jam i pari që kam shtruar
çështjen kështu:
Në
anë të emrit të çdo bashkëpunëtori të Policisë Sekrete, spiuni, në listë të
vihet në krah dhe emri i atij që e bëri ata të tillë, si, me ç’torturë. Të
shihej se sa dëme kanë sjellë, secili, të gjithë.
NGA LIBRI NË REALITET
Nuk
është çështja të dalësh i pafajshëm apo i pastër nga akuzat e Bujar Nishanit,
kjo nuk është e vështirë, por të gjejmë dhe të pengojmë që pse në kohë krizash
ekonomike, politike e morale, pikërisht atë ose si ai i bëjnë President. Duke
mos dashur të bëjnë ndonjë gjë për ndryshimin, vendoset në krye një asgjë, që
befas e kap një marramenth, që e mban gjatë, gjatë gjithë mandatit, se, pa e
parë as në ëndërr, në një mëngjes i thonë: ti je President. Bëhet dhe sikur
votohet. E si të mos bëhet ky lloj Presidenti i emëruar ombrellë e atyre
interesave, që e vunë duke ndërkallur dhe të vetat?
Në
qartësim të kësaj që nisa, Presidenti i Republikës më akuzonte mua, një qytetar
të Republikës, me provë celularin e tij që e nxori si revole, për qëndrimet e
mia në burg, që më mirë se ai e dinë bashkëvuajtësit e mi, e ka dosja ime. I
jap të drejtën çdo gazetari, kujtdo, që do të donte ta hulumtonte. Ndërkaq, po
ai vetë/Presidenti, e përsëris, më kishte dekretuar për ministër Kulture më
parë, madje dhe më parë akoma më kishte dhënë atë dreq dekoratën e tij,
“Mjeshtër i Madh”, që unë e pranova, e kam treguar, nga shkaku i
bashkëvuajtësit tim, këshilltar në presidencë, shkrimtarit Amik Kasoruho, që,
në fakt, ai duhej të ishte Presidenti dhe mbase Nishani kujdestar i rojeve përreth
deri sa të hiqej mbas ndonjë shpifje të përsëritura.
Nejse,
unë desha ta ktheja atë dekoratë, por nuk e gjeta, s’mbaja mend ku e kisha
hedhur, por ia thashë që kur ishte President. Puna jote, – më tha, sikur të mos
kishte qenë puna e tij. Dhe e vazhdonte fushatën kundër meje, kur unë isha
shembur nga tjetër gjë, nga tragjedia e fatit tim. Një dehumanizim të tillë
kisha parë vetëm në burg dhe jo nga të gjithë oficerët, kolegë të Nishanit. Por
duke qenë ai President, ky dehumanizim administrativ i kalonte dhe vendit, për
fat të keq.
Shqetësimi
im tani nuk është për mua, por më përtej, për të tjerët, për të vërtetën,
çështjen. Nuk ka më rëndësi që ai nuk dekretoi për ambasador në Vatikan as mua
dhe as para meje intelektualin e njohur, studiuesin, autorin e shumë librave
filozofikë, Ardian Ndreca, profesor në një nga universitetet papnore në Romë.
Por pse? Ç’prapaskena luheshin dhe luhen? Që si epilog u vinin një shpifje. Kur
ma propozoi Kryeministri i vendit, Edi Rama, unë e bisedova dhe me kryetarin e
PD-së në opozitë, Lulzim Basha, dhe me dr. Berishën, Kryeministrin e qeverisë,
ku kisha qenë pjesëtar së fundmi.
Për
të qenë korrekt me të gjithë. Me moralin e detyrave që lija dhe të atyre që do
të merrja. E kam treguar dhe në një libër tjetër timin, që ata jo vetëm më
siguruan mbështetjen, që besoj se ka qenë utilitare dhe për ta dhe e sinqertë,
në kundërshtim me ‘thonë të tjerë, se dhe grupi parlamentar i marrëdhënieve me
jashtë e miratoi propozimin për mua në unitet, si pozita dhe opozita, siç
rrallëherë ndodhte. Po pse s’deshi Nishani përsëri e përsëri?
Ç’ishte
më e fortë se partia nga kishte dalë ai për President? Po nga Ministria e
Punëve të Jashtme? Po nga Kryeministri që e kishte dekretuar po vetë? Po nga
Parlamenti që e kishte votuar? Po nga media? Dhe, më e rëndësishmja për mua, po
nga ajo shtresë që vinte nga persekutimet, që solli moralin e munguar, atë të
qëndresës ndaj së keqes dhe kulturën e saj, kur shoqatat e ish-të burgosurve
politikë i kishin dërguar letër që ai, Presidenti, të miratonte si një
përfaqësues i tyre. Ndërkaq, edhe Vatikani vetë, në të kundërt me parashikimin
e Presidentit, më mirëpriti hapur dhe pata fatin të bashkëpunoja deri dhe në
shenjtërimin e Nënë Terezës sonë.
Ç’djallin
ishte më e fortë se të gjitha këto? Dukja e ngrehinës shtetërore, Presidenca në
krye të saj, binte dhe pashë oligarkinë, që kishte kapur për fyti vendin. Një
shtet vrastar brenda shtetit. Po ku ishte kapur në prapaskenë Presidenti? Peng
i cilit klani ishte? A vazhdon të jetë? Vetëm është? Si munden që nuk i shërbejnë
detyrës së lartë, por e vënë atë në shërbimin e tyre të ulët?
Me
mua ato zbulohen, por kundërveprimi duhet të jetë i shoqërisë, politik, moral,
ligjor, gjyqe, protestë, pa u harruar “Nurembergu shqiptar”, i pari, sado vonë
qoftë. Me Presidentë si Nishani janë gjallëruar dhe kryepolicët e burgjeve,
kryeprokurorët e diktaturës duke i sulmuar dhe tani ish-burgosurit e tyre
politikë, duke rikthyer kulturën e barbarisë.
Unë
ndiej shkrimtarin brenda vetes, këtë s’ma heqin dot presidentët dhe asgjë më. Dhe
s’kam ndonjë inat që të më mbajë gjatë me Nhishanin dhe nishanët. Përkundrazi,
ata janë personazhe interesantë që shpjegojnë kohën e lirisë që po përjetojmë,
për të mos thënë që po vuajmë idealisht. Ai, ata, i duhen letërsisë, ka filluar
që t’i fusë në burgun e saj.
Po
partisë i duhen? Demokracisë së saj dhe të vendit?
Nëse
kjo do të ishte letër e hapur për kryetarin e Partisë Demokratike, do t’i
thosha që ka një aluvion rëndues nga e kaluara, mendësi dhe praktika, se
shpifjet dhe nishanët nuk janë rastësi, të shikohet. Është krijuar, si një
antikulturë, kultura e mashtrimit, e shfaqur banalshëm nëpërmjet politikës së
shpifjeve kundër vlerave dhe të vërtetave, kundër moralit, duke cenuar
qytetarinë e gjithsecilit, që dobëson
qëllimin e përbashkët, mirëqenien mendore që kalon në atë ekonomike, në
ngritjen e vendit, për të cilën sakrifikohen të gjithë, programet i bën
propagandë të dyshimtë, kur mendon se me kë do të zbatohen.
S’është
fjala thjesht për Bujar Nishanin, që ndoshta ashtu vepron se aq di e do, thënë
hapur nga papërgjegjshmëria, që e shquan. Por të lejuarit e tij mos është
mision destabilizues, pa e kuptuar as ata që përdoren për atentate kundër
demokracisë me kallashin e shpifjeve, si atëherë ata që e mbanin gati për të
rivendosur shtatoren e diktatorit dhe djallit të tyre, që populli dhe historia
e shkuli dhe e zvarriti dhe e hodhi ku e meritonte. Po dishepujt e Enverit, që
po gëlojnë gjithkund, në pozitë dhe opozitë?
Bujar
Nishani na qenka dhe në grupin që përzgjedh kandidatët për deputetë të Partisë
Demokratike. Ç’është ky grup skulpturor me fantazmën në mes, si të ardhur nga e
kaluara kundërshtare e demokracisë? Me të përzgjedhurit e nishanëve do të të
fitojë shpresa opozitare? Duke larguar autoritete të shkencës si doktor Halim
Kosova? Dhe i kërkojnë pushim absurd liderit historik, kur ai është shumë e më
shumë se ata. Nuk mund të përzësh ata që s’duhen, duhet të bien vetë. Dhe e
vendos vota e sovranit popull. Sa pa u bërë vonë më shumë, duhet parë në sy,
rreptë, gjendja që na rrethon.
Kryetari
i opozitës më të madhe të guxojë për interesat e partisë që drejton, të
opozitës demokratike, se klani i Nishanit i ka nisur më herët përgatitjet për
nishanët dhe kjo s’është hamendje, por rrezik, që vetëm madhohet kangrenshëm.
Nëse pozita socialiste merr nga “Blloku”, opozita demokratike nuk duhet të
marrë nga oficerët e atij “Blloku”. Prandaj dhe u mbyllet perspektiva shumë nga
punëtorëve të mëdhenj të PD-së dhe krijojnë parti tjetër demokratike, a ikin
fare.
Po
përgjegjësia dhe dëmi moral që pësohet, por dhe dëmi real, duke zhgënjyer
falanga votuesish? Demoralizohet puna, ideali dhe frymëzimi për arritje,
krijohet përçarja dhe do të mbizotërojë sërish urrejtja si vazhdim i luftës së
klasave. A do ta shqyrtojë PD-ja precedentin përsëritës “Nishani”, kryetari i
saj, kryesia, këshilli drejtues etj., deri edhe anëtarët më të thjeshtë, ata të
ndershmit, të varfrit, sakrifikuesit, që mbas çdo fitoreje braktisen të parët?
Pse
Bujar Nishani shpif edhe për përbrenda partisë si rasti më i fundit për
profesor Romeo Gurakuqin, që me të tjerë si ai, të përkushtuar të heshtur, janë
shtyllë morale në PD. Mos duan t’i lëkundin këto shtylla? Që nëse janë anuar si
për të rënë, t’i drejtojnë. A do ta ndëshkojë partia shpifjen të paktën? Dhe
pastaj dhe shpifësit politikë, që duke flakur kapotat e përbaltura staliniste,
që ua dhuroi Enveri apo klani i tij, kanë uzurpuar tashmë ç’duhej, duke iu
bashkuar gjithmonë pushtetit që fiton, për të keqen e të gjithëve. A do ta
marrin nishanët partinë? Apo e kanë marrë? Mos po pritet marshimi triumfal i
tyre kudo?
Nuk
do të mjaftonte vetëm falja, që kërkon profesor Romeo Gurakuqi. Por si të
shërohet shoqëria demokratike nga dukuria “Nishani”? Kur Presidenti, para
mandatit, gjatë mandatit dhe pas mandatit, është thjesht palë, pjesë e oligarkëve,
noterizues i interesave të tyre, shkelës i Kushtetutës deri dhe i dinjitetit
qytetar etj., etj. Ku janë të rinjtë opozitarë të së keqes, të shkolluar mes
vështirësive në universitetet e varfra të vendit, por dhe në Europë e Amerikë,
me dije dhe shpirt? Qytetarët që u mbijetojnë halleve me dinjitet? Shoqëria
civile? Apo kudo ka rënë hija e kapotës së nishantë?
Edhe
shqiptarët e diasporës, në Europë e SHBA, janë të shqetësuar dhe i ndjekin me
vëmendje zhvillimet në vend. Vatranët e Amerikës kërkojnë transparencë për
çështjen e kufirit detar me Greqinë. Por nuk duhet harruar kufiri i njerëzores
dhe çnjerëzor në vend. Ndryshe do të humbë shumëçka. Kjo është një letër e
hapur për të gjithë.
Në
qëndrimet dhe zgjidhjet e çështjeve të tilla varet e tashmja dhe e ardhmja e
mbetur, jo vetëm e partive, të opozitës dhe jo të opozitës, por më e
rëndësishmja, e gjithë vendit, që s’po ndahet dot nga e kaluara që e shtypte
lavdishëm dhe nga tranzicioni me shtypësit e konvertuar, para dyerve të ëndrrës
euroatlantike. Të shohim… A mund të fillohet me Romeo Gurakuqin President?
Marrë nga panorama.com.al