Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Intervistë me profesorin ukrainas, poetin Dmytro Chystiak
E marte, 15.03.2022, 08:50 PM
AI NUK IKËN, DO TË QËNDROJË NË UKRAINË.
ËSHTË
LUFTA PËR EUROPËN…
- 7 pyetjet e poetit Dmytro Chystiak –
Nga
Visar Zhiti
Ai
nuk ikën, do të qendrojë në Ukrainë. Është në Kiev, në shtëpinë e tij, i ka
mbuluar dritaret me libra që të mos kuptohet brendësia e asnjë dhome, të mos
tërheqë vëmedjen e bombardimeve të mundshme, tank apo avion, çdo çmenduri
qoftë, që po vjen nga Rusia.
Ai
nuk është mbyllur në shtëpinë e tij për t’u fshehur, përkundrazi, është i
lidhur jo vetëm me miqtë e shumtë që ka, por dhe jep intervista hapur në
televione të ndryshme të Europës dhe tregon për luftën e pushtuesit rus dhe
luftën e bashkatdhetarëve të tij në mbrojtje të Ukrainës, jo vetëm tregon, ai
po lufton dhe vetë me përkushtimin, bën jo vetëm qendrestarin heroik, por dhe i
bën apel heronjve dhe botës, Ukraina nuk është vetëm vendi i tij që po lufton
me pushtuesin, por dhe pragu i qytetërimit europian, i kërcënuar nga ringjallja
e atij përbindëshi perandorak me ëndrrën e keqe sovjetike.
Dikur
e luftuan së bashku bishën naziste, që pllakosi Europën, tani Rusia po bën atë
që pësoi në Luftën II Botërore. Mos po kërkon ta risjellë atë luft:e q:e do të
jetë apokalipsi i botës.
Për
më shumë shpresë, po shkoj në dritaret e shtëpisë së Dmytro-s, aty janë dhe mbi
65 librat e tij, të botuara në Ukrainë dhe në vendet e tjera, ku është
përkthyer poezia e tij, jo vetëm pranë atdheut të tij, në Azerbaxhan e Rumani,
etj, por në Francë e Itali, etj, në gjuhët e Ballkanit, në Serbi e Kroaci e
Maqedoninë e Veriut (e Jugut për ne), etj,
dhe para ca ditësh edhe në shqip nxora disa poezi të tij në disa në
media dhe tregoja që përveçse shkrimtar i njohur, ai është dhe historian i
artit dhe i religjionit, kritik letrar, frankofon i shkëlqyer dhe përkthyes,
profesor në Universitetin Kombëtar të Kievit, që mban emrin e poetit të tyre
kombëtar “Taras Shevchenko”. Dmitry Chystiak është antar në Qendrën Evropiane
të përkthimit letrar në Bruksel, përgjegjës në Shtëpitë botuese ukrainase
"Summit-Knyga" dhe asaj franceze "L'Harmattan". Është dhe
Sekretar Ndërkombëtar për Letrat e Akademisë në Universitetin Europian të
Shkencave, Arteve dhe Letrave të Parisit. Është emëruar si Kreu i Urdhrit të
Arteve të Ukrainës dhe Kalorës i Urdhrit Francez të Palmës akademike, etj, pra
është fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare dhe tani, çdo ditë po merr çmimin më
të lartë të Njeriut, të ndërgjegjes dhe moralit, jo vetëm të atdheut të tij, por
të mbarë njerëzimit.
Është
ende burrë i ri, me një fytyrë e pastër që di të qeshë përzemërsisht, edhe
tani, siç e kanë parë në intervistat televizive për luftën kundër luftës.
Kështu e njohëm, serioz dhe të qeshur ose të qeshur seriozisht në Festivalin e
Poezisë në Como, në Itali, që tani i duket sikur i përket një kohe të largët të
një jete tjetër.
Megjithëse
tejet i ngarkuar me tragjeditë që ka sjellë lufta te dera, që edhe pse s’ka aq
shumë ditë që ka filluar, duket si prej shekujsh, Dmytro Chystiak, aty në
shtëpinë e tij nën gjëmimet e rënda përmes shkatërrimesh dhe vrasjes gjen kohë
të përgjigjet, fisnik dhe në mesazhet që marr, falënderon për dhembshurinë
vëllazërore dhe shqetësimet, për atë ankth që s’ia themi dot se mos vjen ai,
çasti fatal ogurzi, kur nuk do të përgjigjet dot, që ai vetë e përmend sypatrembur,
madhërishëm.
Ja,
sapo më shkruajti: “In Kyiv time is hard, today a house 10 mn from mine destroyed by rocket, but we still hoping
to survave...” (Në Kiev koha është e rëndë, sot një shtëpi 10 minuta larg times
u shkatërrua nga një rraketë, por ende shpresoj të mbijetoj... Ora 6.34 pasdite
me orën e Shqipërisë, 14 mars).
Tronditëse!
Lutemi për të dhe Ukrainën e tij.
Ka
7 pyetje të shkurtëra përpara siç janë urdhrat në luftë, dhe ai po ashtu
përgjigjet si në luftë, me informacionin e domosdoshëm për këdo, dhe për
shqiptarët tani. I qarta si rreptësia. Me dije dhe qytetari. Brenda përgjigjeve
ka guxim dhe shpresë, por fshihet dhe qortimi i përmbajtur i luftëtarit, me
kumte të rëndësishme për sot dhe të ardhmen, jo vetëm të vendit të tij, ka dhe
poezinë, me dashurinë njerëzore që beson të ketë fuqi të përtejme, që i mposht
të gjitha vdekjet.
Fjala
për Dmytro Chystiak që nga lufta:
Si është gjendja në
Kiev?
Sigurisht
që jeta jonë ka ndryshuar gjatë këtyre 18 ditëve të luftës. Bombardime natë e
ditë, vështirësi nga më të ndryshmet, por në krahasim me qytetet e tjera, Kievi
është i mbrojtur mirë: kemi energji elektrike, ujë dhe gaz, shitoret dhe
farmacitë janë të hapura.
Sulmet
masive të trupave ruse i kemi ndalur në rrethinat dhe tani ata duhet të
përballen, edhe pse kanë marrë aty kontrollin e përkohshëm. Ne presim sulme të
reja pas përforcimit të trupave ruse, por ato nuk do të jenë aq aktive sa sulmi
i parë në fund të shkurtit dhe do të shtyhen gjithnjë e më pas nga ushtria
ukrainase.
Gjendja
në rrethinat e kontrolluara nga trupat ruse është dramatike: njerëzit vriten,
dhunohen, grabiten shtëpitë, muzetë, kishat shkatërrohen nga sulmet ajrore dhe
artileria. Mijëra e mijëra njerëz janë shpërngulur në Kiev dhe rajone të
tjera. Po kështu dhe nga qyteti i
Irpinit që më parë ishte qendra e jetës kulturore dhe letrare, ku ne
organizonim festivalin letrar ndërkombëtar Koçur. Tani atje duket se është një
jetë tjetër…
Çfarë mendoni për
Presidentin Tuaj Zelenski?
Njerëzit
tanë në përgjithësi e mbështesin pozicionin e Presidentit Zelenski dhe të
ekipit të tij. Disa diskutime që më parë ishin shenjë e shoqërisë demokratike
në establishmentin politik Ukarainas, janë harruar tani për të përqendruar
forcat sëbashku dhe për të shkatërruar pushtuesin.
Çfarë mendoni për atë që
quhet Putin?
Putin
bëri një tjetër gabim të madh që do ta konsolidojë totalisht kombin ukrainas në
rezistencën e tij ndaj të ashtuquajturës "botë ruse" me tentativat
për gjenocid të popullatës sonë, që e shohim në vende të ndryshme si Mariupol,
Kharkiv, Okhtyrka. Ai vazhdon politikën e Perandorisë Ruse dhe përpjekjet
sovjetike për të shkatërruar kombin tonë, përpjekje që nuk patën sukses. Ne e dimë tashmë se lufta do të jetë një
disfatë për të dhe për vite e vite nuk do të ketë më bashkëpunim të mundshëm
mes vendeve tona.
Kufiri
midis Evropës dhe Azisë do të jetë kufiri ynë.
Por përparimi historik nuk mund të ndalet. Vizioni i Putinit për botën
është nga e kaluara dhe regjimi i tij duhet të shkatërrohet siç u shkatërrua
Kartagjena. Nëse jo, ka për të qenë një kërcënim i vazhdueshëm për botën e
qytetëruar.
A keni frikë?
Kur
shohim miliona ukrainas që luftojnë në
ushtri, në forcat e mbrojtjes territoriale, në lëvizjen vullnetare, kur
dimë se sa njerëz humbën familjet dhe shtëpitë e tyre, kur bombat fluturojnë
ditë e natë, nuk ka kohë për frikë, por më së shumti si t'i ndihmojmë
bashkatdhetarët tanë që ta përfundojnë këtë luftë me fitore.
Unë
e kuptoj më mirë përvojën e gjyshërve të mi që luftuan në Luftën e Dytë
Botërore, ata e humbën frikën në atë epokë dhe kjo e ndryshoi gjithë jetën e
tyre.
A jeni i vendosur për
qendresën?
Unë
mendoj se shumica e ukrainasve po bëjnë çmos për të mbështetur bashkatdhetarët
tanë për ta ndalur luftën dhe ne këtë po bëjmë tani. Kam marrë shumë propozime për t'u larguar nga
Kievi për në Evropë, Amerikë dhe Azi, por mendoj se është më e dobishme për
tani të qëndroj këtu dhe të ndihmoj Ukrainën që lufton me të gjitha mundësitë
që kam.
Çfarë mendoni se si po
sillen Europa dhe NATO?
Kohët
e luftës tregojnë gjithmonë të vërtetën në botë dhe në jetën e përditshme:
cilët janë miqtë tuaj të vërtetë dhe cilët janë spektatorët, cilët janë armiqtë
tuaj dhe cilët nuk janë më miqtë tuaj.
Ukraina
falënderon të gjithë miqtë jashtë që na ndihmojnë me çdo mjet, megjithëse
mijëra e mijëra civilë vriten nga avionët ruse, sepse qielli nuk është i
mbyllur. Ju gjithsesi duhet ta kuptoni se, nëse Ukraina humbet, lufta do të
vazhdojë në Evropë. Mundësia e katastrofës bërthamore në Çernobil dhe
Energodar, të kontrolluar nga trupat ruse, është gjithashtu e mundur. Ndërkaq
unë e di se me shekuj Ukraina ka qenë një pjesë organike e Evropës dhe më pas
me shekuj e dominuar nga Rusia aziatike, gjë që ka ndikuar shumë tek ne. Por
Revolucioni Portokalli, Maidan (Revolucioni pro europian më 2013-2014 në
Ukrainë, shënim im, V. Zh.) dhe Lufta më sigurojnë që ne jemi kthyer tashmë në
qytetërimin evropian. Është vetëm çështje kohe.
A do të tregoni për këtë
luftë në veprat tuaja të ardhme?
Unë
mendoj se një shkrimtar duhet të përjetojë katastrofën për të kuptuar çmimin e
jetës, të së vërtetës dhe të gënjeshtrës, të dritës dhe të errësirës. Nëse
mbijetoj, jeta ime dhe puna do të ndryshojnë me siguri. Ajo në fakt tashmë ka ndryshuar.
Kiev, mars 2022