Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Ata erdhën me ariun në krye
E diele, 10.04.2022, 07:22 PM
ATA ERDHËN ME ARIUN NË KRYE…
-pjesë
nga romani i porsa përfunduar-
Nga
Visar Zhiti
(Ka studime që romët dhe ciganët i shohin si i
njëjti popull, gjithsesi janë të mrekullueshëm…)
Në ditën Botërore të
tyre.
Me tre skica nga miku
im,
piktori i njohur Gjergj
Kola.
NDOSHTA
ESTRADA E PARË:
Porta
kryesore e shtëpisë tonë ishte e hapur, ashtu e mbanim shpesh, kur ia behën
ata. Ariu në krye, mbase pashë atë të parin, kryearixhiu me nja dy gra me def,
me qenin, një kalë, ku kishin ngarkuar çadrën e ca thasë e në fund një vajzë e
hollë, me sytë si bajame, i shkëlqenin, o Zot si fosfori, kisha parë në pyll
drunj fosforeshentë, që të trembin natën, xhindi. Ajo i kishte flokët e gjata
deri te vithet, gjinjtë e vegjël si dy mollë të pa bëra, por mos i këpusni, na
bërtiste babai, prisni dhe ca, por ç’të prisnim, ashtu na haheshin, aguridhe, e
gjunjët e saj të brishtë, me fustanin me xhepa e ngjyra shumë, e zbathur. Më
pa. Ndjeva një si të ngjethur.
Dhanë
shfaqje në oborrin tonë në mesditë, kishte dritë dielli me bollëk, u ranë
defeve si diej të vegjël në duart e tyre plot ringla-xhingla, kërcyen me
delikatesë të çthurur, ariu ngrihej në këmbë me zinxhirin të lidhur prej hunde,
i thoshin “kërce!” në gjuhën e tyre dhe ai kërcente i plogët, sa gjynah. Vajza
këndoi në fund me plot hare, lëkundte trupin si një lis i hollë nga era më
dukej, vallëzonte lehtë, plloçat poshtë këmbëve të saj do jenë ngrohur e do
jenë plasaritur nga qejfi.
S’kisha
dëgjuar ndonjëherë kështu. Estrada e parë që po shihja në jetë, e gjallë. E
mrekullueshme. Po e shikonim të gjithë. Në poltronët në mes ishin ulur babai me
nënën, ajo vërtet sikur mbretëronte me kapelën me fjongo në prehër. Përreth
tyre ishin më të mëdhenjtë, xhaxhallarë e graria, vëllezërit e fëmijët dhe unë
në këmbë, që shikoja gojë-hapur vajzën që këndoi.
Babai
u dha ciganëve drekë, hëngrëm së bashku, u tha që të rrinin, të çlodheshin sa
të donin dhe u liroi konak, atë më të mirin e miqve.
Kur
u bë qetësi e madhe, po dremitnin të gjithë, unë dola, desha të shoh ariun, e
kishin lidhur pas arrës, kishte kashtë ku mund të shtriqej. Ariu m’u duk aktor
i shkëlqyer, megjithëse atëherë, besoj, nuk e dija fjalën aktor. Në të vërtetë
kisha dalë se mos shikoja vajzën cigane. Bukuroshe. Si në përralla! S’kisha
parë si ajo. Ma ato buzë të kuqe si qershitë.
Frynte
puhiza e grykës në portën e madhe. E mbylla që të bëja ca zhurmë, të merrej
vesh që unë isha aty. Dhe vërtet nga dera anësore e kullës doli ajo.
-
Të pashë nga dritarja, - më tha, - e dija që do të shikoja.
-
Edhe unë, doja... - thashë dhe e ndjeva që u skuqa, se më vërshoi gjaku në fytyrë.
Ajo buzëqeshi. As nëna ime nuk buzëqeshte ashtu aq ëmbël. Më me dhimbsuri po.
-
Ku mund të vemi, - foli dhe më kapi prej dore.
-
Te plevica dimërore, aty s’vjen njeri tani.
Dhe
ashtu bëmë. Derën prej thuprash e sigurova me një hu, që dhe nëse do vinte
ndonjë të na kërkonte, do të kishim kohë të dilnim nga dritarja pas, te
veriçkat e drejt e në përrua. Të paktën vetëm unë. Dhe përmes shkurreve
kthehesha.
-
Si të quajnë ty? – më pyeti me zërin e ngrohtë si një zog. Ishim ulur pranë
barit të thatë.
-
He-hek...uran…
-
E përdorim dhe ne, - më tha.
-
Po ty si të quajnë?
-
Lejla.
-
Si kënga jote, - thashë.
-
I kupton të gjitha, - ma ktheu, - nuk je dhe aq i vogël...
-
Mbase, por kam dëgjuar që toka është e rrumbullakët dhe rrotullohet, këtë s’e
kuptoj.
-
E ç’e do, - m’u afrua Lejlaja dhe më pëshpëriti. Si i zbardhëllyen dhëmbët! Si
bajamet, kur ua heq atë cipën...
–
Dëgjo, - iu lëngëzua zëri asaj, -
...........................................................
Do
vijmë prapë, sa të jemi këtu, - më tha, - po ti mos i thuaj njeriu. Se s’na
lënë të takohemi... Më puth! Dhe po dal unë e para, që të mos kuptohet...
Kur
ikën ciganët, u trishtova shumë. Lejlaja e ktheu një herë kokën para se të
humbnin monopatit teposhtë. Përgjithmonë.
Që
të mos mërzitesha, vëllai i madh i tha babait që të më gjente një ari. S’fola.
Ai kështu deshi të na ngacmojë të dyve. Shkova te plevica pas, po nuk qava. Do
ta kërkoja Lejlanë.
Dhe
po mendoja se si mund ta befasoja atë, do ta mbuloja fytyrën me gjethe apo do
vija brirë dreri, do t’i thosha që s’jam unë...
Gjergj
Kola - “Portreti i atij…”
Gjergj
Kola -“Valle prej ere”
Gjergj
Kola - “Pylli nga ikën''