Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Shkurt dhe ç’është Drejtësia
E marte, 01.02.2022, 08:00 PM
SHKURT
dhe ç’është Drejtësia…
Nga
Visar Zhiti
Muaji
i dytë i dimrit, më i pakti, por mbase më i acarti dhe në Kalendarin e Atjonit
është një pikturë me ngjyrat e tij, konkrete me ibrikë e gota çaji si për
ngrohtësi dhe një copëz gazete në sfond me shqetësimet e ditës.
Piktura
është e ndarë në tresh për të dhënë trininë tonë.
Citati
në tre gjuhë, i nxjerrë nga libri i Atjonit - student filozofie, “Pêr atë që
dua(m)” sjell një koncept ndryshe e të gjerë të Drejtësisë, që s’lidhet aq
shumë me kushtetutat e gjykatat. “Është ai princip, ku çdokush bën vetëm ato
gjera që prej natyre e ligji është thirrur të bëjë”. Edhe këtu sikur ka një
trinitet, sipas nesh, të bësh atë për të cilën je i aftë, që e ke natyrë, që
është dhe shoqërisht e ligjshme dhe vetëm kur je i thirrur për këto. Thirrja
vjen nga lart. Është dashuri… Sa e sa herë ne të gjithë duam të bëjnë ato, për
të cilat s’jemi të aftë e s’dimë e s’duhen e nuk na i ka kërkuar kush e jo më
të jemi thirrur… dhe kështu pllakos një padrejtësi e çmendur gjenerale deri në
mizori.
Patjetër
të mësojmë nga bijtë dhe bijat, ndoshta më shumë se nga të gjithë!