Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: 'Burgjet' e Dom Simon Jubanit
E shtune, 06.08.2022, 08:00 PM
NGA THELLËSITË E FERRIT
PASHË JEZUSIN NË KRYQ
“BURGJET…” E DOM SIMON JUBANIT
-
shkëmbim mesazhesh me botuesin e ri -
Nga
Visar Zhiti
Që
libri “Burgjet e mia” i Dom Simon Jubanit doli dhe në gjuhën angleze, me një
titull si varg lutjeje “From the depths of hell I saw Jesus on the cross” (“Nga
thellësitë e ferrit unë pashë Jezusin në kryq”), besoj, nuk janë shumë veta që
e dinë. Po që është përkthyer nga frëngjishtja, pra, paskësh qenë i botuar dhe
në Francë, prapë janë pak ata që e dinin. Po që vitin e kaluar “Kujtimet” e tij
i botoi në gjuhën amë, në shkodranishten e bukur të autorit, revista “Kens” me
rastin e 10 vjetorit të shkuarjes së tij në amshim dhe me rastin e 20 vjetorit
të botimit të tyre të parë? Prapë ende më pak veta e dinë. Po që botimi i parë
i kujtimeve “Burgjet e mia” s’dihet në ç’shtypshkronjë u shtyp në atdhe, në
Shkodër a Lezhë, Tiranë a Durrës a Gjirokastër, por libri u shpërnda keq, fare
rastësishëm, por s’ishte e rastit që pengohej siç përndiqej autori dikur, nuk
duhej të kishte përhapje, një lloj ndalimi, sa të ishte e mundur më shumë.
1.
Është
një libër që guxon, që përplaset, rrëfime të kalvarit të një jete, nga meshtar
në diktaturë në burgjet e saj me vite e vite, 26 vjet i dënuar në ferrin e të
gjallëve duke akuzuar hapur diktaturën e diktatorin dhe pastaj lirimi i tij,
por jo liria, rënia e perandorisë komuniste, me demokracinë e dyshimtë, me në
krye ata që bënë dhe diktaturën dhe kjo jo vetëm e zhgënjen meshtarin rebel të
burgjeve, por dhe e acaron dhe prapë kundërshton dhe ai vazhdon të predikojë
qëndresën me forcën e kryqit dhe të karakterit, duke akuzuar sërish, që liderët
e rinj si vazhdues të liderëve të vjetër, pa kursyer as bashkëvuajtësit, deri
në zemërim, aq sa të vjen të thuash: libër i prapë i një prifti të prapë! Por
është e vërteta e tij, pjesë e së vërtetës epokale.
Lënda
e librit duket se është vuajtje pa mbarim, përndjekja mizore, përballimi i asaj
vuajtjeje me rrugët e besimit dhe të moralit, me karakterin dhe shpirtin
katolik arrin të sfidojë deri edhe kishën e tij ndonjëherë, atë çfarë atij nuk
i pëlqen, kështu duket, ndërkaq do të jetë ai që do të celebrojë, fshehurazi
dhe hapur, meshën e parë pas atyre dekadave të mynxyrshme, që kur Shqipëria
ishte shpallur me kushtetutë si vendi i parë e i vetëm ateist në botë, që
ndaloi religjionet, prishi tempujt e fesë, duke i shndërruar kishat e xhamitë
në kinema e pallate sporti, në magazina bujqësore në fshatra dhe depo armësh
për repartet ushtarake, duke mos u mjaftuar me kaq, por duke vrarë dhe klerin,
sidomos atë katolik si më të kulturuarin, pra dhe më kundërshtarin.
Në
burg do të flakej dhe Dom Simon Jubani, siç duket për të sjellë dëshminë e tij
marramendëse, të acartë.
?Që në fillim na tregon
se si i helmojnë të vëllanë, prift dhe ai dhe vjen deri te demokracia e helmuar
e vdekja e vet.
Një
zbulesë ndryshe, rrëfyese, meshë dhe tortura, enveri-djall, që i pëlqen ta
shkruajë këtë emër me shkronjë nistore të vogël, dhuna, puna dhunuese, bashkë
me fitimtarët kishte ardhur dhe injoranca, thotë autori. Dhe si qytetar ai
vetëshpallet se “Bëj pjesë në partinë e të vorfënve e të masakruemve, të
viktimave të së djeshmes e të së sotmes”…
Dje
dhe sot për Dom Simon Jubanin janë një vazhdim pa ndonjë ndryshim të thellë.
2.
Autori
s’është më. Por siç duket jo vetëm e para, por edhe e fundit është fjala. Dhe
desha t’i shkruaja përgatitësit dhe botuesit të kujtimeve të tij, shkrimtarit
Lisandri Kola, ndërkohë dhe studiues e pedagog i letrave shqipe në
Universitetin e Miçiganit, drejtor i revistës “Kens”, ku dhe ridoli vepra.
“Burgjet e mia”, pajisur me parathënie të gjerë informuese dhe vlerësuese.
…studim,
kritikë, dokument, dëshmi e specializuar dhe e lexueshme nga të gjithë,
kulturologji, - shkruajta. - Është guxim që vjen prej së thelli nga vetë vepra
dhe shëmbëlltyrë, parafjalë në karakterin e karakterit të autorit, si qëndrimet
e tij, duhej dhe ashtu, - vazhdoja, - por ndjej keqardhje për çka shkruhet për
një bashkëvuajtës të tij në Burrel, nuk kam qenë në burg me ta, por nuk flitej
askund keq për atë nga të burgosurit që njoh. Subjektiviteti i të furishmëve
dhe lëndon, por duhet të mësohemi me të vërtetat e tjetrit, t’i shohim sa të
vërteta janë ato për të gjithë… ??????Të lexoj/më Dom Simon
Jubanin. Të qetësohemi nëpër shqetësime…
Keni
bërë një punë me rëndësi, se edhe “pamëshira” është mëshirë e rreptë, -
përfundoja mesazhin tim. - Mrekulli që vjen ky libër antimashtrim, me një si
djall antidjall…
?Dr. Lisandri Kola më
përgjigjej:
Jubani
asht i sertë si autor dhe ‘rebel’ (arrë gungçe e quen veten në librin e tij).
Varianti i tij mbi Arbnorin (bashkëvuajtës yni, shën. im.) ndoshta asht unik,
por censura, sapo libri pat dale, të lên vend për pikëpyetje shumë. Sidoqoftë,
shumë të vërteta ndryhen në (ish)materialet arkivore. Siç e dini, ata edhe kur
merren, censurohet nga vetë AIDSSH-ja. Pra, eleminohen emnat e deponuesve,
spiunëve, bp, pseudonimeve etj.
Parathania
në frangisht dhe anglisht, asht nga nji francez, mik i Jubanit që e pat ndjekë
apostullimin e tij. Ai, si duket, ka sponsorizue dy edicionet. […].
Botimin
1 e ka kurue Ana Luka nën pseudonimin letrar Anza Shkodrane. Unë… mora leje
mbas sa viteve në Arkipeshvinë e Shkodrës dhe po përgatisnim botimin, Biblioteka
Françeskane e botoi në letër…
Sidoqoftë
ne jemi të gëzuem se prej nji libri të censuruem, në 20 vjetorin e bot. 1,
“Burgjet e mia” dhe 10 vjetorin e kalimit në Amshim të S.J., u botuen 4
versione: 2 shqip, 1 anglisht e 1 frangisht. Asht njimend mrekulli!
?3.
Dhe
unë do t’i shkruaja sërish:
…Kujtoja
se s’kisha pse lexoja më për burgjet “tona”, por më mësoi si ta shoh më me
ngulm të pamëshirshëm dhe burgun tim…
Libri
më shkundëlloi, më preku, autori është i skajshëm, ashtu siç janë dhe të
vërtetat e tij shpesh, duhet një qëndrim i tillë që s’kursen asgjë siç nuk na
kursen “asgjëja”, sidomos kur është vrastare, e them prapë që ndjej keqardhje
për bashkëvuajtësit, në parim jam me Dom Simonin, por mund ta thoshte të
vërtetën e tij ndryshe, të mos lëndohen të lënduarit edhe nga ne, se ngjan si
një hakmarrje e vonë, por gjithsesi e vërteta duhet, pa maska, e di unë ç’kemi
hequr nga “spijunët e burgut”, më pis e gjynahqarë se jashtë… por, t’i lëmë të
tjerat, të shohim ato që bëjnë kohë dhe histori, e madhërishme është mesha e
parë, një hymn që vetëm Shkodra mund ta jepte si prelud e vetëm një kokëfortësi
si prej shenjti e Dom Simon Jubanit mund t’ia dilte…
Kujtimet
janë një vepër që duhet, ato janë dhe udhërrëfyese për të ardhmen, sidomos kur
janë shkruar artistikisht bukur, pra është bërë alkimia e vuajtjes. E çmoj
shumë autoironinë e sarkazmën, tradicionale, që Shkodra i ka…
?Dhe Dr. Lisandri më
përgjigjet sërish:
Falemnderit
shumë… për mendimet dhe komentet rreth librit. Unë mendoj se profili i Dom
Simonit, asht si episodi i Jezusit, kur dëbon tezgat prej tempullit. Pyetja
asht, a duhet të ishte ma i ‘butë’ Jezusi me mëkatnorët? Besoj se nuk del veç
nji përgjigje në këtë rast. Kështu e perceptoj dhe unë rrëfimin e SJ, i cili
asht i sertë e i drejtë (aq sa asht njeriu). Objektiviteti dhe ‘radikalizmi’
narrativ, ndoshta i kanë mungue librit shqiptar mbas 90s. Forma e tij
shkrimore, sugjeron reflektim dhe nxit institucionet për lëvizje…
SJ
jep nji dëshmi, i takon institucioneve shqiptare me pohue ose provue të
kundërtën, nëse gjithmonë ka ende dokumente për shqyrtim.
Por
unë tham se kulmi i asaj vepre asht mbyllja, siç thoni edhe vetë, dhe
‘kontestimi’ i hierarkisë religioze sa i takon formimit teorik për shelbimin.
Nëpër fletë sigurisht gjen perla të tjera, si psh ‘antikomunistët’ komunistë që
Amerika i ka pranue në shtetin e saj. Rasti i djakonit, Ndoc Vasili alias
Anthony Kapaj, i cili ka asistue komunistët për futjen e armëve në kuvendin
Françeskan. Ai vdiq në ‘paqe’ para 3 vjetësh në New York. Stili mandej asht
unik për narrativën e burgut.
?4.????????????
Isha
trallisur nga leximi. E gjithë vepra sikur mbart dhe këtë jehonë diabolike,
mosndëshkimin e së keqes, që krijon klimën e saj. Dëmtohen ndërgjegjet dhe s’ka
më përgjegjësira, as pendim e përkushtime ideale. Aq sa mua më duket si
përgjegjegjshmëri negative, ku nuk janë mbyllur moralisht dyert e “Burgjeve të
mia”, ngaqë nuk janë hapur Dosjet kobëzeza të diktaturës. Nuk mjafton të nxjerrësh
se ç’dukuri sollën dëme, por dhe cilët emra i projektuan dhe cilët i zbatuan
çnjerëzisht. Ku janë dhe ç’bëjnë? Ardhmëria nuk duhet të jetë përsëdytje e së
shkuarës. ???????Aq sa e vonë mund të (u) duket vepra e Dom Simon
Jubanit tani, po ashtu dhe aq e parakoshme, ajo gjithsesi sërish vjen në kohë
dhe, sa herë ta lexojmë, është koha e saj që jep porosi. ??????Kujtoj/më kreun që e sheh Shqipërinë diktatoriale si një
park zoologjik, kështu ishin bisedat e të burgosurve, ashtu e shihnin dhe
burgun, si një rezervat. Një humor i trishtë, i zi, oruellian. ???????Ndërkaq përdëllimi i autorit për vendin dhe
gjuhën është i ndjeshëm ashtu si për të vërtetën dhe lirinë, që janë në
madhësinë metaforike të zemrës së plagosur, kanë atë përfundje të saj dhe kulmojnë
me Shkodrën e tij – “lagjen kryesore të Jeruzalemit Qiellor” – kështu e quan
mahnitshëm. ????Dhe prapë një prapësi, deri në fund, na dalin dy epilogë siç
nuk ndodh, njëri në tokë dhe tjetri në qiell. Sikur duan të theksojnë një
mëdyshje që nuk është e autorit, por e realitetit. Epilogu në tokë është
komedia e demokracisë shqiptare, siç do të donte ta quante Dom Simon Jubani.
Nërsa Epilogu në Qiell është dërrmues, ka një qortim hyjnor, që vetëm një prift
shqiptar si ai do të mund të guxonte ta shkruante, që kërkon në parajsë
ndëshkimin, jo vetëm të keqes, por dhe të ushtruesve të saj si një zeje tmerri.?????Ja, Autori sheh veten të vdekur me një pikëllim ngazëllues,
korp i lodhur… pa dhëmbë, të thyer dhe shkulur torturave, por dhe me
buzëqeshjen e pashuar, shpotitësë, teksa shpirti shkëputet për të ikur qiejve
për në parajsë… dhe atje takon Shën Pjetrin, por në vend të Shën Mëhillit me
kandar aty, që peshon bëmat e njerëzve për të vendosur se nga do të shkohet,
ishte tjetër kush, e pabesueshme, Enver Hoxha me kostum të bardhë, me kandar në
dorë, madje dhe me flatra (?!?!). Si është e mundur? Këlthasim bashkë me
autorin. ??Dom Simon Jubani ndërmend se kishte
ndjekur një meshë dikur, ku një jezuit i huaj kishte predikuar se edhe në qofsh
kriminel i botës, nëse pendohesh, qoftë dhe në minutën e fundit, kur je duke
dhënë shpirt, e ke shëlbimin, udha për në parajsë është e hapur, e lejon kisha
jonë.????Si? Dhe Dom Simon Jubani, tani vetëm
shpirt, vikat sërish me pezm hokatar: unë të gjej në parajsë dhe atë, diktatorin
tim, të pafenë, që më kalbi në burg, jo vetëm mua, por popullin tim të gjithë?
Atëherë dal unë nga parajsa. S’mund të jemi të dy bashkë… ????????Dhe shpirti i tij endet rrugëve qiellore. Po
tash nga t’ja mbaj? – pyet mes reve. “S’kam ku të shkoj larg teje, o Zot! Vetëm
ti ke fjalë jete të pasosun” – përgjigjet po vetë me fjalët e Shën Pjetrit. ????????Në fakt pyetja mbetet e hapur për Shqipërinë, që
duhet të shkëputet në mënyrë drastike dhe me drejtësi nga e keqja e saj dhe të
ngutet të shkojë në parajsën e vet, po me drejtësi dhe mëshirë, pra, në
normalitetin e gjërave, në europianizmin e jetës, nëse mund ta themi. Është
homelia e një prifti kështu, që pa Krishtin në kryq, pra veten, nga thellësitë
e ferrit.