Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Lëndina me flamujt e Ukrainës
E marte, 25.10.2022, 07:59 PM
LËNDINA
ME FLAMUJT E UKRAINËS…
Nga
Visar Zhiti
Në
rrethinat e Chicago-s, në afërsi të shtëpisë në Roselle, para një kishe të
madhe ukrainase me kryqin që vezullonte nën diellin e pasdites, pamë se lëndina
aty ishte plot me flamujt të Ukrainës sikur të kishin mbirë nga toka e bekuar.
-
Ndalim, - i thashë mikut tim, Taipit, shqiptar nga të Maqedonisë dhe ai e ktheu
makinën menjëherë për andej.
Pa
i thënë gjë shoku-shokut e ndjemë se donim të nderonim atë vend, luftën e atij
populli për lirinë. Dhe kjo frymë dukej se i frynte flamujt si një erë e
shqetësuar, por e ngrohtë. E verdhëllemta sikur na jepte ar dhimbjeje dhe bluja
shpresë qiellore, teksa në krye të lëndinës prirej hijerëndë Flamuri i madh
amerikan…
U
afruam te memoriali, prekëm me dorë shkronjat e bardha si eshtra, ku nga ana e
rrugës shkruhej në anglisht “Heronjtë nuk vdesin kurrë”, ndërsa nga ana e
Kishës po kjo ishte në gjuhën ukrainase. Ngjitëm shkallët… edhe ato të
kujtesës… dhe shqiptarët në Ballkan kanë derdhur gjakun lumë për të qenë të
lirë, tani kanë dy shtete, mund të bëjnë më shumë së bashku duke patur dhe
mbështetjen e aleatit jetik, SHBA-së. Prandaj ne e kuptojmë Ukrainën, mbase më
mirë se popujt e tjerë… dhe u futa mes flamujve të tyre që sikur mërmërisnin
fjalë plagësh dhe m’u nëpërmend një poet i ri ukrainas, që e kisha njohur në një
festival poezie në Europë, pak para se të fillonte lufta e vendit të tij kundër
agresionit rus, ai u mbyll në mbrojtje të atdheut dhe iu hap botës. Dmytro
Chystiak, përktheva dhe unë poezi të tij, njëra sikur po më vinte nga larg dhe
tani, kur po ecja në lëndinë mespërmes flamujve si në një ëndërr të të rënëve:
* * *
Ti
ecën akacieve të lulëzuara
Dhe
nata e majit
nuk
ndjehet fare. -
Duart
i ngroh
në
një zjarr të largët…
Dhe
ndjek akaciet e lulëzuara,
Jehona
je ti në natën e majit -
Zëri
i një zjarri u përndez
dhe
u bë qiri...
Erërat
do të qetësohen,
por
bilbilat s’do të heshtin.
Duart
e bardha rrjedhin në errësirë
dhe
fluturojnë drejt së tërës,
Lulëzimi
i akacieve tashmë varet
nga
ty ose nga yjet...
Zëri
i poetit mbi akaciet e verdhëllemta, që m’u bënë flamuj me copa qielli nëpër
to. Diçka po i thosha mikut tim, Taipit, për emblemat dhe poezinë dhe ai po më
tregonte për përpjekjet e shqiptarëve këtu, mes tyre dhe ai, për luftën e
Kosovës, sa bashkë u bëmë dhe paslufta sikur na largoi nëpër punërat tona, kur
duhej të ndodhte e kundërta. Se gjithmonë është stina e flamujve të dashurisë.
Ne jemi liria e botës dhe Atdheu është kudo që jemi. Të besojmë dhe të
qendrojmë… Nga ty varet ose nga yjet…