Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Shoku i prangave
E merkure, 19.10.2022, 07:59 PM
SHOKU I PRANGAVE
Nga
Visar Zhiti
…takoj
sërisht mikun tim Hasan Bajo, shoku i prangave, - më shkruan ai në autografin e
romanit të tij, “Lulet e pjeshkës”.
Për
mua është më shumë se aq. Ishim njohur që studentë në Shkodër, e kujtoj me
kitarën e tij dhe flokët e shumtë e të dëndura, pastaj…u zhduk.
E
pabesueshme, e gjej në burgun e Spaçit para meje. Ai do të ishte ndihma e parë
ekzistenciale brenda telave me gjëmba, një copëz bukë më tepër nga e tij për
urinë time dhe kurajo e ndershme, e fortë, thesi i tij i burgut me libra do të
ishte biblioteka e të gjithëve, por unë do ta kisha dhe si një engjëll mbrojtës
të poezive të mia. Ai m’i shpëtoi në atë rrezik të tmerrshëm deri sa dhe unë u
bëra usta dhe me ndihmën e tij.
Si
mirënjohje të përhershme në burgologjinë time, në librat “Rrugët e ferrit” dhe
“Ferri i çarë” Hasan Bajon e kam personazh të rëndësishëm dhe gëzohem kur
lexuesit e çmojnë e ai është më i mirë se në libër.
Prej
tij u njoha dhe me të tjerë njerëz të mrekullueshëm në burg, besnikë dhe
qëndrestarë, poetin Zyhdi Morava e përkthyesin pasionant Maks Rakipaj, që do të
bëheshim shumë miq, shkrimtarin Halil Laze, Maks Valon, Ismail Farkën-
shkencëtar, me Ahmet Kolgjinin, Ron Çobanin, Islam Spahiun, me patriotin tim
Ilir Malindin, me patriotet e tij çamë Rajmond Sejko, Kaso Hoxha, etj, kjo
kishte rëndësi, me kë do njihëshe e me kë do të rrije në ferr dhe Hasani, kur
më shikonte ashtu, më të sigurtë, vetë tërhiqej disi.
Por
s’i ndahesha unë.
E
kisha takuar pas burgut, jo shpesh, se ai shfaqet kur duhet dhe flet nëse duhet
e vërteta e tij. U pamë në Sarandë, ai në detyrë, i përkushtuar pas
demokracisë, por pas zhgënjimeve të mëdha, pas ‘97 së rëndë mërgoi në Francë e
më pas në SHBA.
Është
ndër të parët që denoncoi shefin sadist të policisë në burgun e Qafë Barit, atë
gangster që shkëlqeu mynxyrshëm në shtypjen e revoltës së të burgosurve atje
dhe na nxori dhëmbët dhe tani nga Gjermania, ku shtiret si emigrant politik…
Por le ta lëmë tani atë kriminel profesionist, që diktaturës i dukej i bukur,
le të merret drejtësia, nëse ka…
Hasani donte letërsinë dhe do të shkruante romanin “Lulet e Pjeshkës”, rininë në qytetin e tij të lindjes në Shijak, nën diktaturë. Që në faqen e parë lexojmë se donim “të qendronim sa më gjatë në shoqërinë e njëri-tjetrit” dhe në faqen e fundit në fjalinë e fundit që “meritoj” pjeshkën e lulëzuar, “sepse dija të vdisja”. Mes këtyre dy fletëve shpaloset jetë…
Me Bajon, kështu e thërras në librin tim, u takuam të përmalluar në New York tani, te “Vatra” e shqiptarëve, pastaj shkuam nga Rruga “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, e pamundur të mos shkonim andej, e bukur, emocionuese për ne një rrugë me një emër kështu kaq shqiptar në metropolin botëror, aq marramendës, në New York-un mahnitës. Bajo kërkonte të blinte cigare, në burg tymoste duhan me të dredhur, nëse s’kishim letër, përdornim copa gazete, jemi me nikotinë të “Zërit të popullit” në mushkëri, nejse, cigare s’gjetem, po bota tym është dhe pa tymin e cigareve tona, mendova atë që e përsërisja shpesh…
Dhe
doja të gjeja me sy nga duhej të ishte “Statuja e Lirisë”, në ç’drejtim, se nuk
janë dhe aq të shumta rrugët e lirisë…