E marte, 08.10.2024, 09:44 AM (GMT+1)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: Kur shkruajta për poezinë e Halil Matoshit

E diele, 30.07.2023, 07:52 PM


KUR SHKRUAJTA PËR POEZINË

E HALIL MATOSHIT…

Nga Visar Zhiti

E pranova me dëshirë kërkesën që të shkruaja diçka për poezinë e poetit Halil Matoshi, që e çmoj vërtet dhe e ndjej vëllazërisht - kështu më ndodh me poetët e Kosovës, - pra, dua të them se e bëra rekomandimin, që do t’i shërbente botueses Donika Dabishevci, që do të konkuronte në Ministrinë e Kulturës në Prishtinë për subvencionim librash.

Ndërkaq më vjen mirë që libri ka dalë tashmë dhe ato pak fjalë të miat qenkan vendosur si parathënie, të ndarë estetikisht në 5 paragrafë të vegjël

Dhe shoh që është botuar dhe në ObserverKult. Gjej që në fund del dhe një pargraf shtesë, sigurisht reklamë e botimit të librit:

“6

Poezi që lexohet në nivel zemre, prandaj e rekomandoj leximin në çdo shtëpi ku letërsia e veçanërisht poezia, është mënyrë jetese!”

Gjithkushi ka të drejtën e vet të rekomendojë edhe kësisoj, sidomos një botues, nuk jam kundër, por nuk janë fjalë të miat dhe unë nuk i jap vetes kaq të drejtë, se çdo të duhej të lexonte çdo shtëpi, se kam këtë forcë. Ndjesë. Fjalët e mia të çiltra atëhere ishin vetëm kaq:

POEZIA E HALIL MATOSHIT

Nga Visar Zhiti

Kush e njeh dhe di për jetën e Halil Matoshit, poet, eseist, tregimtar, gazetar, etj, që merret edhe me pikturë, që ka qenë katër herë i arrestuar nga pushtuesi serb, ndërsa gjatë luftës (1999) e morën peng  dhe e dërguan në kampet e tyre të përqëndrimit, etj, shikon se kështu është dhe poezia e tij, një lëvizje dramatike, akte shpirtërore, dashuri dhe nderim...

Halil Matoshi jeton siç shkruan dhe shkruan siç jeton, pa një kufi mes tyre.

Libri i tij më i ri, “Poema e Lilit”, është prurje tjetër në poezinë shqipe, vazhdues i vlerave të përbashkëta poetike dhe pasurues i tyre. Ky libër sublimon kohë dhe vend, pra nga jeta e tij dhe trualli i tij, nga shpirti shqiptar, nga fati dhe trazavajet, nga përvoja më e mirë e poezisë shqipe, veçanërisht nga ajo që është arritur në Kosovë, e derdhur natyrshëm në një formë sa kombëtare, po aq dhe europiane, e gjitha e tij, ngazëllim dhe gjëmë, britmë dhe dinjitet, fashitje dhe vështrim brenda vetes…

Poeti Halil Matoshi ruan të folmen e shtëpisë së tij, dialektin si një pasuri, metafora e tij është e qartë dhe e ngrohtë, dua të them e kuptueshme për çdo shtëpi shqiptare, kudo qoftë ajo, por jo e thjeshtë, ka diçka nga zjarri që është i njëjtë në çdo vatër, ndërkaq autori punon me semantikën e fjalës, duke i dhënë kuptimin maksimal dhe nënkuptime shtesë.

Në poezinë e tij ka njohje dhe urtësi filozofike, dije biblike, traditë, përditshmëri, pa ia cënuar çlirshmërinë, duke rikonstruktuar modernitet, duke e çuar poezinë e tij në avanguardën bashkëkohore.

E ritheksoj, ajo është poezi e tij, ku zbulojmë drama të jetës, që nuk janë vetëm të tiat.  Po nis nga më rëndat, ato kolektive, pushtuesi, masakrat më të fundit të malicëvë serbë, gjak dhe qiell, tokë dhe qendresë, ideal dhe Presidenti Rugova, ëndërr dhe burgu i Prishtinës, miqtë poetë, Podrimja, Bajraj, etj, qytete, kujtesa dhe moskujtesa, burgjet shqiptare prapë, Spaçi si një Aushvic tjetër, vrasjet e fëmijëve, Ukraina, Rusia me Putinin, por jo e Putinit, boshi shpirtëror, Jim Belushi, Borges, stacion tjetër, Kërshëndellat, Viti i Ri 2023, një univers halilmatoshian,,,

Poema e tij është place d’armes dhe një simfoni. Një dëshmi jete, gjuhë dhe frymë, poezi e njeriut…

???Mos gjyko kurrë nji njeri me plagë…

?thotë poeti diku. Ne na mbetet veç ta duam.

?Roselle, Chicago, 22 shkurt 2023



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora