Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: E ç'do të themi për Kasem Trebeshinën?
E merkure, 09.08.2023, 07:58 PM
E Ç'DO TË THEMI PËR KASEM TREBESHINËN?
NGA
VISAR ZHITI
Kështu
kisha pyetur një ditë pas datëlindjes së tij të 85-të, që s’e kishin kujtuar
fare, edhe pse shkrimtar me njohje dhe i burgosur që i përflitej disidenca dhe
rebelimi zëmërak?
Pse
kjo mëri e ndërsjellte me të? Edhe tani që bëhen 6 vjet që s’është më?
Rrallë
ndodh të ketë një marrëdhënie të tillë plot heshtje të zymtë të vendit me një
shkrimtar të vetin…
…po
sjell shkrimin e atëhershëm, të më shumë se një dekade më parë, të botuar në
disa media brenda dhe jashtë vendit, me një titull të ri:
DIMË QË DIKTURA DËNOI
SHKRIMTARIN, QË KISHTE DËNUAR DIKTATURËN
Gjithmonë
dita më pas ka rëndësi tjetër, dita pas fitores, që mund të jetë humbje, pas
rënies, që ka brenda hovin e ngritjes, pas kryqëzimit nga ku rrjedh gjaku i
ringjalljes. Një ditë pas datëlindjes së 85-të të Kasëm Trebeshinës ç'do të
themi për kundërshtarin e pandreqshëm dhe të zemëruarin e gjithmontë, që duket
sikur kumton tani vetëm me heshtjen, por folëse, me të shkruarin, por sa më
shumë të pabotuar, me të burgosurin e lirë, me të lirin e vetburgosur?
Dimë
që diktatura e dënoi shkrimtarin, kur shkrimtari e kishte dënuar diktaturën.
Ndëshkimin i ndërsjellë, që, si të thuash, nuk i ngjan thikës me dy presa, se
në rastin e parë kemi të bëjmë me një krim shtetëror, kurse në të dytin me një
qëndrim dhe credo, atë të lirisë së vërtetë dhe të vërtetave të lirisë në
misionin e lartë të shkrimtarit, që pengohet.
Duket
sikur njeriun e vënë në provë fuqi të mbinatyrshme, përmbytje, murtaja, perëndi
dhe gjysmë perëndi, luftëra dhe shtypje, por dhe gjera më të pakta në dukje,
uri e frikëra të ndryshme, por dhe një hetues, gardian, e gjykatës, por edhe
dashuria, miqësia, mirënjohja, bëmat e qëndrimet, qofshin dhe fare të vogla për
të zbuluar sfidat dhe se sa njeri është. Po në përballje me njeriun cilët jemi?
Duke
gjakuar për të qenë sa më i vërtetë dhe më i natyrshëm, vetmitar dhe shoqëror
gjithsesi, kam kërshërinë të shpalos në jetën dhe në veprën e Kasëm
Trebeshinës, ku më faniten të fshehta të tjera të pazakonshme dhe të zakonshme,
prapaskena dhe interesa klanesh, qëllime të mbrapshta, ëndrrën, ku ndeshen të
gjallë dhe të vdekur, fantazma dhe të pushtetshëm, mbërrijmë tek tirania dhe
sistemi i saj dhunues, por dhe zbresim te vetburgimi i mëpastajmë sokratik, ku
njeriu mbyllet si në shpellë. Pra, duket si një kthim në gjenezë.
Tani
shkrimtari vërtet është mënjanuar shumë, gjithë mister të zymtë edhe kryeneçësi
mospërfillëse, demiurg në mbrëmjen përthellonjëse të moshës, por dhe në atë që
quhet horizonti i pritjes. Nuk ka rëndësi në arrin të thinjet fantazia e
shkrimtarit, ndërkaq ende nuk janë botuar shumica e dorëshkrimeve të
Trebeshinës, na thuhet, të një krijimtarie ethanake, treçerek shekullore.
Jetëshkrimi
për Kasëm sjell mjaft bëma, por dhe karakterin e tij të çuditshëm, përplasjet,
pabesitë, dashuritë si dhe do të mund të na japë njërin nga çelësat e leximeve
të teksteve dhe nënteksteve të librave të tij, për të cilat më shumë flitet se
sa janë lexuar, nga që kanë mbetur ende të panjohur, megjithëse herë pas here
dalin nga mugëtira e mosbotimit.
2.
I
tillë ka qenë fati i shkrimtarit Kasëm Trebeshina dhe i krijimtarisë së tij,
fat(kob) që ja bënë të tjerët, por që e zgjodhi dhe vetë me asketizëm dhe që
ndryshon ngadalë, fat i mbylljes rrënuese dhe i mureve brenda mureve, teksa ai
si natyrë është i kundërt me fatin e tij, i gjallë, i hapur, i çiltër deri në
një egocentrizëm, i paqetë, fantazist, kështu më vjen të them, për aq sa di për
të. Trebeshina dhe fati i tij që të dy ishin këmbëngulës dhe duronin. Më i
fortë doli Trebeshina, me të vërtetë një kalorës hijerëndë i misionit të tij.
Kali i tij është Pegasi, që ai gjithë kokëkrisje nuk pranoi ta bëjë kalë
ushtrie, për të tërhequr topa apo të ngarkohet me patatet e batalionit dhe as e
futi në kooperativat rurale të Realizmit Socialist, edhe pse kishte qene
luftëtar i egër dhe bënte pjesë me fitimtarët dhe u përkiste atyre që kishin
marrë përsipër të ndërtonin një Botë të Re duke dashur me gjak ta shkatërrojnë
të vjetrën me gjithsej.
Edhe
kur e rrëzonin poetin dhe e merrnin për ta hedhur pas telave me gjemba të
ferrit, ai mbahej pas frerëve të yjeve dhe flatrat e Pegasit si me magji i
kalonin pas kurrizit, aty i mbillte nëpër turpin e vet dhe kqyrte botën me
mospërfillje krenare dhe mllef të pazakontë. Kështu dhe Kasëm Trebeshina u
shndërrua në mit, në një lloj kentauri të habitshëm, gjysmë pegas dhe gjysmë
rob, me flatra dhe me patkonj, me bajonetë dhe penë. Pse ta fshehim, vrasës dhe
kundërshtar i vrasësve.
U
shpreha kështu metaforikisht, në stilin e Kasëm Trebeshinës, si i hazdisur, nga
që i çmoj guximet e tij, qendresën dhe shpërfilljet filozofike për gjithçka që
është dhunë, përulje, padrejtësi dhe jo virtyt. Aq më tepër që tani Trebeshina
nuk është aq kollaj i çkyçshëm, por dhe arkivat për të janë të tilla. Por jo
dhe aq. Dosjet e tij, që nga ajo e punës, e hetuesisë, e gjyqit, etj, etj, nëse
kanë mbetur, nuk janë lënë t'i shfletojë hulumtuesi i mundshëm. Më shumë se sa
mister shkrimtarësh, nëpër to me siguri janë ndrydhur kundërshti dhe krim,
përplasje dhe mëkat, denoncime, turp, vrasje të pabesa, të ngadalta, aq sa ke
frikë se mos në vend të fletëve do të gjesh pergamena prej lëkure të rrjepura
njerëzish.
Kasëm
Trebeshina është njeriu që ka kërkuar vazhdimisht të ndeshet, qoftë dhe me të
ultën, se për të beteja është e madhe. Kur pa mbaruar mirë adoleshencën, ai
rininë e tij qysh në fillim e vuri përballë luftës. U bë partizan dhe luftoi
kundër pushtuesit, kuçedrës botërore të nazi-fashizmit. Pastaj kundër
komunizmit si me një kuçedër tjetër. Nuk i la kohë vetes të ndihej fitimtar. U
fut në burg për të sfiduar dhunën shtetërore dhe mungesën e lirive. Pasi ranë
diktaturat komuniste, ai prapë s'u ndje fitimtar, por humbës, ama, asnjëherë.
Kurrë. I përkushtuar si një murg ndaj shkrimeve të veta. Kështu pohon. Duke
pasur si ikonë rrëfimtarin e shkëlqyer të shqipes, Mitrush Kutelin. Që edhe atë
e burgosën. Shkrimtarit do të t'i duhej të ishte i mirë dhe i butë me këdo.
Madje edhe me pleqërinë e vet. Por, siç thamë, Trebeshina mbetet egërshan
gjithmonë. Me diktatorët, me sistemin e tyre, edhe pse luftoi me ta, me harenë
dhe harresën kolektive, me fitoret, me nëpërkëmbjen, me kompromisin, me
Realizmin Socialist dhe Lidhjen e Shkrimtarëve, madje dhe me miqtë, kështu më
duket, ëndërron demokracinë, nuk kënaqet as me të, i ikën të gjithave dhe urren
disidencën, madje edhe të vetën.
Kasëm
Trebeshina na përshfaqet partizan, trim i çartur, që lufton me fanatizëm duke
mos besuar në drejtimin, komedianët, i quan ata të shtabit, ndërkaq ka drejtuar
vetë beteja dhe gjyqe partizane, ka ekzekutuar dhe ai, jo vetëm gjermanë, por
edhe partizanë, duke ju bindur ligjit të luftës, vrit se do të vrasin, etj,
etj. Po konturohej kështu lufta civile në Shqipëri. E tmerrshme! Megjithëse
pati zëra që buçitën që atëhere: "Ah, o bijtë e nënës, pse kështu
përçarë./ Qoftë i mallkuar kush s'do t'ju bashkonjë,/.../Pse e bëtë Kombin në
greminë të shkonjë. (Hekuran Zhiti, "Dy kundërshtarët", poemë, marrë
nga "Luftëtar' i lirisë", "Oshëtima e Korçës", shkurt
1944.)
Mes
asaj ploje, thënë troç, vetëm duke i përfytyruar, unë jam ndjerë keq si në një
vorbull infernale dhe më është dukur se isha në zanafillën e krimit dhe të
ndëshkimeve të mëpastajme.
Ndërkaq
çmoj kurajon për të thënë dhe të vërtetat e rënda.
Se
së fundmi, kur shkrimtari gjerman Gynter Grass, vërsnik me Trebeshinën, gati
një vit më i vogël se ai, rrëfeu në një libër autobiografik se në rininë e parë
kishte qenë me forcat esese, u trondit jo vetëm lexuesi i tij në Gjermani, por
i gjithë opinioni letrar botëror dhe gazetat hapën anketa, madje dhe në
Shqipëri, për qëndrimin ndaj tij, aq sa u shkua deri atje, që a do t'i hiqej
çmimi "Nobel". Ndërsa një shkrimtar shqiptar shprehej në shtyp për
Trebeshinën që pse të mos e marrë dhe ai "Nobel"-in? Natyrisht që
letërsia ndahet nga ai që e prodhon atë dhe bën jetë më vete, por për ndërgjegjen
e njerëzimit kanë rëndësi në këtë rast dhe realiteti jo letrar. Poeti Ezra
Paund si simpatizant i fashizmit u burgos në një kafaz në një shesh të madh të
një qyteti të Italisë.
Rebelin
Kasëm Trebeshina e burgosën bashkëluftëtarët e tij si kundërshtar dhe, sipas
ritualit, dënuan dhe veprën e tij letrare, të akt-ekspertizuar nga kolegët e
Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Fitimtarët ishin bërë më
pushtues se pushtuesi që mundën. Lidhja as sot, që gati nuk ekziston, (ashtu
siç është bërë nga ana tjetër gërmadhë dhe burgu i Spaçit,) s'di ç'qendrim të
mbajë me Trebeshinën, me veten, me shkrimtarët e Realizmit Socialist, me ata që
u dënuan me burg, që u pushkatuan, me veprat e tyre, me Kohën, me kohërat, me
të tashmen, me risitë letrare, etj. Fjala s'është se ç'mund të thotë, por çfarë
mund të bëjë dhe Lidhja e Shkrimtarëve s'ribëhet dot, kurse shkrimtarët si
individualitete, si qytetarë edhe shqetësohen dhe ndodh që ta ngrenë zërin, por
të kondicionuar nga e kaluara e tyre. Duke mos qenë të lirë, duket sikur nuk prodhojnë
dot liri.
Kurse
në gjysmën matanë të kombit, në Kosovë, Presidenti Ibrahim Rugova i kishte
thënë shkrimtarit Adem Demçi, kur doli gjysmë i verbër nga burgjet e gjata të
Jugosllavisë, se "këtu mes nesh ishte një karrike gjithmonë bosh, të
priste ty...".
Intelektualë
të shquar të Prishtinës, së bashku, na dëshmon poeti ynë i fuqishëm Ali
Podrimja, i ishin kundërvënë uniformitetit në art, servilizmit krijues,
tiradave, pra Realizmit Socialist dhe policisë letrare, aq më tepër të huaj,
duke guxuar të dalin në mbrojtje të vlerave, lirisë së mendimit e të krijimit
dhe botuan si një manifest të tyren tekstin problemor "Vox clamantis in
deserto" qysh në tetor të vitit 1971. Tetori siç duket qenka edhe muaji i
kundërshtimeve të mëdha, se edhe Kasëm Trebeshina, "Zë i humbur në
shkretëtirë", në tetor, por më 1955, gati dy dekada më parë, guxoi atëhere
kur nuk guxohej dhe i shkroi një promemorje diktatorit Enver Hoxha me akuza të
rënda, por të vërteta, largpamëse, e paralajmëronte për batakun ku po e çonte
vendin dhe kulturën e tij, akt që nderon jo vetëm inteligjencën shqiptare, por
të gjithën në perandorinë komuniste dhe racën e atyre që shkruajnë. Thonë që
ajo letër nuk gjendet në arkivë, të tjerë thonë që ka qenë dhe është. Për mua
ka rëndësi kumti i saj. Kasëm Trebeshina e mbart këtë kumt. Gjithashtu
Trebeshina u kacafyt në vendin amë të Realizmit Socialist, në Leningrad dhe në
Moskë, kundër kësaj medtode, e përjashtuan, e burgosën në atdhe, nisi greva
urie, kur i gjithë populli në një farë mënyre do të ishte në një grevë të
tillë, kur intelektuali i njohur Xhevat Korça i kishte dhënë fund jetës me një
grevë të tillë urie, i pari fare në burgun ku do të mbyllej Kasëmi, që pasi të
dilte do të kërkonte të drejtën ta linin të ikte nga Shqipëria, por e morën për
të çmendur ata që ishin më të çmendur dhe pastaj ai vetë e kërcënoi shtetin se
nuk do të votonte më. Dhe e burgosën prapë.
Kur
Trebeshina hynte së pari në burg si disidenti i parë, bashkëkohës si të tillë
kishte dhe Sejfulla Malëshovën, por ndërkohë ai gjente brenda telave me gjemba
kundërshtarë të vërtetë, të lartë, të hapur kundër sistemit dhe ideologë
antikomunistë, martirë të lirisë, qendrestarë të zymtë, një pjesë e të cilëve
tani ishin nëndhè, pa varr, të pushkatuar nga bashkëluftëtarët e Trebeshinës nga
po ato gjyqe, vazhdim i gjyqeve mizore partizane, ku dikur dhe ai pati bërë
vetë.
Po
ndaloheshin libra, po digjeshin bashkë me to dhe diploma të atyre që ishin
lauruar në Perëndim, në Francë e Austri, në Itali e Gjermani, etj. Mbase ishte
inati gjeneral që diktatori s'kishte kryer dot asnjë universitet asgjëkundi, as
në mal, siç kishin qejf të thoshin admiruesit e tij. Do të vazhdonin
persekutimet e mëdha. Do të pushkatoheshin dhe poetë, djem të rinj, do të
vareshin, dhe atëhere kur s'po ndodhnin më në perandorinë komuniste. Po i
afroheshim jo vetëm shekullit të ri, por edhe një mijëvjeçari të ri. Me shpresë
të përzishme.
3.
Megjithëse
i padëshirueshëm për ne, madje dhe i pakuptimtë, na duket se ka mbetur një
konflikt që shfaqet herë pas here dhe në shtyp, me ndërprerje natyrisht, por i
pambaruar dhe i pambyllur mes Trebeshinës dhe Kadaresë apo Kadaresë dhe
Trebeshinës a i të dyve, i nisur në diktaturë, i heshtur mbase deri sa nxori
krye, kur I.K. nëpërmendi inicialet e dënuara dhe të komplotura me heshtje të
"K. T"-së, gjë që u gjallërua në postdiktaturë, gjithë pezm, hapur,
me akuza dhe kundërakuza jashtletrare. Do të doja të ndalesha pak këtu.
Trebeshina,
sipas meje, ka një përkushtim deri në sakrificë për të vërtetën e letërsisë,
por kështu dhe Kadareja për letërsinë e vërtetë. I pari i thotë burgut: hapu,
në ferr vete si shkrimtar, sepse ruaj brenda vetes luftëtarin, ndërsa i dyti,
do të ruajë me çdo kusht shkrimtarin brenda vetes duke pranuar dhe
kundërdënimin si mosdënim, luksin që i lejonte ajo kohë dhe më pas për të
krijuar si dhe mundësinë e të qenit dëshmitar letrar dhe përballë atyre që
sundonin. Ndërsa i pari zbriste humnerave duke u harruar si shkrimtar, i
humbbotshëm, i dyti ngjitej lartësive duke u bërë shkrimtar i përbotshëm.
Zbritja kishte terr dhe lehtësinë e dhembëshme të asgjësë. Ngjitja ishte e
vështirë dhe me vezullime mëkatesh, që të bënin më të dukshëm për t'u goditur.
Por dhembja mbetej përreth. Trebeshina, duke hyrë në burg, mbërrinte mjerimin e
lirisë, të asaj lirie të mbytur, që s'kishe ç't'i bëje më, kurse Kadare donte
t'ia hiqte kthetrat asaj lirie të mjerë, ta barabiste me liritë që shikonte
nëpër Europë. Trebeshinën letërsia nuk e linte të jetonte, Kadarenë nuk e linte
të vdiste. Shkruanin të dy, pavarësisht nga njëri-tjetri, njëri si të thuash në
parajsën e rremë të ferrit dhe tjetri në ferrin e parajsës së rremë. Njëri
fshehurazi me polic te kryet që i kujtonte abazhurin e fikur, që nazistët i
bënim me kafka të burgosurish, tjetri me abazhur të përndezur që i kujtonte
policin e kuq dhe që duhej të fshihte mesazhet. Njëri s'kishte kohë të veten
dhe shpikte moskohën, absurdin e saj vrastar, tjetri krijonte kohë edhe për të
tjerët dhe shpikte të ardhmen duke risjellë të shkuarën si pjesë të
përjetësisë. Nëse njëri s'botonte dot dhe i goditej vepra e tjetri botonte
radhazi, me zulm dhe godiste me veprën, shteti ndërkaq të dyve u shtonte
dosjet. Realisht i donte të dy ashtu, mendoj, dhe nuk i donte ndërkohë. Por
përdorte imazhe të tilla dyshe për të trembur dhe torturuar njeri-tjetrin dhe
të gjithën. I burgosuri shpresonte lirinë e shpirtit, i paburgosuri çshpresonte
shpirtërisht burgun.
Po
dikush mund të thotë se edhe Kadare i ka kënduar Partisë dhe shefit të saj,
madje bukur, po edhe unë kam të drejtë të them që pse të mos i bërtasim partisë
dhe shefit të saj që pse s'ishin ashtu siç u këndoi poeti, në atë lartësi. Nëse
nuk i meritonit ato vargje, atëhere nuk u përkasin atyre, por arsenalit të
letërsisë shqipe, iluzioneve të saj, harrimeve dhe gabimeve. Shpresoj të jetë
kështu.
Trebeshinën
s'e la vendi ta botojë veprën dhe tani pritet që ajo të dalë më shumë në dritë
dhe të zërë vendin e merituar. Shkundëllimën dhe vetëtimat e shpeshta i ka
dhënë. Nga thellësitë erdhën dallgët e saj si të një lumi të nëndheshëm. Në
apokalipsin e ngjarjeve mes gomoneve të arratiakëve fanitet dhe skafi biblik i
Noes.
Por
ne, kur dalim jashtë letërsisë, duam qetësinë e brigjeve, pushimin e stuhisë,
paqen, ku lexuesi të shkojë lirisht te njëri breg e te tjetri, te ishujt apo në
detin e pamatë dhe t'i gjejë të gjitha, mrekullinë e ëndërruar.
Kur
Faik Konica botonte shqip në SHBA përrallat arabe, gati 100 vjet më parë, midis
të tjerash shkruante në hyrje të tyre se një kardinal i njohur, por edhe
Darvini, sipas një ankete, që të dy i lexonin më ëndje ato përralla dhe i
fusnin në dhjetë librat më të mirë të tyre. "...dy njerës të larguar njëri
nga tjatëri sa një botë nga tjatëra, bashkoheshin në dashurin' e këtij
libri...".
Dhe
unë shtoj se dashuria përbashkuese për librin duhet të na bëjë më të mirë dhe
më të drejtë, jo vetëm ne, që e lexojmë, por edhe ata që e krijojnë. Polemikat
dhe mosmarrëveshjet të mos jenë në emër të urrejtjes. Nderim dhe dhembje për
vuajtjen dhe për krijimin. E them me siguri që veprat që dalin nga urrejtja
kurrë nuk janë aq të bukura sa krijimet që dalin nga dashuria. As dhe aq të
rëndësishme. Sa më larg zilive të burgut dhe jashtëburgut, të lavdisë dhunuese,
sepse që të dyja, edhe burgu edhe lavdija nuk janë letërsi, por një pjesë e
vogël e lëndës për letërsi. Veprat e urrejtjes në jetë vdesin më shpejt dhe
shërbejnë për ndërprerjen. Dashuria është krijuese dhe punon hyjnisht për
vazhdimësinë e pafundme.
4.
Vlerësimet
për veprën e botuar deri më tani në prozë dhe poezi të Kasëm Trebeshinës, për
risitë dhe mesazhet që mbart ajo, sa e vazhdon traditën dhe sa e thyen atë, sa
thyen heshtjen dhe të tashmen, shqetësimet që sjell dhe pasurimin që u bën
letrave shqipe, janë biografia e shkrimtarit dhe ajo që mbetet është letërsia e
tij. Aty janë vlera dhe mbivlera. Megjithatë nga ana shoqërore kemi të drejtë
të dimë se ç'ishte dhe ç'bëri shkrimtari mes nesh, si qytetar. Po ne ç'bëmë me
të? Aq më tepër "në kohën sot dhe në vendin këtu" jemi të detyruar të
pyesim për këdo: me kë ishte, me ata që shtypnin apo me ata që shtypeshin?
Sepse duam të farkëtojmë guximin qytetar dhe ndërgjegjen e shëndoshë kolektive.
Kasëm
Trebeshina është më emblematiku i disidencës shqiptare në diktaturën e letrave,
i kundërshtimit të hapur. Ashtu si vepra e tij, na tërheq edhe jeta e tij.
Datëlindjet e tij na shtojnë mundësinë e përsiatjes. Rrëfimet, dëshmitë,
kujtesa për të dhe për të gjithë ata që vuajtën si heronj për të Drejtën, të
Vërtetën dhe liritë e njeriut, për fjalën, që u përleshën me të keqen vrastare,
janë të një rëndësie të domosdoshme. Demokracia nis me to, si me një datëlindje
e përditëshme.