Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Shtëpia me gjethe
E shtune, 09.09.2023, 07:55 PM
SHTËPIA ME GJETHE
Nga
Visar Zhiti
Takimi
u bë në “Shtëpinë me gjethe”. E dija ç’ishte ai muze në Tiranë, kishte një hije
të zymtë për mua dhe një mister tragjik që s’i kishte ikur a nuk do t’i ikte
kurrë. Sigurimi i tmerrshëm i Shtetit aty bënte përgjimet me aparatura të
sofistikuara e të shtrenjta për vendin, aq shumë të varfër, të mbyllur e me
diktaturën më të ashpër në Europë. Po aty janë bërë dhe tortura, thyerje
kockash e zhdukje të kundërshtarëve, kështu e dija dhe e kisha të veshtirë të
shkoja. Po tani kjo vilë në qendër të Tiranës vizitohet nga turistë të shumtë
dhe quhet “Shtëpia me gjethe” prej gjetheve të shumta të bimëve kacavjerrëse që
mbulonin fasadën. Po aty kacavjerren dhe kujtime të rënda të Shqipërisë. Kishte
qenë dikur maternitet, e konfiskoi shteti i diktaturës dhe nga shtëpi e lindjes
e bëri shtëpi të vdekjes.
Të
shkoja a të mos shkoja? Po kjo ishte dhe sfida jonë si një ish i burgosur…
Më
kishin ftuar një grup ekspertësh të Fondacionit “Santagata” në Torino, - fitues
i garës së organizuar nga “Cultural Heritage without Borders - Albania” për
Planin e menaxhimit të burgut Spaçit, tashmë i rrënuar, se si ai të shndërrohet
në një muze.
Takim
i vështirë, po mendoja, por dhe interesant, me interes më saktë, për kujtesën
kolektive.
Më
pritën Odise Zoto, arkitekt në Tiranë, Etleva Demolli, drejtoreshë e Muzeut
“Shtëpia me gjethe” dhe italiania Giulia Avanza, manaxhuese në projektetet
ndërkombëtare.
-
Jemi në fazën e tërheqjes së mendimit të grupeve të interesit, - më thanë.
Biseda
shkoi mjaft mirë, me ide dhe kujtime, degjonim me vëmëndje njëri-tjetrin, Spaçi
- muze, së pari të shpalosë të vërtetën e tij të tmerrshme, - thashë, - si një
Aushvic, pra, të bëhet siç ishte, në tërësi është e pamundur, por në pjesët
kryesore, më të qenësishme dhe në anë, “jashtë rrethimit” të këtë atë, le ta
quajmë “Qendrën Kulturore”, muze objektesh, bibliotekë, hotel, ku të mund të
rrinë vizitorë a pelegrinë, studiues, artistë, etj, etj.
Edhe
Italiania Giulia mbante shënime, kishte një kërshëri të dhembshur, një si
zbehje dhe qendrim, qendrim të hapur ndaj së keqes, kurse ne, shqiptarët,
dukeshim si të mësuar me të. Giulia kishte me vete, “Sulle strade
dell’inferno”, librin tim të Spaçit, “Rrugët e ferrit” dhe deshi një autograf.
Teksa firmosja, u kujtova për një çast se kjo po ndodhte në “Shtëpinë me
gjethe”, plot me aparatura përgjimesh të Sigurimit të Shtetit, sidomos ndaj të
huajve, anbasadave dhe një italiane si një denoncim të madh kishte sjellë
pikërisht mbi ato tryeza një burgologji, atë te Spaçit dhe bisedonte me një nga
të dënuarit e atyre, që, sikur ta sillnin sado pak ndërmend ata, persekutorët,
se do të vinte një ditë e tillë, o do të duhej të vrisnin veten apo t’u binte
të fikët apo… jo, jo, asgjë e tillë s’ndodhi. Ata janë prapë… ashtu… dhe ky
muze më shumë është i tyre, - i thashë drejtoreshës, kur na ftoi ta vizitonim,
- tregon se si punonin ata, inteligjencia e tyre, po duhet dhe simetria, si
qendruan dhe u përballën shqiptarët me përbindëshin e së keqes dhe pati
kundërshtarë të mëdhenj, martirë e heronj. Prandaj duhet Spaçi tani, madje sa
më shpejt, jemi vonë…
Më
tronditi “dhoma e emrave”, kështu po e quaj, një dhomë e errët me të katër
faqet e mureve plot me emra, deri lart në tavan, emra, emra, emra, të dënuarit
të gjithë, të pushkatuarit, e prapë s’janë të gjithë, - na tha drejtoresha. Në
mes të dhomës ishte një shkallë, që të ngjitëshe, të gjeje emrin që doje se ato
dukeshin sikur shkonin lart, deri në qiell.
-
Ja, dhe emri yt, - tha drejtoresha.
Gjeta
dhe emrin e xhaxhait tim të pushkatuar, ja dhe i gjyshit të bashkëshortes, Edës
time, emra, emra, emra. Janë jetë të gjitha, të ndërprera, të vrara.
Kur
dola, ndjeja lodhje dhe hutim. Sikur të kisha dalë nga një hetuesi e rëndë. Por
këtë radhë e kisha marrë unë në pyetje hetuesin… shtetin.
Nëpër
gjethe gjithkund lexoja emra…