Kulturë » Zhiti
Eda Zhiti: Dashuria dhe njeriu me flatra
E marte, 24.10.2023, 06:56 PM
Te shkallët e Universitetit në Craiova, Rumani,
tetor 2023
Eda Zhiti:
DASHURIA
DHE NJERIU ME FLATRA
Me
këtë titull doli në Rumani romani i Visarit,
“Perëndia mbrapsht dhe e dashura”.
I
marr ndër duar botimet e tij, shqip, italisht, rumanisht…i shfletoj, janë mjaft
të mirë, me kopertina të forta, me piktura të gjetura…
Botimi
italisht “Il visionario alato e la donna proibita” ka përkthyes Profesor Elio
Miracco-n, nga e mori për ta sjellë në rumanisht znj. Catalina Franco,
poliglote dhe Dr. Luan Topçiu e krahasoi me origjinalin shqip. Sipas kritikëve,
përkthimet e kanë ruajtur mirë poetikën e prozës së Visarit.
Ky
roman, me tituj të ndryshëm në gjuhë të ndryshme, më ka tronditur, sa herë e
marr ndër duar. Ka një forcë sugjestionuese, një dashuri tragjike, një realitet
ku kalohen kufijtë, jo më ato më të thjeshtët midis shteteve, por dhe të
kohëve, të jetës dhe të vdekjes. Ngjarjet zhvillohen në Shqipëri dhe në Itali,
është një rendje drejt Europës, por dhe së pamundurës, me kthime e
retrospektiva të zymta, absurdi i diktaturës dhe një e ardhme e kërcënuar, por
dhe drita marramendëse e dashurisë. Protagonistët e romanit Feliks Kondi dhe
Ana Marku të duket sikur i ke njohur dhe vetë, i do, të dhimbsen, madje të
duket sikur jo vetëm ke marrë prej tyre, por dhe ata kanë marrë prej nesh.
Kush
i pengoi? Realiteti? Koha? Shoqëria? Vdekja? Të gjithë bashkë… Feliksi
haluçinant, kërkon më në fund si askush më parë, madje dhe në botë, të hedhë në
gjyq atdheun të gjithë për mbrapshtitë dhe krimet kundër dashurisë, jetës…
Megjithatë
dashuria është më e fortë se vdekja, vazhdon përtej çdo tragjedie, na kumton
romani.
Unë
e mbaj mend kur e shkruante Visari, çohej dhe në 3 të natës, punonte deri në
orën 10 ose 11 të paradites, lumturia e krijimit përzjehej me vuajtjen, gjatë
shëtitjeve të pasdites e bisedonim, djali ishte 9 vjeç atëhere, por dhe ai
merrte pjesë, sa u gëzua kur diçka që ai tha, u fut në roman, edhe unë
ndihmoja, besoj dhe kam ndikuar. Dhe vinte prapë ora 3 e natës, Visari shkonte
në kompjuter, në një tjetër realitet, kur ngrihesha dhe unë për në punë, e
shikoja të përhumbur, madje u sëmur dhe fizikisht vërtet prej romanit. Por ai u
bë. E botoi “Omsca-1” në Tiranë. Lexuesi dhe kritika e priti mirë, dolën
recensa në median në Shqipëri e Kosovë e në diasporë, kur çuditërisht juria e
konkursit që organizon Ministria e Kulturës për çmimet letrare vjetore, në vitin
2005 që i takonte ta marrte në shqyrtim, e la mënjanë, ndërsa romani, kur do të
dilte në Itali, do të kishte një pritje tjetër, aq sa dhe gazeta më e madhe
“Corriere della sera” do të kishte shkrim shumë vlerësues. Befasuese, kur së
fundmi një kritik arti italian, S. B. njohës i letrave shqipe të botuara në
vendin e tij, tha se pikërisht nga ky roman ndonjë autor tjetër me njohje, ka
marrë skena e këndvështrime. Është roman që lexohet me një frymë, madje ta merr
frymën, thoshte një poete e re shqiptare, sepse edhe së fundmi ka patur recensa
të rinjsh, po dhe është trajtuar në punime universitare doktoraturash, etj.
Në
Rumani u përurua së fundmi në Teatrin Kombëtar të qytetit Craiova, folën
shkrimtarë e kritikë arti, një aktor i teatrit recitoi pjesë të romanit, Visari
u intervistua nga televizioni, mua më dhanë një buqetë me lule, ndërsa gazetarë
të Bukureshtit i kanë drejtuar pyetje Visarit për gazetat letrare.
Shumë
pyetje dhe shumë përgjigje i ka vetë ky roman, për të shkuarën dhe të ardhmen,
sa emocion dhe dramacitet, një realitet romanor, të ashpër dhe magjik, një himn
dashurie…
Dhe
nisa rileximin. E sata herë është? Gjithmonë më duket si i pari. Është roman i
flatrave…