Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Poezi dashurie në oborr
E marte, 19.09.2023, 08:02 PM
POEZI
DASHURIE NË OBORR
Nga
Visar Zhiti
Nuk
do ta besoja se ai takim aq i bukur, ashtu i natyrshëm do të ndodhte në Tiranë,
në një lagje të zakonshme në oborrin e një shtëpie në mbrëmje.
Aty
është shtëpia botuese Berk dhe Znj. Anna Shkreli po na priste te porta. E para
u fut Aida Baro, që do të drejtonte takimit, pastaj Eda ime dhe unë.
Oborri
ishte plot me njerëz të ulur në radhë me karrige, kishte dhe në këmbë dhe në
fund nën degët e një peme një kamera e televizionit. Në krye Anna Lattanzi.
Kur
u ula, megjithëse dritat i kisha përballë, në rreshtat e parë dallova disa nga
miqtë, mësuesin tim kujdestar, kur isha gjimnazist, Minella Dani, pranë tij
shoku i burgut Dine Dine, ja, dhe gazetarja Alba Kepi, ishim njohur në Romë, në
anën tjetër Milto Skrami me Vjollcën e tij, të ardhur me pushime nga Chicago,
më pas poeti dhe gazetari Mujo Bucpapaj, shkrimtari Ilirian Dahri, kisha punuar
me të dy, pastaj pak muzg, Andreasi, Ada, Eraldi, Eugen Pepa, po edhe Sidi,
Rezi e mamaja e tyre…
Në
taracën tej, që m’u duk si e një shtëpie të pambaruar, jo, më saktë e gatshme
për të hedhur një kat të dytë, nëse do të duhej, kishte njerëz, të ulur, këmbët
u vareshin poshtë, shkalla e hekurt e mbështetur pas murit, nga ku kishin
hipur. Sokol Çunga është ai me mjekërr si unë? I lexoja me ëndje shkrimet e tij
plot me dije dhe përkthimet e shkëlqyer dhe pranë Iris Elezi, kineastja,
regjisorja e dashur, sa filmike pamja! S’kisha para takim poezie kështu në
Tiranë, kaq i veçantë, i çuditshëm, i mrekullueshëm, po thosha me vete. Ndërkaq
gazetarja italiane, Annina Anninetta, njohëse e letërsisë së sotme shqipe,
bashkëpunëtore e Albania Letteraria në Itali, çeli takimin.
Aida
Bare nisi leximet e poezive të mia. Dy të paraburgut, që u bënë shkak dhe të
dënohesha. Dhe më pyeti të tregoj. Fola thjeshtë si me miqtë në një tryezë
kafeje. Pastaj të tjera, të trishta, të shkruara në burg, po kanë dritë dhe në
ferr, tha Aida dhe u vazhdua me poezi të tjera, të tjera dashurie dhe zërat u
bënë më të ngrohtë, më intimë.
Po
të gjitha janë poezi dashurie, thashë unë, dashuri për jetën, për njerëzit, dashuri për
dashurinë…
Dhe
u kalua në bashkëbisedim të hapur, në
pyetje. Shpëtim Sherif Bozha, “friend fb”, foli i pari, më befasoi, për një
tregim të hershëm timin, të shkruar në Milano, “Të mos vritet as si që
s’ekziston”, folën dhe të tjerë, lutjet e Nënë Terezës, ambasada, shkolla,
rinia, letërsitë tona, ç’po shkruan, etj, u zunë në gojë dhe çështje të tjera,
zbritën nga taraca ata që ishin lart, biseda në grupe, më njeh?… A po… po
afronte mesnata dhe kur po ktheheshim rrugëve të Tiranës, retë e kaltra po më
dukeshin si këmbë të varura bukur në taracën e ngrohtë të natës.