Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Ekspozitë në zemër përpara fjalës
E diele, 25.02.2024, 08:58 PM
“Shenjtja Nënë Tereza dhe Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu” - vepër e piktorit Gjergj Kola
EKSPOZITË NË ZEMËR PËRPARA FJALËS…
Nga
Visar Zhiti
Është
një emocion i bukur ai i së dielës që po vjen, kur Eda ime do të mbajë një
ligjëratë në anglisht për Shenjten Nënë Tereza në St. Mary Parish, Mokena, në
orë 3.00 pasdite. Dhe më ndërmend emocione të tilla, se kujtohen dhe vetëm
emocionet, që lidhen me shenjten tonë, me takimet, me përgatitjet e ndonjë
botimi, lutje, album, ekspozitë, etj.
Emocioni
është i pari.
Pas
fjalës, - Eda e ka pasnesër… - por po më
vijnë imazhe nga dikur, si në korniza pikturash, shtangie skulpturash, bëma që
sikur gdhenden dhe ato në ajër…
Nis
nga më e thjeshta, familjarja, më e dhembushura për ne… është fjala për një
pikurë të Atjonit tonë, kur ai ishte diçka më shumë se tre vjeç, e kam shkruar
dhe më parë, ndërsa ne po punonim për një libër-album për Nënë Terezën në
Itali, do ta botonte miku ynë D’Agostino, duhet të ketë qenë 1998-a, një vit
pas traumës shqiptare dhe Atjoni dëgjonte bisedat tona, shqetësimet, shikonte
materialet e mbledhura mbi tryezë dhe befas na thotë: kam bërë dhe unë këtë
pikturë…
U
mrekulluam. Donte të ndihmonte dhe ai. Skicën e tij e futëm në libër dhe gazeta
e Vatikanit “Osservatore Romano” shkruajti për të më shumë se sa për librin, ky
vizatim fëmije, - thoshte autori i artikullit Gianpaolo Mattei, - me ato kryqet
me ngjyra, janë racat që bashkon Nënë Tereza, ky vizatim fëmije është më shumë
se traktatet me armë që bëjnë të mëdhenjtë…
Më
pas piktori i njohur, miku ynë, Gjergj Kola, me një fantazi sa fëminore, që po
aq dhe më habit, bëri bashkë në një kompozim Nënë Terezën dhe Gjergj Kastrioti
- Skënderbeun, 500 vjet histori. Me pikturat e tij dhe me skulptura të Hevzi
Nuhiut, skulptorit nga Kosova, që jetonte dhe ai në Itali si Gjergji, por në
jug, në vendet arbëreshe, ne hapëm një ekspozitë të madhe në Universitetin
Pontefik “Urbaniana”, erdhi i gjithë trupi diplomatik pranë Selisë së Shenjtë.
Një
vepër me Nënë Terezë të Gjergjit, do ia dhuronim vetë Papa Françeskut…
Ndërsa
një portret blu të Nënë Terezës, të artistit Maks Velo, bashkëvuajtës imi dhe
mik shtëpie, (dhuruar Edës time me shumë punime të tjera të tij për Nënë
Terezën), do ia dhuronim - dhe me dëshirën e Maksit - Qendrës Kulturore “Nënë
Tereza” në Michigan, do ia dorëzonim me shumë dashuri Don Ndue Gjergjit.
Aty
foltorja ka portretin e Nënë Terezës, po edhe fasada e ngrehinës jashtë..
Do
na trondiste Nënë Tereza e Lin Delisë, “Espiazione”, kishim qenë në shtëpinë e
tij afër Romës, në muzeun e Antrodoco-s, kur ai s’ishte më, por na tregonte
kushëriri i Nënë Terezës, regjisori i Rai-t, Gjon Kolndrekaj se Nënë Tereza
vetëm atij i kishte pozuar dhe askujt tjetër piktori në botë…
Në
portretin e bukur të Agim Sulajt, kryqi i rruzareve të Nënë Terezës del përtej
kornizës.
Një
portret ashtu vumë dhe ne në dritare, në murin e ambasadës tonë në Vatikan,
pranë Flamurit Kombëtar në ditët kur Ajo do të shenjtërohej dhe turistë nga
bota, pelegrinë ndalnin dhe e shikonin me adhurim, - po çfarë është aty? -
pyesnin. Ndanë atyre mureve është dhe “Libreria Editrice Vaticana”, që do të
botonte dhe librin e Edës për Nënë Terezën…
Po
edhe kisha katolike amerikane pranë shtëpisë tonë në Roselle, “St. Walter” ka
një portret të madh të Nënë Terezës, duket që larg...
Në
shtëpi kemi një basoreliev të hershëm saj, si medalion i madh, e ka punuar miku
im i hershëm, që para burgut, skulptori Hilmi Hoxha, por kemi dhe një bust të
bardhë të Nënë Terezës, dhuratë nga autori Ylli Beqiri, edhe statuetën në bronz
të skulptorit nga Prishtinë, Luan
Mulliqi, mik që na iku tetorin e vjetshëm, vepra e tij e madhe ishte vendosur
para aeroportit “Nënë Tereza”, që s’di pse e shkulën më pas dhe e vunë andej
nga Qafë Thana.
Në
Katedralen e Prishtinës “Nënë Tereza” kishim parë dhe ekspozitën e pedagogut
Agron Bytyçi me portretet e mëdha të Nënë Terezës. Në përurimin e Katedrales
kishte ardhur dhe Kryeministri i Vatikanit, Sekretari i Përgjithshëm, Eminenca
e Tij, Kardinali Parolin, na takoi me shumë përzemërsi…
Pak më tej është presidenca e Republikës më të re, e Kosovës, dhe aty një pasdite Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu më dha dekoratën e artë “Shën Nënë Tereza”, isha bashkë me Edën time. Pasnesër, të dielën do të flasë për Nënë Terezën në një kishë në Amerikë dhe prandaj m’u kujtuan të gjitha këto, nisën me vizatimin e një fëmije dhe kapën kaq shumë botë dhe qiell…
Dhuratë
Papa Françeskut…
Dhuratë
tjetër Don Ndue Gjergjit, Michigan, 2020
Don
Lush Gjergji dhe Visar Zhiti në Qendër…
“Nënë
Tereza” e skulptorit Ylli Beqiri
“Nënë
Tereza dhe kryqet”, vizatim nga Atjon Zhiti, tre vjeç e gjysmë…
Përurimi
në Universitetin “Urbaniano” në Romë…
Me
Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kryeministrin, Kardinal Pietro Parolin…
Visar Zhiti, 23/02/2024