Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Kohët Lasgushiane
E enjte, 28.12.2023, 08:57 PM
KOHËT
LASGUSHIANE
-Sot,
në datëlindjen e tij -
Nga
Visar Zhiti
Grimca
vezulluese si pluhur i mbetur yjesh, - kështu më duken ato ç’mund të kujtoj unë
për poetin Lasgush Poradeci, e di, janë fare të pakta, varfanjake, por ai vetë
llamburit ashtu si poezia e tij…
E
kisha parë vetëm dy herë, dikur, kur isha student, - po i thosha Edës time,
- ndiej dhimbje që s’isha përpjekur ta
shihja më shumë, se pastaj e kami takuar statujë, shpesh e më shpesh…
Desha
të shtoj se kur e shohim si statujë, - s’e kam fjalën për vete, por për kohën,
- kujtohemi befas që ai paskësh qenë gjallë pothuajse tani afër, bashkëkohës,
ndërsa kur ishte gjallë, e dinim të vdekur si rilindasit, Naimi, Asdreni…
Siç
dukej përgatitej shumëkohësia e tij, mbase kështu nis pavdekësia.
Në shkolla na e përmendnin poetin Lasgush Poradeci për ta kritikuar si poet të mbyllur në Kullën e Fildishtë, etj, etj, që s’kuptonte Realizmin Socialist, madje u përhapën rrëfimet se ai s’kuptonte shumëçka tokësore, s’dinte ç’kohe i përkiste, më tepër ishte i qiellit ashtu si dhe poezia e tij qiellore.
Do
të ishte shkrimtari Ismail Kadare që me një shkrim brilant të tij do të kthente
vëmendjen e botës letrare shqiptare tek ai, Lasgushi qenkej gjallë…
Ndoshta
në burg, ne, të burgosurit politikë të atëhershëm, - ata që donin poezinë dhe
në ferr, - bisedonim më
hapur
për atë, na ngushëllonte fosfori i mistikës së vargjeve të tij, që s’mund të
kalbeshin aq kehtë në atë kohë mortore.
Diçka
kam thënë në librat e mi, në burgologjitë:
1.
Miku
im i atëhershëm, pastaj i burgosur politik, poeti Frederik Rreshpja më tregonte
“se Fishta me Lasgushin janë takuar në Kafen e Madhe në Shkodër dhe kanë
shkëmbyer libra me autograf njëri me tjetrin. I thotë Fishta Lasgushit:
-
Edhe un’ mund t’baj lirika t’bukra si tuat, por kam frig se des shpejt.
Gjallë
mbeti Lasgushi, por nuk shkruan më…
2.
E
ftuan një ditë në Fakultetin e Letërsisë, gabuam, thanë. U pataksën ca nga
studentët, kujtuan se vinte fantazmë, kur e panë ashtu të vogël e të imët, e
kishin ditur të vdekur. E pyetën:
-
Ç’është realizmi socialist?
-
Bërtit: unë, ti, ne, ne! Ja, ky është... - tha Mjeshtri plak. Mbi leshrat e
argjendtë dukej sikur i kishin ngecur yje.
-
Po ju keni përkthyer Majakovskin? - e ndëpreu sekretari i rinisë.
-
Për bukën e gojës, - u përgjigj kopshtari magjik i qiejve.
(Nga
libri “Rrugët e Ferrit”)
3.
“Një
si copëz ylberi prej druri u tund mbi kryet e botës. Ishte bastuni i Lasgush
Poradecit. Po zbriste nga shkallët e Lidhjes së Shkrimtarëve, i kishin hipur
xhindet, më pa të mbështetur pas murit dhe iu duka i druajtur, a bëri sikur iu
duka ashtu, pa kurajë, prandaj dhe më bërtiti:
-
Po ti futu, mos ki zor, e çfarë janë ata?! - dhe tregonte me bastunin nervoz
andej nga salla e madhe plot me shkrimtarë. - Maskarenj janë, shko, kë do,
kape!
-
Pres një…
-
A, kujtova se kishe turp prej tyre, turp të kenë ata, - u nervozua sërish, -
duke e valëvitur shkopin e tij hakërrues.
Faber,
mërmërita i mrekulluar. Ç’të thosha? Zoti Lasgush m’u duk pak, pale shoku…
gjëja më e papërshtatshme, e meritoja kokës bastunin e tij. Unë latinisht
s’dija, nga më erdhi kjo fjalë, farkëtar, më kishte mbetur në mendje, Faber…
dhe iku, ashtu i paktë, i bardhë, duke u mbështetur në shkopin e tij. Dita
fërgëllonte e ftohtë, me një diell anemik. Liriku ynë qiellor, parnasiani i
vetëm, që e dinin të vdekur, kishte tundur edhe një herë shkopin e tij
fantazmë, si dhunim kundër perëndive të reja. Dhe ndoshta do të ndalte pak më
tej. Mos i duhej të ikte andej nga selvitë e Medresesë? Do të nxirrte nga xhepi
i thellë i palltos një orë të madhe me zile, nga ato të tryezave a të murit,
për ta parë. S’dihej pse e mbante ashtu, për ç’trill. Mbase për sfidë.
Ora
e poetit duhet të jetë e madhe…”
(Nga
libri “Ferri i çarë”)
***
Ishte
koha kur shkoja andej nga Lidhja e Shkrimtarëve, para se të më burgosnin, çoja
poezi në gazetën “Drita” e revistën “Nëntori”, po pse i botoni atij, -
ankoheshin ndoca, - ai nuk e ka “biografinë të mirë”… dhe unë kërkoja të takoja
Kryetarin, Dritêro Agollin, miqtë Zija Celan, Bardhyl London, etj.
4.
“Im
atë guxonte dhe rrinte me të internuarit, ndjehej si ata gjithmonë, me
studiuesin dhe shkrimtarin Lazër Radi, me piktorin Lek Pervizi, me poetin Pano Taçi. Më kërkonte skeçe, -
tregon ky i fundit, - për t’i vënë në skenë, pa emrin tim natyrisht, por që të merrja
ndonjë honorar. Një herë pritëm Lasgushin qiellor, më donte, dhe në burg më
kishte sjellë cigare dhe kafe, - dëshmon Panua, - nejse, pimë nga një gotë
dhallë në klub dhe “u grindëm” se kush do të paguante. Më takon mua, kishte
thënë Hekurani, jam më vendas… këtu e bëj unë pazarin…”
(Nga
libri “Kryengritje shqiptare në parajsë” - poezi nga Hekuran Zhiti)
*
* *
Bukur!
- thashë me vete. Im atë e paskësh takuar Lasgushin dhe në Lushnjë, në klubin
“Myzeqeja”përballë Komitetit dhe i paska paguar ai tre gotat e dhallit… të
varfër… dhe në këtë varfëri “Mahnitëse!” - shtova, përsëri me veten time, që
Lasgush Poradeci, faberi, ai i hutuari i xhindisur, që dukej se s’i dinte punët
tokësore, si jashtë realitetit, i paskësh çuar kafe dhe cigare poetit Pano Taçi
në burg, atëhere, kur ata, të burgosurit politikë braktiseshin nga shokët dhe
miqtë, madje dhe denoncoheshin prej tyre, me letra Partisë, Enverit, Degës…
kurse Lasgushi i prapë, i kundër me gjithçka në socializëm… Po e adhuroja ende
më shumë.
-
Dëgjo ti, Shehu i Vogël, - thoshin se i kishte thënë Lasgushi shkrimtarit të ri
Bashkim Shehu, djalë i Kryeministri të ashpër Mehmet Shehu, - thuaji atij tët
ati, Shehut të Madh, të më çojë mua ambasador në Greqi dhe të shikosh sa mirë
do të venë punët, jo me…
Ndërsa
Bashkim Shehu ishte përgjigjur se, nëse do të kujtohej ndonjëherë babai i tij,
do të thoshin se kishte qenë kryeministri në kohën e Lasgushit… - kështu
thoshin.
Kur
dola nga burgu, e kopjova me dorë gjithë poezinë e tij, të botuar në Kosovë në
përmbledhjen “Vdekja e Nositit”, përgatitur nga studiuesi Sabri Hamiti, e ruaj
ende bllokun e bukur, librin ma dha fshehurazi për ca ditë i internuari Bilbil
Cami, ia kishin sjellë, s’e di si, njerëzit e tij nga Dibra e Madhe. Vonë më
treguan se Lasgushin e gëzoi shumë ky botim, u ndje i çharruar dhe nga kopjet e
pakta që pati, u dhuronte me autograf poetëve më të njohur të Realizmit
Socialist, atyre që i afroheshin, ndokujt duke i shkruajtur “Nimfës
shtat-hedhur të Partisë” dhe ndonjë tjetri “Borisë së Partisë”, kështu thoshin.
Sa fin dhe dinak! Nuk mund ta akuzoje dot për lëvdatën… - bisedonim buzagaz.
Dhe
lexoja me ëndje veprën e plotë të Lasgushit, që doli pas rënies së diktaturës,
miqësinë emblematike me bashkëqytetarin e tij, Mitrush Kutelin, bashkëpunimi i
tyre, ai, ai u përkujdes që në fillimet, në mërgim në Rumani, për poezinë
lasgushiane, aq sa duket se e kemi dhuratë prej tij dhe të mendosh që jemi në
vendin, ku duan ta rroposin njëri-tjetrin…
Më
pas pashë librat me kujtime për Lasgushin, të Petraq Kolevicës, të Meri Lalaj,
etj, studimin e bashkëqytetarit tjetër të tyre, Luan Topciu, gjyshi i të cilit
kishte qenë mik me Lasgushin, etj, etj, rilexoja novelën e Kadaresë, portretin
marramendës, të përhirësuar që i krijoi, do të shkruaja per romanin filozofik
të Robert Martikos, kohën qiellore të poetit, etj, u njoha me vajzën e
Lasgushit, Marien, e pyesja gjithë kërshëri duke pirë kafe në ndonjë bar dhe më
ngazëllenin ato që dëgjoja. Lasgushi po sfidon harrimet e qëllimshme, - thosha,
- fjala e tij e papërsëritëshme perlëzonte, - ishte poeti që Shqipëria i jepte
botës, - nënvizoja atë që kishte thënë që herët Eqrem Çabej i madh.
Kërkoj
nga imazhet e Lasgushit, në fytyrën e tij ka kohë poezie dhe Europë,
aristokraci, rini syzjarrtë dhe pleqërim sokratik, vetmi murgu të shenjtë.
Ndërsa
në shtatoren e tij në vendlidje, buzë liqenit, ku ai shëtiste me qenin, shkojnë
adhurues, poetë të rinj, udhëtarë të rastësishëm, vënë lule.
Ndalëm
një herë dhe ne, unë me shkrimtarin Andreas Dushi, breza të ndryshëm, nderim i
njëjtë, folëm për të. Mbase në bronzin tij, më pak i gjallë, aty është
Lasgushi. Më i keqkuptuar se kudo… i ridënuar në heshtje bronzi…
LASGUSH PORADECI
TRASHËGIMI
Ju
më lini të flas unë,
T’u
them fjalë vjershërije,
Në
bunacë a në furtunë
Të
këndoj siç më ka hije.
Hija
ime nuk di dhunë,
Di
veç frymëzim lirije,
Dhe
di punë, punë, punë,
Mund
pa fund për art magjije.
Që
të them nga ç’pata shkruar
Me
kuvënd të përvëluar:
Ja!
një iskër mjeshtërije,
Ja!
një iskër bukurije.
Dhe
t’a shoh të pasqyruar
Vetëveten
fije-fije,
Fije-fije
poezije,
Që
mban erë Shqipërije