Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Dielli i dytë në dritare
E merkure, 03.01.2024, 02:36 PM
NË DITËN E DYTË TË VITIT TË RI,
DIELLI
I DYTË NË DRITARE…
Nga
Visar Zhiti
Në
dritaren time të mëngjesit të sotëm pashë një diell tê bukur, m’u duk si një
pishtar i beftë prometean…
Dita
e dytë e vitit, - thashë me vete, - dhe si asosacion idesh m’u ndërmend “Dielli
i dytë”, një poezi imja, e shkruar herët, kur isha student në vitet ‘70, por që
kam vuajtur dhe prej saj. Nuk do të desha të kujtoj, por ka ngjarje më të forta
se ne…
Gjyqi,
që më dënoi me 10 burg, në bazë të akt-akuzës së hartuar nga anëtarë të Lidhjes
së Shkrimtarëve, poezinë “Dielli i dytë” e pa si një alegori kundër regjimit.
Sipas tyre ne e kishin një diell, Partinë e tyre- socializmin dhe unë si
“armik”, - kështu më përcaktonin ata para se ta vendoste gjyqi, - po kërkoja
një diell tjetër, etj, etj.
Shikoja
i magjepsur diellin tim në dritare, ah, kujtesa kthehet te dritarja e poezisë,
te dhimbja, te ato ngjarje që kanë lënë gjurmë të thella në jetë, në rastin tim
që më hodhën në humnerë, te dënimi, në akt-akuzë, ku mes shumë të tjerave,
është dhe një poezi e pakët, as tre rreshta, për dritaret, tani është dhe në
librin tim të parë, “Kujtesa e ajrit”:
Dritaret
Janë
britma ime që të braktiset
Dhoma
e errët e vetmisë.
Armiqësore!
- më bërtitën në gjyqin e atëhershëm, - ti kërkon dritare që të shohësh përtej,
kur vendin tonë e kanë rrethuar me bllokadë të gjithë vendet kapitaliste dhe
revizioniste dhe ne jemi vetëm, (Dimri i vetmisë së madhe), por jemi një fanar
ndriçues në botë, etj, etj, i kam treguar në burgologjitë e mia “Rrugët e
ferrit” dhe “Ferri i çarë”…
Dhe
po shikoja diellin në dritare, edhe dielli im i dytë, - ai alegorik, do ta
vinte në kllapa Migjeni, - lindi për ne, vendi u hap me një dritë tjetër të
dëshiruar, me ato përndezjet magjepsëse dhe me pllanga hijesh si nxirje
plagësh.
Poezia
“Dielli i dytë” ose “Dielli tjetër”, nuk do ta besoja kurrë, tani është botuar
dhe në gjuhë të tjera…
Pas
rënies së perandorisë komuniste, së pari doli shqip në përmbledhjen me poezi
“Mbjellja e vetëtimave”, botuar në Maqedoninë e Veriut, (e Jugut, - për ne), në
Shkup, nën kujdesin e shkrimtarit Resul Shabani.
Dhe
do të përkthehej në italisht, êshtë në librin “Croce di carne”, (Kryqi prej
mishi), i përgatitur nga Prof. Elio Miracco. Do të dilte në anglisht, në librin
“The condemned apple”, (Molla e dënuar), me përkthim të albanalogut të shquar,
mikut të madh të shqiptarëve, Dr. Robert Elsie. Në rumanisht e përktheu miku
tjetër, studiuesi dhe kritiku i artit, Dr. Luan Topciu, në librin e përzgjedhur
po prej tij, “Aripa frânta” (Flatër e mundur). Dhe do të dilte në serbisht, me
përkthim të mikut nga Kosova, gazetarit Smajl Smaka, në librin “Kisha mog lica”
(Shiu i fytyrës time). Dhe së fundmi, në vitin që sapo shkoi, doli në kinezçe,
në një botim dy gjuhësh, ku poezitë janë dhe në anglisht, titulli i librit
“Gathering light” (Të mbkedhësh dritë), përkthyese është dhe shkrimtarja Ani
Gjika, kurse në gjuhen kineze janë Cheng Yanjun dhe Guo Xiaoqian.
U
jam mirënjohës atyre, i dua përkthyesit, na çojnë me lexues të popujve të
tjerë, i sfidojnë dhe moskuptimet që kemi në gjuhën tonë, mrekullisht na
bashkojnë me botën e madhe.
Si
një kartolinë urimi po sjell këtu në gjuhën amë poezinë “Dielli i dytë”, mbaron
me fjalën zemër, si dhe imazhet e librave, ku është botuar, por së pari
dritaren, që u bë shkak sot për këtë bisedë në ditën e dytë të Vitit të Ri, me
atë diell që më tregoi se ende mund të mahnitem…
DIELLI I DYTË
Shumë
gjak
është
derdhur mbi këtë botë,
por
ende s'e kemi krijuar
diellin
e gjakut.
Dëgjo,
miku im,
këto
fjalë që dridhen:
një
diell i dytë do të lindë
nga
gjaku ynë
në
formën e zemrës.
Visar Zhiti