Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Meshtar nga Dardania në SHBA
E merkure, 07.02.2024, 08:59 PM
MESHTAR
NGA DARDANIA NË SHBA…
-
Kronikë e 7 takimeve me Don Ndue Gjergjin -
Nga
Visar Zhiti
FYTYRA E VENDLINDJES
Më
parë se ta njihja Don Ndue Gjergjin, i njoha vendlindjen në Kosovën tonë, tej
në Stubllën e Epërme të Vitisë, një vend i blertë, me kisha dhe peizazhe plot
diell, vërtet si të krishterta, kështu m’u duk, një qetësi peshpëritëse…
Vendlindja
na jep kujtesën, por dhe karakterin, madje dhe fytyrën…
Ç’kujtohet
nga Stublla? Ajo përmendet 100 vjet para botimit të Mesharit të Gjon Buzukut në
Defterin osmano-turk të vitit 1455. Tregohet se atje ka qenë hapur një shkollë
e lartë teologjike, një kolegj, pikërisht te “Ara e Kishës” sot, te lëndina në
anë të varrezave të bardha me kryqe.
Këtu,
në gjysmën e dytë të shekullit XIX, u hap dhe shkolla e parë shqipe e gjithë
Kosovës, e lejuar, se të fshehta, ku mësohej gjuha amë kullave tona e tempujve,
ka patur herët e më herët, është dhe muzeu në Kishën e Shën Gjergjit, ku mbahen
takimet kulturore e letrare të Don Mikelet, aq të bukura, që fillojnë me një
meshë të shenjtë.
Në
kujtesën kolektive nuk harrohet masakra e viteve 1846 - 1948, që u ushtrua aty
dhe në vendbanimet përreth për të hequr dorë nga besimi i krishterë. Pas
qendresës heroike, 177 vendas i internuan në Anadoll. Një pjesë vdiqën rrugës
nga mundimi, moçalishteve nga acari dhe torturat dhe tani nderohen si “Martirët
e Karadakut”. Vetëm 76 veta mundën të kthehen gjallë në vendlindje dhe prej
tyre u krijuan famullitë në Stubëll, në Binçë dhe në Kabash…
Stublla
sot ngjan me një qytet të vogël, me rrugë e park e fushë tenisi, e qendër
rinore, me libra e takime, por dhe e heshtur, se vërtet mërgojnë shumë nëpër botë.
Quhet
e Epërme, se Stublla e tillë është në virtyte, fisnike në bujarinë e saj, sofër
në Dardani, ku bëhet kryq…
* * *
Don
Ndue Gjergji u lind në Stubullën e Epërme dhe aty kreu shkollën fillore dhe
gjimnazin. Ndjeu thirrjen… afër është dhe Kisha kroate e Letnicës, ku vinte
Nënë Tereza, kur ishte vogëlushe dhe aty mori vendimin, që të bëhej motër
misionare…
Dom
Ndou shkoi në Romë të diplomohej për Teologji dhe atë vit që mbaroi, në 1973,
shugurohet meshtar në Komunën e Binçës, gjysmë shekulli më parë, nga ipeshkëv
Imzot Nikë Prela.
Me
sa dashuri e përkushtim shërbeu në famullinë e Binçës që nga viti 1975 deri në
1993. Ndërkaq brenda vetes ndjente se vendlindja i kishte dhënë durimin dhe
qendresën, karakterin e saj “të blertë” dhe fytyra e mirë dukej si një copëz
pllaje e saj.
Dom
Ndou ia lë drejtimin e famullisë vëllait më të vogël, Don Lushit, shkrimtarit,
që do të ndiqte nga pas Nënë Terezën kudo, edhe në Indi apo kur do të merrte
çmimin Nobel për Paqe në Norvegji, në vizitat në Kosovë, etj, etj, duke u bërë
biografi shqiptar më i mirë i Saj…
Në
1997 Don Ndue Gjergji kalon oqeanin dhe vjen në SHBA, meshtar në Miçigan,
pikërisht në Kishën “Our Lady of Albanians”, e Zojës së Këshillit të Mirë,
“Pajtores së Shqiptarëve”, Mbrojtëses së Nënë Terezës, siç na e dëshmon vetë.
Kishën këtu kishte 20 vjet që e udhëhiqte famullitari i përndershëm, Ndrekë
Ndrevashaj, tashmë i ndjerë.
Me
ardhjen e Dom Ndue Gjergjit shqiptarët panë fytyrën e dhembshur të dheut amë.
Ndërkaq
Kisha vazhdoi lulëzimin e saj, jo vetëm fetarisht, nga ana shpirtërore në
predikimin shqip dhe anglisht të Fjalës së Zotit, por dhe nga ana atdhetare dhe
me krijimin e Qendrës Kulturore për të gjithë, me emrin e shenjtes tonë “Nënë
Tereza”, u rrit edhe më kulturalisht dhe artistikisht.
Dhe
kështu u krijuan traditat e kremtimit të festave kombëtare shqiptare e
amerikane, e festivaleve të përvitshme, konferencave, ekspozitave, përurimeve
të letërsisë dhe ftesa shkrimtarëve, deri dhe të gëzimeve familjare, fejesa e
dasma, etj, etj, e veprimtari me fëmijët, pra me të ardhmen. Së pari dhkolla e
tyre edhe në gjuhën amë…
Dhe
ai që printe ishte Don Ndue Gjergji, i përunjur dhe i kudogjendur, fjalëpak,
por gjithë urtësi, “i paqtë dhe qëndrestar i së drejtës dhe të vërtetës
njerezore” - do të shkruanin për të. Duke dalë tej mureve të kishës dhe si
“njeri publik” Don Ndou u bë “strateg i paqes”, siç e cilëson një nga
bashkëpunëtorët e tij të afërt, Valentin Lumaj. Don Ndou është përbashkues mes
gjithë shqiptarëve të të gjithë besimeve, në shoqata dhe parti, duke e
tejkaluar atë që thoshte Konica qortueshëm se shqiptarët vetëm në valle
bashkohen më shumë.
Dhe
vinin nga kudo këtu, në këtë tempull, nga gjithë Amerika dhe Europa, nga
Shqipëria e Kosova, nga Maqedonia e Veriut (e Jugut për ne), nga Mali i Zi,
etj, përpara u del shtatorja në bronz e shenjtes tonë Nënë Tereza e portat ua
hap më pas Don Ndue Gjergji.
Fytyra
e vendlindjes. Këtu “është një Shqipëri e vogël” – do të thoshte Zef Pergega.
Kisha
është dekoruar dhe me titullin e lartë, “Nderi i Kombit” nga Presidentë të
Shqipërisë, që dhe kanë ardhur këtej…
KRONIKË TAKIMEVE TË MIA
1.
Që
të takohesha me Don Ndue Gjergjin, shkak u bë Gjergj Kastrioti – Skënderbeu,
Heroi ynë Kombëtar, mbrojtësi i Europës, i qytetërimit Perëndimor dhe i Krishtërimit, - fjalë të tilla u thanë
në simpoziumin shkencor që ishte organizuar me rastin e 550 vjetorit të vdekjes
së tij në Detroit, shteti i Miçiganit, në janar të vitit 2018, nga dy kishat
katolike shqiptare, “Zoja Pajtore” dhe e “Shën Palit”.
Pashë
se aty ishte dhe një statujë e madhe e Skënderbeut, lart mbi kalë, duket se
vazhdon udhëtimin e tij shekullor, të bronztë në histori dhe në kujtesën e
njerëzimit.
Një
kongresmen amerikan kishte thënë se pa Skënderbeun ndoshta dhe Amerika do të
ishte ndryshe.
Simpoziumi
që mblodhi studiues dhe historianë nga SHBA, Shqipëria e Kosova e Maqedonia e
arbëreshë të Italisë, kishte për kryeorganizator Don Ndue Gjergjin, Një Kuvend
i tillë kaq i gjerë nuk po bëhej dot as në Tiranë me akademi e institute
historie, institucione e qeveri, edhe pse ishte shpallur Viti i Skënderbeut.
U
takova me Don Ndue Gjergji, më dha dorën përzemërsisht. Ishte me kostumin e zi
dhe me koletën e bardhë të priftit në gushë, flokët e bardha, fytyrë të butë,
me rrudha të mira si hullitë e tokës se vendlindjes, truppakët si vëlla i Nënë
Terezës, mikpritës, i qetë… Përshëndeti simpoziumin, zëngrohtë, me fjalë të
zgjedhura, duke ua lënë radhën shkencëtarëve, referimeve të tyre. E shikoje
kudo, i kujdesshëm me të gjithë, që gjithçka të shkonte sa më mbarë. Po kështu
dhe prifti tjetër i kishës tjetër, Don Fred Kalaj, më i ri, me mustaqe të
bardha, që punonte po aq, duke ruajtur dhe nderimin për Dom Ndoun.
Foli
dhe Inxhinier Mërgim Korça, e njihnim që në Lushnjë im atë dhe unë, kishim
miqësi dhe nderim për kulturën e tij. Babai i tij, minister dikur, vdiq në
burgun e Burrelit me grevë urie, me të parën grevë urie kundër diktaturës, akt
madhor, moral, i skajshëm. Folën në simpozium dhe historiani Pëllumb Xhufi,
deputeti Romeo Gurakuqi, studiuesi Eduart Grishaj, arbëreshi Italo Sarro,
Frashër Demaj nga Kosova, Njazi Muhameti nga Tetova, Konsulli i Nderit Ekrem
Bardha, etj.
Për
gazetën “Dielli” ishte gazetari Dalip Greca, kurse për “Zërin e Amerikës” me
mikrofon në dorë ishte Ilir Ikonomi, historian
dhe autor librash me vlerë.
Don
Ndue Gjergji, që i ftoi, i përzgjodhi të gjithë këta? Dhe sa i tërhequr që rri
vetë, dëgjon dhe thotë se do t’i botojmë të gjitha referatet në një libër të
veçantë.
Sa
mbresëlënës! I thjeshtë siç do të ishte dhe në një Kishë në Kosovë, në
vendlindje, madje nuk bënte që të dukej si zot shtëpie, por njëri nga të gjithë
aty, teksa duhej të kujdesej për të gjithë. Përunjësisht…
2.
Përsëri
erdha nga Uashingtoni, nga Ambasada e Shqipërisë, ku punoja, por këtë radhë
bashkë me time shoqe, Edën, për dy veprimtari: të ndiqnim një koncert, Dita e
Shqipërisë në Detroit, në një amfiteatër të madh, të hapur, ku te shkalla e
parë ishim ne dhe në mes kishim Don Ndue Gjergjin, po ajo pamje gjithë mirësi e
tij dhe po ajo veshje, kryqi i argjendë në gjoks, i përzemert, ndejti ca dhe u
ngrit, iku, kishte disa detyra të tjera për të kryer, na tha dhe të nesërmen,
veprimtaria e dytë: meshën në kishën e tij, u shfaq në altar ashtu i bardhë, si
i dalë nga retë dhe do të ftonte Edën… besimtarëve te shumtë do t’u thoshte me
zë të lartë, kumbues e të ngrohtë, gjithë familjaritet, se ajo, Eda, është
autorja e një libri, të botuar në Vatikan, të shkruar italisht, që i kushtohet
Nënë Terezës në ditën e shenjtërimit, ku Eda me bashkëshortin ishin aty,
dëshmitarë të kësaj ngjarje të madhe, të përbotëshme dhe ia la fjalën asaj, të
tregonte për atë ditë përjetësie dhe emocionet, që kishte derdhur në libër.
Dëgjonte
bukur. Me kryet pak mënjanë. Të bardhë si bora në Kosovë.
Fole
më mirë se ç’e prisja, shkëlqyer! - i tha Edës buzagas, kur mbaruam, duke e
falenderuar me shpirt.
3.
Përsëri
në kishën “Zoja Pajtore” në Detroit, me Don Ndue Gjergjin përsëri dhe 800 të
ftuar në përurimin e Qendrës së re kulturore “Nënë Tereza” aty pranë me rastin
e Festës së Pavarësisë së Shqipërisë, në 107 vjetorin e saj. Tani vinim nga
Çikago, ku kishim vendosur të jetonim, pasi i mbaruam të gjitha punët dhe
detyrat në atdhe.
Pritja
e Don Ndout dhe e bashkëpunëtorëve të tij, organizatorëve të festës ishte
perfekte, kështu po thoshim…
Don
Ndou na vuri te “të ftuarit e nderit”. Fjala e tij si përherë e shkurtër, e
qartë, e përzemert, frymëzuese. Fytyra e tij – gjithmonë si vendlindja, kaq-
shumë-mirë-pritëse. Me një qetësi të shenjtë.
Në
skenë do të ngjitej Eda.
-
Kam sjellë këtë dhuratë, - tha ajo, - me zërin ku përziehej dhimbja dhe gëzimi,
- këtë portret të shenjtes tonë Nënë Tereza. Është vepër e piktorit Maks Velo,
personalitet i kulturës shqiptare, ka qenë në burg politik bashkë me tim shoq,
Visarin, por tani janë të njohur për veprat e tyre, Maksi ka hapur shumë
ekspozita nëpër botë, edhe në SHBA, po edhe poezitë e Visarit janë përkthyer në
gjuhë të tjera, edhe në anglisht. Këtë portret të Nënë Terezës, që e dua shumë,
ai ma dhuroi mua dhe unë, me pëlqimin e tij po ia dhuroj Qendrës së re
Kulturore “Nënë Tereza”… Dhurata duhet të të dhimbet, na mëson Nëna Tereza, - e
përfundoi fjalën e saj gjithë emocion Eda.
Don
Ndou e çmështolli me ngadalë pakon, nxori portretin e vënë në një kornizë, ua
tregoi të gjithëve në sallën që po duartrokiste. Nuk ishte i madh, por
rrezëllinte shenjtërisht. Pastaj përqafoi Edën…
4.
Miqësia
me Don Ndue Gjergjin po bëhej më e bukur dhe e thellë, flisnim dhe në telefon.
Më pyeste se ç’po shkruaja dhe shtonte se i lexonte me shumë qejf ato që botoja…
Ndërkaq
në botë pllakosi pandemia e Covid-12, u ndalën shumë punëra e u pezulluan shumë
veprimtari, fluturimet e avionëve u shtynë për një kohë të pacaktuar, Spitalet
u mbushën plot dhe njerëzit u mbyllën nëpër shtëpira, edhe për në funerale nuk
lejoheshin të dilnin… etj, etj.
Dom
Ndou interesohej për ne, ishim të rinj si banorë të Çikagos, ç’nevoja kishim e
si mund të na ndihmonte?
Ndërkaq
ai erdhi të celebrojë disa mesha në Çikago, në rrethina, kishë katolike
shqiptare s’ka ende këtej, por miku ynë i përbashkët, Leka Brisku, diakoni i
parë shqiptar në shtetin Illinois, e ftonte në Kishën, ku shërbente vetë dhe
kujtoj, besimtarët ishin të gjithë me maska.
Na
mrekullonte ardhja e Don Ndout, fjala e tij e qetë, qetësia e tij që fliste,
sytë e vegjël që i ndrisnin, vullneti dhe forca, jepnin siguri e shpresë. Teksa
tundëte incensierën në lter, djajtë trëmbeshin të padukshëm.
Don
Ndou vinte me makinë nga Miçigani e me të mbaruar meshën, nisej për t’u kthyer
nëpër natë dhe dimër. I luteshim të rrinte. Por e prisnin punë të tjera. Dhe
ishte më buzagaz se herët e tjera. Bënte humor, na përqafonte dhe ikte… Duke na
lënë të mbushur me meshë shqip. Dhe do të vinte prapë…
5.
Me
Leka Briskun, që ngiste makinën, dhe të shoqen e tij, Blandinën, shkuam në
Detroit me rastin e 50 vjetorit të themelimit të famullisë “Zoja Pajtore e
Shqiptarëve”, ishte organizuar sërish një simpozium shkencor për historikun e
kësaj kishe, e kaluara dhe e ardhmja.
Në
ceremoni morën pjesë edhe Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji dhe Arqipeshkvi
i Tivarit, Rrok Gjonlleshaj si dhe kreu i Françeskanëve të Shqipërisë, P.
Pashku Gojcaj, njëherësh dhe botues i revistës “Zani i Shna Ndout” në Tuz. Nga
Uashingtoni kishte ardhur dhe mikja jonë Merita Bajraktari.
Do
të takoheshim sërish me atë që na prisnin aq mirë përherë, bashkëpunëtorë të
Don Ndout, anëtarë të Këshillit të Kishës…
Pikë
kulmore në simpozium do të ishte dhe fjala e mikut tonë, Dr. Lisandri Kola,
lektor i letërsisë shqipe në Universitetin Ann Arbor. Kur ai do t’më ftonte mua
pas një viti për të mbajtur një fjalë para studentëve të tij për “Letërsinë e
dënuar shqipe”, do të vinin në auditor dhe Don Ndou dhe Don Fredi.
Ja,
Don Ndou, shfaqej gjithë mirësi, me thjeshtësinë adhuruese, aq sa më dukej
sikur flatrat i kishte lënë në dhomën e tij. Në famullinë e tij ai ishte zot
shtëpie, por me kanun shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe mikut…
Sa
shumë miq që mblodhën! Ja, Don Xhovani Kokona… Po Inxhinier Mërgim Korça
është?... takuam Huanën me Lekën…. atje tej vatranët…
6.
Përsëri
të ftuar, tani në përurimin e një vepre të re për Nënë Terezën të vëllait të
Don Ndout, Don Lush Gjergjit, vinte nga Prishtina, nga Katedralja “Nënë
Tereza”.
Shkuam
me Dhimo Janon, ai drejtonte makinën, ndoqëm meshën si fillim, dy vëllezërit në
altar, zërat si lahutat në Kosovë… u kthyem brenda ditës. Kujtuam fjalët që
kishte thënë Don Ndou për të vëllanë: Është më i vogël se unë, por ka të mira
më shumë, ai shkruan.
Ai
shkruan… lavdi shkrimit!
7.
Dhe
po në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” në Detroit do të përurohej dhe romani im
më i fundit “Këpuca e aktorit”, metaforë e ecjes së Shqipërisë, do të thuhej në
diskutim.
Përsëri
erdhëm me Dhimon e me Taip Beshirin, që u përkujdes të kishm dhe librat me
vete. Udhëtuam një fundjavë maji, të këtij viti, ishim bashkë me zonjat tona.
Do të na prisnin te pragu si përherë Vali, motër Vitorja…
Takimin
do ta drejtonin z. Gjek me bashkëshorten Rita, dhe do ta çelte Don Ndou. Folën
dhe znj. Merushe, edhe Eda ime…
Sa
bukur, dy vajza të vogla na dhuruan lule. Po ato lule janë vetë, thashë.
Me
motër Vitoren vizituam klasat, ku fëmijët mësonin shqipen, por dhe të kurseve
të valleve, të teatrit, të punëdoreve, etj… Ndala në krye të klasës te dërrasa
e zezë… si këmisha e Don Ndues, si netët tona plot ëndrra… më pëshpëriti Eda.
Ja,
dhe Biblioteka me emrin “Don Ndue Gjergji”… Librat po më dukeshin sikur ishin
duart e tij të shumta. Sa më shumë duar për punët dhe meshat… për të përqafuar
aq shumë njerëz…
“Ndërkaq
në ditën e shtatë Perëndia mbaroi veprën që kishte kryer…”. Kështu shkruhet në
Bibël, në Dhjatën e Vjetër, te Zanafilla. “Dhe Perëndia e bekoi ditën e shtatë
dhe e shenjtëroi, sepse atë ditë… u çlodh nga gjithë vepra që kishte
krijuar…” Shtatë ditë u deshën që të
krijohej bota dhe jeta. Shtata - numër i shenjtë… Dhe kronika ime me Don Ndue Gjergjin kishte
këto shtatë takime, më kryesoret. Që të krijohej një miqësi e sinqertë dhe
nderimi im ndaj tij me përulësi.
* * *
Dom
Ndou nga Kosova në Miçigan… 7 takimet e mia me Dom Ndoun, mbresa, që sikur
përforconin brenda meje një dëshmi, një vepër…
Kishim
shkuar përsëri në Kishën e tij “Pajtorja e Shqiptarëve”, nëpër dimër ta takonim
pas lëngatës, që sapo kaloi. Deshi Zoti, është shumë më mirë tani, i rrethuar
me miq, - na thoshin, kur pyesnim.
Ja,
hapi derën dhe na u afrua sikur sapo kishte dalë nga fletët e Biblës. Dukej i
përvuajtur, por buzëqeshja ishte po ajo, copëz drite. U fut dhe prifti i ri, Don
Dino, që iu lut Dom Ndout të shkonte në krye të tryezës, por ai s’deshi… je ti
tani… Më bëri përshtypje respekti dhe dashuria, por dhe marrëdhënia.
Dhe
thashë me vete: meshtar nga Dardania e lashtë në Amerikën moderne… SHBA –
aleati jetik i Kombit Shqiptar, që me NATO-n çliroi Kosovën… që le të bëhet
sërish Dardani… Dardania Sacra …