Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Koliqi mbi rrënjët e traditës, Orwell nën tmerrin e imagjinatës
E diele, 26.05.2024, 08:00 PM
ERNEST KOLIQI
MBI
RRËNJËT E TRADITËS
GEORGE
ORWELL
NËN
TMERRIN E IMAGJINATËS DISTOPIKE
-
Në 121 vjetorin e lindjeve –
Nga
Visar Zhiti
Do
të mjaftonte institucioni i pazëvendësueshëm i lexuesit, kur arrin të
përkujtojë shpesh e më shpesh shkrimtarë që s’janë më, që kështu ata ndjehen
misionpërmbushur dhe vepra e tyre të mos jetë vetëm pjesë e historisë se
letërsisë së popujve të tyre, por e letërsisë së gjallë, asaj aktive, pra
përhere bashkëkohorë dhe pa kufij në botën e letrave..
Kjo
po ndodh me shkrimtarin tonë Ernest Koliqi, që para disa ditësh në 20 maj
kishte datëlindjen e tij të 121-të dhe shoh, se ka një moshatar, një shkrimtar
tjetër anglez shumë të njohur, George Orwell, i lindur dhe ai në vitin 1903, që
në 25 qershor ka datëlindjen. Natyrisht që kjo rastësi s’ka fare lidhje me
letërsinë, dy shkrimtarët u përkasin gjuhëve të ndryshme dhe vendeve të
ndryshëm, fateve te ndryshëm dhe famave krejt të ndryshme, por ja, që ata i
bashkon një fill lidhës, sipas meje, në dy vepra të tyre, krejt të ndryshme:
fantastikja e tyre.
Koliqi
ka një dramë, që njihet pak dhe në vendin e tij dhe Orwelli ka një roman që
njihet shumë në botë, lidhen me totalitarizmin, me komunizmin më konkretisht,
me të ardhmen e tij, sipas parashikimeve të tyre në kohët e tyre, ku njëri,
shkrimtari anglez, parashikonte alarmueshëm triumfin gjeneral të atij sistemi,
jo vetëm absurd, por dhe barbar, dhe kur kështu, në vitin 1984, kurse tjetri,
shkrimtari shqiptar, parashikoi rënien, padurueshëm më parë, në vitet ’70 të
shekullit të kaluar në vendin e tij. Pra ishin dy të ardhme, tashmë të shkuara,
por koha duket sikur ka mbetur ende brenda dy veprave të tyre, në distopinë
romanore orwelliane, në “1984”, dhe në aktin e skenës habitëse, koliqjane,
“Rrajët lëvizin”. Në fund të fundit ato janë letërsi...
DY PROFETËT MOSHATARË
TË KOMUNIZMIT,
?QË S’E PËRJETUAN VETË.
“1984”-
roman dhe “Rrajët lëvizin”- dramë. Dy vepra fantastike. Romani, dihet, është i
famshëm dhe i përket gjuhës botërore, anglishtes, ndërkaq, siç e thamë, është
përkthyer në shumë gjuhë të tjera dhe vazhdon të kujtohet e të studiohet dhe të
filmohet, etj, kurse drama është e vogël, pak fletë, e shkruar në gjuhën e një
vendi të vogël, të shqiptarëve, që e harronin me qëllim dramën, ishte
diktaturë, duke mos e pranuar në letërsinë e vet as kur ajo doli dhe ende
mungon zelli në posdiktaturë për ta bëre të njohur dhe për t’i dhënë vendin e
merituar.
Të
dy autorët e tyre, shkrimtari anglez George Orwell dhe shkrimtari shqiptar
Ernest Koliqi, bij të shekullit XX, bënë parashikimet e tyre, që edhe pse duken
me kahe të kundërt, qëllimin e kanë te njëjtë...
Do
desha të tregoj se Orwell-i lindi jashtë atdheut të tij, në Indi, ende
perandoria angleze atëhere, kurse Koliqi lindi në Shqipëri, perandoria otomane,
ndërsa Orwell-i do të bëhej i majtë ideologjikisht, deri dhe komunist, që shkoi
dhe në Spanjë në Luftën Civile krah republikanëve, kurse Koliqi do të ishte i djathtë, madje dhe ministër i arsimit nën
pushtimin fashist në atdheun e tij.
Orwelli
do të kthehej të vdiste në atdhe, në Londër, nga tuberkulozi në 1950, Koliqi
kishte ikur për të vdekur jashtë atdheut, në 1975 në Romë. Për të vdekur për së
dyti, se në atdhe fitimtarët e pas Luftës II Botërore e kishin dënuar me
pushkatim, atë dhe veprën e tij.
Orwell-i,
shkrimtar dhe gazetar i njohur, mbas Luftës së Dytë Botërore, në 1949, boton
romanin “1984”, një imagjinatë e frikshme, sipas së cilës në vitin e titullit
të veprës, gati e gjithë bota do të dominohej nga një totalitarizëm i rreptë,
mizor, udhëhequr nga një parti e vetme, sunduese me “Vëllanë e Madh” në krye
(Big Brother). Policia shtetërore e pranishme kudo, e dukshme dhe e padukshme,
kontrollonte dhe drejtonte gjithçka, jo vetëm veprimet, po deri edhe mendimet e
ndjenjat, një nënshtrimin masiv kapitullues, vrastar, një shoqëri
“trushpëlarë”, aq sa hitleriane, po aq dhe staliniste, e të dyjave bashkë, si
mos më keq.
Orwell
e njihte romanin distopik “Ne”, të shkrimtarit sovjetik Evgenij Ivanoviç
Zamjatin, të shkruar në vitet 1919-1921 dhe botuar për herë të parë në anglisht
në 1924. Në Bashkimin Sovjetik s’ishte lejuar të dilte atëhere ajo satirë
marramendëse e totalitarizmit të saj, e gjitha praktika e një utopie negative.
Fundi i botës vërtet.
Kujtoj
vitin 1984, më gjeti në burg. S’isha më i burgosur i ri, por as aq i vjetër,
nga ata që kishin bërë mbi 15 vjet burg, 20, 25, 30, edhe 40 vjet, që kur
kishte mbaruar Lufta, por s’kishte nisur ende paqja.
Në
oborrin e burgut, në stendën, ku vendosej gazeta politike “Zëri i Popullit”,
organ i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, (më i gjatë
emërtimi se vendi), ishte dhe një shkrim kritik për “1984”. Aty gjeta se
paskësh një roman të tillë dhe gazeta e Partisë e bënte “rezil”, një kritikë
egërshane, e ja erdhi dhe ky vit, dukej sikur klithte dhe alarmi që kishte
dhënë autori borgjezo-revizionist se ç’ishte komunizmi dhe që në 1984 duhej të
mos e lenin ta arrinte, ishin të dështura. Komunizmi do të triumfonte në të
gjithë botën së shpejti, sipas gazetës së Partisë, sidomos po të kishte një
luftë të tretë botërore...
Bashkëmoshatari
i Orwelli-t, shkrimtari ynë Ernest Koliqi, që nuk e di në mund të jenë takuar
ndonjëherë njëri me tjetrin, shkruajti në Romë, ku ishte vendosur si azilant
politik, dramën me një dukë/pamje, akt, “Rrajët lëvizin”, titullin e së cilës e
mori nga një varg i poetit Tomas Eliot.
Ngjarjet
e dramës ndodhnin në vendlindjen e humbur të autorit, në Shkodër, në
perspektivën e tij, kur kanë mbërritur vitet ’70, (fjala është për shekullin e
kaluar), pra jemi një dhjetëvjeçar para 1984 oruelliane dhe çudia është se aty
parashikohet e kundertën e Orwellit, jo
fitorja botërore, por rënia e totalitarizmit.
Unikale
dhe largpamëse deri në mrekulli, e brishte, madje dhe lirike, trama e saj e ka
forcën jo te konflikti i brendshëm, me fare pak personazhë e dialogë të
zakonshëm, po te konflikti historik i popujve, atij ndërkombëtar, te rënia e
natyrshme, pra e pritshme e komunizmit.
Vepra,
sa klasike, është dhe risi në letrat shqipe, etj, mbetet profetike mbase si
asnjë vepër tjetër në të gjithë letrat në perandorinë komuniste. ??Koliqi ishte i pari dhe i vetmi shkrimtar që parashikoi
rënien e asaj perandorie me një vepër letrare, kur totalitarizmi stalinist
ishte në kulmin e vet, në mesnatën e rëndë në vendin e tij..
Autori
si një orakull kishte parashikuar vdekjen e vet në ato vite dhe të diktaturës.
Saktësia është tronditëse për parashikimin e parë, por ndodhi dhe parashikimi i
dytë, pak më vonë se viti i tij dhe i Orwellit, në vitet ’90, por krizat e
tatëpjetës kishin nisur që në kohërat e tyre.
Koliqi
si një “AntiOrwell” ose “Orwell pozitiv” me dramën e vet vegoi fitoren e
njeriut, të individit mbi totalitarizmin e masës, e parë kjo, e zhvilluar në familje,
në qelizën e shoqërisë, në skenën e një shtëpie të thjeshtë dhe të vjetër, që
është atdheu.
Shqipëria,
nga një vend i tmerrshëm ateist, i pari dhe i vetmi në botë, që i kishte
ndaluar me Kushtetutë të gjitha fetë dhe i kishte prishur të gjithë tempujt e
tyre, i rrënuar shpirtërisht, në dramën e Koliqit është ringjallur, janë hapur
sërisht kishat, bien kambanat dhe po nis jetën drejt normalitetit të
dëshiruar...
Regjimi
në Shqipëri, Sigurimi i Shtetit, sigurisht që do ta kishte marë informacionin
për botimin e një drame të tillë reaksionare nga një i dënuar me vdekje, por të
arratisur në një vend kapitalist, në Itali. Rrugët e fshehta jo dhe aq
diplomatike bënin me dije udhëheqjen e lartë në Tiranë se Ernest Koliqi, armik
i betuar i popullit dhe i Partisë, që meritonte plumbin ballit, ka botuar në
Romë në revistën e tij reaksionare që del në shqip, “Shejzat”, dramën më
reaksionare “Rrajët lëvizin”...
Dhe
hakmerreshin mbi të vëllanë e tij, priftin Dom Ernest Koliqi, Kardinalin e
ardhshëm, i pari kardianl shqiptar, duke mos e nxjerrë nga burgu, por duke i
shtuar dënimet, burg tjetër dhe internime deri në fund.
Kritikës
së politizuar dhe cinike, po aq dhe mediokre të Realizmit Socialist i vinte më
për mbarë heshtja e qëllimtë, por mbytëse dhe ashtu bëri si zakonisht, por në
leksionet e studentëve të letërsisë, i mbaj mend dhe i diskutonim me
njëri-tjetrin, në njërën nga dispencat si e shaptilografuar, ishte dhe një
fletë nga fundi që e godiste ashpër dramën e Koliqit, si frojdiste, që kërkontë
të thoshte se regjimi socialist në Shqipëri bëri ndryshime të mëdha,
katastrofike, shkatërroi dhe vrau shumëçka dhe sipas autorit tradhtar, dmth
Ernest Koliqit, gjithçka ka ndodhur përsipër, se nëntokë, rrënjët e identitetit
dhe të traditës, të futura thellë te të vdekurit, janë gjallë dhe lëvizin....
Dhe
kumti i kritikës socrealiste mbyllej duke thënë ngazëllyeshëm se Koliqi nga dy
parashikimet që bëri, gjeti veç atë të vdekjes së vet.
Ne
si studentë, rrethi më i ngushtë yni, i ngazëllehej kumtit koliqian, duke na
pataksur që paskësh një drame të tillë, nga Koliqi, ja aty e ka shtëpinë, te
rruga matanë, në Gjuhadoll, jo shumë larg Institutit tonë, por ja, përtej
vendit tonë, u folka për rënie të komunizmit, nuk qenka i përjetshëm dhe
diskutonim që këtë pasazh lektori i njohur e kishte futur për të rroposur
Koliqin apo me dinakëri, për të bërë me dije se ç’është shkruar dhe se ka dhe
një shkrimtar të tillë më përtej, jo si tek ne. Prandaj dhe i ishim mirënjohës
për atë kritikë ndryshe, që guxonte, të paktën informimin...
Në
dramën “Rrajët lëvizin” bien dhe kambanat e së dielës në kishat e qytetit të
Ernest Koliqit, se ndërkaq, sipas parashikimeve të dramës ishin ripahur kishat,
pas shtetëzimit nga diktatura ateiste, bashkë me xhamitë, që i kishin
shndërruar në kinema, ku shikonim filmat e socrealizmit, në pallate sporti, ku
zhvillonim dhe mësimin e fizkulturës apo në magazina ushtrie, ku na jepnin
uniformat dhe armën, që të stërviteshim për të luftuar imperializmin dhe
revizionizmin botëror dhe nëse na sulmonin të dy njëherësh, NATO dhe forcat e
Traktatit të Varshavës, pra, Bashkimi Sovjetik, ne, Shqipëria, do të fitonim...
Orwelli-t
me këtë parashikim të beftë, jo letrar, mbase do t’i binte të fikët, ndërsa
Koliqi iu përgjigj sovranshëm si shkrimtar.
Dhe
erdhi dita që “1984” të botohej dhe në Shqipëri, dhe jo vetëm me një përkthim.
Rilexova njërin, pashë që gjuha shqipe e mbarte mirë atë tmerr dhe absurd.
Rreziku
i 1984-ës duket se ka një permanencë aktuale, një si avitje jo vetëm në vendet
e ish Bllokut Komunist, por si një ëndërr e keqe më globale.
Ndërsa
“Rrajët lëvizin”, vazhdojnë të lëvrijë nën tokë, ashtu si padëgjueshëm, por me
sigurinë e natyrës, me frutat përsipër, edhe pse dështakë të realizmit
socialist, të kthyer në kritikë të bezdisur të realizmit demokratik, himnizojnë
zëngjirur e tinëzisht arritjet e letrave të flakura të pas ple(h)niumit të
katërt të kohë së Partisë së tyre.
Me
dramën “Rrajët lëvizin” të do të mund të mburrej çdo skenë, nder për kulturën,
për inteligjencën në të gjithë Evropës Lindore. Ishte dhënë kështu kumti i madh
që atëhere dhe vinte nga letërsia shqipe, nga pjesa e dënuar e saj. Profecia e
shkrimtarit të arratisur Ernest Koliqi do të dilte. Do të shëmbej Muri i
Berlinit në vitin 1989, sundimtarët në Tiranë do të tmerroheshin, do të binin
diktaturat me radhë të perandorisë komuniste. Edhe kjo, jona. S’ishte e jona,
por që na shtypte ne... Akujt e saj andej larg, përmbysnin dhe këtej...
?Kambanat po binin
vërtet. Kishat dhe xhamitë dhe teqetë u rihapën, Vepra e Koliqit u botua e
plotë, pas Prishtinës dhe në Tiranë.
?Nga skenat e teatrove
shqiptare presim të shohim dramën “Rrajët lëvizin”, por dhe përkthimin e veprës
me mbështetjen e institucioneve gjegjëse për teatrot e tjerë në Europë dhe
botë... që të mos ketë “1984” totalitariste, por familje dhe botë të lirë dhe
letërsi dashurie.
KARTELË E SHKRIMTARIT
?Themeltar në letrat shqipe...
Ernest Koliqi
(1903 – 1975)
?SI EPILOG:
Në
në librin “Kartela të Realizmit të Dënuar”, studim imi, botuar në Tiranë në
2020, është dhe kartela “Ernest Koliqi” po e sjell dhe këtu në nderim të tij,
me rastin e 121 vjetorit të lindjes:
“...mësues,
poet, shkrimtar, përkthyes, ministër i arsimit... u lind në Shkodër, kur
Shqipëria po përgatitej të dilte nga robëria e gjatë otomane, në vitin e tretë
të shekullit të kaluar, në majin plot
petale të ngrohta si puthjet, mes të cilave përzihet edhe ajo, puthja e Judës. ????????Do të merrte dije të gjera në Itali e Kroaci,
mbartës i traditës dhe mbrujtës i risive letrare, themeltar i modernes në
tregime, stilist dhe qëmtues i fjalës, aq sa duket sikur i mblidhte si bimët e
rralla mjekësore maleve të Veriut, njohës i jetës, i mekanizmit të konflikteve,
i brengave të moszgjidhjes, i muzgut dhe dritës në rrugët e njeriut, sidomos i
rrugicave të Shkodrës, që e donte aq shumë, aq sa e bëri emblemë të këngës së
vet…
Kur
emërohet Ministër Arsimit (1939) është ai që çon institucionalisht në Kosovë
arsimin shqiptar, dërgon 200 mësues nga më të përgatiturit, duke hapur të parën
shkollë të mesme atje, më 1941, kur këtej, 200 të tjerë, jo mësues, por
komunistë, me ndihmën jugosllave, sapo kishin krijuar një parti, e cila do të
vendoste diktaturën më të rëndë, duke e braktisur Kosovën, që do të dënonte
Koliqët dhe veprën e tyre...
Mbarimi
i luftës do ta gjejë me punët e albanologjisë në Itali duke iu mbyllur përjetë
rrugët e kthimit në atdhe, kur e dënuan në mungesë me vdekje.
Gjatë
mërgimit të detyruar politik Ernest Koliqi nuk do të reshtë së punuari,
themelon katedrën e albanologjisë në Romë, hap revista, bashkon diasporën,
ringjall shpirtin arbëreshët e jugut, harton antologji të poezisë
mbarëkombëtare, ndjek me vëmendje jetën politike dhe kulturore në atdhe,
shkruan poema, romane dhe do të ndikojë fshehtas edhe në vepra madhore të
mëvonshme të letërsisë shqipe. Vdes papritur në dhjetor të vitit 1975, në Romë.
Ende atje prehen eshtrat e tij, në Varrezat e Monumentale.”
Na
jepet të pyesim: vdiq apo e helmuan? Sepse ndodh në kohërat iktatoriale, që t’i
zhdukin kundërshtarët e tyre, madje dhe t’i ndjekin ata kudo ku mund të jenë
arratisur...
Gjithsesi
Ernest Koliqi tashmë i ka tejkaluar të gjitha vdekjet e veta, me profeci të
realizur dhe mbetet vetëm shkrimtari themeltar me Veprën e tij letrare me
rëndësi epokale.