Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Të biesh dhe të ngrihesh me gurin e kufirit mbi kurriz
E shtune, 13.04.2024, 08:00 PM
TË BIESH DHE TË NGRIHESH
ME GURIN E KUFIRIT MBI KURRIZ...
AGIM
RAMADANI
MES
LAJMËTARËVE TË EUROPËS
Nga
Visar Zhiti
...shkuli
gurin e kufirit, atë që ishte vënë për të ndarë Kosovën nga Republika e
Shqipërisë, për të ndarë një popull, një gjuhë, një histori, për të ndarë
njerëzit nga njerëzit, veten nga vetja.
E
ngriti mbi kurriz atë gur sizifian, të rëndë e tragjik, të ngulur qysh në vitin
1913, iu avit një hu(b)nere dhe e hodhi...
Duhej
sensibilizuar Europa, duhej ndrequr sa më parë që të ishte e mundur ai mëkat i
saj ndaj shqiptarëve në fillimet e shekullit XX.
Çështja
e Kosovës, si akt tjetër tashmë i
çështjes shqiptare po merrte dhenë. SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar,
Gjermania, Franca, Italia, Turqia, Spanja, etj, gjithë NATO-ja po bëheshin gati
për ndërhyrjen ushtarake në Jugosllavi.
Presidenti
i shtetit më të fuqishëm në botë, Bill Clinton, e flak mëdyshjen dhe firmos
bombardimin e Beogradit, - ...i kisha dhënë fjalën Nënë Terezës, - do të
thoshte ai, - ma kishte kërkuar: “Ndihmojeni popullin tim!”
“Nënë
Tereza, ishte e para Ajo që më bëri ta dua kombin shqiptar, - do të dëshmonte
botërisht Bill Clinton, - dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë
morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të
lirisë.”
Në
Kosovë, pas punës titanike të “Gandit të Ballkanit”, Prof. Ibrahim Rugovës, që
me diplomaci e durim ia kishte bërë të njohur Çështjen e Kosovës Europës dhe
SHBA-së, ishte formuar Ushtria Çlirimtare dhe kishte nisur lufta e pa barbartë.
* * *
…Agimi
lindi në një familje juristi në fshatin Zhegër të Gjilanit me 3 maj të vitit
1963, dhe aty, në shkollën e fshatit të
tij, mori mësimet e para, mbaroi filloren. Pastaj në Gjilan kreu të mesmen
teknike, por i pëlqente poezia dhe piktura, megjithatë shkoi të studiojë në
Zagreb në Akademinë Ushtarake.
Shërbeu
me gradën nënkolenel dhe merrte pjesë në ekzpozita kolektive pikture, hapi dhe
vetanake, kurse poezitë i linte andej- këndej, edhe redaksive të revistave të
ndryshme.
Kur
nisi lufta në Kroaci dhe po bëhej gati të plaste dhe në Bosnje-Hercegovinë, ai
braktisi Armatën Jugosllave. I djegin shtëpinë dhe ai emigron drejt Europës,
drejt ëndrrës.
Në
Zyrih drejton qendrën kulturore të shqiptarëve, vazhdon pikturën, hap rreth 50
ekspozita, vlerësohet me çmime.
Merr
statusin e emigrantit në vendin më të begatë, në Zvicër, bëhet qyetar europian dhe
ashtu mbahet, shembull qyetarie.
Burrë
i pashëm, si i dhëndërt gjithmonë, i gjatë, me fytyrën të mprehtë, flokët të
zeza e të dendura, me mjekërr të zezë, të shkurtër dhe hollake, me vetullat e
zeza e me sytë plot poezi, aq sa vështronin jashtë, po aq dhe brenda vetes,
buzëqeshte lehtë edhe kur nuk buzëqeshte, me këmishën të bardhë sikur kishte
vërshuar mirësia e tij nga gjoksi, sikur kishte mbajtur pëllumba, kostumi i
errët, dukej sikur ishte veshur me natë... Me cilën natë?
Atdheu
po thërriste bijtë e vet.
Dhe
po atë vit që u bë Akdemik në Artet Europiane, Agimi vendos të kthehet, atje,
në tokën e tij, në luftë për çlirimin e vendit.
Lë
në Zvicër tre fëmijët, dy djem, vajzën dhe bashkëshorten, zonjën Sh.
Ishin
rritur bashkë, kishin qenë në një klasë dhe një ditë, - e kujtonin dhe qeshnin
të lumtur, - kur ishte student, u fut në makinën e babait të së dashurës së tij
dhe i thotë: e dua vajzën tënde, po nuk ma dhe, më mirë më vrit...
Vjehrri
i ardhshëm, i befasuar, s’i mbetej tjetër veç të përgjigjej: Qoftë për mirë!
Agimi
dinte të donte, por ai dinte dhe të sakrifikonte për dashurinë. Dhe ashtu bëri.
Dashuria e tij ishte e madhe, europiane, mund të themi.
Para
se të mbërrinte në luftë ndali në Tiranë, pastaj në Lezhë, stërvitjet e fundit
me shokët dhe...
Strateg
betejash, udhëheqës tamam, Katana e thërrisnin. Me uniformë dukej si më i
hajthëm, mjekrra tani si muzg Kosove, vështronte me më vendosmëri, me një si
pikëllim që sikur vinte nga yjet.
I
dashur me shokët dhe me luftën... shkroi dhe himnin e komandosve. Nisi të
merrej me përgatitjenë e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar.
Dhe
i pari shkuli piramidën-kufitare në Koshare.
Shpesh
për maskim mbuloheshin me degë e gjethe dhe fytyrën e lyenin me baltë atdheu.
Marrshime
të guximshme, të fshehta dhe beteja plot me “njësitet e kobrave”... drejt
pozicioneve serbo-malazeze, kujdes, se ka dhe
mercenarë rusë...
Te
vendi i quajtur Rrasa e Zogut, andej nga ana e Kosovës, ndalën. Komandant Agimi
u ndau detyrat luftëtarëve të vet, dha urdhërin që të shpërndaheshin, me
kujdes... ja pylli, shkëmbi, pllaja, më tej është... liria.
Të
shkonin si fillim për atje ku ishin caktuar... me vrap, me kërcime... Dhe
hidhej sa nga njëri tek tjetri pozicion duke dhënë udhëzime, detyra, por dhe
moral. Thoshte dhe ndonjë poezi, nga ato që të shtojnë guximin. Pishat herë pas
here shkundnin borën nga krahët e blertë. Aq shumë bardhësi mbi tokë... këmisha
e dhëndërisë... ç’bënin tani gruaja, fëmijët?... E pabesueshme që ka ende
luftë...
Armiku
dinte kur dhe kë të godiste. Po e vëzhgonte, e kërkonte me dylbi, tyta e armës
drejtohej nga ai, ja kryet në rreth, prisnin.
Agimi
ndjeu thellshëm plumbin, u kthye nga e djathta si për t’u shplodhur a që të
merrte hov, por nuk lëvizi më. Shoku i tij i pozicionit shtiu pa ndërprerje
andej nga erdhi plumbi. Dhe të tjerë sulmuan... Ashtu siç kishte porositur
Agimi. Betejë u ashpërsua edhe më, u përgjak trualli... “Termopilet e Kosovës”
e quajtën...
Ngritën
trupin e komandantit... e shtrinë mbi një vig. Uniforma e ushtarit të lirisë
kishte marrë ngjyrën e lulkuqeve të fushave të Dardanisë, të Flamurit Kombëtar.
Dhe
Ai u kthye shtatore në qytetin e tij, në Gjilan, në atdheun e çliruar. Rri
kryelartë në sheshin para Pallatit të
Kulturës, i bronztë në bulevardin ku dikur shëtiste modest, i njerëzishém, i
dashuruar, i qeshur.
Te
këmbët ka kurora me lule, por është dhe ai, guri tragjik i kufirit, absurd, i
pakuptimtë, me ca shifra e shkronja të pakta, si jerm i ngrirë.
-
Duhet të mburresh me Agimin, - i thonë tani bashkëshoretes së tij, zonjës Sh.
-
Kur ai ishte, po, unë mburresha me të, - përgjigjet ajo, - tani që s’është,
mburruni ju – dhe ndjen në gjoks nxehtësiné e një thike.
Dhe
një ditë ajo më tregoi se Agimi i saj, ashtu si të gjithë ata që shkruajnë
poezi, dëshironte të botonte një libër dhe atje, në Zvicrën e largët, i thoshte
që do të kishte dashur që t’ja përgatisja... unë.
U
drodha. Po, po vértet. Dhe s’ishim parë kurrë. Nuk e dija... Pse, pse, më
ndjente vëlla në dhimbje, sepse... burgu... ah, duke m’u marrë fryma,
shkruajtja fjalën hyrëse të librit të tij. Ja:
NJË JETË TJETËR PËR TË
GJITHË.
- VARRET QË RINGJALLIN
KOMBIN -
Një
plumb lufte, i nisur ndoshta njëmijë vjet më parë, godet në trupin prej poezish
një njeri me emrin më të bukur që mbart me vete përjetësisht lindjen gjithë
dritë të botës, Agimin.
Patjetër
atë çast ka rrjedhur sërisht gjak plaga e pushkatimit të poetit Lorka në
Spanjë, e poetëve të truallit tonë Gërvalla e Xhagjika, po, po, edhe plaga e
largët në trupin e Pushkinit, atje në vendin nga na zbritén barbaritë dhe e
gjithë poetëve të vrarë për lirinë a të zhdukur nga diktatura kudo, kudo.
Qe
përsëritur krimi i llahtarshëm në vitin e fundit të mijëvjeçarit në prag të një
ëndrre të madhe, kur bota çlironte Kosvën.
Vranë
poetin Agim Ramadani. Ah!
Në
drejtim të kundër me plumbin e vdekjes niset një grua si në balada. Lë malet e
Zvicrës, mjegullën dhe dritat moderne dhe mbërrin te malet e ashpra të Tropojës
tonë. Lufta që bëhej matanë kufirit të dhunshëm, vjen dhe këtej. Gjëmojnë
gjëmimet e gjëmës së bombave. Gruaja shkon tek një varr i ri. Shtang.
Luftëtarët përreth qajnë dhe ledhatojnë dheun e varrit mbuluar me flamur. Ishte
gruaja e Agimit, dashuria e tij. Ka ardhur të dëgjojë amanetet nga ky gur
varri, që të tjerët nuk mund t’i dëgjojnë dot.
Armët
e Agimit, ditarin e përgjakur ia kthejnë asaj. Që të mos pushojë arma e Agimit,
ajo ia jep luftëtarëve të tjerë. Pastaj, kur të vijë liria, t’i çojmë në muze,
thotë.
Mbas
vdekjes vjen shtegtimi.
Kam
përpara gazeta të ndryshme shqiptare e të botës, që kanë shkruar për Agimin,
intervista, poezitë e Agimit, lënë dorëshkrim, të cilat poeti ynë i madh, Ali
Podrimja, i bëri libër “Një jetë tjetër”.
Agim
Ramadani lindi në majin e dashurisë, 1963 dhe vritet në prillin e trimërisë,
siç thotë populli, më 1999.
Qe
laureuar për inxhineri në Akademinë Ushtarake në Zagreb. Por ai armët i donte
kundër armëve dhe luftën kundër luftës. Donte dashurinë, fëmijët dhe Kosovën
bashkë me to. Donte kombin dhe botën. Dhe vizatonte copa nate që po i praronte
drita. Dhe pranohet në një tjetër Akademi, në atë të Arteve Europiane, ku merr
dhe Medaljen e Artë.
Ndërsa
e vrasin, mua më duket sikur dhe pikturat nëpër galerira qëllohen me breshëri
plumbash. Bie e përgjakur Mona-Liza në Luvër.
Agimi
shkruante dhe poezi. Edhe libra, doracakë për luftën, kur nga Zvicra ku kishte
mërguar, shkon në Kosovë, rreshtohet, rreshtohet në UÇK- në e të gjithëve,
bëhet komandant dhe më pas brigada 138 merr emrin e ndritur “Agim Ramadani”.
Dhe të vjen té besopash se UÇK do të thotë edhe Universi Çlirues Kulturor, etj,
etj.
Lotët
nuk të lënë të lexosh dot poezitë e tij. Më ikin nga duart në ajër si copa
drite, si fasha, më mbulojnë të gjithin si rënkime, si flatra dhe befas bëhet
terr. Terri i tanishëm.
Por
si një abazhur ndriçon plaga e poetit dhe unë e kuptoj se drita vjen prej
gjakut të derdhur në luftën për liritë e Njeriut që është dhe komb.
Futem
në një tjetër jetë të Agimit, në atë të poezisë. Ai ka shumë jetë tani. Dhe atë
të pavdekësisë.
Tiranë, shkurt 2000
Libri
iu përkthye dhe në anglisht. Më pas dolën monografi, studime për Agimin,
përsiatje, letrat, ditar, poezi të tijat, që i kushtoheshin atij, në tre
vëllime, ekspozita, etj, etj, por një vend pikëllues plot dritë shpirti zënë
vargjet e së shoqes.
Mbi degë të rënduara
malli
Loti rrjedh drejt
eshtrave të tua.
Inde të padukshme
ëndrrat
Tokë e qiell m’lidhin
E në damarët e fëmijëve
tanë
Gjaku yt vrullshëm
lëviz..
Sjell
agime ai gjak, të ëndërruarit. Agimi është vërtet një agim i përhershëm...
Pas
atij viti, që ishte i fundit i jetës së tij, erdhi shekulli tjetër, mijëvjeçari
i ri, koha më e mirë për shqiptarët, koha europiane. Agimi i gjallë...
A MJAFTON PRITJA
A
mjafton
Të
presim vetëm
E
të shikojmë
Duke
larguar perden
Për
të parë si na vjen liria
(Tetor, 1994)
NËSE
Nëse
e dashuron diellin
Ma
jep pak zjarr
Nëse
e dashuron hënën
Më
jep pak dritë
Nëse
e dashuron lulen
Më
jep pak shpresë
Nëse
e dashuron pranverën
Më
jep pak jetë
Nëse
e dashuron ylberin
Më
jep pak rrugë
Nëse
e dashuron shiun
Më
jep pak dashuri
Nëse
më dashuron mua
Zemrën
ta fala
IDRIZ SEFERI
Oshëtima
ende është gjallë
Damar
i tokës vetë
Ai
(Janar, 1994)
PIKTURALE
Trëndafili
i tharë
Në
kornizë te dritares
Dhe
një cep pëlhure
Që
njomet
Në
të paavulluarën
E
gotës se kujtimeve
Në
horizontalen
E
matur të penelit
Më
shteren ngjyrat
Në
kavaletin
E
së kaluarës
M’U SHTERSHIN SYTË
M’u
shterrshin sytë nëse pushoj
Lirinë
tënde me ëndërrue
mallkue
qoftë gjaku im
nëse
m'vrasin pa luftue
(1996)
NË MUNGESËN TIME
Tani
unë jam hi dhe hije nuk kam
Se
kam ndërruar jetë askush nuk e di
Më
kërkojnë pyesin ku kam mbetur
Në
trupin tënd të brishtë jam shkrirë
Nuk
jam tretur…
———————————
Agim Ramadani
ra heroikisht në 11
Prill 1999
25 vjet më parë
dhe filloi përjetësia e
tij.
(Nga libri “Lajmëtarët e Europës” -
Visar Zhiti,
Botimet “Omsca-1” & “UETPRES”
2014