E merkure, 30.04.2025, 08:19 AM (GMT+1)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: babai mal dhe një ninullë burri

E hene, 17.06.2024, 06:57 PM


BABAI MAL

DHE NJË NINULLË BURRI…

- në dy poezi mes atit dhe birit -

Nga Visar Zhiti

Happy Father’s Day! - uroi që në fillim të meshës sot at’ Mario dhe më pas shpjegoi se  ashtu siç janë marrëdhëniet me babain ashtu janë dhe marrëdhëniet me Zotin…

Dhe menjëherë mendja më shkoi larg, tek vendlindja e tim eti, ku është një mal që besonin se banonin perënditë, që pastaj mërguan në Olimp, - ah, dhe perënditë mërguakan, - prandaj dhe e quajnë “Baba Tomorri” atë mal dhe është Olimpi i shqiptarëve.

Metaforë e fuqishme, një simbolikë mahnitëse: Babai-Mali-Zoti.

- Në fund të meshës, - po thoshte meshtari jo pa atë gazmendin që e dallon, - ka për çdo burrë nga dy çokollata. - Patjeter njëra është për t’ia dhënë gruas. Ndryshe s’ka kuptim. S’ka baballarë pa nëna… Dhe ndjeva një zë gruaje: Gëzuar Festën e Babait!

Pasditen e djeshme kishim vajtur në Chicago për një vizitë të dytë te murgeshat, mikja jonë Nilla na çoi prapë, po në atë shtëpi dashurie, që e kishte themeluar Shenjtja jonë Nënë Tereza, kishte bujtur dhe vetë aty  dhe ne tani donim të shihnim gjurmët…

- Ja, çarçafët e saj të bardhë… - Si bora atje larg, në AtDhe, në Baba Tomorr. - Filxhani i çajit, gota e qelqtë, një muze fare i vogël, sa i urtë, kështu m’u duk, që të pikëllonte bukur.

Ai fixhan sikur doli vetë nga rafti dhe erdhi te buzët e mia. Do të doja çaj mali me aromë nga mali im, kam dhe një poezi për Baba Tomorrin, ta kërkoj, kur dëgjova:

- Gëzuar Festën e Babait! - Ishte Motër Bethel, m’u bë se ma mërmëriti Nënë Tereza.

Një urim kështu më erdhi dhe në mëngjesin e sotëm, para meshe. Pas meshe i morëm dy çokollat, të gjithë burrat dhe bëmë foto me priftin në altar.

Dy çokollatat e mia. Dy poezi. Njërën sapo e gjeta, Baba Tomorri, është një lartësi e shenjtë… që s’kanë ç’i bëjnë lehjet, - s’e di pse mendova kështu, nga ndonjë lexim euforikeq gazete, nejse, dhe çokollata tjetër e urimit?

Një djalë që e dua dhe si shkrimtar, më ka thënë se i pëlqen shumë poezia ime “Ninullë burri për foshnjën që fle”, - nuk e di a ka patur ninulla burrash, - më pyet, por po e sjell poezinë, në librin “Thesaret e frikës” është dhe kjo, të dyja bashkë, midis atit dhe birit le të jenë si urim për këtë ditë.

?

MALI I SHENJTË

- Tomorr -

Atje, atje te Mali i Shenjtë,

që gjithë shqiptarët e thërrasin: Baba,

ku ka tempuj të padukshëm

dhe shpella çudish,

përrenjtë si kope dhish të egra

me brirë të artë hënash,

atje ku varfërinë e trishtimin i mbajmë për vete dhe durojmë, ah, siç duron mali dëborën

në këngët tona,

kurse këngët dhe begatinë i ndajmë

me të tjerët gjithë gëzim

siç na kanë mësuar dhe Krishti

dhe Muhamedi,

atje, atje, te Kryefroni i Perëndisë,

ku një dorë naimjane

bën antologjinë e gurëve, të lisave,

të mbijetesës,

është vendi i etërve të mi,

kulla e lashtë e fisit.

Nënat e mia aty erdhën nuse

me kuajt e bardhë,

që shkonin dhe në luftë

dhe ktheheshin të errët si retë,

si heroizmat. Eh, vellot e nuseve

i merrte era dhe bëheshin

dritë agullimash.

Aty shpirtgrymurit goditën tim atë.

I ruaj plumbat

në kutinë e penave të mia,

nga shpatullat ia nxorën,

prandaj ngjan si e kafshuar pllaja

dhe ka kanone të hatashme,

vetë historia është çarë.

Vendi im, që aq shumë e dua

deri në vuajtje,

sa s’guxoj të shkoj, po më vjen

në ëndërr dhe më ysht.

Shoh veten të blertë, që ndal

krua më krua,

janë brengashërues

dhe u përulem si perëndive.

Gjithë fytyrat e mia të hershme

dhe ato që do të vijnë,

vegullojnë dhe lëkunden në kujtesën e kulluar të ujit dhe befas zgjohem nën një vile rrushi yjor.

Është buzëqeshja

e birit, në emër të atit e të shpirtit

të shenjtë të këngës,

në ëndrrën e ëndrrave

dhe ashtu do të jetë…

NINULLË BURRI

PËR FOSHNJËN QË FLE

Bir i babit, fli,

do ta përkund si djep këtë mbrëmje

dhe do të ndjell gjumë të ëmbël

për ty,

ja, si pëllumbat e gëzimit të bardhë

?që i mbledhim në ballkon

?                                    me thërrime buke,

unë po hedh mërmërimat e mia

të mahnitura të lajmit:

je dhe ti tani në këtë botë! Sa bukur!

Fli, bir,

në gjoksin e mamit. E zuri gjumi

para teje? Jo, ëndrra. Derdhet qumështi buzëve të tua

?                                     si rrëké e shenjtë

?                                     e merakut të qiejve.

Fli, bir,

se unë do të vëzhgoj i lumtur mbi ju,

i freskuar me qerpikët e tu që rriten,

u bënë sa të mamit, ja, ja, po më cikin

gushën,

??më mbuluan të tërin

si bar dashurie.

Buzëqeshja jote ndriçon

mbi ëndrrën tonë –

shandan lumturie. Dhe ne,

të përmbytur nga drita,

do të vijmë nga pas.

Po shkon të ngjitësh flatrën

e një zogu

që ra nga dega e një mosmirënjohjeje,

t’u rregullosh udhën e shkelur

???                                                     milingonave,

të hedhësh një shpatë në ujë,

të vizatosh paqen

me gishta mbi rërë

dhe të kthehesh i zgjuar

për të na rritur ne

që harrruam.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx