E merkure, 30.04.2025, 06:33 AM (GMT+1)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: Në ditën e Shenjtes Nënë Tereza, në Tiranë

E premte, 13.09.2024, 06:58 PM


NË DITËN E SHENJTES NËNË TEREZA

NË TIRANË…

Nga Visar Zhiti

Në qiellin e Tiranës tonë, kur avioni filloi të ulej për në aeroportin që mban emrin e Shenjtes “Nënë Tereza”, po prisja që zëri i stjuardesës - shoqërueses së fluturimit- të thoshte jo vetëm që ju kujtojmë bagazhet, por dhe që sot është dita e shenjtërimit të Nënë Terezës.

Asgjë të tillë s’e dëgjuam as nga zëfolësët e sallave të aeroportit, as nuk e pamë të shkruar në mure me drita, ashtu si dhe vjet, veç te vendi i taksive pamë shtatoren e saj të bardhë, por asnjë kurorë s’ishte vënë  aty. Ah, po, një zonjë e re ishte me djalin e saj dhe kishte një tufë me lule në dorë, i foli djalit shqip dhe i kërkuam të na bënte një foto para shtatores. Buzëqeshi. Nga e folura na u duk si nga Kosova. Eda bëri dhe një foto me djalin e saj…

Taksistit i thamë të na çonte në një dyqan lulesh sa më pranê, pse, ç’i doni? - shfaqi kërshëri ai siç bëjnë jo vetëm taksistët, por thuajse të gjithë shqiptarët.

Për Nënë Terezën i duam, - i thamë me një zë, - është Dita e Saj, në fakt është dita jonë, e të gjithëve.

Unë nuk dëgjoj lajme, - po shpjegohej taksisti pa ndërprerje, - dhe kam kaq vjet që bëj rrugën e aeroportit, por s’më kanë thënë ndonjëherë pasagjerët ndonjë gjë të tillë, - ndërkaq taksia po i vinte rrotull rotondës, ku në mes është shtatorja tjetër e Nënë Terezës, e bronztë, edhe aty s’kishte lule, por pluhur, jo nga ai prej të cilit vijmë e do të bëhemi pluhur prapë.

Nënë Tereza kishte hapur krahët sikur u thoshte “mirë se erdhët” atyre që vinin nga qielli, si bijë që pret në prag të shtëpisë së saj.

Arritëm. Pothuajse si të gjithë taksistët kudo, as ai s’kishte të na kthente nga lekët që i dhamë, mbaje “kusurin” - ia theksova këtë fjalë të mbetur turke, - pije një gotë verë nga ne.

E megjithatë populli ynë ka nxjerrë shenjtër, po mendoja…

Hapëm derën e shtëpisë. Kërkëlliti gëzueshëm. Brenda na priste prapë Nënë Tereza jonë, ashtu e bardhë, bust farfuritës, po edhe pikturë, me duart e bashkuara, që lutet, e rrethuar nga imazhe të tjera të shtrenjta shtëpisë që i kthejnë dritën që marrin prej saj.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx