Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Papa Françesku dhe letërsia
E marte, 06.08.2024, 06:57 PM
PAPA FRANÇESKU DHE LETËRSIA…
Nga
Visar Zhiti
Vazhdon
të bëjë jehonë “letra e shkëlqyer” që Papa Françesku publikoi para ca ditësh
mbi rolin e letërsisë në formimin e vetveteve dhe veçanërisht priftërinjëve dhe
atyre që bëjnë “punë baritore”, pra, shpirtërore.
Është
një tekst që pohon leximin e poezisë dhe romaneve si “thelbësore” dhe, - sipas
lajmit, - shpjegon arsyet.
Letërsia
“ka të bëjë, në një mënyrë apo në një tjetër, me atë që secili prej nesh
dëshiron nga jeta”, shkruan Papa Françesku. Nuk janë krijues vetëm ata që
shkruajnë, por edhe ata që lexojnë.
Dhe
arrin deri aty sa shprehet se lexuesi është bashkautor, pra “ai rishkruan
veprën, e amplifikon me imagjinatën e tij, krijon një botë, përdor aftësitë e
tij, kujtesën
e
tij, ëndrrat e tij, historinë e tij."
Gjithçka
si lexim…
Kur
Papa Françesku erdhi në Shqipëri para 10 vjetësh, në Presidencën e atëhershme
të Tiranës ai bëri si dhuratë “Mesharin” e Gjon Buzukut, një kopje digjitale të
tij. Siç dihet, “Meshari” njihet si libri i parë në gjuhën shqipe dhe ka mbetur
veç një, i zhdukur nga rrebeshet e shekujve dhe pushtimet dhe ruhet në
Bibliotekën Apostolike të Vatikanit.
Ç’donte
t’i thoshte Ati i Shenjtë me atë dhuratë lidershipit shqiptar? Që të kujtonin
se cili ishte libri ynë i parë? Që duhet ta rinisnin me librin, me atë të
vazhdohej? Që institucionet e vendit, nga më i larti, duhet të kenë bibliotekat
e tyre, të lexojmë patjetër, si popull? Ndoshta të gjitha këto bashkë, etj,
etj, na la si porosi.
Dhe
presidenti shqiptar i radhës nuk e di sa e kuptoi porosinë, se ai ia dha
dhuratën Bibliotekës Kombëtare, aty e ka vendin, tha, sikur dhuruesi i madh të
mos e dinte këtë gjë, kur vendi i vërtetë i librit është koka e gjithsecilit,
duke përfshirë dhe kokat e shtetit.
Do
të doja që ai libër të kthehej në Presidencë…
Gjithsesi,
dua të them se jam i mrekulluar nga letra e fundit e Papa Françeskut, se si e
do ai letërsinë dhe befas m’u ndërmend një bisedë me ambasadorin e Argjentinës
në Vatikan, na tregonte kur ishte gjimnazist në Buenos Aires dhe një jezuit
aty, Jorge Mario Bergoglio, po përgatiste një antologji me krijime të
gjimnazistëve dhe ftoi t’i bënte parathënien shkrimarin gjenial Jorge Luis
Borges. Dhe ashtu u bë.
Sot
ai jezuit është Papa, ku gjimnazisti i dikurshëm dorëzoi letrat kredenciale si
përfaqësues i atdheut, nga ata të dy vijnë.
“Unë
dua artistët tragjikë” - shkruan Papa Françesku, jo si atraksion ndaj tragjedisë si gjini letrare, por si dëshirë
për të hyrë në kushtin njerëzor edhe nëpërmjet rrugës së paraqitjes estetike,
etj, etj.
-
Mos harroni folenë dhe plagët! - i porositi shqiptarët Papa Françesku gjatë
vizitës së tij. Folenë se ai e dinte që shqiptarët mbahen si bij të shqipes,
kështu tha, dhe iknin larg, ndërsa plagët nga që jemi popull i vuajtur, me një
kishë martire, prandaj dhe zgjodhi që vizitën e parë jashtë vendit si Papë ta
bënte në Shqipëri.
Foleja
si një plagë dhe plagët si fole, dhëmbin të dyja, shkruajta unë.
Dua
të kujtoj takimet tona me Papa Françeskun, buzëqeshjen e tij plot dritë kur i
kemi dhuruar librat e mi, poezitë dhe romanet në italisht si dhe një ese për
Shenjten Nënë Tereza, “Le piaghe non hanno patria” (Plagët nuk kanë atdhe), i
bëri përshtypje titulli, vështroi nga Eda ime, ndoshta donte te gjente diçka
nga Nënë Tereza në një bashatdhetare të saj, por mua më ka mbetur në mendje
kujdesi dhe dhembshuria se si ai mori librat, gishtat sikur i kumbonin, sikur
të kishte një lirë të padukshme diku pranë…
Siç
duket leximet, që Papa Françesku na dërgoi një letër të gjithëve tani për
rëndësirën e tyre jetike, ndikojnë dhe në gjestet tona, ka rëndësi si e merr
një gjë dhe po aq, në mos më shumë, si e jep…