E merkure, 11.12.2024, 03:35 AM (GMT)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: 'Si është Kosova'

E enjte, 01.08.2024, 06:51 PM


“SI ËSHTË KOSOVA”

Nga Visar Zhiti

Do desha të shfletoja librin, të gjeja atë poezinë që kisha shkruar në Mitrovicë, kur sapo kishte mbaruar lufta dhe ura ishte plot me ushtarë të huaj, të armatosur, që s’të linin të kaloje në anën tjetër…

Por është poezia, po them me vete, me poezi kemi kaluar kufijtë, egërsinë, pengesat dhe kemi shkuar atje ku kemi dashur, kemi ribërë Atdheun e ëndrrës

dhe lirinë tonë…

Dhe ka prapë shqetësime në Mitrovicë, Serbia s’e duron reciprocitetin, po tani është ushtria shqiptare e Republikës së Kosovës që shkon të mbrojë kufirin…

Do desha të shfletoja librin tim tani, “Si është Kosova”, por nuk e kam më këtu, ia kisha dhuruar Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kur u takuam në Chicago, teksa kishte ardhur për një vizitë në SHBA… pa mbështetjen e të cilit jo vetëm Kosova që nuk do të çlirohej dot, por dhe Kombi Shqiptar do ta kishte të vështirë ekzistencën, kështu thamë…

Sonte në Prishtinë këndon një këngëtare nga Ukraina, - gjeta një lajm, - nga vendi që është në luftë me Rusinë për lirinë e vet..  si Kosova para do kohësh me Serbinë, që e mbêshtet po kjo Rusi… por popujt s’duan luftën, tashmë edhe Kosova, edhe Ukraina kanë dashurinë e botës…

NATO di të kthehet dhe dheu amë është pjesë e kësaj aleance tashmë.

Po unë dua të lexoj poezi, tani… dhe kërkoj në kompjuter, se si më duket ekrani, si një copëz qielli i prerë, i ardhur nga larg…

3 POEZI

KUAJT E MITROVICËS

Kuajt në Mitrovicë,

më të hijshëm

se ideja e Kuajve të Triumfit,

të shëndetshëm dhe të urtë,

me xhufkat e verdhëllemta mbi ballë

si një tufë kallinjsh hyjnore.

Kuajt në Mitrovicë,

më të edukuar se ushtarët e huaj

tek ura

që s’lënë shqiptarët

të venë në shtëpitë e tyre

në lagjen me serbë. Urat

gjithmonë i kam krahasuar me kuaj          shekullorë.

Kali të çon në bregun tjetër

të një legjende,

të fut nëpër qytet, sado modern qoftë.

Dua të rend pas kuajve të Mitrovicës,

të tërheq bashkë me ta ngjarjet

drejt ngjarjeve të tjera më të mira.

Kuaj fisnikë të Mitrovicës,

adhurimi ndaj jush

do të më bëjë sonte

kentaur:

gjysma zell shtegtimesh

me potkonj floriri,

gjysma tjetër dhembje

e madhe njerëzore.

Mitrovicë, 20. 11. 1999

* * *

Mjaft! Hiqjani metaforën Kosovës

siç hiqnin përkrenaret dhe mburojat             luftëtarët ilirë

kur futeshin në det për t’u larë,

po edhe nusja heq vellon dhe fustanin          e bardhë pas dasmës,

Kosova është e vërtetë, është realitet, jetë, si përqafimi,

krahët e tu mbi supet e mi

janë të vërtetë.

Në Kosovë erdhi historia,

hije perandorësh të lirisë paganë

pijnë kafe

në tryezat jashtë në rrugë.

Kosova ndjen

si fjala “të dua” që u tha dhe sot paradite, Kosova s’është më vetëm ditë      e djeshme, Kosova është e nesërme       më shumë, mjafton të shohësh dorën e saj që i ngjan hartës së saj.

Kosova ka adresë, kod, lagjen e saj

të Diellit

dhe hijen që bie brenda në Europë

si një natë e munguar.

Liria e Kosovës ulet në stolin ku je ulur ti, vij dhe unë. Dhe bisedojmë

për engjëllin tonë mbrojtës. Gjallë ????????????????

është ajo Kosovë brenda njeriut. ????????

?????????????????????????????

* * *

Engjëlli i shqiptarëve

po ecën zbathur kësaj dite të ngrohtë,

këmbët duan të shijonë tokën

ashtu si sytë leximin e poezive.

Dy flatrat e engjëllit të shqiptarëve

sa ngadalë po lëvizin

dhe jo për të fluturuar,

ja, sa për të krijuar një puhizë

që të freskohen mendimet përreth.

Sot do të rrijë mes nesh engjëlli ynë,

t’i gëzohemi flatrave të tij, janë tonat

dhe jo gjithmonë kanë qenë kaq mirë,

herë dhëmbte njëra,

rëndohej e nuk lëviste dot

dhe herë tjetra nga plagët

që i shkaktonin sqepat dhe kthetrat

e grabitqarëve.

Binin pendë dhe vite

pikonte gjaku nga qielli

dhe mbusheshin pllajat tona

me lulëkuqe...

————————————-

Nga përmbledhja “Si është Kosova”,

botimet “Buzuku”, Prishtinë 2014



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora