| E premte, 13.09.2024, 06:58 PM |
NË DITËN E SHENJTES NËNË TEREZA
NË
TIRANË…
Nga
Visar Zhiti
Në
qiellin e Tiranës tonë, kur avioni filloi të ulej për në aeroportin që mban
emrin e Shenjtes “Nënë Tereza”, po prisja që zëri i stjuardesës - shoqërueses
së fluturimit- të thoshte jo vetëm që ju kujtojmë bagazhet, por dhe që sot
është dita e shenjtërimit të Nënë Terezës.
Asgjë
të tillë s’e dëgjuam as nga zëfolësët e sallave të aeroportit, as nuk e pamë të
shkruar në mure me drita, ashtu si dhe vjet, veç te vendi i taksive pamë
shtatoren e saj të bardhë, por asnjë kurorë s’ishte vënë aty. Ah, po, një zonjë e re ishte me djalin e
saj dhe kishte një tufë me lule në dorë, i foli djalit shqip dhe i kërkuam të
na bënte një foto para shtatores. Buzëqeshi. Nga e folura na u duk si nga
Kosova. Eda bëri dhe një foto me djalin e saj…
Taksistit
i thamë të na çonte në një dyqan lulesh sa më pranê, pse, ç’i doni? - shfaqi
kërshëri ai siç bëjnë jo vetëm taksistët, por thuajse të gjithë shqiptarët.
Për
Nënë Terezën i duam, - i thamë me një zë, - është Dita e Saj, në fakt është
dita jonë, e të gjithëve.
Unë
nuk dëgjoj lajme, - po shpjegohej taksisti pa ndërprerje, - dhe kam kaq vjet që
bëj rrugën e aeroportit, por s’më kanë thënë ndonjëherë pasagjerët ndonjë gjë
të tillë, - ndërkaq taksia po i vinte rrotull rotondës, ku në mes është
shtatorja tjetër e Nënë Terezës, e bronztë, edhe aty s’kishte lule, por pluhur,
jo nga ai prej të cilit vijmë e do të bëhemi pluhur prapë.
Nënë
Tereza kishte hapur krahët sikur u thoshte “mirë se erdhët” atyre që vinin nga
qielli, si bijë që pret në prag të shtëpisë së saj.
Arritëm.
Pothuajse si të gjithë taksistët kudo, as ai s’kishte të na kthente nga lekët
që i dhamë, mbaje “kusurin” - ia theksova këtë fjalë të mbetur turke, - pije
një gotë verë nga ne.
E
megjithatë populli ynë ka nxjerrë shenjtër, po mendoja…
Hapëm
derën e shtëpisë. Kërkëlliti gëzueshëm. Brenda na priste prapë Nënë Tereza
jonë, ashtu e bardhë, bust farfuritës, po edhe pikturë, me duart e bashkuara,
që lutet, e rrethuar nga imazhe të tjera të shtrenjta shtëpisë që i kthejnë
dritën që marrin prej saj.