Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Kuq e Zi nga legjendari Lek Pervizi
E hene, 28.10.2024, 05:55 PM
KUQ E ZI
NGA
LEGJENDARI LEK PERVIZI
Nga
Visar Zhiti
Doli
numri i ri i revistës “Kuq e zi”, i legjendarit Lek Pervizi, që i vetëm e
përgatit në Bruksel, ku jeton e vazhdon të punojë, edhe pse tashmë i kaloi 95
vjetët.
Ashtu
si ai na është bërë e dashur revista “kulturore dhe euro shqiptare” - kështu e
quan, që ka mbi 3 dekada që e nxjerr, është bërë ndërkaq dhe një organ mediatik
i kujtesës kombëtare, i historisë dhe i gjuhës, i pikturës dhe poezisë siç
është dhe vetë Lek Pervizi, historian, studiues, poet e mbi të gjitha piktor,
ai u laurua në Itali, studioi për artet në Torino, Firence dhe Romë dhe, kur u
kthye në atdhe, gjithë jeta e tij mbas Luftës II Botërore deri sa ra komunizmi
kaloi burgjeve dhe internimeve dhe revista e tij në çdo numur të saj është me dëshmi
të tilla dhe me atë dhimbje e qendresë dhe me mrekullinë e pikturës së tij, Lek
Pervizi sjell vizatime infernale nga kampet famëkeqe të Tepelenës, të Porto
Palermos, të burgut të Kalasë së Gjirokastrës, ku dhe vuajti, të të
pushkatuarve, edhe nga familja e tij e madhe, portrete bashkëvuajtësish e
bashkëvuajtësesh, vetëm ai ia ka dalë t’i sjellë nga harresa si imazhe
tronditëse.
Edhe
në këtë numur të ri të revistës “Kuq e zi” janë disa skica nga internimi në
Plukun e Lushnjës, por nga i biri, Leonardi, ku ai lindi dhe u rrit pa asnjë të
drejtë, ku nuk i lejohej të pikturonte, madje ndoca shkrimtarë të Partisë së
Lushnjës, të shquar vetëm për luftën e klasave dhe spiunllëqe, ia kishin
caktuar, “ti s’mund të ekspozosh, as fëmijët e tu, të shohim për nipat…” -
kishin profetizuar mynxyrshëm. Por Leonard Pervizi përkundrazi, tashmë është
piktor i njohur dhe akademik në Bruksel, me ekspozita nëpër botë, hapi dhe një
në Tiranën tonë, jo se ktheu kokën pas, por e pa si pjesë të ardhmërisë
europiane.
Në
këtë numur të revistës është dhe një kritikë letrare nga Prof. Thanas Gjika për
romanin tim “Funerali i pafundmë” si metaforë e kalvarit absurd në regjimet
totalitare. Leka e ka shoqëruar shkrimin me
portretin e autorit të romanit, bërë me kujtesë dhe si homazh ashtu siç
e kishte vizatuar dikur në internim në Pluk, në mungesë, kur atë e kishin
burgosur për poezitë e tij.
Revista
“Kuq e zi” si Flamuri ynë është dhe enciklopedi e patriotizmit, me materiale
skenderbejane, me bekimet e shenjtes Nënë Tereza e britma lirie, plot me emra
të njohur e të panjohur, me zbulime, pra ka dhe ngjyrën e kuqe të gjakut dhe
atë zinë e natës së gjatë që s’duhet harruar…
E
përsëris, revistën e bën i vetëm artisti 95 vjeçar, i përndjekuri dhe
triumfatori, legjenda e gjallë Lek Pervizi. A ka ndonjë mbështetje
institucionale, mirënjohje, titull a dekoratë?
Po
ai është përtej tyre dhe më shumë se ato.